Ballina

Etiketë: Lufta teknologjike

  • Inteligjenca Artificiale e Kinës – DeepSeek në radarin e sigurisë kombëtare amerikane

    Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë implikimet e sigurisë kombëtare të depërtimit të dukshëm të Inteligjencës Artificiale (AI) nga firma kineze DeepSeek – ka bërë të ditur sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt – raporton BBC.

    Njoftimi ka ardhur pasi marina amerikane thuhet se i ndaloi anëtarët e saj të përdorin aplikacionet e DeepSeek, për shkak të “shqetësimeve të mundshme të sigurisë dhe etikës”.

    Ndërkohë krijuesi i ChatGPT, OpenAI, ka premtuar të punojë ngushtësisht me Qeverinë amerikane që të parandalojë rivalët që të marrin teknologjinë e saj.

    Në fillim të kësaj jave modeli i lirë por i fuqishëm i AI-së i DeepSeek shkaktoi rënie në stoqet e firmave të teknologjisë amerikane, pasi investitorët vunë në dyshim miliarda dollarët që ata po shpenzojnë për infrastrukturën e re të AI-së.

    “Unë fola me (Këshillin e Sigurisë Kombëtare) këtë mëngjes. Ata po shqyrtojnë se cilat mund të jenë implikimet e sigurisë kombëtare.” – ka theksuar Leavitt, e cila gjithashtu ritheksoi qortimet e presidentit amerikan Donald Trump, një ditë më parë se DeepSeek të shihet si thirrje zgjimi për industrinë amerikane të teknologjisë.

    Sipas CNBC-së marina amerikane i ka dërguar një email stafit të saj me paralajmërimin që të mos përdorin aplikacionin DeepSeek, për shkak të “shqetësimeve të mundshme të sigurisë dhe etikës që lidhen me origjinën dhe përdorimin e modelit”.

    Marina nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga BBC News.

    Duke folur në Fox News, i emëruari së fundmi si “kriptocari dhe Inteligjenca Artificiale e Shtëpisë së Bardhë”, David Sacks sugjeroi gjithashtu se DeepSeek mund të ketë përdorur modelet e zhvilluara nga firma më e mirë amerikane OpenAI për t’u përmirësuar.

    Ky proces – i cili përfshin një model të AI-së që mëson nga një tjetër – quhet distilim i njohurive.

    “Ka prova thelbësore se ajo që DeepSeek bëri këtu është se ata distiluan njohuritë nga modelet e OpenAI.” – ka deklaruar Sacks. “Unë mendoj se një nga gjërat që do të shihni gjatë muajve të ardhshëm është se kompanitë tona kryesore të AI-së të ndërmarrin hapa për të provuar dhe parandaluar distilimin… Kjo padyshim do të ngadalësonte disa nga këto modele kopjuese”.

    OpenAI i bëri jehonë kësaj në një deklaratë të mëvonshme, ku theksoi se kompanitë kineze dhe të tjera “po përpiqen vazhdimisht të distilojnë modelet e kompanive prirëse të AI në SHBA”.

    “Si ndërtuesi kryesor i AI-së ne angazhohemi në kundërmasa për të mbrojtur (pronën tonë intelektuale)… dhe besojmë, ndërsa shohim përpara se është jashtëzakonisht e rëndësishme, që të punojmë ngushtë me Qeverinë e SHBA-së për të mbrojtur më së miri modelet më të afta”.

    Ndërkohë DeepSeek thotë se ka qenë objektiv i sulmeve kibernetike. Të hënën njoftoi se do të kufizonte përkohësisht regjistrimet për shkak të “sulmeve me qëllim të keq në shkallë të gjerë” në softuerin e saj.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com