Ballina

Etiketë: Kokainë

  • Operacioni në Shqipëri e Itali, goditet një grup i trafikut të kokainës

    Një hetim i përbashkët i Prokurorisë së Brescia-s në Itali dhe Prokurorisë së Posaçme shqiptare, çoi në goditjen e një grupi që merrej me trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut në Itali dhe shtete të tjera të Europës qendrore. Operacioni për ekzekutimin e 12 urdhërave të arrestit dhe 8 masava të tjera të sigurisë u realizua gjatë të martës nga policitë e të dy vendeve. Në Shqipëri u arrestuan 5 persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Një tjetër arrestim u realizua nga policia spanjolle.

    Në krye të grupit ishin dy vëllezër shqiptarë, të cilat konsiderohen pjesë e organizatës kriminale së drejtuar nga vëllezërit Çela, personazhe të njohur të botës së krimit, nga Elbasani. Ata mendohet se drejtonin të gjitha operacionet që nga importi i kokainës, te shpërndarja e saj dhe mbledhja e të ardhurave të cilat përfundonin më pas në Shqipëri.

    Hetimet, mësohet të kenë nisur, në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u zbulua një rrjet i shpërndarjes së kokainës, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali. Ato u zhvilluan nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Brescia-s dhe SPAK-ut.

    Sipas Prokurorisë së Posaçme “pas identifikimit të furnizuesve të kokainës, mbi bazën e hetimeve, është rindërtuar organigrama e organizatës italo-shqiptare që merrej me importin e sasive të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut. Dy vëllezërit shqiptarë, jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia-s dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë”. Sipas Prokurorisë shqiptare “kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobuzëve të linjës Brescia – Elbasan”.

    Anëtarët e organizatës kanë përdorur telefona të “kriptuar”. Ka qenë analiza e bisedave mes tyre që ka zbuluar përfshirjen e tyre në trafikun e qindra kilogramëve lëndë narkotike, kryesisht kokainë. “Hetimet kanë konfirmuar faktin se drejtuesit e kësaj organizate, për të realizuar marrëveshjet me furnizuesit kanë udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai, ku ndodhen disa prej trafikantëve shqiptarë”, bën të ditur Prokuroria e Posaçme./ VOA

  • Policia me operacion në regjionin e Prishtinës, tre të arrestuar

    Tre persona janë arrestuar në një operacion policor të realizuar nga ekipet e njësisë për hetimin e trafikimit me narkotikë.

    Në një njoftim, policia ka dhënë detaje për aksionin i cili u realizua gjatë datës 18.01.2025.

    Një hetim disa mujor i policisë në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore të Prishtinës ka përfunduar deri sa janë sekuestruar narkotikë, vetura e pajisje të tjera që do të hynë në kategorinë e provave për të vërtetuar veprat penale të cilat janë hapur tashmë për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope si dhe vepra penale mbajtja në kontroll, posedim i paautorizuar i armës.

    Zhvillimi i planit taktik kishte filluar në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj me që rast është ndaluar vetura Mercedes ngjyrë e bardhë me targa vendore me vozitës Sh.S., ku gjatë kontrollit në trup i është gjetur një qese me narkotik të llojit Kokainë me peshë 5.35 gramë. Plani ka vazhduar në rrugën ”Vicanum” ku është ndalur vetura Audi Q8 me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari Xh.S., ku gjatë kontrollit të tij dhe veturës në një vend të fshehte janë gjetur 21 paketime me substancë të dyshuar narkotike të dyshuar si kokainë me peshë 20.1 gramë.

    Në të njëjtin lokacion është ndaluar edhe vetura Volvo ngjyrë hiri me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari F. S., i cili është shoqëruar në stacion policor si i implikuar në rast.

    Pas veprimeve fillestare në konsultim me prokurorinë e krimeve të rënda në Prishtinë është realizuar një bastisje në shtëpitë e të dyshuarve në rrugën “Dëshmoret e Marecit” në Prishtinë ku gjatë kontrollit në një shtëpi, në banjo njësitet policore kanë gjetur, 219 qese/doza me narkotik të dyshuar si kokainë me peshë 114.4 gram të gatshme për shitje.

    Në një veturë pronë e të dyshuarit Xh.S., nën timon është gjetur një paketim me narkotikë të llojit kokainë me peshë 171.5 gramë .

    Tutje policia ka njoftuar se kanë gjetur, dy revole me dy karikatorë dhe nëntë fishekë, një granatë dore model F1 dhe 29 fishekë kalibrash të ndryshëm.

    Përveç armëve e narkotikëve, policia ka sekuestruar tri vetura të dyshuara që dyshohet se janë përdorur në fshehje shpërndarje të narkotikëve, para të gatshme në vlerë 7900 Euro dhe 100 dollar amerikan, katër telefona dhe dy DVR.

    Sipas vlerësimeve të bëra, vlera e Kokainës së konfiskuar, nëse do të shpërndahej në treg, arrin rreth 30,000 euro.

  • Ferizaj, arrestohet një i dyshuar, Policia i gjeti kokainë, armë dhe mbi 19 mijë euro

    Policia në Ferizaj ka arrestuar të dyshuarin Q.T., ndaj të cilit ka iniciuar rast për përfshirje në veprat penale – shitblerje e narkotikëve dhe – armëmbajtje pa leje. 

    Policia njofton se me aktvendim të prokurorit, Q.T. është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Policët në koordinim me Prokurorinë e Ferizajt më 10.01.2025, në orët e pasditës kanë kryer kontrolle në një shtëpi dhe objekte përcjellëse.

    Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit i kanë gjetur substancë që dyshohet se jetë narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 842.9 gr.

    “Kjo substancë është gjetur në shtëpi dhe një pjesë e groposur në kopsht. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të shkurta (njëra me leje), katërdhjetë fishekë, një peshore digjitale, 19,288 euro, disa kartela bankare dhe dëshmi tjera që do të përdoren në procedura të mëtejme ligjore” – thuhet në njoftimin e Policisë më 10.01.2025.

    Më tej, Policia thotë se operacioni policor është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik përkrahur nga zyrtarë policorë të Stacioni Policor-Ferizaj.

    Foto: Policia e Kosovës
    Foto: Policia e Kosovës
  • Policia i gjen drogë një personi pastaj e arrestoi

    Një person është arrestuar sepse dyshohet se i është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 2.06 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 0.85 gram substancë narkotike e llojit kokainë.

    Sipas organeve të rendit rasti ka ndodhur në rrugën “Hasan Prishtina” në Prizren.

    “I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”- thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.