Ballina

Etiketë: kosova

  • Ekstradohen nga Shqipëria dy persona, njëri dyshohet për kultivim të bimëve narkotike

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 27.01.2025 janë ekstraduar nga Shqipëria dy persona të dyshuar për dy raste të ndryshme.

    Ata kanë qenë të kërkuar nga autoritetet e Kosovës.

    Sipas njoftimit, njëri prej të ekstraduarve, shtetas i Shqipërisë, dyshohet për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Sferkë të Komunës së Pejës.

    Ndërsa, për personin tjetër Policia nuk ka dhënë detaje se për çka dyshohet. I njëjti është pranuar nga Njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Vërmicë.

  • Ekonomia e Kosovës: Shumë premtime, pak përparime

    Kur ka prezantuar programin e Qeverisë së tij në maj të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë, mes tjerash, se potenciali i madh i prodhimit të ushqimit në Kosovë, duhet të shfrytëzohet jo vetëm për nevoja të brendshme, por edhe për të eksportuar.

    Ai ka thënë se do të angazhohet në blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese për eksport, si dhe do t’i ndihmojë bizneset në gjetjen e tregjeve për eksport.

    Në kuadër të mbështetjes për to, ka thënë se Kosova do të themelojë edhe Bankën e saj Zhvillimore.

    “Ajo do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar”, ka thënë Kurti në vitin 2021.

    Katër vjet më vonë, kjo bankë nuk është themeluar dhe bilanci tregtar nuk është se ka ndryshuar.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe të Doganës së vendit tregojnë se në vitin 2021 vlera e eksporteve në Kosovë ka qenë 775.7 milionë euro, kurse e importeve 4.6 miliardë euro.

    Në vitin 2024, eksportet janë rritur në 990.2 milionë euro, por edhe importet në 6.3 miliardë euro.

    Kurti edhe në fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit – në të cilat do të garojë për mandatin e dytë si kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje – bën premtime të ngjashme.

    “Do të ofrojmë mbështetje deri në një miliard euro për investime të mesme e të mëdha në ndërmarrjet prodhuese cep më cep Kosovës. Do ta shtojmë prodhimin, do ta shtojmë investimin, do ta mundësojmë riinvestimin dhe do ta rrisim eksportin”, ka thënë Kurti në një tubim me mbështetësit e tij në Gjakovë.

    Me këso premtimesh, mbështetësve u drejtohen edhe kundërkandidatët e tij.

    Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se do të ndajë mbi 6 miliardë euro për projekte kapitale dhe zhvillimore.

    “Ne nuk i ofendojmë bizneset private. Ne do t’i mbështesim bizneset private. Në qeverinë time, nuk do të ketë më pagesa të TVSH-së në kufi, por në brendi të Kosovës, pas shitjes së produkteve dhe jo përpara”, u ka thënë Hamza mbështetësve në Skenderaj.

    Për Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bizneset krijojnë vende të reja të punës, eksportojnë dhe ulin deficitin e lartë tregtar. Është “paradoks i kohës”, sipas tij, që ato edhe sot e kësaj dite përballen me mungesë të energjisë elektrike.

    “Pas 9 shkurtit, Qeveria e Kosovës, qeveria e djathtë, bizneset i sheh si partner. Do të punojë me to dhe do ta bëjmë Kosovën me to”, ka thënë Abdixhiku gjatë një vizite në një kompani për konstruksione metalike.

    Këtë pikëpamje për bizneset, në disa tubime me mbështetës, e ka ndarë edhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Duhet të dërgojmë sinjale të qarta se biznesi është partner. Bizneset janë vlerë e shtuar, krijojnë buxhet, krijojnë investime. Duhet t’i fuqizojmë sipërmarrësit tonë, jo vetëm të mëdhenjtë dhe jo vetëm do, por çdo sipërmarrës të Kosovës duhet ta kemi partner”, ka thënë Haradinaj para mbështetësve të tij në Rahovec.

    Secila prej këtyre partive, në periudha të ndryshme pas pavarësisë e këndej, ka qenë ose në krye të Qeverisë së Kosovës, ose partnere koalicioni. Subvencione për bizneset ka pasur aty-këtu.

    Në konferencën e fundvitit të kaluar me afaristë, Kurti ka thënë se, për tre vjet, u ka shpërndarë bizneseve 1.3 miliard euro në formë të granteve dhe programeve të tjera, për të forcuar konkurrencën e tyre në tregjet vendore e ndërkombëtare.

    Por, bilanci tregtar nuk është përmirësuar asnjëherë. Kosova çdo vit importon mesatarisht 5 miliardë euro mallra, nisur nga qepët, domatet e mollët deri te materialet ndërtimore, ndërsa eksporton në vlerën e më pak se 1 miliard eurove, kryesisht produkte të metalit dhe plastikës.

