Ballina

Etiketë: Komisioni qendror zgjedhor

  • Renditja e partive politike në fletëvotim, të hënën tërhiqet shorti

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 06.01.2025, do të bëjë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara.

    Shorti do të bëhet për renditjen në fletëvotimin e Zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, që do të mbahen më 09.02.2025 në Kosovë.

    KQZ -ja ka bërë të ditur se tërheqja e shortit do të bëhet nga ora 11:00.

    Komisioni e ka certifikuar më 04.01.2025 listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

    Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.

    Në total, në Zgjedhjet e 09.02.2025 do të garojnë 27 parti politike.

    Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.

    Zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

  • Hapet aplikimi online për akreditimin e vëzhguesve për Zgjedhjet e shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka hapur aplikimin online për akreditimin e vëzhguesve për Zgjedhjet e 09.02.2025.

    Për këtë KQZ-ja ka funksionalizuar platformën online https://vezhgo.kqz-ks.org

    KQZ-ja bëri të ditur se, më 30.12.2024, ka filluar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve.

    Komisioni ka përcaktuar afatet për dorëzimin e Kërkesave online për akreditim, të cilat pritet të përfundojnë në data të ndryshme – varësisht nga vëzhguesit që variojnë prej 15.01.2025 deri më 04.02.2025.

    Subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me Zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online Kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve brenda afateve, si në vijim:

    Afati për dorëzimin e Kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara do të përfundojë më 15.01.2025. Afati për dorëzimin e Kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore do të përfundojë më 25.01.2025. Afati për dorëzimin e Kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të organizatave qeveritare – ndërqeveritare do të përfundojë më 25.01.2024.

    Ndërsa, afati për dorëzimin e Kërkesës për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare do të përfundojë më 04.02.2025; për dorëzimin e Kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të përfaqësive të vendeve të huaja do të përfundojë më 25.01.2025 dhe afati për dorëzimin e Kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare do të përfundojë më 25.01.2025.

    Të gjitha subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhje, KQZ-ja, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) iu ka krijuar dhe dërguar “Userët” – përmes së cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin për akreditimin e vëzhguesve.

    Gjithashtu, KQZ-ja njofton se përmes Zyrës do të krijojë ‘Userët’ edhe për OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me Zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat, si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja.

    KQZ-ja ka njoftuar se Kërkesa për ‘User’ duhet të paraqitet në e-mail adresën zyra.kqz@kqz-ks.org dhe duhet të përmbajë të dhënat: Emri i organizatës / medias; Emrin dhe mbiemrin e përfaqësuesit të autorizuar; E-mail adresën e përfaqësuesit të autorizuar; Numrin kontaktues të përfaqësuesit të autorizuar. Për më shumë informacione, mund të kontaktoni në këtë numër: +383 38 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

    Për fund, KQZ-ja ka paralajmëruar se vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i vëzhgojnë Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 09.02.2025 dhe aktivitetet e tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

    Lista preliminare e miratuar nga KQZ, në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmban: 2,047,148 votues – shtetas të Kosovës.

     Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet e përgjithshme është 209,878.