Ballina

Etiketë: Los Anxhelos

  • Situata me zjarret, zhvillimet në Los Anxhelos

    Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga zjarret që e kanë shkatërruar zonën e Los Anxhelosit, është rritur në 16, ndërkohë që ekipet e zjarrfikësve po luftojnë për ta parandaluar përhapjen e zjarreve para se erërat e fuqishme të rikthehen.

    Zyra e Shërbimeve të Emergjencave të Kalifornisë (Cal OES) thotë se 150 mijë njerëz janë tani nën urdhra evakuimi në qarkun e Los Anxhelosit  në zonat e prekura nga zjarret Palisades dhe Eaton.

    BBC raporton se më shumë se 700 njerëz janë strehuar në nëntë strehimore në qark, jashtë vendit, sipas një deklaratë të zëdhënësit të Cal OES, Michael Traum.

    Një urdhër evakuimi do të thotë se ekziston një kërcënim i menjëhershëm për jetën dhe të prekurit duhet të largohen menjëherë, thotë organizata.

    Paralajmërimet e evakuimit, të cilat ndryshojnë nga urdhrat e evakuimit, janë gjithashtu në fuqi si për zjarrin Palisades ashtu edhe për zjarrin Eaton. Një paralajmërim evakuimi do të thotë se ka një rrezik të afërt për jetën ose pronën dhe këshilla është të mblidhni gjërat tuaja dhe të përgatiteni për të evakuuar, raporton BBC.

    Cal OES konfirmon se urdhrat e evakuimit dhe paralajmërimet e dhëna për shkak të zjarreve Kenneth dhe Hurst janë hequr.

    BBC ka raportuar se zjarrfikësit po përgatiten për një tjetër raund të erërave të Santa Ana në Los Anxhelos pasi katër zjarre po digjen në të gjithë qarkun.

    Erërat e Santa Ana mund të sjellin ndikime shkatërruese në jetën e përditshme në Los Anxhelos dhe pjesë të Kalifornisë jugore, kur së bashku me zjarret e egra, ato mund të përshkallëzojnë situatën me shpejtësi, duke bërë që zjarret të përhapen me shpejtësi të madhe.

    BBC raporton se një urdhër ekzekutiv i krijuar për të përshpejtuar rindërtimin e shtëpive të humbura në LA është miratuar nga Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom.

    Ekzistojnë gjithashtu ‘mbrojtje’ kundër rritjes së çmimeve për shërbimet që lidhen me zjarret si materialet e ndërtimit dhe shërbimet e magazinimit./BBC

    Përgatiti: Mediana Halili – KALLXO.com 

  • Shkon në 16 numri i të vdekurve nga zjarret në Los Anxhelos

    Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga zjarret që e kanë shkatërruar zonën e Los Anxhelosit, është rritur në 16, ndërkohë që ekipet e zjarrfikësve po luftojnë për ta parandaluar përhapjen e zjarreve para se erërat e fuqishme të rikthehen.

    Druhet se rikthimi i mundshëm i erërave të fuqishme mund t’i devijojë flakët drejt disa prej vendeve më të famshme të qytetit.

    Pesë njerëz vdiqën nga zjarri “Palisades” dhe 11 të tjerë nga zjarri “Eaton”, thanë zyrtarët në Los Anxhelos të shtunën mbrëma.

    Para të shtunës natën, numri i konfirmuar i të vdekurve ishte 11, por zyrtarët thanë se prisnin që ky numër të rritej derisa ekipet po i vazhdonin kërkimet nëpër lagjet e bëra rrafsh me tokën.

    Autoritetet e kanë hapur një qendër ku njerëzit mund t’i raportojnë të zhdukurit.

    Druhet se erërat mund t’i lëviznin zjarret drejt Muzeut “J. Paul Getty” dhe Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos.