    Prodhuesit kosovarë ankohen vazhdimisht për Tatim të lartë mbi Vlerën e Shtuar, për ekonomi joformale, kamata të larta për kredi, mungesë infrastrukture, jostabilitet me rrymë e të tjera.

    Ramiz Gashi prej vitesh udhëheq kompaninë “Relux” jashtë Prishtinës, e cila merret me prodhimin e ngjyrave dhe të fasadave. Me mbi 40 të punësuar, ai thotë se kompania ka arritur të eksportojë në 11 vende të botës, përfshirë Gjermaninë, Francën, Britaninë e Qipron – të gjitha me forcat e veta.

    “Deri më tani, që sa vite operojmë… jo vetëm kjo Qeveria e tanishme që bën premtime shumë, por edhe të kaluarat që kanë bërë premtime të njëjta, asnjëra prej tyre nuk na ka dalë në ndihmë, pa marrë parasysh se çfarë kërkesash kemi pasur – ndoshta edhe një kërkesë sa më elementare”, thotë Gashi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

    Gashi tregon se biznesi i tij, sa herë që bie shi, rrethohet nga uji, për shkak të infrastrukturës së dobët të kanalizimit përreth. Ky problem, sipas tij, e pengon punën e biznesit dhe do të duhej të zgjidhej me urgjencë.

    “Ne kemi bërë disa herë kërkesa, protesta e peticione, jo vetëm ne, por të gjitha bizneset që operojnë këtu, dhe të gjitha kanë hasur në veshë të shurdhër”, thotë Gashi.

    Ky biznesmen shpreh bindjen se mund të bëhet gjigant i madh eksportues dhe të ndikojë edhe në rregullimin e bilancit tregtar, nëse merr një dorë nga shteti.

    “Ne nuk kërkojmë që të na jepet diçka krejt falas, por të paktën të na mundësohet ndonjë kredi me kamatë më të favorshme dhe të kemi ndonjë lehtësirë. Këtë e presim nga qeveritë në ardhje”, thotë Gashi.

    Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se cilado parti që krijon Qeverinë, e ka mundësinë t’i realizojë premtimet ndaj bizneseve, nëse do që t’i trajtojë ato me seriozitet.

    Sipas tij, Kosova nuk e ka luksin për ta pasur borxhin publik në 17 për qind të bruto prodhimit të brendshëm, kur me ligji mund të shkojë deri në 40 për qind, dhe ta shfrytëzojë atë në favor të zhvillimit.

    “Vendim i parë i Qeverisë do të duhej të ishte përcaktimi i sektorëve konkurrues të Kosovës dhe të përqendrohet tek ata, t’i mbështesë, t’i subvencionojë, të marrë masa, qoftë administrative, qoftë në kuptimin e politikave fiskale apo të normave të interesit, në mënyrë që bizneset të prodhojnë sa më shumë, të eksportojnë sa më shumë dhe ta zbresin importin që e kemi kaq të lartë”, thotë Rafuna për Exposenë.

    Në mënyrë konkrete, ai numëron edhe tre hapa: reformën e Tatimit të Vlerës së Shtuar, lirimin e më shumë lëndëve të para dhe diplomacinë ekonomike. Rritja e prodhimit, e rrjedhimisht eksportit, pastaj është e garantuar.

    “Duke ia krijuar kushtet biznesit, ti përveçse e rrit atë biznes që e ke brenda Kosovës, motivon edhe ardhjen e investitorëve të huaj. Ne duhet ta kemi parasysh se Kosova nuk mund të zhvillohet e vetme dhe duke u mbyllur. Është urgjente për Kosovën që t’i bashkohet çdo iniciative që promovon tregun e hapur të importimit dhe eksportimit të produkteve”, thotë kryetari i OEK-ut.

    Lekë Musa, ekspert i ekonomisë dhe ish-drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se Kosova e ka të pamundur që ta zhvillojë secilën industri, por janë disa, si teknologjia informative, industria e drurit apo e frutave, që mund të shpërthejnë në tregjet e jashtme.

    “T’iu ndihmohet atyre duke u krijuar parakushte dhe politika stimuluese, por në radhë të parë t’iu hiqen barrierat që i pengojnë në baza ditore. Pastaj, ka mundësi për t’i ndihmuar edhe në përmirësimin e cilësisë, edhe në mbërritjen e standardeve që kërkohen në tregjet evropiane”, thotë Musa për Exposenë.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2023 tregojnë se vendi i ka pasur 68.390 biznese aktive, në krahasim me 81.692 sa i ka pasur në vitin 2022.

    Bilanci tregtar pozitiv, sipas ekspertëve, e forcon ekonominë dhe siguron stabilitet financiar.

