Ballina

Etiketë: major

  • Pjesëmarrja në tubime politike – IPK rekomandon suspendimin e një Koloneli dhe inicion procedurë disiplinore ndaj një Majori të Policisë

    Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar më 08.01.2025 se sipas detyrës zyrtare ka iniciuar procedura disiplinore për dy raste të ndara, ku janë përfshirë një gradë e Kolonelit policor dhe një Major.

    Sipas njoftimit, vendimi ka ardhur pas publikimit të shkrimeve në medie për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike.

    “IPK në njërin rast ka rekomanduar suspendimin e Kolonelit policor me dyshimin për pjesëmarrje në tubim të natyrës politike, kurse rastin e Majorit (me të njëjtat dyshime) e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës.” – thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se duke u bazuar në rëndësinë e jashtëzakonshme të një institucioni policor të pavarur dhe të pandikuar politikisht, IPK bën thirrje publike për të gjithë zyrtarët policorë që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore.

    “Roli i Policisë është kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe çdo përfshirje apo perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion jetik.” – thuhet në njoftim.

    Ndërsa është berë e ditur se IPK vazhdon të mbetet e përkushtuar në mbështetjen e një Policie, ku puna edhe angazhimi i saj bazohet nga vlerat e integritetit, neutralitetit dhe shërbimit të drejtë ndaj të gjithë qytetarëve.