Ballina

Etiketë: kosova

  • Reshje, ngrica dhe temperatura të ulëta – Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Mot me reshje dhe ulje të temperaturave në të dy vlerat ekstreme pritet të mbajë në javën e ardhshme në Kosovë, duke nisur nga nesër (13.01.2025).

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se një ciklon që ka ardhur nga jugu i Italisë dhe rajoni i Detit Jon do të sjellë reshje intensive në disa zona, kryesisht me lartësi mesatare dhe një rënie të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin.

    Për shkak të ngricave të cilat tashmë janë prezente IHMK rekomandon kujdes të shtuar për drejtuesit e automjeteve dhe  këmbësorët  për të shmangur rrëshqitjet dhe incidentet në rrugë.

    Parashikimi i motit për 13-17.01.2025:

    E hënë: Moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të herëpashershme të borës, me intensitet të dobët deri mesatar. Në orët e mëngjesit priten ngrica dhe kushte për mjegull. Temperaturat minimale do të luhaten ndërmjet -5°C dhe -3°C, ndërsa maksimalet nga -2°C deri në -1°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-7 m/s.

    E martë: Moti mbetet kryesisht i vranët. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -3°C dhe -1°C, ndërsa ato maksimale do të variojnë nga 0°C deri në 2°C. Era do të jetë e lehtë nga drejtimi verilindor.

    E mërkurë: Moti do të jetë kryesisht i vranët. Temperaturat minimale priten të zbresin ndërmjet -6°C dhe -3°C, ndërsa maksimalet do të jenë nga -2°C deri në 0°C. Era do të jetë e dobët, me shpejtësi 1-3 m/s nga verilindja.

    E enjte: Parashikohet mot i vranët, por me intervale të shkurtra me diell. Në mëngjes kushte për mjegull dhe ngrica. Temperaturat minimale do të luhaten nga -6°C deri në -3°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga – 2°C deri në 2°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-4 m/s.

    E premte: Moti do të jetë i vranët, me periudha të shkurtra me diell gjatë ditës. Në mëngjes ngrica dhe kushte për mjegull. Temperaturat minimale do të variojnë nga -8°C deri në -4°C, ndërsa maksimalet nga -1°C deri në 4°C. Era do të jetë e lehtë nga verilindja, me shpejtësi 1-2 m/s.

  • O’Brien: Kosova e Serbia duhet të ecin përpara për hir të së ardhmes së tyre evropiane

    Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i normalizojnë marrëdhëniet fqinjësore për hir të synimeve të veta për integrime evropiane.

    Në një intervistë për tabloidin serb, Kurir, të publikuar të dielën, O’Brien tha se të dyja vendet kanë nevojë ta bëjnë këtë.

    “Mendoj Kosova dhe Serbia duhet ta kuptojnë se ka rrugë normale evropiane për këtë çështje. Mendoj se tani, me një Bashkim Evropian më aktive në rajon, të dyja vendet e kuptojnë se ka gjëra që secila prej tyre duhet t’i bëjë, të cilat do ta bëjnë më të lehtë zgjidhjen çështjeve”, tha O’Brien.

    Por, shtoi ai, ato duhet ecin përpara dhe t’i bëjnë këto gjëra “për hir të rrugës së tyre evropiane, jo për shkak të disa negociatave të veçanta”.

    Një takim mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e BE-së.

    Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim e marrëdhënieve që nga viti 2011, ndërsa më 2023 arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj.

    Megjithatë, ato ende nuk kane filluar ta zbatojnë këtë marrëveshje, sipas BE-së. Dialogu mes tyre, i ndërmjetësuar nga BE-ja, mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

    O’Brien u pyet gjithashtu se a mund të jetojnë serbët e Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, pas një varg hapash që Qeveria e tij i ndërmori gjatë vitit 2024 për t’i mbyllur institucionet paralele serbe në veriun e banuar me shumicë serbe dhe për ta shtrirë autoritetin atje.

    “Mendoj se po”, u përgjigj ai, duke shtuar se “praktikisht çdo vend evropian ka pasur nevojë të merret me një çështje të tillë – një komunitet që ndihet i lidhur me një vend fqinj për shkak të lidhjeve kombëtare, fetare apo historike”.