    Sipas një parashikimi të Bankës Botërore në tetor të vitit të kaluar, rritja ekonomike në Kosovë këtë vit do të jetë 3.9 për qind, nga 3.8 për qind sa ka qenë vitin e kaluar.

    Me popullsi relativisht të re, me tokë të përshtatshme për kultivimin e kulturave të ndryshme, me burime ujore e minerare, Kosova 1.6 milionëshe ka shpresë… por kjo shpresë merr formë vetëm kur qeveritë t’i zëvendësojnë premtimet me veprime – mundësisht përpara ciklit të ardhshëm zgjedhor./REL

  • SHBA urdhëron pezullimin e ndihmës ndërkombëtare

    Departamenti i Shtetit i SHBA-së, më 24 janar, urdhëroi ngrirjen e financimeve të reja për pothuajse të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane si pjesë e përpjekjes së presidentit Donald Trump për t’i përshtatur këto programe me qëllimet e tij të politikës së jashtme.

    Këto programe zbatohen kryesisht përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID.

    USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.

    Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ua dërgoi një mesazh ambasadave amerikane në mbarë botën duke sqaruar zbatimin e një urdhri ekzekutiv që Trump e nënshkroi më 20 janar, ku thuhej se “asnjë ndihmë e mëtejshme ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara nuk do të shpërndahet në një mënyrë që nuk është plotësisht e përputhur me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

    Sipas urdhrit ekzekutiv të Trumpit, ndihmat e tanishme amerikane “nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe, në shumë raste, janë në kundërshtim me vlerat amerikane”.

    Shtohet se programet e ndihmës “shërbejnë për të destabilizuar paqen botërore” duke promovuar ide që bien ndesh me marrëdhëniet e qëndrueshme brenda vendeve që ato shërbejnë dhe me marrëdhëniet midis atyre vendeve dhe të tjerëve.

    Urdhri ekzekutiv kërkon një pezullim 90-ditor të ndihmës zhvillimore ndërkombëtare të SHBA-së për të vlerësuar efikasitetin dhe “përputhshmërinë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

    Ky urdhër i prek shpërndarjet e reja të fondeve për vendet e huaja, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe kontraktorët, deri në përfundimin e rishikimeve të programeve.

    Trump dhe republikanë të tjerë ishin zotuar se do të ndërmerrnin masa kundër programeve të ndihmës ndërkombëtare amerikane, dhe memoja e Rubios justifikoi ngrirjen duke thënë se ishte e pamundur për administratën e re të vlerësonte nëse angazhimet ekzistuese të ndihmës ndërkombëtare “nuk janë të përsëritura, janë efektive dhe janë në përputhje me politikën e jashtme të presidentit Trump”.

    Kryetari i ri i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, përfaqësuesi Brian Mast (republikan nga Florida), premtoi këtë javë se republikanët do të shqyrtonin “çdo dollar dhe çdo diplomat” në buxhetin e Departamentit të Shtetit për të siguruar që ai i plotësonte standardet e tyre për nevojshmëri strikte.

    Mast tha në një deklaratë pas konfirmimit të Rubios si sekretar i Shtetit se ai synon të punojë me Rubion për të “eliminuar” shpërdorimin në Departamentin e Shtetit.

    Reagimi i demokratëve

    Anëtari kryesor i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës reagoi ndaj këtij vendimi duke thënë se ai “minon udhëheqjen dhe besueshmërinë amerikane” në mbarë botën.

    “Programet e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara promovojnë stabilitetin në vende të tjera për të ndihmuar në ndalimin e krizave që mund të përhapen drejtpërdrejt në pragun tonë”, tha përfaqësuesi Gregory Meeks (demokrat nga Nju Jorku) në një letër drejtuar Rubios.

    “Ndihma ndërkombëtare nuk është një dorë e zgjatur; është një investim strategjik për të ardhmen tonë që është jetik për udhëheqjen globale të SHBA-së dhe për një botë më të qëndrueshme”.

    Sipas tij, ndihma ndërkombëtare amerikane i shërben drejtpërdrejt interesave të SHBA-së dhe demonstron besueshmërinë e vendit ndaj aleatëve, partnerëve dhe njerëzve të cenueshëm që mbështeten në ndihmën amerikane për mbijetesë.

    Duke pezulluar programet aktuale dhe duke penguar të rejat, Shtetet e Bashkuara do të “lënë këtë hapësirë” për kundërshtarët e saj, thuhej në letër, e cila ishte nënshkruar gjithashtu nga përfaqësuesja Lois Frankel (demokrate nga Florida), anëtarja kryesore në Nënkomisionin e Sigurisë Kombëtare, Departamentit të Shtetit dhe Programeve të Ndërlidhura për Buxhetimin.

