Ballina

Etiketë: LDK

  • Gjuha e Kurtit ndaj LDK-së në tubimin në Pejë – PZAP-ja gjobit Vetëvendosjen

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 3 mijë euro gjobë Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak të shkeljes së Kodit për Mirësjellje për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.

    Sipas PZAP-së, kryetari i LVV-së dhe njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti ka përdorur gjuhë fyese për LDK-në, gjatë një tubimi të organizuar më 13.01.2025.

    “Nuk ka sesi të mos çuditemi kur dëgjojmë nga udhëheqja e LDK-së se Policia e Kosovës, Kryeministri i Republikës, institucionet e shtetit tonë na qenkan si Serbia e Millosheviqit (krahasim i tmerrshëm, fyerje e shpifje klasike, vrer e mllef i papërmbajtshëm, e pavërtetë e madhe dhe tentim nxitjeje për rënie në grackën e tij provokuese).” – thuhet në Ankesën e LDK-së, të parashtruar në PZAP.

    PZAP-ja ka pranuar pjesërisht Ankesën duke konstatuar se Kurti ka përdorur gjuhë fyese, pasi gjatë tubimit u shpreh se “’Siç e dini edhe ju vetë, LËDËKYHI (term pezhorativ) dhe PËDËKYHI janë në koalicion.’ – Parashtruesi i Ankesës i citon thëniet në vazhdim: Prandaj, kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të LËDËKYHIT, që thotë se po i pëlqen populli, populli ka simpati për ta, kjo mu (flet për veten Kurti) m’i përngjan asaj mizës (krahasim fyes, bullizues, nxitës e provokues), që thoshte kudo që po shkoj po më presin me duartrokitje (ironizon me gjestikulacion dhe shprehje të çuditshme dhe të pakontrolluara të fytyrës)’”.

    Tutje, sipas PZAP-së, parashtruesi i Ankesës thekson se “pra, kur ata thojnë që populli po i pëlqen ata është si ajo miza që lëvdohej që njerëzit po e presin me duartrokitje. E, ju e dini shumë mirë që me ato duar që duartrokasin çfarë janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize (aludon në një krahasim të rëndë që tejkalon metaforën e kthehet në gjuhë provokuese të urrejtjes ndaj tjetrit – në këtë rast ndaj udhëheqësit të LDK-së)”.

    LVV-ja e ka kundërshtuar Ankesën e LDK-së, pasi sipas tyre përshkrimi në fakt kinse i fjalëve të Albin Kurtit në Ankesë nuk qëndron.

    Partia e Kurtit ka afat prej 15 ditësh, që ta paguajë gjobën.

    Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta shihni në këtë vegëz.

  • LDK gjobitet me 20 mijë euro – Kandidatja për deputete krahasoi Albin Kurtin me Adolf Hitlerin

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ankesa e LVV-së ishte se kandidatja e LDK-së, Xhenetë Syka ka shpërndarë një video, përmes së cilës ka krahasuar Albin Kurtin me Adolf Hitlerin.

    Për këtë rast, PZAP ka pranuar Ankesën e LVV-së dhe ka gjobitur LDK-në me 20 mijë euro.

    LDK ka afat prej 15 ditësh që ta paguajë gjobën.

    LVV në Ankesë ka bashkëngjitur edhe linkun e videos, për të cilën është ankuar.

    Lidhja Demokratike e Kosovës, e gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar Ankesën – duke thënë se videoja është e përpunuar dhe se fillimisht është publikuar nga dikush tjetër.

    PZAP në Vendim thotë se kjo fotografi më vonë është fshirë nga faqja e kandidates, Xhenetë Syka.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës ka nxitur urrejtje ndaj subjektit politik LVV, në atë mënyrë që përmes rrjetit social ka publikuar, përkatësisht shpërndarjen në faqen e saj të rrjetit social video, ku në këtë video është bërë krahasimi i personalitetit të Kryetarit të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje me figurën e Adolf Hitlerit.” – thuhet në mes të tjerash në Vendimin e PZAP-së.

    Vendimin e plotë të PZAP-së, mund ta shihni, në këtë vegëz.

     

  • Abdixhiku në Klinë: Ne nuk jemi për të ndarë e përçarë, por për të ofruar vizion dhe shpresë

    Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, më 15.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Klinës prej ku ka thënë se kjo fushatë është shndërruar në festë të ringritjes së LDK-së drejt ndryshimit të madh.

    Ai ka thënë se nuk janë për të ndarë e përçarë por për të bashkuar e ofruar vizion dhe shpresë.

    “Ne nuk jemi këtu për të ndarë e përçarë, për të nxitur mllefe e urrejtje. Jemi këtu për të bashkuar, për të ofruar vizion dhe shpresë, për të ndërtuar një Kosovë të fortë, të drejtë dhe të barabartë”- ka shkruar Abdixhiku.

