Ballina

Etiketë: ministria e mbrojtjes

  • Ministri i Mbrojtjes dhe Komandanti i FSK-së udhëtojnë për në SHBA

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari po qëndrojnë në vizitë zyrtare në SHBA. 

    Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se gjatë kësaj vizite Maqedonci do të zhvillojë takime të nivelit të lartë në Departamentin e Mbrojtjes, në Departamentin e Shtetit dhe në Senatin e SHBA-së. 

    “Këto takime po zhvillohen në kuadër të fuqizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, në fushën e Mbrojtjes dhe të Sigurisë.” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, më 13.01.2025.

  • Ministri Maqedonci në Shqipëri: Bashkë për një ushtri më të përgatitur dhe më të fortë

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci me ftesë të homologut të tij nga Shqipëria, Pirro Vengu, mori pjesë sot më 07.01.2024 në ceremoninë e betimit të kursantëve të Kursit Komando, zhvilluar në Regjimentin e Operacioneve Speciale në Zallher.

    Sipas ministrit, ushtarakët nga Kosova pas përfundimit me sukses të këtij kursi tejet sfidues, do të kenë mundësinë që njohuritë e shkathtësitë e fituara t’i vënë në funksion të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mbrojtjes së vendit.

    “Bashkë për një ushtri më të përgatitur dhe më të fortë!”- ka shkruar ministri në Facebook.

  • Plani i tranzicionit të FSK-së: Nis gjenerimi i opsioneve për ndërtimin e flotës ajrore

    Ministria e Mbrojtjes thotë se ka filluar me gjenerimin e opsioneve për ndërtimin e flotës ajrore.

    Në një përgjigje për KALLXO.com, kjo Ministri deklaroi se një gjë e tillë ka ndodhur sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.

    Megjithatë, në këtë fazë, nga Ministria nuk kanë pranuar të ndajnë më shumë detaje.

    “Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit këtë vit fillon faza e tretë, ajo e ndërtimit të kapaciteteve të flotës ajrore dhe në përputhje me këtë Plan kemi filluar me gjenerimin e opsioneve. Që në këtë fazë detajet nuk mund t’i ndajmë me publikun.” – tha këshilltarja për media e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë me kapacitete ushtarake ka hyrë në vitin e shtatë të Planit dhjetëvjeçar.

    Procesi i transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ta ndryshuar mandatin e FSK-së. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet, deri në vitin 2028.

    Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila po ashtu ka nën menaxhim Forcën e Sigurisë së Kosovës, është rritur dukshëm nga viti në vit. Për vitin 2025 ka një rritje prej 55 milionë euro më shumë, krahasuar me vitin e kaluar.

    Për sivjet, janë projektuar 208 milionë buxhet për këtë Ministri. Ndërsa, për vitin 2024 ishin ndarë gjithsej 153 milionë euro.

    Përndryshe, në vitin 2024 buxheti i tërësishëm i Kosovës ishte 3 miliardë e 314 euro, kurse 3 miliardë e 212 milionë euro në vitin 2023. Ndryshe prej rritjes 100 milionëshe që ndodhi në vitin 2024, rritja për vitin 2025 do të jetë 294.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 27.11.2024 në Ditën e Forcës ka nënshkruar Vendimin për Themelimin e Komisionit Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjen e procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës së municionit dhe për laboratorët për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë.

    “Një Ushtri që për një kohë aq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona, ka nevojë për ta siguruar dhe garantuar operancionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Andaj, me sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake.” – ka thënë Kurti.

    Bazuar në zotimin e vitit 2013, të nënshkruar mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, ish-kryeministri Hashim Thaçi e kishte siguruar NATO-n se FSK-ja nuk do të shkojë në Veri – pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.

    Për këtë zotim ka reaguar disa herë kryeministri aktual Albin Kurti, megjithëse edhe ai i është përmbajtur së njëjtës ujdi deri më tani.