Ballina

Etiketë: Komunikatë për media

  • Prokuroria ngrit Aktakuzë ndaj dy personave – lidhur me vrasjen në Gjilan më 2024

    Prokuroria e Gjilanit ka ngritur Aktakuzë ndaj dy personave, në lidhje me vrasjen në Gjilan, më 07.11.2024.

    Sipas komunikatës së Prokurorisë të lëshuar më 23.01.2025, vrasja e S.O. në Gjilan ndodhi pas një konflikti mes palëve të ndodhur para dy vjetëve.

    “I pandehuri V.S., më 7 nëntor 2024, rreth orës 14:00, në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan, me dashje, për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy vjetëve, ka privuar nga jeta tani të ndjerin S.O., në atë mënyrë që derisa i ndjeri ishte duke hyrë në veturë, i afrohet dhe me armë e gjuan në pjesën e pasme të shpinës, ku pasi rrëzohet në tokë e godet me grusht dhe shqelm dhe më pas së bashku me të pandehurin F.M. janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërsa, i ndjeri për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë.” – thuhet në njoftim.

    Prokuroria ka njoftuar, më tej, se V.S. akuzohet për “vrasje të rëndë” dhe për “armëmbajtje pa leje”, ndërsa F.M. akuzohet për “dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprave penale”.

    “I pandehuri F.M., që nga data 07 – 12 nëntor 2024, në vende të ndryshme në Gjilan, me dashje ka ndihmuar të pandehurin V.S., në fshehjen – mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë.” – theksohet në komunikatë.

    Të pandehurit V.S. dhe F.M. gjenden në masën e paraburgimit, që nga data 12.11.2024.

    Dy tashmë të akuzuarit për vrasjen, që ndodhi në Gjilan më 07.11.2024, ishin dorëzuar në Polici, më 12.11.2024.

    KALLXO.com ka raportuar për rastin në fjalë:

    https://kallxo.com/lajm/kerkohet-paraburgim-per-dy-personat-e-dyshuar-per-rastin-e-vrasjes-qe-ndodhi-me-07-nentor-ne-gjilan/

     

     

  • Ndalohen dy të dyshuar për grabitje në tentativë nga Prokuroria e Gjilanit

    Prokuroria Themelore në Gjilan, sipas një komunikate për media, më 10 janar 2025 ka njoftuar se ka ndaluar dy të dyshuar me inicialet L. G. dhe M. D., nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “grabitja në tentativë”.

    “Prokuroria Themelore në Gjilan – Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar të dyshuarit L. G. dhe M. D., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “grabitja në tentativë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në komunikatë.

    Në njoftim thuhet së të njëjtit me përdorimin e forcës dhe me anë të një thike kanë tentuar që ta hapin arkën e marketit “BUM”, në Gjilan.

    “Dyshohet se të njëjtit më 8 janar 2025, në rrugën “Metush Krasniqi” në Gjilan kanë hyrë në marketin “BUM”, fillimisht njëri ka kërkuar pije alkoolike, ndërsa tjetri ka shkuar tek arka e marketit, ku me përdorimin e forcës, duke përdorur një thikë ka tentuar që të hapë arkën. Mirëpo nuk ka arritur që ta hapte, pasi ankuesja H. D. ka bërtitur dhe nga Depo kishte dalë Menaxheri, ku pastaj të njëjtit ishin larguar nga vendi i ngjarjes.” – thuhet tutje në Komunikatë.

    Sipas komunikatës, me këto veprime të lartcekurit po dyshohen të kenë kryer veprën penale “grabitja në tentativë” dhe lidhur me këtë Prokurori i Rastit brenda afatit ligjor ndaj tyre do të kërkojë masën e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan.