Ballina

Etiketë: LVV

  • Ekonomia e Kosovës: Shumë premtime, pak përparime

    Kur ka prezantuar programin e Qeverisë së tij në maj të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë, mes tjerash, se potenciali i madh i prodhimit të ushqimit në Kosovë, duhet të shfrytëzohet jo vetëm për nevoja të brendshme, por edhe për të eksportuar.

    Ai ka thënë se do të angazhohet në blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese për eksport, si dhe do t’i ndihmojë bizneset në gjetjen e tregjeve për eksport.

    Në kuadër të mbështetjes për to, ka thënë se Kosova do të themelojë edhe Bankën e saj Zhvillimore.

    “Ajo do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar”, ka thënë Kurti në vitin 2021.

    Katër vjet më vonë, kjo bankë nuk është themeluar dhe bilanci tregtar nuk është se ka ndryshuar.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe të Doganës së vendit tregojnë se në vitin 2021 vlera e eksporteve në Kosovë ka qenë 775.7 milionë euro, kurse e importeve 4.6 miliardë euro.

    Në vitin 2024, eksportet janë rritur në 990.2 milionë euro, por edhe importet në 6.3 miliardë euro.

    Kurti edhe në fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit – në të cilat do të garojë për mandatin e dytë si kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje – bën premtime të ngjashme.

    “Do të ofrojmë mbështetje deri në një miliard euro për investime të mesme e të mëdha në ndërmarrjet prodhuese cep më cep Kosovës. Do ta shtojmë prodhimin, do ta shtojmë investimin, do ta mundësojmë riinvestimin dhe do ta rrisim eksportin”, ka thënë Kurti në një tubim me mbështetësit e tij në Gjakovë.

    Me këso premtimesh, mbështetësve u drejtohen edhe kundërkandidatët e tij.

    Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se do të ndajë mbi 6 miliardë euro për projekte kapitale dhe zhvillimore.

    “Ne nuk i ofendojmë bizneset private. Ne do t’i mbështesim bizneset private. Në qeverinë time, nuk do të ketë më pagesa të TVSH-së në kufi, por në brendi të Kosovës, pas shitjes së produkteve dhe jo përpara”, u ka thënë Hamza mbështetësve në Skenderaj.

    Për Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bizneset krijojnë vende të reja të punës, eksportojnë dhe ulin deficitin e lartë tregtar. Është “paradoks i kohës”, sipas tij, që ato edhe sot e kësaj dite përballen me mungesë të energjisë elektrike.

    “Pas 9 shkurtit, Qeveria e Kosovës, qeveria e djathtë, bizneset i sheh si partner. Do të punojë me to dhe do ta bëjmë Kosovën me to”, ka thënë Abdixhiku gjatë një vizite në një kompani për konstruksione metalike.

    Këtë pikëpamje për bizneset, në disa tubime me mbështetës, e ka ndarë edhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Duhet të dërgojmë sinjale të qarta se biznesi është partner. Bizneset janë vlerë e shtuar, krijojnë buxhet, krijojnë investime. Duhet t’i fuqizojmë sipërmarrësit tonë, jo vetëm të mëdhenjtë dhe jo vetëm do, por çdo sipërmarrës të Kosovës duhet ta kemi partner”, ka thënë Haradinaj para mbështetësve të tij në Rahovec.

    Secila prej këtyre partive, në periudha të ndryshme pas pavarësisë e këndej, ka qenë ose në krye të Qeverisë së Kosovës, ose partnere koalicioni. Subvencione për bizneset ka pasur aty-këtu.

    Në konferencën e fundvitit të kaluar me afaristë, Kurti ka thënë se, për tre vjet, u ka shpërndarë bizneseve 1.3 miliard euro në formë të granteve dhe programeve të tjera, për të forcuar konkurrencën e tyre në tregjet vendore e ndërkombëtare.

