Ballina

Etiketë: komuna e shtërpcës

  • Mungesa e investimeve lë pas dore potencialin turistik të Qendrës së Skijimit në Brezovicë

    Mosmarrëveshjet për kontrollin dhe keqmanxhimi i Qendrës së Skijimit në Brezovicë kanë penguar investimet e nevojshme, pavarësisht potencialit të madh që ofron për turizmin dimëror, si dhe modelin për bashkëpunimin mes serbëve dhe shqiptarëve.

    Bora e mbledhur dhe makinat e parkuara bën që rruga të ishte shumë e ngushtë për autobusin që drejtonte Angjelo Malushi. Kështu që, pasagjerët nga Shqipëria duhej të zbrisnin dhe të ecnin për 45 minuta deri në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

    Makinat e parkuara në njërën anë të rrugës bën që Malushi të kishte nevojë edhe për një ose dy orë të tjera për të kthyer autobusin. “Përballemi rregullisht me sfida këtu.” – tha Malushi.

    Pistat e pjerrëta të Brezovicës dikur shërbyen si rezervë për garat e skiimit në Lojërat Olimpike Dimërore të Sarajevës në vitin 1984 – dekadën e fundit të ish-Jugosllavisë.

    Qendra e Skijimit në Brezovicë / Foto: Denis Sllovinja (BIRN)

    Turistët ende vijnë, por mungesa e bashkëpunimit mes nivelit lokal dhe Qeverisë qendrore kanë penguar përpjekjet për të shfrytëzuar potencialin e plotë të këtij atraksioni malor.

    Infrastruktura e skijimit është e vjetëruar dhe qasja është larg të qenit e përshtatshme për kërkesën. Turistët ankohen për faktin se duhet të ecin larg, për shkak të mungesës së kapaciteteve të parkimit pranë Qendrës së Skijimit.

    “Bazuar në atë që kam parë, rruga duhet të zgjerohet në mënyrë që autobusët të mos bllokohen.” – tha Ermal Bala nga Tirana. 

    Skitari Ylli Hasani tha se Qendra ka nevojë për më shumë skilifte, “sepse teleferikët marrin shumë kohë”, ndërsa Shpend Murseli vuri në dyshim cilësinë e shenjave të pistave.

    “Nuk ka shumë siguri për dikë i cili mund të jetë duke skijuar për herë të parë këtu, mund të humbasin.” – tha Murseli për BIRN.

    Mosmarrëveshje për kontrollin

    Qendra e Skijimit në Brezovicë / Foto: Denis Sllovinja (BIRN)

    E ndërtuar në vitet 1970, Qendra e Skijimit ishte një nga qindra Ndërmarrjet e ‘pronësisë shoqërore’, model korporativ i ish-Jugosllavisë socialiste.

    Pas luftës, kur sulmet ajrore të NATO-s dëbuan forcat serbe dhe Kosova u vendos nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, këto Ndërmarrje u morën nga Kosova – gjë që Serbia e kundërshtoi ashpër.

    Brezovica u rihap në vitin 2002, e drejtuar kryesisht nga serbët që përbëjnë shumicën në Komunën e Shtërpcës, ku ndodhet Qendra e Skijimit pranë kufirit jugor të Kosovës me Maqedoninë e Veriut. 

    Pistat, disa deri në 2,500 metra të larta dhe që ofrojnë borë për rreth 280 ditë në vit, kryesisht kanë qenë të pandikuara nga tensionet etnike mes serbëve pakicë dhe shumicës shqiptare, që patën shpërthyer dhe herë pas here janë përkeqësuar pas luftës.

    Qendra e Skijimit ka nevojë për miliona euro investime, por përpjekjet për ta privatizuar deri tani kanë dështuar.

    Qendra e Skijimit në Brezovicë / Foto: Denis Sllovinja (BIRN)

    Në vitin 2021, ajo u mor në administrim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), duke qenë se Qendra ndodhet në park kombëtar nën mbrojtje. Menaxhimi i përditshëm iu delegua Drejtorisë së Parkut Kombëtar të Kosovës “Sharri”.

    Më parë, ajo drejtohej nga Komuna e Shtërpcës.

    “Të tilla probleme si ato që shohim tani nuk kanë ekzistuar kurrë.” – tha Zyra e Kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, anëtar i partisë serbe të mbështetur nga Beogradi, Srpska Lista, në një e-mail për BIRN.

    “Parku Kombëtar lëshon tarifa hyrjeje për automjetet dhe vizitorët, por nuk bëhen investime për të mirëmbajtur ose pastruar zonat e parkimit nga bora.” – u tha nga Zyra.

