Ballina

Etiketë: kqz

  • Beteja ligjore mes LVV-së dhe Listës Serbe

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk heq dorë nga qëllimi për të kundërshtuar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe të enjten ka paraqitur përsëri ankesë kundër vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për ta certifikuar këtë parti dhe ka kërkuar anulimin e tij.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili është përgjegjës për përgjigje në ankesën e Vetëvendosjes, nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të sqaruar nëse do ta shqyrtojë atë.

    Më herët, ky Panel kishte marrë vendim në favor të Listës Serbe, duke vepruar mbi ankesën e kësaj partie – më të madhes së serbëve në Kosovë – pasi anëtarët e KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kundërshtuan certifikimin e saj. Më pas, LVV bëri ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, e cila po ashtu mori vendim në favor të Listës Serbe.

    Një nga arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja qeverisëse është fakti që Lista Serbe nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra një polic kosovar.

    Ndërkohë, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përpiqet të pengojë pjesëmarrjen e kësaj partie në zgjedhje, pasi e konsideron atë “kundërshtarin më të madh”.

    “Ndërsa Kurti dhe të vartësit e tij na sulmojnë dhe nuk na lejojnë të marrim pjesë në zgjedhje, ne e dimë se jemi në rrugën e duhur. Lista Serbe është mburoja e qëndrimit dhe mbijetesës së serbëve në këto hapësira, dhe për këtë arsye Kurti na sheh si rrezikun më të madh. Ai do të bëjë gjithçka për të na penguar të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Elek më 3 janar për Radiotelevizionin publik të Serbisë (RTS).

    Çfarë thotë ligji?

    Lëvizja Vetëvendosje, në një postim në llogarinë e saj në Facebook, ka deklaruar se kërkon anulimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, bazuar në nenin 119 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    Në këtë nen thuhet se një person, që konsideron se të drejtat e tij janë shkelur lidhur me procesin zgjedhor të rregulluar nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ose rregullat zgjedhore, mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

    Sipas kësaj partie, certifikimi i Listës Serbe, pa u kryer procesi i votimit në KQZ, përbën “sulm ndaj rendit tonë ligjor”.

    “Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

    Nga ana tjetër, kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi, deklaroi se, bazuar në nenin 118 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë të detyrueshme për institucionin që drejton, nëse Gjykata Supreme e Kosovës nuk vendos ndryshe.

    Reagimet e komunitetit ndërkombëtar

    Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësimin se procesi i verifikimit të subjekteve politike është “i motivuar politikisht”, duke theksuar se “është e domosdoshme që votuesit, dhe jo trupat politike, të vendosin se kush i përfaqëson ata”.

    Para certifikimit të Listës Serbe, më 31 dhjetor nga KQZ-ja, Bashkimi Evropian ka deklaruar se është e nevojshme të sigurohet pjesëmarrja e lirë e të gjithë kandidatëve dhe partive politike të kualifikuara.

    Ata shtuan se procesi i certifikimit duhet të bazohet në standardet dhe procedurat ligjore, në përputhje me ligjet në fuqi, pa ndërhyrje politike.

    Vendimin për konfirmimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit e mirëpriti Ambasada amerikane në Prishtinë.

    “Procesi zgjedhor duhet të mbetet transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike. Votuesit duhet të vendosin se kush do të zgjidhet brenda sistemit demokratik të Kosovës, ndërsa të gjitha partitë dhe kandidatët duhet të refuzojnë çdo përpjekje për politizimin e procesit zgjedhor”, thuhet në postimin e ambasadës në një postim në platformën X – të njohur më parë si Twitter.

    ECMI: Ekziston dallim midis platformës ideologjike dhe programore të një partie

    Pas insistimit të Lëvizjes Vetëvendosje që Lista Serbe nuk e njeh Kosovën si shtet, dhe për këtë arsye nuk duhet të marrë pjesë në zgjedhje, Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë (ECMI) ka vlerësuar se në një shoqëri demokratike duhet të ekzistojë një dallim i qartë midis platformës ideologjike ose programore të një partie politike.

    Pjesëtarë të Qendrës vlerësojnë se është detyrë e partive politike të veprojnë brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të shtetit ku ekzistojnë, por gjithashtu kanë të drejtë të promovojnë reforma kushtetuese ose politike.

    “Kufizimi i shprehjes së tillë vetëm mbi bazën e pikëpamjeve ideologjike, bart rrezikun e minimit të vlerave themelore demokratike”, deklaruan nga ECMI, një organizatë që merret me promovimin e mbrojtjes dhe fuqizimit të komuniteteve joshumicë në Kosovë.

    Megjithatë, ata theksuan se të gjitha subjektet politike duhet t’i respektojnë dispozitat ligjore dhe kushtetuese të Kosovës.

    “Nëse përcaktohet se një parti vepron jashtë këtyre kufijve – duke rrezikuar stabilitetin ose integritetin kushtetues të shtetit – mund të merren masa të ligjshme”.

    Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë ka pasur mbështetje për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

    Deri më tani, në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë, kjo parti ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb, por Misioni Vëzhgues i BE-së, në raportin e saj të vitit 2021, ka përfunduar se Lista Serbe ka “monopolizuar jetën politike ndërmjet serbëve të Kosovës” dhe janë shënuar raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie./REL

  • LVV ankohet në PZAP, kërkon anulimin e vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës Serbe

    Lëvizja Vetëvendosje, më 02.01.2025, ka dorëzuar ankesë në PZAP kundër vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës Serbe, për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt në Kosovë.

    Kjo parti pretendon se “nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së” është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe.

    “Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

    Për LVV-në, “Lista Serbe ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radoiçiq. “Ajo [LS] dikur përdorej nga Radoiçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

    “Nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt. Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe”, përfundon LVV.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në ditën e fundit të vitit 2024 ka certifikuar Listën Serbe për Zgjedhjet 2025.

    Ky vendim është marrë pasi Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kundër Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që e “urdhëronte” KQZ-në për ta certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhje.

    “KQZ ka marrë vendim që ta certifikojë Listën Serbe. Vendimi i PZAP-së është i plotëfuqishëm. Konsideroj që kjo çështje është mbyllur.” – deklaroi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

    Më 25.12.2024, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ankua në Gjykatën Supreme ndaj Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) – lidhur me rastin e Listës Serbe.

    Pasi u konfirmua nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për certifikimin e Listes Serbe, kundër këtij vendimi u shpreh anëtari i  KQZ-së nga LVV-ja, Sami Kurteshi.

    “Ka shumë dëshmi, shumë elemente që unë mendoj që ky subjekt politik nuk meriton të certifikohet.” – tha ai.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 23.12.2024, nuk e kishte certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhje.

    Pas votimeve, me 2 vota “për”, 2 “kundër” dhe të të tjerëve anëtarë për mospjesëmarrje në votim, moscertifikimin e LS-së e kishte konstatuar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

    “Nuk kalon Rekomandimi i Zyrës për certifikimin e Listës Serbe.” – kishte thënë ai në mbledhjen e KQZ-së, më 23.12.2024.

    Vendimi paraprak ishte marrë, pasi u vlerësua nga ana e disa anëtarëve në KQZ, se ka pasur thirrje nacionaliste serbe nga ana e kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek – gjatë prezantimit të Listës zgjedhore të këtij subjekti politik.

    Lista Serbe pas kësaj më 25.12.2024 kishte parashtruar Ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi që nuk u certifikua për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë.

    Ndërsa, PZAP kishte vendosur në favor të kësaj partie.