Ballina

Etiketë: Ministria e Drejtësisë

  • Vuçiq fal 13 protestues, përfshirë studentë e profesorë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë 13 vendime për falje, duke përfshirë studentë, profesorë dhe qytetarë të tjerë kundër të cilëve janë zhvilluar procedura penale pas pjesëmarrjes së tyre në protestat e fundit.

    Ky veprim vjen dy ditë pasi Vuçiq njoftoi se do të falte individët e përfshirë në procedura penale pas pjesëmarrjes në protestat që pasuan shembjen fatale të strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona.

    Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e presidentit, thuhet se faljet janë dhënë për të gjithë ata që janë arrestuar dhe akuzuar për pjesëmarrje në protestat që kanë ndodhur në Beograd, Novi Sad dhe qytete të tjera në Serbi.

    Faljet përfshijnë individë të akuzuar për shkelje të rendit publik dhe paqes, si dhe për dëmtim të pronës publike dhe private gjatë protestave.

    Sipas njoftimit nga Presidenca, janë falur gjashtë studentë: D. B. nga Novi Sadi, M. M. nga Novi Sadi, M. K. nga Novi Sadi, I. B. nga Pozhega, R. S. nga Sremska Kamenica dhe M. S. nga Zhabali.

    Vuçiq gjithashtu ka falur një dekan – N. J. nga Nishi, dhe R. J. nga Novi Sadi.

    Gjithashtu, janë falur katër drejtorë shkollash: B. M. nga Shabaci, M. E. nga Bogatiqi, M. I. nga Shabaci, S. M. J. nga Shabaci, si dhe një punëtor ndihmës në shkollë, V. M. nga Prokuplja.

    Vendimet për falje janë dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë për procedurat e mëtejshme, thuhet në njoftimin e 29 janarit.

    Valët e protestave, të cilat kanë nxjerrë në rrugë dhjetëra mijëra qytetarë, u nxitën nga shembja e strehës së rinovuar të Stacionit Hekurudhor më 1 nëntor, ku humbën jetën 15 persona dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

    Studentët në bllokadë kanë kërkuar nga autoritetet publikimin e dokumentacionit të plotë mbi rinovimin e stacionit, për të përcaktuar përgjegjësinë penale për aksidentin.

    Ata gjithashtu kërkojnë ndjekjen penale të të gjithë sulmuesve ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave pas aksidentit në Novi Sad.

    Presidenti i Serbisë deklaroi më 27 janar se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur, derisa studentët po vazhdojnë protestat.

    Kryeministri i Serbisë, Miloš Vuçeviq, dha dorëheqjen më 28 janar, pas sulmit ndaj një grupi studentësh përpara zyrave të Partisë Progresive Serbe në pushtet, dhe të njëjtën ditë dha dorëheqjen edhe kryetari i Novi Sadit, Milan Đurić./ REL

  • Vendimi i Arbitrazhit, ministrja e Drejtësisë: Hotel Grandi mbetet në pronësi të Republikës së Kosovës 

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se “Hotel Grandi” mbetet në pronësi të Republikës së Kosovës. 

    Ajo deklaruar se sipas vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimeve, ka gjetur që nuk ekziston asnjë premisë, dëshmi apo teori që do t’ia mundësonte Begjet Pacollit pronësinë mbi Hotel Grandin.

    Por Haxhiu ka thënë se Republika e Kosovës ka obligim t’ia kthejë Pacollit vlerën monetare që ai ia kishte dhënë Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në emër të privatizimit.

    “E vetmja gjë për të cilën obligohet Republika e Kosovës, është kthimi i vlerës monetare të cilën Pacolli ia kishte dhënë AKP-së në emër të privatizimit. Edhe pse ai nuk ishte palë në procedurë, AKP kishte pranuar mjetet e tij. Këto tani ne detyrohemi t’i kthejmë.Për shkak të hajnisë 20 vjeçare nëpër institucione shtetërore, paguajmë pasoja ende. Por këto janë të fundit. Pronësinë mbi pronën publike nuk ia lejojmë askujt. Prandaj Grandi mbetet i Kosovës e i qytetarëve të saj”- ka shkruar Haxhiu në Facebook më 04.01.2025. 

    Për të njëjtën çështje, kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se kompania e tij “Mabco Construction Int”, ka fituar arbitrazhin ndërkombëtar të organizuar nga dhoma e posaçme e Bankës Botërore në Washington për rastin e Grandit, ndaj shtetit të Kosovës. 

    “Vendimi parashikon që Qeveria e Kosovës duhet: Të rikthejë shumën e paguar nga Mabco për objektin që, për shkak të refuzimit për të paguar haraç, nuk iu njoh kurrë e drejta e pronësisë, megjithëse pagesen Qeveria e kishte inkasuar në kohë (në vitin 2006). Ky triumf në arbitrazhin ndërkombëtar është një sinjal i qartë se e drejta vonohet, por gjithmonë del në dritë”- ka shkruar Pacolli më 04.01.2025. 

    Tutje, Pacolli ka deklaruar se “vendimi i arbitrazhit ndërkombëtar është obligim për Qeverinë që të kthejë shumën që kompania e tij thotë se  e pagoi në vitin 2006 në llogarinë e shtetit”.

    Sipas tij, qeveri ka refuzuar njohjen e Mabco si aksionare në objektin e blerë, ndonëse thotë se  marrëveshja ishte e qartë dhe qeveria ishte dy herë e informuar për këtë.

    “Ky vendim nxjerr në pah poashtu edhe tentativat për mashtrim të Zylqif Berishës, i cili, me skenarët dhe njerëzit e tij të “fortë”, për 18 vite më ka shkaktuar shumë kokëçarje.

    Hoteli Grand për herë të parë hapi dyert në prill të vitit 1978. Atë kohë konsiderohej si një nga ndërtesat ikonë të kryeqytetit, derisa sot thuajse e gjithë fasada e jashtme e tij është e mbuluar nga reklama të bizneseve e produkteve të ndryshme.

    “Grand Hotel” ishte privatizuar fillimisht në kohën e ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. Për të janë paguar mbi 8 milionë euro, ndërsa investitori ishte zotuar se do të investonte 20 milionë euro dhe të punësonte 570 punëtorë.

    Hoteli ishte privatizuar nga kompania “Union Commerce”, me pronar Zelqif Berishën, mirëpo më vonë Behgjet Pacolli e Remzi Ejupi kishin pretenduar se kanë aksione në këtë hotel.

    Palët ishin përfshirë në një kontest gjyqësor për pronësinë. Por, pas dështimit për të realizuar investimet e zotuara, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte vendosur që t’i tërheqë aksionet dhe e kishte marrë hotelin në pronësi.

    Hapësirat e hotelit tash e disa vite shfrytëzohen për aktivitete e ekspozita të ndryshme, përfshirë Bienalen Manifesta në vitin 2022 që u organizua në disa prej hapësirave të këtij hoteli.