Presidenti rus, Vladimir Putin është përherë e më i shqetësuar për telashet që ka shkaktuar lufta në ekonominë ruse, në kohën kur homologu amerikan, Donald Trump po i shtyn përpara përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë – bëjnë të ditur për Agjencinë e lajmeve Reuters pesë burime të informuara me rrjedhat e situatës.
Ekonomia e Rusisë, e bazuar goxha shumë në eksportet e naftës, gazit e mineraleve, kishte shënuar ngritje pavarësisht dy vjetëve nën sanksione të shumëfishta perëndimore, pas evazionit në Ukrainë më 2022.
Por, aktiviteti i brendshëm ekonomik është tkurrur muajve të fundit, për shkak të shkurtimit të fuqisë punëtore dhe normave të larta të interesit për ta luftuar inflacionin, që ka shënuar ngritje të theksuar sherri i shpenzimeve ushtarake rekorde.
Kjo ka kontribuar për krijimin e pikëpamjes në mesin e një hiseje të elitës ruse, se një marrëveshje e negociuar lufte do të ishte e dëshirueshme – bëjnë të ditur dy burime të informuara me qasjen që po dominon në Kremlin.
Trump, i cili ka marrë të hënën, më 20.01.2025, timonin e Shtëpisë së Bardhë, është zotuar se do ta zgjidhë shpejt konfliktin në Ukrainë – më i madhi në Europë prej Luftës së Dytë Botërore. Gjatë javës, ai ka thënë se do të ketë më shumë sanksione dhe më shumë tarifa për Rusinë, nëse Putini nuk ulet në tavolinën e negociatave – duke shtuar se Rusia ka marrë udhë drejt “telasheve të mëdha” ekonomike. Një zyrtar i lartë i Kremlinit ka thënë të martën se Rusia deri tani nuk ka marrë ndonjë propozim specifik për bisedime.
Reuters kishte raportuar më parë se Putini është i gatshëm të diskutojë opsionet për Marrëveshje armëpushimi me Trumpin, por që duhet të mbesin avancimet territoriale të Rusisë në Ukrainë dhe se Ukraina duhet të heqë dorë prej kërkesës për anëtarësim në NATO.
Kremlini nuk e ka komentuar Raportin dhe Kërkesën e Reuters-it për gatishmërinë për bisedime, për shkak të ndikimit të luftës në ekonominë ruse.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com