Ballina

Etiketë: kushtet

  • “Hamasi” liston 34 pengjet që mund t’i lirojë me ujdinë e armëpushimit

    Një zyrtar i lartë i “Hamasit” ka ndarë me BBC-në një listë prej 34 pengjesh që grupi palestinez thotë se ka gatishmëri që t’i lirojë në fazën e parë të marrëveshjes eventuale të armëpushimit me Izraelin – ka raportuar të hënën, më 06.01.2025, transmetuesi britanik, BBC.

    Nuk është e qartë se sa prej pengjeve të listuara janë gjallë.

    Në mesin e tyre janë dhjetë gra dhe njëmbëdhjetë pengje meshkuj, prej 50 deri në 85 vjeç, si dhe fëmijë, për të cilët “Hamasi” më parë kishte thënë se ishin vrarë në një sulm ajror izraelit.

    Një numër pengjesh, për të cilët “Hamasi” thotë se janë të sëmurë, janë përfshirë gjithashtu në listë.

    Raportet sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të drejtuar nga “Hamasi”, thonë se sulmet ajrore izraelite kanë lënë të vdekur më shumë se 100 persona në fundjavë.

    Zyra e Kryeministrit izraelit ka mohuar Raportet se “Hamasi” i ka ofruar Izraelit një listë pengjesh.

    “Lista e të rrëmbyerve e publikuar në media nuk i është dorëzuar Izraelit prej ‘Hamasit’, por së pari kishte kaluar prej Izraelit te ndërmjetësit në fillim të korrikut të vitit 2024.” – është thënë në njoftimin qeveritar izraelit.

    “Deri sot, Izraeli nuk ka pranuar ndonjë konfirmim ose koment nga ‘Hamasi’, lidhur me statusin e të rrëmbyerve në listë”.

    Vendimi i “Hamasit” për të publikuar listën me emrat e pengjeve do të shihet nga shumëkush si përpjekje për të rritur presionin publik ndaj Qeverisë izraelite.

    Negociatat për armëpushim kanë rinisur në Doha në Katar gjatë fundjavës, por bisedimet duket se nuk kanë shënuar ndonjë përparim të theksuar.

    Një zyrtar i “Hamasit” i ka thënë Reutersit se çfarëdo ujdie për rikthim të pengjeve Izraelit do të varej prej një marrëveshjeje që Izraeli të tërhiqet nga Gaza dhe që të ketë armëpushim të përhershëm ose përfundim të luftës.

    Ushtria izraelite ka bërë të ditur të dielën se forcat e saj ajrore kanë sulmuar më shumë se 100 zona “terroriste” në mbarë Rripin e Gazës në fundjavë – duke vrarë shumë militantë të “Hamasit”.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Dështojnë bisedimet për koalicionin austriak pas tërheqjes së partnerit liberal

    Bisedimet për formimin e qeverisë së re në Austri kanë dështuar pasi partneri më i vogël i mundshëm, partia liberale Neos, u tërhoq nga negociatat duke i lënë partitë e mbetura me shumicën më të vogël të mundshme, ka raportuar më 03.01.2025 televizioni Euronews.

    Neos, së bashku me Partinë Popullore Austriake (OVP) konservatore të kancelarit Karl Nehammer dhe Socialdemokratët e qendrës së majtë (SPO) po përpiqeshin të krijonin një koalicion qeverisës me tri parti pasi Partia e Lirisë e së djathtës ekstreme fitoi zgjedhjet kombëtare në shtator.

    Udhëheqësja e Neos, Beate Meinl-Reisinger, ka deklaruar se përparimi i negociatave ishte i pamundshëm dhe se nuk kishte dakordësim për “reformat themelore”. Ajo informoi liderët e tjerë të partisë se anëtarët e Neos “nuk do t’i vazhdojnë” bisedimet.

    Bisedimet ishin zvarritur pasi të gjitha partitë e tjera refuzuan të punonin me liderin e Partisë së Lirisë (FPO), Herbert Kickl, me 29.2 për qind të votave, duke detyruar OVP-në dhe SPO-në të përpiqeshin të rekrutonin një parti më të vogël për të fuqizuar shumicën.

    Reisinger, partia e së cilës fitoi 8.1 për qind të votave, ia atribuoi vendimin e partisë mosmarrëveshjeve mbi politikën fiskale. Partia e saj prej kohësh kishte platformë të reformës ekonomike dhe liderja ka deklaruar gjatë një konference shtypi të mbledhur me ngut se disa çështje – si rritja e moshës së pensionit – sollën ngecjen midis partive me pikëpamje të ndryshme ideologjike.

    Sekretari i OVP-së, Christian Stocker, ka fajësuar një  fraksion të caktuar të “forcave të prapambetura” midis socialdemokratëve që nuk kishin arritur të bënin kompromis me idetë e Neos.

    Nuk është e qartë se çfarë mund të ndodhë më pas pasi partia e Nehammerit dhe SPO tani kanë shumicën më të vogël të mundshme të nevojshme në parlament – ​​me 92 vende nga 183.

    Reisinger tregoi se bisedimet midis OVP-së dhe SPO-së do të vazhdojnë, duke thënë se partia e saj është ende e përgatitur për mbështetje në parlament për pikat për të cilat ishin pajtuar.

    Megjithatë, zgjedhjet e reja nuk janë krejtësisht të përjashtuar. FPO-ja e së djathtës ekstreme e mirëpriti menjëherë një mundësi të tillë pasi sondazhet tregojnë se mbështetja për ta është rritur që nga zgjedhjet. Në një sondazh të porositur nga gazeta “Der Standard”, FPO-ja rriti mbështetjen në 35 për qind në dhjetor.

    Sekretari i përgjithshëm i FPO-së, Michael Schnedlitz, i bëri thirrje Nehammerit të pranonte atë që e quajti humbje në zgjedhje dhe paralajmëroi kundër një koalicioni tjetër trepartiak mbi bazën e “modelit gjerman” – duke iu referuar koalicionit grindavec trepartiak në Gjermaninë fqinje që u ra vitin e kaluar pa e çuar deri në fund mandatin.

    FPO-ja dhe lideri i saj i diskutueshëm, Hebert Kickl, zhvilluan një platformë anti-emigracioni dhe gjerësisht euroskeptike, duke premtuar se do të trajtonin imigracionin e paligjshëm dhe normën e lartë të inflacionit në Austri.

    Partitë e tjera refuzuan të punonin me Kicklin, i cili prej kohësh ka nxitur kritika për përdorimin e herëpashershëm të termave të epokës naziste – pasi e kishte quajtur dikur veten “Volkskanzler” – si dhe kundërshtimin e tij ndaj vaksinimeve dhe bllokimeve gjatë pandemisë.

    Partitë opozitare u bashkuan para së gjithash që ta mbanin Kicklin jashtë qeverisë. Kickl, në këmbim, diskutimet e koalicionit, i quajti “të rrëmujëshme”.

    Në vend të zgjedhjeve të reja, dy partitë më të mëdha mund të shtyjnë përpara diskutimet ose të kërkojnë të bëjnë për vete të Gjelbërit si partner të tretë.

    Qeveria në largim e Nehammerit aktualisht përbëhet nga koalicioni ndërmjet  OVP-së dhe të Gjelbërve – dy parti ideologjikisht të dallueshme që shpesh nuk pajtohen.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com