Ballina

Etiketë: kqz

  • Vetura e një anëtareje të KQZ-së sulmohet me koktej mollotovi në Ranillug, prokurori jep detaje 

    Dy shishe koktej mollotovi dyshohet se janë hedhur në veturën e një përfaqësuesi të Komisionit Qëndror Zgjedhor. 

    Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së sontme (25.01.2025) në Ranillug. 

    KALLXO.com ka kontaktuar me prokurorin kujdestar Agron Uka, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. 

    Ai tha se ekipet e hetuesisë janë në vendin e ngjarjes pas informacioneve që kanë pranuar në lidhje me një zjarr fillimisht që ishte raportuar. 

    “Ajo çka kemi, është që dy shishe me koktej molotovi janë gjuajtur në drejtim të veturës së një anëtareje të KQZ-së. Ka mundësi që i dyshuari ka pësuar djegje, jemi në kërkim të provave dhe dëshmive të reja për t’i mbledhur ato”- tha Uka për KALLXO.com. 

    Tutje ai shtoi se ndonëse ka përkeqësim të motit për shkak te mjegullës, ekipi i hetuesisë është duke bërë kërkime për të gjetur dhe identifikuar të dyshuarin që kreu aktin.

     

  • Nis tërheqja e pakove të para me fletëvotime nga kutitë postare në Shtutgart, Vjenë dhe Podgoricë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka filluar tërheqjet e para të pakove me fletëvotime nga kutitë postare në Shtutgart, Vjenë dhe Podgoricë.

    Sipas njoftimit, duke filluar nga sot, 23.01.2025, KQZ ka filluar me tërheqjet e para të pakove me fletëvotime nga kutitë postare, në të cilat shtetasit e Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës mund të dërgojnë pakon e tyre me fletëvotim. Sipas njoftimit, nga Shtutgarti i Gjermanisë janë tërhequr 6,054 pako me fletëvotime, nga Podgorica në Mal të Zi janë tërhequr 80 pako me fletëvotime dhe nga Vjena në Austri 712 pako me fletëvotime.

    “Në përputhje me procedurat, gjatë ditës së enjte është realizuar tërheqja e 6,054 pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Shtutgart të Gjermanisë dhe të njëjtat janë dërguar në Konsullatën e Republikës së Kosovës në këtë qytet, të cilat janë vendosur në dhomën e sigurisë dhe që vëzhgohet me kamera 24 orë”- thuhet në njoftim.

    Ky proces, sipas njoftimit, është realizuar nën mbikëqyrjen e anëtarëve dhe stafit të KQZ-së, vëzhguesve të subjekteve politike të akredituar për vëzhgimin e procesit zgjedhor dhe të përfaqësuesve të autorizuar të përfaqësisë diplomatike.

    KQZ -ja bën të ditur se këto pako me fletëvotime dhe të tjerat që do të tërhiqen në mënyrë të herëpashershme, do të sillen në Kosovë gjatë ditëve në vazhdim.

    Sipas procedurave, shton KQZ-ja, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshin verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat e tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve.

    Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja.

    “KQZ ka realizuar edhe tërheqjen e 80 pakove me fletëvotime nga kutia postare në Podgoricë të Malit të Zi, të cilat janë transportuar si pako diplomatike dhe janë vendosur në hapësirën për grumbullimin dhe vlerësimin e pakove me fletëvotime në objektin e KQZ-së. Gjithashtu, KQZ, nën monitorimin e vëzhguesve të subjekteve politike ka tërhequr 712 pako me fletëvotime nga kutia postare në Vjenë të Austrisë, të cilat do t’i nënshtrohen procedurës së njëjtë” – thuhet në njoftim.

    Me qëllim të mundësimit të votimit përmes postës janë duke funksionuar kutitë postare në 22 shtete të ndryshme të botës, përfshirë dhe kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

    Periudha e votimit përmes postës për të votuar nga jashtë Kosovës do të përfundojë më 8 shkurt 2025.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025.

  • Nis shtypja e fletëvotimeve për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar shtypja e fletëvotimeve dhe broshurave njoftuese për kandidatët për zgjedhjet parlamentare që mbahen më 09.02.2025.

    Sipas KQZ-së, fletëvotimet dhe broshurat po shtypen në Celje të Sllovenisë.

    “Shtypja e fletëvotimeve dhe broshurave po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë, “Cetis”, në Celje të Sllovenisë. Sipas vendimit të KQZ-së do të shtypen 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta; 28,450 për votimin me kusht; 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë; dhe 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike”- thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 09.02.2025.

  • Ku dhe si do të vendosen kamerat vëzhguese nëpër Qendrat e Votimit në ditën e Zgjedhjeve?

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka blerë 2 mijë e 500 kamera vëzhguese, bashkë me pajisje përcjellëse, për të monitoruar dhe vëzhguar procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025.

