Ballina

Etiketë: konfiskim

  • Policia zbulon një laborator për falsifikim të dokumenteve në Prishtinë, konfiskon mijëra dokumente nga 51 shtete të botës

    Një laborator i sofistikuar për falsifikim të dokumenteve është zbuluar në Prishtinë, njoftuan më 28.01.2025 Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës. 

    Sipas një njoftimi, më 24.01.2025 Policia ka ndaluar një automjet në Prishtinë, në të cilin sipas saj janë gjetur dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës. 

    “Shoferi me inicialet (F.K.) u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”- njofton Policia. 

    Ndërkaq, pas hetimeve, Policia thotë se u zbulua edhe një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë.

    Siç bëhet e ditur nga Policia, gjatë bastisjes u konfiskuan si dëshmi, makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës. 

    “Ky rast po hetohet si “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar” nga Prokuroria Speciale. Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në luftimin e krimit të organizuar”- thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale.

  • Shkelën rregullat në trafik, Policia në Vushtrri konfiskon dhjetë patentë-shofer

    Policia e Kosovës, në kuadër të Stacionit Policor në Vushtrri, gjatë ditës së hënë më 27.01.2025, për shkak të shkeljeve të rregullave në trafik, ka konfiskuar përkohësisht dhjetë patentë-shofer.

    Ngasësit, të cilëve u është marrë patentë-shoferi, kanë kryer kundërvajtje-tejkalim nga ana e djathtë.

    “Gjatë monitorimit dhe kontrollit në trafikun rrugor në rrugën nacionale në hyrje të Vushtrrisë, gjatë ditës së djeshme kanë identifikuar trembëdhjetë (13) kundërvajtës të cilët kanë bërë tejkalime nga e djathta – duke rrezikuar edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.” – tha Policia në një komunikatë për media.

    Përveç konfiskimit të  patentë-shoferëve, ngasësit janë gjobitur.

    “Ndaj kundërvajtësve janë shqiptuar Vendime për kundërvajtje me gjobë në shumë prej 150 euro, një pikë negative, si dhe masa mbrojtëse – konfiskim i përkohshëm i patentë-shoferit në kohëzgjatje prej tre muajve.” – thuhet në mes të tjerash në komunikatën e Policisë.