    Por, bilanci tregtar nuk është përmirësuar asnjëherë. Kosova çdo vit importon mesatarisht 5 miliardë euro mallra, nisur nga qepët, domatet e mollët deri te materialet ndërtimore, ndërsa eksporton në vlerën e më pak se 1 miliard eurove, kryesisht produkte të metalit dhe plastikës.

    Prodhuesit kosovarë ankohen vazhdimisht për Tatim të lartë mbi Vlerën e Shtuar, për ekonomi joformale, kamata të larta për kredi, mungesë infrastrukture, jostabilitet me rrymë e të tjera.

    Ramiz Gashi prej vitesh udhëheq kompaninë “Relux” jashtë Prishtinës, e cila merret me prodhimin e ngjyrave dhe të fasadave. Me mbi 40 të punësuar, ai thotë se kompania ka arritur të eksportojë në 11 vende të botës, përfshirë Gjermaninë, Francën, Britaninë e Qipron – të gjitha me forcat e veta.

    “Deri më tani, që sa vite operojmë… jo vetëm kjo Qeveria e tanishme që bën premtime shumë, por edhe të kaluarat që kanë bërë premtime të njëjta, asnjëra prej tyre nuk na ka dalë në ndihmë, pa marrë parasysh se çfarë kërkesash kemi pasur – ndoshta edhe një kërkesë sa më elementare”, thotë Gashi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

    Gashi tregon se biznesi i tij, sa herë që bie shi, rrethohet nga uji, për shkak të infrastrukturës së dobët të kanalizimit përreth. Ky problem, sipas tij, e pengon punën e biznesit dhe do të duhej të zgjidhej me urgjencë.

    “Ne kemi bërë disa herë kërkesa, protesta e peticione, jo vetëm ne, por të gjitha bizneset që operojnë këtu, dhe të gjitha kanë hasur në veshë të shurdhër”, thotë Gashi.

    Ky biznesmen shpreh bindjen se mund të bëhet gjigant i madh eksportues dhe të ndikojë edhe në rregullimin e bilancit tregtar, nëse merr një dorë nga shteti.

    “Ne nuk kërkojmë që të na jepet diçka krejt falas, por të paktën të na mundësohet ndonjë kredi me kamatë më të favorshme dhe të kemi ndonjë lehtësirë. Këtë e presim nga qeveritë në ardhje”, thotë Gashi.

    Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se cilado parti që krijon Qeverinë, e ka mundësinë t’i realizojë premtimet ndaj bizneseve, nëse do që t’i trajtojë ato me seriozitet.

    Sipas tij, Kosova nuk e ka luksin për ta pasur borxhin publik në 17 për qind të bruto prodhimit të brendshëm, kur me ligji mund të shkojë deri në 40 për qind, dhe ta shfrytëzojë atë në favor të zhvillimit.

    “Vendim i parë i Qeverisë do të duhej të ishte përcaktimi i sektorëve konkurrues të Kosovës dhe të përqendrohet tek ata, t’i mbështesë, t’i subvencionojë, të marrë masa, qoftë administrative, qoftë në kuptimin e politikave fiskale apo të normave të interesit, në mënyrë që bizneset të prodhojnë sa më shumë, të eksportojnë sa më shumë dhe ta zbresin importin që e kemi kaq të lartë”, thotë Rafuna për Exposenë.

    Në mënyrë konkrete, ai numëron edhe tre hapa: reformën e Tatimit të Vlerës së Shtuar, lirimin e më shumë lëndëve të para dhe diplomacinë ekonomike. Rritja e prodhimit, e rrjedhimisht eksportit, pastaj është e garantuar.

    “Duke ia krijuar kushtet biznesit, ti përveçse e rrit atë biznes që e ke brenda Kosovës, motivon edhe ardhjen e investitorëve të huaj. Ne duhet ta kemi parasysh se Kosova nuk mund të zhvillohet e vetme dhe duke u mbyllur. Është urgjente për Kosovën që t’i bashkohet çdo iniciative që promovon tregun e hapur të importimit dhe eksportimit të produkteve”, thotë kryetari i OEK-ut.

