Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili mbahej në burg në Serbi që nga fillimi i janarit 2024, është liruar sot.
Dakaj ishte planifikuar të paraqitej personalisht përmes një linje direkte në emisionin FIVE, por gjendja e tij emocionale pas lirimit e bëri të pamundur këtë. Në vend të tij, foli vëllai i tij, Gëzim Dakaj, raporton portali Dukagjini.com.
Ai në FIVE në Dukagjinit ka thënë se i vëllai është shumë i emocionuar dhe ende nuk ka mundur të tregojë detaje të mëtejshme se si u trajtua në burgjet e Serbisë.
“Është i liruar prej tërë aktakuzave… për momentin është shumë i emocionuar. (Është trajtuar) si në Serbi ma. Kush ka qenë atje e dinë. S’po di çka me thënë se ende nuk kemi biseduar me vëllaun, veç sa e kemi parë edhe kemi marrë në kerr dhe po shkojmë në shtëpi”- ka thënë Gëzim Dakaj.
Hasan Dakaj ishte arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdare më 06.01.2024 – dhe nga kjo ditë po mbahej në paraburgim.
Ai u akuzua nga Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit për gjoja krime lufte kundër popullsisë joshqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999./Dukagjini