    Të shtunën në mbrëmje, Cal Fire raportoi se zjarret “Palisades”, “Eaton”, “Kenneth” dhe “Hurst” i kanë djegur rreth 160 kilometra katrorë tokë në Los Anxhelos.

    Në një përmbledhje të postuar online të shtunën në mbrëmje, Michael Traum nga Zyra e Shërbimeve të Emergjencave të Kalifornisë tha se 150.000 njerëz në qarkun e Los Anxhelosit janë nën urdhra evakuimi, dhe se më shumë se 700 njerëz janë strehuar në nëntë qendra strehimi.

    Cal Fire tha se zjarri “Palisades” është lokalizuar vetëm 11 për qind dhe ai “Eaton” 15 për qind, që nënkupton se lufta për shuarjen e këtyre zjarreve vazhdon.

    “Kushtet e motit janë ende kritike dhe një raund tjetër i erërave të forta pritet të fillojë të hënën,” tha Traum.

    Kostoja historike

    Zjarret që filluan të martën në veri të qendrës së Los Anxhelosit, kanë djegur më shumë se 12.000 struktura.

    Zjarrfikësit për herë të parë shënuan përparim të premten pasdite në zjarrin “Eaton” në veri të Pasadenës, i cili ka djegur më shumë se 7.000 struktura, një term që përfshin shtëpi, ndërtesa banimi, biznese, ndërtesa ndihmëse dhe automjete.

    Shumica e urdhrave të evakuimit për zonën u hoqën, thanë zyrtarët.

    Ende nuk dihet shkaktari i këtyre zjarreve, të cilat cilësohen si më të mëdhatë në Los Anxhelos, dhe vlerësimet fillestare tregojnë se këto zjarret me gjasë kanë shkaktuar dëmet më të mëdha si kurrë më parë.

    Sipas një vlerësimi fillestar nga AccuWeather dëmet dhe humbjet ekonomike deri më tani janë mes 135 dhe 150 miliardë dollarë./REL

  • Zjarr në Kaliforninë Jugore në SHBA

    Një zjarr që ka kapluar malet e Palisades në Los Anxhelos të Kalifornisë është duke u rritur me një ritëm alarmues – raporton BBC.

    Zyrtarët thonë se zjarri u rrit nga 20 hektarë, në më shumë se 200 hektarë në rreth 20 minuta, pasi u raportua rreth orës 10:30 me orën lokale – duke i vendosur komunitetet nën evakuim pasi një tym i dendur dhe i rëndë ishte varur mbi rajon.

    Zjarrfikësit po përpiqen të ngadalësojnë flakët në malet e Palisades. Zyra e Guvernatorit të Kalifornisë ka sjellë burime shtesë përpara motit të sotëm – duke përfshirë 45 makina të tjera zjarrfikëse dhe pesë helikopterë.

    Zyrtarët në të gjithë rajonin kishin paralajmëruar banorët për kërcënimin nga zjarri dhe ekuipazhet e Emergjencës kanë vendosur pajisje dhe personel në të gjithë rajonin.

    Kapiteni i Departamentit të Zjarrfikësve të Los Anxhelosit, Erik Scott foli sot me transmetuesin lokal KCAL-TV, duke paralajmëruar se erërat mund të sjellin “sjellje shpërthyese të zjarrit plus rrëzimin e pemëve dhe telave të rrëzuara”.

    Ndërsa, Margaret Stewart, një zëdhënëse e Departamentit të Zjarrfikësve të Los Anxhelosit, i tha BBC-së se erërat me shpejtësi 50 milje në orë po ndezin zjarrin dhe po lëvizin prush me milje larg – gjë që po lejon zjarret në vend të fillojnë në të gjithë zonën.

    “Sfida me të cilën përballemi është se këto janë kodra të thella, të izoluara dhe ka një dendësi të lartë njerëzish në zonë.” – thotë ajo duke vazhduar se “Kjo është një situatë shumë e rëndë”.

    Përgatiti: Ilirjana Hoti/ KALLXO.com