Ballina

Etiketë: Mbështetja

  • Problemet teknike në platformën online, QKK shtyn afatin e Konkursit për Mbështetje të projekteve për film të metrazhit të gjatë

    Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se ka shtyrë për 24 orë afatin e aplikimit në Konkursin për Subvencionim të projekteve për film të gjatë artistik.

    Ky Konkurs mbetet i hapur deri në fund të datës 13.01.2025.

    Sipas QKK-së, shtyrja e afatit për aplikim për këtë Konkurs po bëhet për shkak të problemeve që kanë hasur aplikuesit gjatë aplikimit në platformën online, gjatë datës 12.01.2025.

    “Për shkak të problemeve teknike që aplikuesit kanë hasur në platformën online gjatë ditës së djeshme, afati për aplikim për Subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë është shtyrë. Afati i ri për dorëzimin e aplikimeve është deri sonte, më 13 janar 2025, në ora 00:00.” – thuhet në njoftimin e QKK-së, më 13.01.2025.

    Më 12.12.2024, QKK ka hapur Konkursin për Subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik.

    Për dallim nga vitet e kaluara, QKK-ja nuk ka hapur Konkurs edhe për kategoritë tjera, si për filma dokumentar, filma të metrazhit të shkurtër e të animuar – duke lënë jashtë këtij Konkursi këto kategori filmike.

    Sipas Rregullores për Konkurset dhe Mbështetjen financiare të veprave filmike dhe audiovizuale, QKK-ja brenda vitit hap një apo më shumë Konkurse. Po, sipas saj, në Konkurset e QKK-së prioritet kanë veprat filmike dhe audiovizuale vendase.

    QKK-ja për vitin 2025 do të ketë një buxhet prej 2,139,694 euro.

     

  • Zgjedhjet gjermane të 2025-tës: Kush prin në sondazhe?

    Mbështetja për SPD-në e kancelarit Olaf Scholz, të Gjelbrit dhe FDP-në ka rënë, derisa partitë opozitare, si CDU dhe AfD, kanë shfrytëzuar momentumin – ka raportuar të hënën, më 06.01.2025, Euronews.

    Skena politike e Gjermanisë po dëshmon një kthesë derisa po zbehet përkrahja për koalicionin “semafori” – duke u theksuar edhe më shumë pas prishjes së aleancës ndërmjet Socialdemokratëve të Scholzit, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë (FDP) pro-biznes.

    Njëherësh Unioni Kristiandemokrat (CDU) i së djathtës së qendrës dhe partia bavareze simotër, Unioni Kristiansocial (CSU) kanë vazhduar të kryesojnë në sondazhe, derisa e djathta ekstreme populiste, Alternativa për Gjermaninë (AfD) mbetet partia e dytë më e madhe opozitare.

    SPD-ja e kancelarit Scholzit ka ngelur prapa partisë së madhe opozitare, të prirë prej Friedrich Merzit, kur vjen puna te mbështetja popullore para Zgjedhjeve.

    Zëvendëskancelari Robert Habeck, nga radhët e të Gjelbërve, ka hyrë në garën për Kancelarinë, por partia e tij ka vazhduar të shënojë rënie të përkrahjes pas rënies së koalicionit trepartiak.

    AfD-ja e së djathtës ekstreme, që vazhdimisht ka shënuar ngritje, ka nominuar Alice Weidelin si kandidate për kancelare.

    Megjithatë partia mbetet politikisht e izoluar, derisa partitë tradicionale vazhdojnë të refuzojnë çfarëdo koalicioni me të.

    Prej të majtës, BSË-ja e porsaformuar, e prirë prej Sahra Wagenknechtit, ka materializuar pakënaqësinë populiste – duke diversifikuar edhe më tej mundësitë politike të Gjermanisë.

    Dhe, derisa po afrohen Zgjedhjet e reja, anketimet sugjerojnë një spektër të fragmentuar, pa asnjë parti afër një fitoreje absolute.

    Me gjasë rezultati do të shpije drejt negociatave për formimin e një koalicioni – shenjë e politikës gjermane.

    Sondazhet tregojnë se VDU/CSU janë në pozitë më të mirë për formimin e një koalicioni shumice, por që do t’u duhet edhe mbështetja nga të Gjelbrit ose SPD-ja. Përderisa, koalicioni aktual trepartiak nuk pritet të përtërihet me anketimet që e nxjerrin FDP-në poshtë pragut prej 5% për përfaqësim në Bundestag.

    Sistemi zgjedhor proporcional i Gjermanisë ofron një spektër të besueshëm për formim të mundshëm të Qeverisë pas Zgjedhjeve.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com