    Në total Kontrata ka kushtuar 699 mijë euro dhe atë e ka fituar Kompania “Besa Security”. Kontrata është nënshkruar më 31.10.2024.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se kamerat do të vendosen brenda vendvotimit, por sipas tij do të vendosen në atë mënyrë që do të garantojnë ruajtjen e integritetit të procesit të votimit dhe numërimit.

    “Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit.” – ka thënë Elezi për KALLXO.com.

    Sipas tij, në ditën e Zgjedhjeve KQZ nuk do t’i monitorojë kamerat dhe se regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive. Elezi ka thënë se qasja në regjistrimet e kamerave mund të bëhet vetëm me Vendim apo Kërkesë të institucioneve ligjzbatuese.

    “Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet, ku evidentohen parregullsi, me qëllim që t’iu ofrohen institucioneve ligjzbatuese.” – ka bërë të ditur Elezi.

    “Në kuadër të procesit të shkatërrimit të materialit zgjedhor, KQZ, në përputhje me procedurat, do të veprojë edhe me videoregjistrimet. Nga procesi i shkatërrimit, KQZ përjashton vetëm ato materiale zgjedhore që janë pjesë e trajtimit nga institucionet e tjera”.

    Zëdhënësi Valmir Elezi ka thënë se kamerat mund të përdoren edhe për të tjera procese zgjedhore.

    Sipas të dhënave në Dosjen e tenderit, kamerat do të vendosen në secilin vendvotim. Aty thuhet se në Zgjedhjet lokale 2021 numri i vendvotimeve ka qenë 2477 vendvotime dhe për këtë arsye sasia indikative e furnizimeve me kamera është 2 mijë e 500 copë. Por, megjithatë KQZ varësisht nga numri i vendvotimeve mund të porosisë plus/minus 30%.

    Po ashtu, në Dosje të tenderit bëhet e ditur se regjistrimet ruhen në kartelat e memories, të cilat duhet të jenë brenda kamerës, e asambluar me bulona. Rezolucioni i videoregjistrimeve do të jetë 5 megapiksel dhe se kamerat duhet të kenë pavarësi nga energjia elektrike, për të paktën 2 orë.

    “Kamerat duhet të vendosen në një lartësi prej jo më pak se 210 cm dhe jo më shumë se 280 cm nga dyshemeja. Seti i kamerës me të gjitha pjesët e montuara, maksimalisht duhet të peshojë 13 kg.” – thuhet tutje në Dosje të tenderit.

    Sipas Kontratës së nënshkruar, vetëm një kamerë pa pajisjet përcjellëse ka kushtuar 146 euro.

    Gjatë votimit në prill 2024 “për” ose “kundër” largimit të Kryetarëve në katër Komunat me Shumicë Serbe në Veri në prill: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan, për herë të parë në një proces zgjedhor që është organizuar në Kosovë, janë vendosur edhe kamera nëpër vendvotime.

    Kamerat në atë kohë ishin huazuar nga Shqipëria.

    KQZ në atë kohë, njëjtë sikurse tash, vlerësonte se vendosja e kamerave nuk e cenon fshehtësinë e votës – duke marrë shembull se një praktikë e tillë përdoret edhe në Mal të Zi, Estoni, Letoni apo vende të tjera perëndimore.

    Ai ka treguar se mënyra e vendosjes së kabinave dhe kamerave në vendvotime është një praktikë që përdoret në Mal të Zi, Estoni, Letoni dhe vende perëndimore.

    Në ndërkohë Prokuroria e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse dikush ua cenon fshehtësinë e votës ta lajmërojnë në Polici apo Prokurori.

    Në të njëjtën kohë edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka kërkuar nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale, në kohën e fushatës zgjedhore.

    AIP ka kërkuar që subjektet të mos ekspozojnë të dhënat personale gjatë komunikimit me qytetarë – siç janë mesazhet e thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

    https://kallxo.com/lajm/prokuroria-e-shtetit-u-ben-thirrje-qytetareve-qe-nese-dikush-ua-cenon-fshehtesine-e-votes-ta-lajmerojne-ne-polici-apo-prokurori/

  • Radoniqi: Gjetjet e vëzhguesve në zgjedhje do të merren seriozisht nga KQZ-ja

    Kryesuesi dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) më 16.01.2025 kanë pritur në takim eurodeputeten Nathalie Loiseau, njëkohësisht shefe e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Europian.

    Sipas njoftimit, takimi u fokusua në përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 09.02.2025.

    Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka theksuar rëndësinë e vëzhgimit të zgjedhjeve, duke siguruar që gjetjet e vëzhguesve do të merren seriozisht nga KQZ.

    Po ashtu, KQZ informoi Loiseau dhe ekipin e BE-së për përgatitjet në zhvillim, përfshirë votimin përmes postës për qytetarët jashtë Kosovës dhe trajnimin e trupave zgjedhorë.

    KQZ e ka certifikuar më 04.01.2025 listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

    Në total, në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të garojnë 27 parti politike.

    Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.