    “Në fund të çdo sezoni dimëror mbetet një grumbull mbeturinash, të cilat Komuna e Shtërpcës i pastron për arsye mjedisore, pavarësisht se janë nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Parkut”.

    Madje, Komuna thekson se nuk ekziston komunikim me nivelin qendror.

    “Bashkëpunimi me autoritetet qendrore lidhur me menaxhimin e Qendrës së Skijimit është inekzistent dhe çdo propozim që i kemi dërguar autoriteteve qendrore është refuzuar pa asnjë konsideratë ose përgjigje nga ana e tyre.” – u tha më tej nga Komuna e Shtërpcës.

    Komuna akuzoi Qeverinë për refuzimin e dhënies së një license për menaxhimin e mbeturinave, e që këtë punë po e kryen një kompani nga Ferizaj.

    Në thelb të mosmarrëveshjes është kontrolli mbi zonën

    “Tokat në Qendrën e Skijimit janë pronë e Komunës së Shtërpcës dhe Komuna e Shtërpcës do të luftojë me mjete ligjore për të menaxhuar Qendrën e Skijimit.” – i tha Komuna BIRN-it.

    Ndërtimet e paligjshme

    Qendra e Skijimit në Brezovicë / Foto: Denis Sllovinja (BIRN)

    Që nga vendosja e Qendrës së Skijimit nën administrim të drejtpërdrejtë në janar të vitit 2021, Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se ka investuar për Ndërmarrjen në shumën prej 211 mijë eurosh.

    “AKP ka mandat të transformojë pronat e NSH-ve (Ndërmarrjeve Shoqërore). Nuk ka as mandat ligjor e as mundësi financiare për të realizuar investime strategjike në infrastrukturë të Qendrës së Skijimit në Brezovicë. Megjithatë, gjatë viteve të fundit AKP ka bërë investime më të vogla, të domosdoshme, për përmirësimin e performancës operative dhe/ose financiare dhe kështu të përgatitet NSH-ja për transformim të suksesshëm.” – u tha nga AKP.

    Agjencia i tha tutje BIRN-it se Brezovica është një rast i veçantë, që kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet organeve lokale dhe qendrore.

    “Për shkak të natyrës së sektorit në të cilin bien asetet e Brezovicës dhe rëndësisë së kësaj Qendre jo vetëm për komunitetin, ku këto asete janë të vendosura gjeografikisht, por edhe për sektorin e turizmit/mikpritjes në nivel kombëtar, nevojitet një qasje e jashtëzakonshme dhe një angazhim i konsiderueshëm – jo vetëm nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, por edhe nga aktorë të tjerë përkatës që kanë interes në këtë çështje.” – tha ajo.

    Qendra e Skijimit në Brezovicë / Foto: Denis Sllovinja (BIRN)

    Megjithatë ajo që ka ecur tutje është ndërtimi i vilave private, në një zonë që duhej të ishte e mbrojtur.

    Një hulumtim i BIRN-it zbuloi se 800 vila dhe hotele janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme në Brezovicë, me bashkëpunimin e zyrtarëve të lartë të Komunës, biznesmenëve dhe politikanëve.

    Megjithatë, rajoni dallohet për një arsye tjetër: për harmoninë  etnike në dhe rreth Qendrës së Skijimit.

    “Ndonjëherë bëjmë shaka për mënyrën se si i shqiptojmë ose i kombinojmë fjalët, por e kuptojmë njëri-tjetrin.” – tha Verka, një banore lokale, e cila po ndihmonte një turiste nga Shqipëria të vendoste pajisjet e skijimit.

    Një pjesëtar serb i Policisë së Kosovës foli shqip rrjedhshëm, teksa përpiqej të devijonte trafikun nga zona e parkimit që ishte mbushur.

    Pavarësisht mungesës së investimeve, Brezovica vazhdon të tërheqë numër të madh turistësh.

  • Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi urojnë në shtëpinë e të dyshuarit për korrupsion në Brezovicë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ai i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë publikuar fotografi gjatë një vizite me rastin e festës së fundit me njërin prej njerëzve që po hetohet për korrupsion në Brezovicë. 

    Sasha Iliq është personi që po hetohet për korrupsion si pjesë e grupit të Branisllav Nikoliqit të Listës Serbe, të cilët akuzohen nga Prokuroria se zhvatën miliona euro nga investitorët ilegalë në Brezovicë.

    Nga viti 2015 e tutje, Branisllav Nikoliq, njëri nga njerëzit më të fuqishëm të Listës Serbe në Shtërpcë, ishte përfshirë në njërën nga aferat më të mëdha të korrupsionit në Kosovë.

    Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës pretendohet se u dha leje ilegale kompanive me pronarë shqiptarë, të cilët ndërtonin në këtë zonë ilegalisht.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vendosën ta vizitonin familjen e njërit prej bashkëpuntorëve të Nikoliqit, Sasha Iliq, i cili hetohet se mori para dhe i dërgoi te grupi i Nikoliqit të Listës Serbe.

    Sveçla, në postimin e tij të datës 07.01.2025 (arkivi), njoftoi se ka takuar familjen Iliq dhe publikoi fotografi në të cilën shihet duke uruar të pandehurin Sasha Iliq.

    KALLXO.com ka konfirmuar me burime të pavarura se Iliq, tavolina e të cilit është nderuar nga ministrat e Qeverisë Kurti, është personi i njëjtë të cilin po e heton prokurori Rasim Maloku për aferën “Brezovica”.

    Prokurori Maloku në një komunikim me ekipin e KALLXO.com ka konfirmuar se personi me emrin Sasha Iliq është person që hetohet për korrupsion në aferën “Brezovica”.

    Maloku ka treguar se çështja ndaj Iliqit është duke u hetuar dhe hetimet do të përfundojnë diku kah mesi i vitit 2025. 

    Iliq ishte arrestuar më 16.03.2022 nën dyshimin për marrje ryshfeti në lidhje me rastin “Brezovica”. 

    Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e kishte siguruar KALLXO.com në atë kohë, Iliq dyshohej se nga viti 2010 në Shtërpcë kishte ndihmuar personin zyrtar në kryerje të veprës penale të marrjes së ryshfetit. 

    Ai dyshohej se në cilësinë e zyrtarit në Komunën e Shtërpcës ka ndërmjetësuar në marrjen e parave në shuma nga 10 mijë euro deri në 30 mijë euro nga personat fizikë e juridikë për t’ua mundësuar ndërtimin në Parkun Kombëtar “Sharri”, vikend- zona e Brezovicës, në kundërshtim me Ligjin për Ndërtimin, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, kurse me paratë që i ka marrë si ryshfet, kanë blerë prona të paluajtshme në vikend-zonën bashkë me të pandehurin, ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, prona këto të cilat janë regjistruar në emër të të pandehurit Sasha, me qëllim që të fshihen nga zbulimi dhe konfiskimi.

    Ndaj Iliqit Gjykata e Ferizajt kishte vendosur edhe masën e sigurisë, atë të paraburgimit, për veprat penale marrje ryshfeti në ndihmë. 

    KALLXO.com ka kontaktuar me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në lidhje me vizitën tek i dyshuari për korrupsion. 

    “Jo, është e para herë që po dëgjoj nga ana juaj në lidhje me këtë çështje. Sinqerisht nuk mund të them asgjë tjetër. Tash, prej juve po e dëgjoj këtë. Asnjë informacion nuk e kemi pasur apo marrë. Tash po e dëgjoj për herë të parë nga ana juaj. Unë ju thash se për shkak të festës së Krishtlindjeve ortodokse ne kemi qenë në Shtërpcë, jemi pritë nga dy familje dhe në lidhje me këto pretendimet e juaja, unë për herë të parë po dëgjoj tash, këtu, nga ju, në lidhje me këtë çështje.”- tha Krasniqi përmes telefonit për KALLXO.com. 

    E ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, nuk i është përgjigjur telefonatës dhe kërkesës së KALLXO.com për të sqaruar këtë çështje. 

    KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje nga Sveçla edhe përmes shefes së kabinetit dhe këshilltares së lartë politike, Jeta Tela, por e njëjta nuk ka kthyer ndonjë përgjgije apo koment të ministrit. 

    Sasha Iliq (i arrestuar për korrupsion në rastin “Brezovica”), ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi – Foto: Facebook

    Çka dihet për aferën “Brezovica”?

    Dosja “Brezovica” është njëra nga dosjet më të mëdha të korrupsionit në Kosovë. Në këtë aferë janë përfshirë njerëz të Listës Serbe, ish-pushtetarë të Komunës së Shtërpcës e deri tek biznesmenë e politikanë shqiptarë e serbë.

    Deri më tani, Gjykata e Pejës ka shpallur aktgjykim më 08.11.2024 për Mustafë Hysenin, i akuzuar në rastin “Brezovica” për keqpërdorim të detyrës zyrtare me mosveprim. Ai është dënuar me 6 muaj dënim me burgim me mundësi zëvendësimi në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro.