    Lekë Musa, ekspert i ekonomisë dhe ish-drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se Kosova e ka të pamundur që ta zhvillojë secilën industri, por janë disa, si teknologjia informative, industria e drurit apo e frutave, që mund të shpërthejnë në tregjet e jashtme.

    “T’iu ndihmohet atyre duke u krijuar parakushte dhe politika stimuluese, por në radhë të parë t’iu hiqen barrierat që i pengojnë në baza ditore. Pastaj, ka mundësi për t’i ndihmuar edhe në përmirësimin e cilësisë, edhe në mbërritjen e standardeve që kërkohen në tregjet evropiane”, thotë Musa për Exposenë.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2023 tregojnë se vendi i ka pasur 68.390 biznese aktive, në krahasim me 81.692 sa i ka pasur në vitin 2022.

    Bilanci tregtar pozitiv, sipas ekspertëve, e forcon ekonominë dhe siguron stabilitet financiar.

    Sipas një parashikimi të Bankës Botërore në tetor të vitit të kaluar, rritja ekonomike në Kosovë këtë vit do të jetë 3.9 për qind, nga 3.8 për qind sa ka qenë vitin e kaluar.

    Me popullsi relativisht të re, me tokë të përshtatshme për kultivimin e kulturave të ndryshme, me burime ujore e minerare, Kosova 1.6 milionëshe ka shpresë… por kjo shpresë merr formë vetëm kur qeveritë t’i zëvendësojnë premtimet me veprime – mundësisht përpara ciklit të ardhshëm zgjedhor./REL

  • Kurti në Klinë, premton investime në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në zgjedhjet parlamentare, më 25.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Klinë.

    Kurti ka thënë se Qeveria e tij i ka shpronësuar parcelat në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut, duke e berë atë pasuri publike shtetërore.

    “Parku arkeologjik do të ketë hapësirën muzeale, qendrën e trajnimit dhe qendrën për vizitorë, sepse do të shndërrohet në një pikë shumë të rëndësishme të turizmit kulturor e historik për Republikën tonë e për kombin shqiptar”- ka thënë ai.

    Kurti, në fjalën e tij, ka përmendur një bashkëpunim të qeverisë me qytetarët e Klinës, që sipas tij, ndali një projekt të dëmshëm të Korporatës Devolli.

    “Këtu në Klinë ne kemi bashkëpunuar për të parandaluar një krim të madh mjedisor – ndërtimin e fabrikës së çimentos. Katër mijë banorë, me plot të drejtë, e kanë kundërshtuar një projekt të tillë, sepse ndotja nga kjo fabrikë do të ishte e dëmshme për Klinën dhe për mbarë Dukagjinin. Fabrikën kishte ndërmend ta ndërtonte Korporata Devolli. Fabrika u parandalua falë banorëve që u ankuan te qeveria dhe falë qeverisë që u doli në ndihmë”- është shprehur ai.

    Kandidatja për deputete, Arbërie Nagavci, kujtoi se qeveria Kurti e ka treguar dhe dëshmuar se është e mundur të krijohen politika që janë në interes të qytetarëve e jo të grupeve të caktuara.

    “Sa herë që jemi bashkë dhe të vendosur, kemi arritur shumëçka. Andaj, edhe këtë 9 shkurt do të jemi bashkë për fitoren tonë të madhe. Për një qeveri të ndershme, të përgjegjshme dhe të gatshme të luftojë për interesat e qytetarëve të saj”- ka thënë ajo.

    Kandidatja për deputete, Teuta Mulaj, në fjalën e saj kujtoi disa prej të arriturave të qeverisë Kurti 2, të cilat, siç tha ajo, tregojnë qeverisjen me vizion të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

    Lëvizja Vetëvendosje më 25.01.2025 ka qëndruar edhe në Malishevë.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Partitë që u gjobitën mijëra euro pas ankesave të LVV-së në PZAP 

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtesa (PZAP) ka arsyetuar vendimet për gjobitjen e disa prej subjekteve poltike, pas ankesave së Lëvizjes Vetëvendosje. 

