Ballina

Etiketë: Ministria e Infrastrukturës

  • Si e “harroi” Ministria e Infrastrukturës shtrimin e ziftit në një pjesë të rrugës Prishtinë-Podujevë?

    Ministria e Infrastrukturës është detyruar që të nënshkruajë dy aneks-kontrata për “lot”-in 1 të tenderit për rrugën Prishtinë – Podujevë, për shkak se kishte harruar që në pozicionet e aneks-kontratës së parë të vendosë edhe shtrirjen e ziftit për rrugën në fjalë.

    Fillimisht kontrata për “lot”-in 1 të këtij tenderi është nënshkruar në qershor të vitit 2023.

    Në këtë kontratë parashihej që të kryheshin punë si: Incizime dhe punët paraprake në terren, dhe aty përfshihej demolimi dhe pastrimi nga objektet ekzistuese në dy anët e rrugës; Gërmimet, ku përfshihej gërmimi i sipërfaqes së aksit kryesor apo rrethrrotullimeve; Ndërtimi i tre mbikalimeve; si dhe ndërtimi i mureve mbrojtëse përgjatë rrugës.

    Vlera e kësaj kontrate ka qenë 8 milionë e 447 mijë e 447 euro dhe e kishte fituar kompania “2A”, në konsorcium me kompaninë “Vega”.

    Më pas, Ministria ka nënshkruar një aneks-kontratë për këtë “lot”, si punë shtesë.

    aneks-kontratën e parë parashikohej të kryheshin punë si: Projekti i rrugës; Punë ndërtimore në seksionin e rrugës; Kanalizimi atmosferik; Kanalizimi fekal; Ndriçimi; Ujësjellësi; Si dhe një nënkalim të automjeteve. Aneks-kontrata ishte nënshkruar në gusht të vitit 2024 dhe e ka vlerën e 728 mijë eurove, me të njëjtën kompani.

    Por në këtë aneks-kontratë Ministria e Infrastrukturës ka harruar që të kontraktojë edhe shtrirjen e ziftit nëpër pozicionet e kontratës. Kjo pasi që në dhjetor të vitit 2024 kanë nënshkruar një tjetër aneks-kontratë vetëm për shtrirjen e ziftit nëpër këtë rrugë.

    Aneks-kontrata e dytë e kishte vlerën e 70 mijë eurove, prapë me të njëjtën kompani.

    KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit me zëvendësministrin Hysen Durmishi, por i njëjti ka kërkuar që të dërgohen pyetjet me shkrim. Pyetjeve me shkrim nuk i është përgjigjur as Durmishi, as Ministria.

    Po ashtu, edhe Kushtrim Krivaqa nga kompania “2A” ka kërkuar që t’i dërgohen pyetjet me shkrim, por e njëjta kompani nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj storje.

    Në anën tjetër, në maj të vitit 2024, zëvendësministri Hysen Durmishi ishte intervistuar si i dyshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pikërisht për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë.

    Ai para gazetarëve, pas intervistimit, kishte thënë se pyetjet e prokurorit kanë qenë “sqaruese”.

    “… i sqarova të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë – Podujevë  ka qenë i rregullt dhe atje po zhvillohen punimet me dimanikën të cilën e kemi planifikuar. Në njëfarë mënyre e sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces” – kishte thënë Durmishi para gazetarëve.

    Në korrik të vitit 2023 në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi pikërisht për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

  • U keqplanifikua, shpenzohen 46 mijë euro shtesë për ‘Urën e Badovcit’ – VIDEO

    Ndonëse kontrata e nënshkruar kapte vlerën e 468 mijë e 522 eurove, komplet projekti për ndërtimin e Urës mbi Liqenin e Badovcit, Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i kushtoj 514 mijë e 806 euro.

    Edhe pse punimet ishin në fazën fillestare, Ministria e Infrastrukturës, kishte nënshkruar aneks-kontratë për punë shtesë.

    Sipas paramasës në të cilën pati qasje Kallxo.com, për pozicionin – “Punët e Dheut”, që parashihte mbushjen e shtratit të liqenit me material që mundësonte vendosjen e skeleve për të punuar pastaj, u shpenzuan 19 mijë e 440 euro.

    Ndërkohë, për pozicionin- “Punët Armaturës – Hekurit” sipas aneks-kontratës Ministria e Infrastrukturës shpenzoi 13 mijë e 783 euro.

    Përveç këtyre pozicioneve, ishin paraparë edhe punë të tjera.

    Në aneks ishin paraparë: testimi i urës dhe vendosja e mureve mbrojtëse. Pra këto dy punë nuk ishin paraparë me kontratën bazë.

    Zëvendësministri i Infrastrukturës tha se punët shtesë kanë rrjedhur si pasojë e ri-formatimit të projektit, megjithatë për detaje na udhëzoi të dërgojmë pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës.

    “Çështja kryesore është se aty është bo edhe riformatim dhe ndryshim i projektit sepse ka qenë projekti me shtylla në mes të liqenit dhe është riprojektu me shtylla të pjerrëta anësore. Krejt kjo i ka sjellë këto ndryshime dhe ka pas riprojektim dhe aneks-kontratë”- tha për KALLXO.com.

    Kallxo.com i adresoi pyetjet në Ministrinë e Infrastrukturës, por deri në publikimin e lajmit, nuk mori përgjigje, pavarësisht premtimit të zëvendësministrit Durmishi.

    Nga kompania Dreni Inginering SH.P.K., thanë se riprojektimi i urës ishte i pashmangshëm meqë projekti i mëparshëm ishte i pamundur të realizohej.

    “Ministria e ka vendosur ashtu. Nuk ka qenë e mundur me u kry projekti ashtu sepse i ka pasur dy shtylla në ujë”- thonë nga kompania.

    “Jo, projekti ka qenë i hartuar mirë, por kanë ndryshuar kushtet në liqe. Niveli i ujit ka qenë maksimal”- tha ai kur u pyet nëse ka pasur gabime në hartimin e projektit.

    Sidoqoftë, ndërtimi i urës kishte përfunduar 355 ditë, pas nënshkrimit të kontratës dhe 20 muaj pasi që ishte mbyllur për qarkullimin e veturave.

    Ura që shtrihet në magjistralen Prishtinë – Gjilan, ishte mbyllur në fund të muajit prill të vitit 2023. Më pas, më 17.05.2023, Ministria e Infrastrukturës kishte asfaltuar rrugën ndihmëse, që shfrytëzohej si rrugë alternative, deri në përfundimin e urës. Ndërsa, në tetor të vitit 2023, kishin filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e urës së re. Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” ishte nënshkruar më 10.01.2024. Vlera e Kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” ishe 468 mijë e 522 euro.