    Po ashtu, Kosova ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, gjë që ka vështirësuar pagesën e pagave për pjesëtarët e komunitetit serb që marrin rroga nga buxheti i Serbisë.

    Këto hapa, Qeveria e Kosovës ka thënë se i ka ndërmarrë për të shtrirë sovranitetin, por është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar që kërkon që këto çështje të zgjidhen në dialogun e Brukselit, në mënyrë që të shmanget rritja e tensioneve në terren.

    Një zyrtar duke vendosur njoftimin për mbylljen e zyërs së kompanisë së sigurimeve nga Serbia – Dunav Osiguranje, në veri të Kosovës.

    Në anën tjetër, Serbia nuk pranon t’i mbyllë institucionet e saj në territorin e Kosovës dhe shumicën e tyre i ka zhvendosur afër pikave kufitare nga ana e Serbisë.

    Kosovës i kërkohet gjithashtu edhe themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, por ajo ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të ndikojë në funksionimin e shtetit.

    O’Brien bëri thirrje gjithashtu që serbëve në Kosovë, posaçërisht në veri, t’u jepet hapësirë ta thonë fjalën e tyre vet, pa i ndikuar apo detyruar nga të tjerët.

    “Ne duam të shohim që zëri i vet serbëve, në veçanti në veri, por edhe në gjithë Kosovë, të dëgjohet, jo që ata të detyrohen të flasin në një mënyrë apo tjetër siç u leverdis njerëzve në cilindo kryeqytet. Ata duhet t’i kenë të drejtat si çdo qytetar tjetër në një vend demokratik”, tha O’Brien.

    Ai tha se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe ekipi i tij, kanë bërë “punë të suksesshme falë të cilës ka zgjidhje për jetën e serbëve në Kosovë me respekt për ta si një komunitet, në mënyrë që ata të mund të jetojnë normalisht, ashtu si, për shembull, gjermanët në Itali ose holandezët në Belgjikë”./REL

  • Verma: Sanksionet ndaj NIS-it nuk janë të drejtuara kundër Serbisë, por Rusisë

    Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma tha të shtunën se sanksionet ndaj industrisë së naftës nuk janë drejtuar ndaj Serbisë por kundër Rusisë.

    Verma: Sanksionet ndaj NIS-it nuk janë të drejtuara kundër Serbisë, por Rusisë

    Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Beograd një ditë pasi Shtetet e Bashkuara përfshinë Industrinë Naftës së Serbisë në paketën e sanksioneve ndaj prodhuesve kryesorë rusë të naftës, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas.

    “Ato janë të drejtuar kundër Rusisë, jo Serbisë. NIS (Industria e Naftës e Serbisë) është një nga dy mijë kompanitë e mbuluara nga sanksionet që synojnë heqjen e pronësisë ruse”, tha ai duke nënvizuar se nuk do të ketë pasoja për Serbinë nëse hiqet pronësia ruse.

    “Është e qartë se Rusia nuk po investon në të ardhmen e Serbisë, sepse fitimet që ajo realizon nga Industria e Naftës e Serbisë nuk investohen në Serbi. Largimi i kapitalit rus, do të kontribuojë për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”, tha zoti Verma, sipas një përkthimi të zyrës së Presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

    Industria e Naftës e Serbisë (NIS), mbi 56 për qind të aksioneve të së cilës u takojnë kompanive ruse Gazprom Neft dhe Gazprom, është furnizuesja e vetme e Serbisë me gaz dhe pronarja e të dy tubacioneve që transportojnë gaz nga Rusia për në Serbi.

    Lexoni edhe këtë

    SHBA sanksionon industrinë serbe të naftës për shkak të pronësisë ruse

    Sanksioneve, të cilat Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i kishte paralajmëruar që më 13 dhjetor të vitit që lamë pas u është bashkuara edhe Britania e Madhe.

    Presidenti serb tha se deklarimet që Serbia nuk ishte objektivi i sanksioneve, nuk është farë ngushëllimi.

    “Rreth 30 vende, sipas llogaritjeve fillestare, janë prekur në mënyra të ndryshme nga këto sanksione ose subjekte nga ato vende. Por, kudo ka të bëjë me pasuritë, kapitalin dhe interesat ruse”, tha ai.

    Presidenti serb tha se ka shumë paqartësi lidhur me sanksionet.