    Siç njofton PZAP, Lëvizja Vetëvendosje, ka paraqitur ankesë ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, pasi e njëjta thuhet se kishte pretenduar se kryetari Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, gjatë ushtrimit të pozitës së tij zyrtare dhe orarit të punës, ka shfrytëzuar institucionin publik, Komunën e Skënderajt që t’i promovonte kandidatët e subjektit të tij politik duke postuar disa fotografi me ta në profilin e tij në Facebook. 

    Përveç kësaj, PZAP thotë se në ankesën e parashtruar, Nura ka përdorur zyrën e tij për ndikim te votuesit me qëllim përfitimin e votave. 

    Ndërkaq, në arsyetimin e vendimit të datës 23.01.2025, PZAP thekson se nga provat materiale, ankesa e LVV-së ka qenë e bazuar duke shtuar se personi që mbanë pozitë publike, i zgjedhur apo i caktuar, nuk mund të përdorë atë zyrë apo ndonjë nga pasuritë e tij, me qëllim përfitimin e votave. 

    Në bazë të vendimit të datës 23.01.2025, PDK ishte gjobitur nga PZAP me 4 mijë e 500 euro gjobë. 

    PZAP ka arsyetuar edhe vendmin për dënimin e 12 mijë euro gjobë ndaj LDK-së, pas snkesës së parashtruar nga subjekti tjetër politik, Lëvizja Vetëvendosje. 

    Për këtë, PZAP thotë se ka pranuar ankesë nga radhët e kësaj partie se anëtarë të LDK-së kanë vendosur banerë/posterë në Rrugën ‘C’ në Prishtinë nga kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku dhe nga kandidatë të tjerë për deputetë të kësaj partie si, Izet Sadiku dhe Fiknete Bejta , duke shfrytëzuar jashtëligjshëm hapësirat në stacionet e destinuara për pritjen e autobusëve dhe në hapësira të tjera publike. 

    Në arsyetimin e tyre thuhet se paneli ka vlerësur se vendosja e posterëve nga subjekti politik LDK, respektivisht nga kanditatët e këtij subjekti në hapësiart publike, në mungesë të lejes përkatëse të lëshuar nga Komuna e Prishtinës, i konsideron shkelje. 

    Në një rast tjetër, LVV që ishte ankuar ndaj subjektit politik të LDK-së, ishte për  vendosjen e banerëve të LDK-së që kishin të bëbin me fushatën zgjedhre në shtyllat elekkrtike dhe ndiçues të rrugës në Istog. 

    Për këtë veprim, LDK ishte dënuar me 9 mijë euro gjobë nga PZAP. 

    Ndërkaq, në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se paneli ka vlerësuar pretendimet e VV-së si të qëndruseshme  dhe se i ka prnuar si të tilla. 

    Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar edhe në një rast tjetër ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, ku aktivistë të VV-së, thuhet se kanë vërejtur se në rrugën “Nënë Tereza”, disa kandidatë për deputetë nga PDK, poashtu kanë shfrytëzuar hapësiart për pritjen e autobusëve për vendosjen e banerëve/posterëve. 

    Edhe për këtë rast, PZAP thotë se ka gjetur shkelje duke marrë parasysh se sipas tyre, nga PDK- nuk kanë marrë leje nga Komuna e Prishtnës për vendosjen e këtyre banerëve, me ç’rast kanë shkelur ligjin. 

    Për këtë, PDK ishte gjobitur nga PZAP me 10 mijë e 500 euro. 

    PDK është dënuar nga PZAP edhe në një rast tjetër me 4 mijë e 500 euro gjobë. 

