Ballina

Etiketë: mbyllja

  • Numër i vogël i votuesve, KQZ-ja mbyll disa Qendra Votimi jashtë Kosovës

    Komisoni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 28.01.2025, ka marrë vendim që të mbyllen Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomatike në Ankara, Kanbera dhe Iowa.

    Sipas KQZ-së, 75 votuesit e këtyre Qendrave do të votojnë me postë.

    KQZ-ja ka thënë se në Qendrën e Votimit në Ankara të Turqisë janë regjistruar 25 votues, në Kanbera të Australisë 18 votues dhe në Iowa të SHBA-së janë regjistruar 32 votues.

    “Për shkak të numrit të vogël të votuesve, vetëm 75 sosh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që më 8 shkurt 2025 të mos organizohet votimi ashtu siç ishte planifikuar në Qendrat e Votimit në 3 përfaqësitë diplomatike, që ndodhen në shtete të ndryshme.” – ka thënë KQZ-ja.

    Sipas KQZ-së, të gjithë këta votues të regjistruar do të mund të votojnë përmes postës në kutitë postare që janë hapur nga KQZ në këto shtete.

    Pas këtij vendimi të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 15 Ambasada dhe 15 Konsullata të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.

    Mërgimtarët kanë nisur të votojnë përmes postës për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, para se disa prej partive politike në vend t’i bëjnë publike Programet me të cilat synojnë t’i fitojnë këto Zgjedhje.

    Diaspora mund të votojë me postë deri më 08.02.2025. Pjesa tjetër e mërgimtarëve të regjistruar kanë të drejtë të votojnë nëpër Ambasada dhe Konsullata në shtetet përkatëse ose të udhëtojnë për votim në Kosovë, më 09.02.2025.

    Numri i qytetarëve, sipas të dhënave të KQZ-së, të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

    Prej shumës totale, 84 mijë e 525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.

    Për Zgjedhjet e 9 shkurtit janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.