    “Së pari duhet të kalojmë të paktën shtatë deri në 10 ditë të tjera duke biseduar me amerikanët, për të parë saktësisht se çfarë përmban e gjithë paketa e sanksioneve, në mënyrë që të mund t’u drejtohemi rusëve dhe më pas të flasim me ta për atë që duhet të bëjmë”, tha zoti Vuçiç.

    Presidenti serb tha të premten se Shtetet e Bashkuara kërkojnë “tërheqjen e plotë të kapitalit dhe interesave ruse” nga Industria serbe e Naftës, transformimi i pronësisë duhet të përfundojë brenda 45 ditësh dhe duhet të miratohet nga Shtetet e Bashkuara.

    Vuciç: Azerbajxhani e ka pezulluar furnizimin e Serbisë me gaz

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të shtunën se furnizimi i Serbisë me Gaz nga Azerbajxhani është pezulluar dhe është e paqartë se kur do të rifillojë.

    “Kam marrë informacion nga vëllezërit dhe miqtë tanë nga Azerbajxhani se për shkak të problemeve që ata kanë, nga sot nuk mund të llogarisim në 1.7 milionë metra kub gaz që vinte çdo ditë”, tha Presidenti Vuçiç, duke theksuar se “kjo do të thotë se që nga sot do të fillojmë të shpenzojmë rezervat e gazit”.

    Ai shfaqi shpresën se për një ose dy muaj të rifillojë furnizimi me gaz nga Azerbajxhani.

    Në vitin 2023, Serbia, e cila shpenzon më shumë se 3 miliardë metra kub gaz në vit, nënshkroi një marrëveshje me Azerbajxhanin për të blerë 400 milionë metra kub gaz natyror, nga viti 2024.

    Pjesën tjetër të gazit Serbia e siguron nga Rusia.

    Autoritetet në Azerbajxhan nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese të agjencisë së lajmeve Reuters për të komentuar në lidhje me eksportet e gazit në Serbi.

    Serbia e cila zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ruan marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se me zëvendës Sekretarin Verma biseduan edhe për vendosjen e një dialogu strategjik që sipas tij do t’i çojë marrëdhëniet në mes dy vendeve në një nivel më të lartë.

    “Dialogu strategjik nuk është diçka që do të zgjidhë problemet, veçanërisht rreth Kosovës, por hap mundësi dhe sfida të rëndësishme, të mëdha për qeveritë e ardhshme në Serbi dhe administratat në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi një vend i vogël për ta, por besoj se fakti që ata kanë treguar interes për një dialog strategjik me Serbinë për herë të parë, tregon se marrëdhëniet tona kanë ndryshuar për mirë”, tha presidenti serb.

    “Dialogu strategjik na siguron një format të strukturuar në mënyrë që qeveritë tona të mund të përqendrohen në tema thelbësore të bashkëpunimit si në fushat e mbrojtjes, energjisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ky dialog dëshmon për rëndësinë që ne i kushtojmë marrëdhënieve me Serbinë, të cilat bazohen në respektin e ndërsjellë dhe përkushtimin për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë”, tha zëvendës sekretari Verma.

    Lexoni edhe këtë

    Osmani: Kosova dhe Shtetet e Bashkuara do të përmbyllin së shpejti dialogun strategjik

    Zyrtari amerikan shkoi në Serbi pas vizitës që zhvilloi në Kosovë, pas së cilës autoritetet në Prishtinë thanë se pritet që së shpejti të përmbyllet dialogu strategjik mes dy vendeve që sipas tyre do të përfshijë fusha të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës./VOA

  • Çka presin votuesit e rinj në Kosovë?

    Edona Asllani priti Vitin e Ri në terr dhe kuptoi se Kosova ka nevojë për më shumë se vetëm premtime.

    Ajo nuk është përcaktuar ende se cilën parti do ta votojë në zgjedhjet parlamentare, por do që qeveria e ardhshme ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e furnizimit me rrymë.

    “Për orë të tëra, natën e Vitit të Ri nuk kishim rrymë”, thotë 23-vjeçarja nga Ferizaj.

    “Unë nuk merrem me politikë, por do të votoj, sepse është obligim qytetar”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

    Edona dhe mbi dy milionë qytetarë me të drejtë vote do të mund të zgjedhin mes 28 subjekteve politike dhe katër kandidatëve për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit: Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, aktualisht në pushtet; Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës; Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Fushata e tyre zgjedhore nisi zyrtarisht më 11 janar.

    Vetëm në ditën e dytë të saj, Anisa Hajdini, e cila do të votojë për herë të parë, thotë se ka vendosur se cilës parti do t’ia japë besimin.

    “Idetë që ka paraqitur partia që kam zgjedhur, më kanë pëlqyer dhe pres ndryshime në sistemin e arsimimit universitar”, thotë studentja e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës.

    “Nuk pres reforma të menjëhershme, sepse ato duhet të ndodhin në mënyrë graduale dhe të mendohen mirë… Por, për shembull, notimi me teste nuk më pëlqen, do të doja të bëhej me gojë”, thotë Anisa.

    Për herë të parë më 9 shkurt do të votojë edhe Amelia Sefa, studente e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës.

    Ajo nuk është përcaktuar ende se kujt do t’ia japë votën, por, ngjashëm, kërkon mbështetje më të madhe për studentët.

    “Të ketë, për shembull, furnizim me materialet e nevojshme për studime, por edhe një shumë të vogël financiare për nevojat personale të studentëve”, thotë Amelia.

    Gjin Prelvukaj është ende student, por do që të shohë ndryshime në kushtet e punësimit të të rinjve.

    Sipas tij, ato janë të domosdoshme për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës.

    Shkalla e papunësisë në mesin e personave 15-24 vjeç në Kosovë është 17.3 për qind.

    “Aktualisht, kur hapen konkurse për punë, kërkohet përvojë pune tre deri në pesë vjet. Kjo, automatikisht, e pamundëson pjesëmarrjen e të rinjve në konkurs, sepse me 22 vjet nuk mund ta kesh atë përvojë”, thotë studenti i Inxhinierisë së Mekatronikës.

    Edhe kolegu i tij, Lis Shala, do më shumë mundësi punësimi për të rinjtë dhe, siç thotë, paga më të dinjitetshme.

    Mesatarja e pagës në Kosovë, aktualisht, është 570 euro, por Lisi thotë se “minimalja duhet të jetë deri në 700 euro”.

    “… sepse qiraja, ushqimi, rryma, çmimet e produkteve janë shumë të larta. Pagat aktuale nuk sigurojnë mirëqenie sociale”, sipas tij.

    Diamant Maraj, 23 vjeç, thotë se partia që do ta votojë ai, ka premtuar rritje pagash dhe beson se ky premtim do të përmbushet.

    Për të, prioritet duhet të jetë edhe luftimi i korrupsionit.

    “Dyshohet se ka korrupsion me rrymën. Le të hiqen këto dyshime”, thotë Diamanti.

    Deri në mëngjesin e 9 shkurtit – sa do të zgjasë fushata zgjedhore – qytetarët do të kenë mundësi të dëgjojnë e shohin se çka premtojnë partitë politike.

    Në rrjete sociale, intervista e debate televizive, shumë prej tyre tashmë kanë shpalosur ide e premtime, qoftë për marrëdhëniet me jashtë, për zhvillimin ekonomik apo për reformat në shëndetësi e arsim.

    Ndonëse përmirësime të ngjashme janë premtuar edhe më herët, kërkesat e qytetarëve për më shumë ndryshime përsëriten para çdo palë zgjedhjeve.

    Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë 2.075.868 votues brenda dhe jashtë Kosovës që do të mund të zgjedhin se kush do t’i përfaqësojë ata dhe interesat e tyre gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

    Prej tyre, mbi 125 mijë janë votues të rinj që i kanë mbushur 18 vjet në mes të dy proceseve zgjedhore.

    “Deri më tash, asnjë parti nuk më ka bindur deri në atë pikë që të them se është ideale për t’u votuar”, thotë juristja 23 vjeçe, Mimoza Maqedonci.

    Ajo pret zhvillimin e fushatës për t’u informuar më shumë për ofertat e tyre./REL

  • Ferizaj, burri rrah gruan

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të dhunës së familjes në Ferizaj.

    Sipas njoftimit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

    Rasti ndodhi më 10.01.2025.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare, pas një mosmarrëveshje në familje është kanosur dhe sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar, me vendim të prokurorit  viktima ma katër fëmijët e tyre është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore” – thuhet në njoftim.