    Kjo pasiqë, LVV e seli në Prishtinë ishte ankuar në PZAP pasi sipas tyre, shefi i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Bujar Shartolli, ka postuar fotografi në llogarinë e tij në Facebook,  me Drejtorin për Inspektime, Besim Demiraj dhe me Drejtorin e Arsimit, Albanez Tahiraj, në hapësirat e brendshme të Komunës së Vushtrrisë me qëllim përfitimin e votave për subjektin e tyre, PDK-në. 

    Për këtë, PZAP thotë se pretendimet në ankesë janë të qëndrueshme dhe se si të tilla janë pranuar si shkelje. 

    Lëvizja Vetëvebdosje ishte ankuar edhe ndaj subjektit tjetër poltik, Aleancës për Ardhmërine e Kosovës (AAK), me ç’rast kjo e fundit ishte dënuar nga PZAP me 10 mijë euro gjobë. 

    Sipas ankesës, LVV kishe pretenduar se Qendra e Lëvizjes Vetëvendisje në Istog, ka identifikaur banerin/posterin e vendosur kundërligjshëm në rrugët publike ‘Rinia’ në Istog të kandidatit për deputetë të AAK-së, Ukë Balaj. 

    Për këtë dënim me gjobë, PZAP është arsyetuar se vendosja e emrave të tyre, njoftimeve, pllakateve dhe posterëve në lidhje me fushatë zgjedhore brenda dhe jashtë ndërtesave publike, pa lejen e shfrytëzuesve është shkelje. 

      

  • Mijëra euro gjoba ndaj partive politike nga PZAP

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtesa (PZAP) ka dënuar me 4,500 euro Koalicionin për Familjen pas Ankesës së organizatave CEL Kosova dhe Dylberizëm, me pretendimin se anëtarët e koalicionit kanë përdorur gjuhe fyese e diskriminuese ndaj komunitetit LGBT+, promovimin e përçarjes, frikë ndaj qytetarëve dhe nxitje të urrejtjes.

    Ndërkaq, sipas arsyetimit të PZAP-së, thuhet se më datë 19.01.2025, në bazë të ankesave të pranuara, ka dalur se anëtarë të ‘Koalicionit për familjen’, në disa tubime të mbajtura në Prishtinë, Pejë dhe në televizione të ndryshme dhe përmes rrjeteve sociale, me deklaratat e tyre, kanë përdorur gjuhë fyeses dhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBTI+, duke kanë promovuar përçarjen dhe frikën mes qytetarëve të Kosovës. 

    Përveç kësaj, sipas ankesave që PZAP thotë se ka pranuar, anëtarët e këtij subjekti politik, kanë përdorur edhe nxitjen e urrejtejs përmes përmbajtjeve gojore dhe vizuale. 

    “Paneli, me rastin e vendosjes së gjobës si në dispozitiv të këtij vendimi, ka marrë parasysh të gjitha rrethanat si në vijim: natyrën e shkeljes dhe ndikimit të mundshëm të saj në procesin zgjedhor në fjalë, shkallën dhe peshën e shkeljes, shkeljet e Ligjeve zgjedhore bë fuqi që ka bërë subjekti në fjalë në këto zgjedhje si dhe faktin që shkelja nga ky subjekt është bërë për herë të parë, njëherit subjekti politik në fjalë nuk është përfitues i fondit për financimin e subjekteve politke përmes buxhetit të Republikës së Koosvës”- thuhet në vendimin e datës 22.01.2025. 

    PZAP, po ashtu ka arsyetuar edhe vendimin për dënimin me një mijë euro gjobë ndaj Partisë Liberale Egjiptiane (PLE). 

    Sipas arsyetimit, PZAP ka pranuar ankesa nga subjekti IRDK, e cili subjekt pretendon se Partia Liberale Egjiptiane (PLE), gjatë tubimeve elektorale që ka mbajtur në Pejë, ka përdorur gjuhën e urrejtjes. 

