Ballina

Etiketë: Klinë

  • 10 nga 80 bursat komunale për studentë nuk janë ekzekutuar ende – Komuna e Klinës thotë se do t’i ekzekutojë deri në fund të janarit

    10 nga 80 bursat e Komunës së Klinës për studentë ende nuk janë ekzekutuar, edhe pse lista e përfituesve është publikuar që nga muaji dhjetor 2024. Drejtoria e Arsimit e Komunës së Klinës ka thënë për KALLXO.com se 10 nga 80 bursat nuk janë ekzekutuar ende për shkak të arsyeve teknike.

    Sali Berisha, zyrtar për Karrierë në Komunën e Klinës, ka thënë se deri më 31.01.2025 do të bëhet pagesa e bursave që nuk janë ekzekutuar.

    Nga 80 bursat që Drejtoria e Arsimit i ka paraparë për vitin 2024 (2025), 70 nga to janë ekzekutuar, ndërsa për 10 të tjera, për shkak të arsyeve teknike, pagesa do të bëhet deri më 31 janar.” – ka thënë Berisha për KALLXO.com, më 30.01.2025.

    Konkursi për ndarjen e bursave për studentët e Komunës së Klinës është publikuar më 23.10.2024 dhe ka qenë i hapur për aplikim deri më 07.11.2024. Kurse, lista përfundimtare e përfituesve të bursës komunale në Klinë është publikuar më 05.12.2024.

    Sipas Konkursit të datës 23.10.2024, bursa komunale u është ndarë 80 studentëve të Klinës, në vlerë 50 euro në muaj për një kohëgjatje njëvjeçare për vitin akademik 2024/2025. Pra, gjithsej studentët klinas përfitojnë 600 euro nga kjo bursë. Për vitin akademik 2024/2025 janë ndarë 20 bursa më shumë, se sa ishin ndarë në vitin akademik 2023/2024.

    Zyrtari për Karrierë në Komunën e Klinës, Sali Berisha ka shpjeguar po ashtu se nuk kanë kufizime në notën mesatare të kërkuar për studentët që studiojnë në drejtimet deficitare: Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, drejtimet e Matematikës dhe Fizikës në profilin arsimor.

    Po ashtu sipas Konkursit, studentët përfitues nuk duhet të jenë përfitues të ndonjë burse tjetër nga buxheti i Kosovës dhe të mos jenë të punësuar në institucione publike.

    “Studenti përfitues i bursës obligohet ta kthejë bursën e Komunës, nëse konstatohet se merr bursë nga ndonjë njësi tjetër buxhtore.” – thuhet në Konkursin e datës 23.10.2024 të Komunës së Klinës.

    Berisha ka thënë se sipas Rregullores komunale për ndarjen e bursës, e drejta për aplikim për bursë komunale nuk i takon studentëve të Kolegjeve private. 

    Edhe pse nga dokumentacioni që kërkojnë nuk identifikohet përkatësia nacionale, Berisha thotë se kanë informacione zyrtare se ka përfitues të bursës komunale edhe nga komunitetet. KALLXO.com e ka pyetur edhe nëse ka studentë me aftësi të kufizuara përfitues të bursës.

    “Përfitues të bursës mund të jetë çdo student i Komunës së Klinës në studimet bachelor, pa asnjë diskriminim në lidhje me përkatësinë nacionale, gjinore, statusin familjar ose aftësinë fizike. Ndërsa, sa u përket studentëve me aftësi të kufizuara, ata kanë përparësi në vlerësim, në kushte të barabarta. Sipas dokumentacionit, nuk kemi pasur aplikues nga kjo kategori.” – ka treguar Berisha.

    KALLXO.com do t’ju mbajë të informuar për ekzekutimin apo mosekzekutimin e bursave të mbetura pa paguar, sipas afatit që ka njoftuar DKA – Klinë.

  • Hamza premton funksionalizimin e linjës hekurudhore Klinë – Prizren

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, më 28.01.2025 ka mbajtur tubim me qytetarë më Klinë.

    Hamza ka premtuar përfundimin e autostradës për Pejë dhe të unazës që lidh rrugët Klinë-Skenderaj dhe Klinë-Istog.

    Po ashtu ka premtuar funksionalizimin e linjës hekurudhore Klinë-Prizren.

