Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka publikuar 13 vendime që i mori më 25.01.2025.
Disa ankesa janë konsideruar si të pabaza dhe për disa ankesa, PZAP ka gjobitur partitë politike.
LVV u gjobit me 4 mijë euro, PDK u gjobit me 6 mijë euro, LDK me 4 mijë euro dhe Koalicioni për Familjen me 5 mijë euro, sipas vendimeve të datës 25.01.2025 që ka publikuar në ueb-faqe.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur Partinë Demokratike të Kosovës me 3 mijë euro gjobë. Gjoba PDK-së i erdhi pas një ankese të LVV-së.
LVV u ankua se në rrugën ‘Brigada 123’ në Suharekë u identifikuan banerë të Enver Hoxhajt dhe Qefsere Kuqit. PZAP ka gjet se u shfrytëzuan hapësirat publike pa marrë leje nga organet kompetente të komunës, prandaj edhe gjobiti PDK-në.
4 mijë euro është gjoba që iu dha LDK-së për posterë në të njëjtën rrugë. Posterë të Shemsije Bytyqit, Lumir Abdixhikut, Shaqir Kryeziut, Urim Sukës dhe Selman Kolgecit.
PZAP gjeti se njësos si PDK, edhe LDK nuk kishte marrë leje për vendosjen e këtyre banerëve.
Ky organ i hodhi poshtë ankesat LVV-së për subjektin Srpska Demokratija.
LVV u ankua për banerët e Aleksandër Arsenijeviq në ndërtesat publike në rrugën ‘Kneza Milosa’. PZAP nuk shqyrtoi këtë ankesë për shkak se për këtë rast është vendosur me vendimin Anr. 160/2025 me ç’rast subjekti Srpska Demokratija është gjobitur me 3 mijë e 500 euro.
Partija Kosovskih Srba është gjobitur me 3 mijë e 500 euro pasi që LVV u ankua për banerët e kësaj partie në disa objekte dhe sheshin e Mitrovicës së Veriut.
PZAP gjeti se me këtë rast u shfrytëzuan jashtëligjshëm ndërtesat/hapësirat publike, në kundërshtim me nenin 34 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
LVV-së iu refuzua një ankesë ndaj LDK-së. LVV u ankua se identifikoi disa flamuj të LDK-së në rrugën ‘Drenica’ dhe lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë. PZAP gjeti se LDK kishte leje nga Komuna e Prishtinës për vendosjen e këtyre flamujve.
LVV-së iu refuzua edhe ankesa për banerë të LDK-së në Istog. Ngjashëm si në Prishtinë, LDK kishte marrë leje edhe në Istog.
3 mijë euro gjobë iu dha PDK-së për shkak të një fotografie të postuar në Facebook nga kandidati për deputet Faruk Bojaxhi, me hapësirat e brendshme dhe të jashtme të Bashkësisë Islame dhe Ipeshkvisë së Prizrenit, për qëllime elektorale.
PZAP thotë se me promovimin e kandidaturës së tij për deputet me përfaqësues fetar, Bojaxhi ka shkeluar Rregulloren 07/2024.
LVV-së iu refuzua ankesa ndaj LDK-së në Prishtinë, për banerë në rrugën ‘Ilaz Kodra’ dhe në ‘Kurriz’. LDK kishte pëlqimin nga Komuna e Prishtinës për vendosjen e banerit të kandiatit Florian Dushi.
Ankesa e LVV-së ndaj PDK-së për posterin e Jakup Nurës në rrugën ‘Ilaz Kodra’ në Skenderaj u refuzua nga PZAP. KY institucion ka gjetur se kjo parti kishte pëlqimin e Komunës për vendosjen e posterit.
E pabazuar u shpall edhe ankesa e PDK-së ndaj LVV-së për gjuhë fyese dhe denigruese. PDK në Dragash u ankua se asistenti i zyrës administrative të VV-së në këtë Komunë, Asri Qusaj ka përdorur gjuhë fyese në Facebook ndaj partive kundërshtare.
PZAP thotë se në bazë të dëshmive të dorëzuara nuk mund të verifikohet se në cilën kohë ka ndodhur shkelja e pretenduar.
LVV u gjobit me 4 mijë euro pas ankesës së PDK-së për një video të kandidatit për deputet Valon Ramadani.
Në video, Ramadani i drejtohet kundërshtarëve politik me termin ‘hajna’. PZAP thotë se gjuha e tillë është në kundërshtim me nenin 34, pika 1.1 e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
OJQ-ve Cel Kosova dhe Dylberizëm iu pranua ankesa me ç’rast Koalicionit për Familjen iu shqiptua gjobë prej 5 mijë eurove.
Gjoba i shkoi këtij koalicioni pas një deklarate të kandidatit për deputet Jeton Haxhimustafa i cili sipas PZAP-së ka bërë shkelje të nenit 34, paragrafit 1, pika 1.11 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Ankesa e Kosova Demokratik Turk Partisi kundër vendimit të KQZ-së për miratimin e dizajnit të fletëvotimit dhe broshurës për zgjedhjet, u hodh poshtë si e pasfatshme.
Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.
Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.