    Për këtë PZAP thotë se si dëshmi, parashtruesi i ankesë ka ofruar edhe një CD, e cila përmbane pamje dhe zë. 

     Përveç kësaj, PZAP ka arsyetuar edhe vendimin për dënimin me gjobë prej 1 mijë e 500 euro ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, pas parashtrimit të ankesës së LDK-së në PZAP. 

    Sipas ankesës, PZAP thekson se LVV ka vendosur posterë për fushatën zgjedhore në shenja publike të  tafikut, mbi rrugët publike, gapësira ose godinave të zëna, duke shkelur kështu rregullativën zgjedhore. 

    Ndërkaq, PZAP në arsyetimin e saj ka thënë se pretendimet e subjektit të LDK-së janë të qëndrueshme për faktin se veprimet e përshkruara në ankesë, paraqesin shkelje nga ana e subjektit poltiik, VV-së, e cila sipas arsyetimti të vendimit, e njëjta ka vendosur posterë në shtylla dhe në trafo elektrike për të bërë thirrje qytetarëve për tubime zgjedhore në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë. 

    Tutje, PZAP ka arsyetuar edhe vendimin e datës 22.01.2025 ndaj ankesës së të njëjtit subjekt politike, LDK-së, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. 

    PZAP thekson se LDK në, me seli në Prishtinë, dega në Obiliq, ka pretenduar se LVV a bërë shkelje ligjore duke vendosur posterin e kandidatit për deputet, Halil Thaçi në ndërtesën kolektive, e cila është pronë komunale, pa leje nga pronari. 

    PZAP gjeti se këto anesa janë të bazuara e cila thotë se veprimet e parashtruara në ankesë, paraqesin shkelje të subjektit politik, LVV-së.

  • Kurti në Kamenicë: Ata nuk kanë ku të kthehen, sepse shteti i Kosovës dhe karakteri i tyre nuk përputhen më

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në zgjedhjet parlamentare, ka mbajtur tubim elektoral në Kamenicë.

    Kurti ka thënë se mbështetja e Qeverisë për komunat, për qytetarët përmes buxhetit nga njëra anë dhe masave të punësimit, do të vazhdojnë edhe më tej, duke kontribuar direkt në zhvillimin e komunës dhe mirëqenien e qytetarit.

    “Me mbështetje prej 7 milionë eurosh, mbi 2800 fermerë janë subvencionuar. 850 nëna lehona kanë përfituar shtesa. Më shumë se 200 të rinj janë punësuar dhe mbi 6000 pensionistë po përfitojnë rritje të pensioneve me 20%. Gjatë katër viteve të fundit janë realizuar mbi 50 projekte me një vlerë prej 32 milionë eurosh në arsim, sport dhe infrastrukturë rrugore”- ka thënë Kurti.

    “Ata nuk kanë ku të kthehen, sepse shteti i Kosovës dhe karakteri i tyre nuk përputhen më”- theksoi Kurti duke aluduar në ish-pushtetarët.

    Kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj, theksoi rëndësinë e përparësive që i jepet grave dhe familjes në politikat qeveritare.

    “Siç e keni parë, ky vit është shpallur ‘Viti i Gruas’ nga Kryeministri Kurti, dhe gjatë këtij viti do të ndërmerren politika edhe më të fuqishme për fuqizimin e gruas. Çdo votë ka peshë të madhe. Deri tani, mbi 60 mijë lehona kanë përfituar, fëmijët po mbështeten për herë të parë në Kosovë, aftësimi profesional dhe punësimi i grave ka përfshirë mbi 12 mijë përfituese”- ka thënë ajo.

    Kryetari i komunës, Kadri Rahimaj ka thënë se Qeveria Kurti ka shënuar arritje të jashtëzakonshme, shumë më shumë se ato që janë bërë në mbi dy dekada nga pushtetet e kaluara, si në infrastrukturë rrugore, arsim, qendra rinore, qendra sportive, punësim e shumë dimensione të tjera.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.