    “Sonte, në Klinën e traditës dhe krenarisë kombëtare, ndjemë fuqinë e një populli që është ngritur në këmbë për ndryshim. Sonte këtu, ku gjurmët e lashtësisë dardane ndërthuren me energjinë e njerëzve të ndershëm e punëtorë, Klina dëshmoi se është gati të prijë në kryengritjen e madhe të djathtë”- ka thënë tutje ai.

    Kandidati për kryeministër i LDK-së, më 15.01.2025 ka qenë për vizitë edhe në Lipjan, dhe bashkë me kryetarin e kësaj Komune, Imri Ahmetin, kanë vizituar nënkalimin e parkingun e qytetit.

    “Mes qytetarëve e mbështetësve të shumtë, që na prisnin aty, tregova se si fokusi ynë është në projekte madhore që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Prandaj kemi plot 5 miliardë euro investime kapitale për katër vjet, në programin më ambicioz që ka pasur Kosova ndonjëherë”- ka thënë ai.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Fatlume Jaha (LDK): Investim 60 milionë euro për 80 çerdhe të reja në Kosovë

    Nëse i fiton zgjedhjet e 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zotohet se do t’i ndërtojë 80 çerdhe në gjithë vendin.

    Ky investim, sipas parallogaritjeve të kësaj partie, ka një kosto prej rreth 60 milionë euro.

    Lidhur me këtë, kandidatja për deputete e LDK-së, Fatlume Jaha, tha në “Debat Përnime” se në kuadër të prioriteteve të tyre është edhe realizimi i programit kombëtar për edukimin e hershëm.

    “Qeverisja e LDK-së e ka prioritet të realizojë Programin kombëtar për edukimin e hershëm. Planifikojmë dhe synojmë të rrisim buxhetin çdo vit për nga 15 milionë euro dhe do të ndërtojmë nga 20 çerdhe, që nënkupton në mandatin e parë të rrisim numrin në 80 çerdhe të reja me një buxhet prej 60 milionë euro”- premtoi Jaha.

    Ajo e sheh si shumë të nevojshme rritjen e numrit të çerdheve duke u bazuar në statistikat që sipas saj tregojnë se vijueshmëria e fëmijëve nën moshën 5 vjeçe në çerdhe momentalisht është vetëm 6.9% në Kosovë.

    Me strategjinë e saj, LDK-ja parasheh që për tetë vite qeverisje, përqindja e fëmijëve që vijojnë çerdhet të jetë shumë më e lartë.

    “Të përfshirja e fëmijëve në shkollimin e hershëm  të moshave 3-6 vjec ne synojmë që për dy mandate qeverisëse këtë pjesëmarrje të kësaj grup moshe të fëmijëve në sistemin parashkollor ta rrisim deri në 95%”- ka thënë Jaha.

    Synim tjetër në politika për arsim nga LDK-ë është edhe reformimi i klasave me nga 20 nxënës.

    “Synimi ynë është i qartë, klasë me 20 nxënëse në koordinim me të gjitha komunat e Kosovës në tri vitet e para të qeverisjes sonë të bëjmë një planë nacional  për infrastrukturën fizike dhe mbi bazën e nevojave dhe këtyre kërkesave ne do të rrisim edhe numrin e objekteve shkollore

    Në programin e LDK-së, “Rruga e Re”, janë paraparë 30 milionë euro për ndërtimin e objekteve të reja shkollore.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

    Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/planet-e-ldk-se-per-arsimin-ne-kosove-dhe-per-investime-ne-rajonin-e-ferizajt/

     

  • Paris Guri (LDK): 80 milionë euro i kemi paraparë për Brezovicën

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në programin e saj zgjedhor “Rruga e Re” ka paraparë 80 milionë euro investime për zhvillimin e turizmit në Brezovicë.

    Në kuadër të këtij projekt parashihen investime në teleferikun e ri dhe ndërtimin e një qendre të turizmit.

    Kandidatit për deputet nga LDK, Paris Guri, thotë se një qendër e tillë do të jetë atraktive edhe për vendet fqinje.

    Në “Debat Përnime”, ai tregojë edhe formën së si është menduar të financohet ky projekt.

    “Për Brezovicën, 20 % të investimit i takon shtetit të Kosovës, ndërsa pjesën tjetër e marrin kompanitë private, përmes Partneritetit Publiko- Privat (PPP)” – ka thënë Guri.

    Investim tjetër që LDK ka paraparë për Rajonin 05 (Ferizaj) është edhe ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave të zeza në qytetin e Ferizajt.

    Guri foli edhe për investimet në fushën e sportit që LDK planifikon t’i bëjë brenda mandatit të parë nëse e merr qeverisjen e vendit.

    “Kemi me ba renovimin e tërësishëm të Palestrës së sporteve, pasi që parashihet që në Lojërat Mesdhetare, që kanë më u mbajt në vitin 2030-të, të gjitha lojërat e hendbollit do të zhvillohen në qytetin e Ferizajt”- ka thënë ai.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

    Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/planet-e-ldk-se-per-arsimin-ne-kosove-dhe-per-investime-ne-rajonin-e-ferizajt/