    I pandehuri kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë, e cila ishte aprovuar më 04.11.2024 dhe i njëjti është shpallur dëshmitar bashkëpunues për raste të tjera.

    Hyseni akuzohet se si shef i Departamentit për Mbrojtje të Ujit dhe Mjedisit, nuk kishte marrë veprime për ndaljen e veprimeve në zonën e Brezovicës.

    Në këtë rast, pos Hysenit, të akuzuar janë edhe 11 veta tjerë për vepra penale si keqpërdorim i pozitës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, detyrim e armëmbajtje pa leje, lidhur me lëshimin e lejeve ndërtimore në zonën e mbrojtur të Brezovicës.

    Bratisllav Nikoliq, Dimitrije Raçiqeviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sasha Millosavljeviq, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Husein Ajdini, Sasha Spasiq dhe Jardan Kostiq, janë të akuzuarit e tjerë në këtë rast.

    Gjykimi ndaj të akuzuarve të këtij rasti po zhvillohet në Gjykatën e Pejës.

    Procesi gjyqësor është duke vazhduar për 11 personat e tjerë.

    Në seancën e 06.11.2024 kishte dhënë dëshminë dëshmitari bashkëpunues, por kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj- Mekaj, ka marrë vendim për të mos u publikuar dëshmia e tij deri në përfundimin e dhënies së dëshmive nga dëshmitarët tjerë.

    Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, nga 21 janari 2016 e deri më 10 shtator 2018 ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe i ka mundësuar një investitori marrjen e lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 200 mijë euro për 19 leje ndërtimore, për një shtëpi vikendi dhe një pëlqim rrugor dhe 100 miijë euro për lejen ndërtimore për objektin e hotelerisë “Rimida”.

    Ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës akuzohet edhe në disa dispozitiva të tjerë të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në pikën dytë të aktakuzës, i njëjti akuzohet se nga 30 janari i vitit 2015 e deri më 27 maj 2019, përsëri sipas Prokurorisë, ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të pasurisë për vete duke i mundësuar një personi tjetër përfitimin e lejes ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 140 mijë euro për 14 leje ndërtimore dhe për shtëpi vikendi.

    60 mijë euro të tjera akuzohet nga Prokuroria se i ka marrë ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës për lëshimin e 5 lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për ndërtimin e shtëpive të vikendit. Këto objekte ishin ndërtuar në zonën e tretë të mbrojtur të Parkut “Sharri”.

    Në pikën katër të aktakuzës thuhet se nga 23 nëntor 2018 deri më 6 gusht 2019 ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës kishte marrë 40 mijë euro për lëshimin e 6 lejeve ndërtimore për shtëpi vikendi.

    Aktakuza kësisoj vazhdon për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës edhe në pikën 5, 6, 7, 8, 9.

    Në po këtë aktakuzë Bratisllav Nikoliq akuzohet edhe për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi.

    Në këtë aktakuzë të përfshirë janë edhe Dimitrije Reçiqeviq– si drejtor i Urbanizimit, inspektorët komunalë të ndërtimit Hysni Bajrami dhe Dragomir Millosavljeviq dhe Arben Çitaku si ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Mustafë Hyseni si shef i Departamentit për Mbrojtje të Ujërave dhe Mjedis , Husein Ajdini si investitor, Raif Bajrami si shef i Inspeksionit të Shtërpcës dhe të akuzuarit Sasha Spasiq, Bedri Halimi i akuzuar në cilësinë e kryeinspektorit e Sasha Millosavljeviq si shef i Drejtorisë së Kadastrës.

    Të lartëcekurit akuzohen për vepra penale si marrje ryshfeti, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe për vepra si armëmbajtje pa leje.

    17.09.2023 prokurori që po përfaqëson këtë rast, Rasim Maloku, kishte ndarë detaje ekskluzive për KALLXO.com lidhur me hetimin e këtij rasti.

     16.09.2024 në emisionin “Kallxo Përnime” janë transmetuar pamje nga bastisjet që ishin realizuar në fund të dhjetorit 2021 në çështjen e njohur si ‘Brezovica”.

    Në materialet ekskluzive ishte transmetuar edhe momenti kur njësiti i Krimeve të Rënda i Policisë së Kosovës dhe Prokuroria e Ferizajt kishin zbuluar në shtëpinë e ish- kryetarit Branislav Nikoliq disa grumbuj me para.

     Hetuesit shihen në pamje duke numëruar monedha 500 euroshe, të cilat zbulohen në zona të ndryshme të shtëpisë.

    Detaje të tjera lidhur me aktakuzën mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.