    “Për vite me radhë, republikanët në Kongres kanë kritikuar atë që ata e shohin si mungesë të besueshmërisë së SHBA-së në raport me vende si Kina, Rusia dhe Irani. Tani besueshmëria jonë është në rrezik dhe duket se do të tërhiqemi nga angazhimet amerikane ndaj partnerëve tanë në mbarë botën”, thanë Meeks dhe Frankel.

    Ndihma amerikane në Kosovë

    Në tetor të vitit të kaluar, USAID-i shënoi 25-vjetorin e themelimit në Kosovë, ku ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

    Aktualisht, USAID-i në Kosovë është duke financuar një mori aktivitetesh. Ndër to janë:

    • ndihma mbi 12 milionë dollarëshe për mbështetjen e reformave legjislative dhe ngritjen e Gjykatës Komerciale;
    • ndihma 15 milionë dollarëshe për të përmirësuar gjithëpërfshirjen dhe llogaridhënien në qeverisje;
    • ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për të adresuar sfidat e korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në komuna;
    • ndihma gati 12 milionë dollarëshe për përmirësimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prioritizmit të nevojave të qytetarëve gjatë proceseve gjyqësore;
    • ndihma mbi 16 milionë dollarëshe për të promovuar konkurrencën e mirë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare;
    • ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen lokale;
    • ndihma gati 12 milionë dollarëshe për të rritur kapacitetet institucionale për zhvillimin e tregut të energjisë.

    Në gusht të vitit 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e nënshkroi një grant me USAID-in, i cili ofronte ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.

    Granti ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më parë në vlerë prej rreth 146 milionë dollarësh, që synonte ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së institucioneve dhe menaxhimin më efikas.

    Kreshnik Shehu, një përpunues i drurëve në Kosovë, thotë se ndihma e SHBA-së ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen e eksporteve të kësaj lënde.

    Kompania e Shehut, ashtu si edhe sektori i drurit në përgjithësi në Kosovë, kanë përfituar nga financimet e USAID-it (Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar).

    “Në vitin 2014, eksportet në sektorin tonë ishin 2.5 milionë euro”, thotë Shehu për Radion Evropa e Lirë.

    “Sot, ato janë më shumë se 150 milionë euro. Kjo tregon se gjatë dhjetë vjetëve të fundit, kontributi i USAID-it ka qenë shumë i madh. Ai ka qenë një faktor vendimtar në rritjen e këtij sektori”, shton Shehu.

    “Nëse ajo ndihmë nuk do të ekzistonte, do të kishim mbetur shumë vite prapa”, thotë Shehu, kompania e të cilit e ka selinë në qytetin e Drenasit.

    “Ne ende kemi nevojë për të, sepse ende nuk jemi rritur sa duhet për të përballuar konkurrencën e pabesueshme në tregun ndërkombëtar”, thotë ai.

    Urdhri i Rubios përjashton programet e emergjencës ushqimore, si ato që ndihmojnë në ushqyerjen e miliona njerëzve në Sudan. Urdhri ekzekutiv i Trumpit nuk përmend ndihmën ushtarake, por mesazhi i Rubios specifikon se ndihma ushtarake për Izraelin dhe Egjiptin janë të përjashtuara.

    Nuk ka asnjë tregues për një përjashtim të ngjashëm për ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, megjithatë administrata Biden përshpejtoi shpërndarjen e ndihmës së miratuar tashmë për Ukrainën para largimit nga detyra, nga frika se Trump do ta ndërpriste atë. Ende janë rreth 3.85 miliardë dollarë fonde të autorizuara nga Kongresi për dërgesa të ardhshme armësh në Ukrainë, dhe i takon Trump-it nëse do t’i shpenzojë ato apo jo.

    Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh në botë, duke ofruar dhjetëra miliarda dollarë çdo vit./REL

     

  • Moti sot

    Institute Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në vendin tonë do të mbaj mot I vranët dhe me diell.

    Gjatë ditës, temperature më lartë do të arrijë deri në 10 gradë Celsius.

    “Moti parashikohet i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet        -1°C deri 3°C ndërsa maksimalet e ditës priten të jenë ndërmjet 6°C dhe 10°C. Do të fryjë erë nga juglindja e lehtë deri mesatare” – thuhet në njoftim.

  • Ushtarët amerikanë kryejnë patrullime rutinore në Veri të Kosovës

    Ushtarët amerikanë të KFOR-it kanë kryer patrullime në Veri të Kosovës, përgjatë vijës kufitare. 

    Kështu ka bërë të ditur KFOR-i përmes një njoftimi, në të cilin thuhet se këto përpjekje janë pjesë e misionit të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. 

    Në njoftim thuhet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë e lirinë e lëvizjes në çdo kohë.
    “KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet përkatëse si reagues të sigurisë.” – përfundon njoftimi i KFOR-it.