    “Kështu siç ju gjeta sonte Klinë, me plot entuziazëm, me plot energji për fitoren, kështu dua të jeni më 9 shkurt dhe gjithmonë. Autostradën për Pejë, e cila kalon kah Klina, do ta përfundojmë. Unazën e re që lidh rrugët Klinë – Skenderaj dhe Klinë – Istog do ta ndërtojmë. Edhe linjën hekurudhore Klinë – Prizren do ta bëjmë funksionale dhe do ta elektrifikojmë rrjetin hekurudhor në krejt Kosovën. Jemi bashkë për Kosovën që mundet ma mire”- ka shkruar Hamza në Facebook.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Aksidentohen tri vetura dhe një traktor në Gllarevë të Klinës, lëndohen pesë persona

    Tri vetura dhe një traktor janë përfshirë në një aksident trafiku rreth orës 11:00 në fshatin Gllarevë të Klinës.

    Si pasojë e këtij aksidenti kanë pësuar lëndime pesë persona.

    Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Driton Rugova ka thënë se të lënduarit janë dërguar në QKMF-në e Pejës për trajtim mjekësor.

    “Sot rreth orës 11:00, Policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Gllarevë-Klinë, në këtë aksident ishin të involvuara tri vetura dhe një traktor, dhe si pasojë e aksidentit pesë persona kanë pësuar lëndime trupore, të njëjtit janë dërguar ne QKMF-Klinë për tretman mjekësor” – deklaroi Rugova për KALLXO.com.

     

  • Kurti në Klinë, premton investime në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në zgjedhjet parlamentare, më 25.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Klinë.

    Kurti ka thënë se Qeveria e tij i ka shpronësuar parcelat në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut, duke e berë atë pasuri publike shtetërore.

    “Parku arkeologjik do të ketë hapësirën muzeale, qendrën e trajnimit dhe qendrën për vizitorë, sepse do të shndërrohet në një pikë shumë të rëndësishme të turizmit kulturor e historik për Republikën tonë e për kombin shqiptar”- ka thënë ai.

    Kurti, në fjalën e tij, ka përmendur një bashkëpunim të qeverisë me qytetarët e Klinës, që sipas tij, ndali një projekt të dëmshëm të Korporatës Devolli.

    “Këtu në Klinë ne kemi bashkëpunuar për të parandaluar një krim të madh mjedisor – ndërtimin e fabrikës së çimentos. Katër mijë banorë, me plot të drejtë, e kanë kundërshtuar një projekt të tillë, sepse ndotja nga kjo fabrikë do të ishte e dëmshme për Klinën dhe për mbarë Dukagjinin. Fabrikën kishte ndërmend ta ndërtonte Korporata Devolli. Fabrika u parandalua falë banorëve që u ankuan te qeveria dhe falë qeverisë që u doli në ndihmë”- është shprehur ai.

    Kandidatja për deputete, Arbërie Nagavci, kujtoi se qeveria Kurti e ka treguar dhe dëshmuar se është e mundur të krijohen politika që janë në interes të qytetarëve e jo të grupeve të caktuara.

    “Sa herë që jemi bashkë dhe të vendosur, kemi arritur shumëçka. Andaj, edhe këtë 9 shkurt do të jemi bashkë për fitoren tonë të madhe. Për një qeveri të ndershme, të përgjegjshme dhe të gatshme të luftojë për interesat e qytetarëve të saj”- ka thënë ajo.

    Kandidatja për deputete, Teuta Mulaj, në fjalën e saj kujtoi disa prej të arriturave të qeverisë Kurti 2, të cilat, siç tha ajo, tregojnë qeverisjen me vizion të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

    Lëvizja Vetëvendosje më 25.01.2025 ka qëndruar edhe në Malishevë.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Komentoi në Facebook – Policia fillon hetimet për nxitje të përçarjes dhe të mosdurimit

    Një person në Klinë është duke u hetuar nga Policia e Kosovës.

    Kjo pasi i njëjti dyshohet se përmes komenteve në rrjetin social Facebook ka kryer veprën “nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit”.

    Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori. Sipas Policisë, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

    Rasti është evidentuar nga Policia e Kosovës, më 23.01.2025.