Ballina

Etiketë: Kina

  • Kina e bën prioritet edukimin fizik në shkolla shkaku i obezitetit

    Kina synon të forcojë edukimin fizik në shkolla, duke e kthyer në thelb të kurrikulës dhe jo një lëndë të dorës së dytë, kanë deklaruar autoritetet ndërsa po shtyjnë përpara një “edukim më dashamirës” pas shqetësimeve në rritje për rritjen e obezitetit te fëmijët – raporton të martën, më 28.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

    Shkollat ​​fillore dhe të mesme duhet të sigurojnë që mësuesit e Edukimit fizik të trajtohen “njësoj si kolegët e tyre në lëndë të tilla si: Gjuha kineze, Matematika dhe Anglishtja dhe të intensifikojnë përpjekjet për zhvillimin e sporteve kryesore si: futbolli, basketbolli dhe volejbolli.” – ka raportuar Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua, duke cituar Ministrinë kineze të Arsimit.

    “Këto masa janë pjesë e shtytjes më të madhe për një qasje më dashamirëse ndaj arsimit, duke integruar aftësinë fizike me zhvillimin akademik për të kultivuar nxënës të shëndetshëm të cilët janë të përgatitur për të ardhmen.” – vlerëson Ministria e Arsimit e Kinës.

    Masat po merren pasi Kina nxori planin e saj të parë kombëtar në janar për ndërtimin e një “kombi të fortë arsimor” deri në vitin 2035. Politikat përfshinin detyrimin e nxënësve të Shkollave fillore dhe të mesme që të kenë të paktën dy orë aktivitet fizik në ditë, për të kontrolluar në mënyrë efektive miopinë (shkurtpamësinë) dhe normat e obezitetit.

    Në mesin e vitit 2022 kishte mungesë mbarëkombëtare prej rreth 120.000 mësuesve të Edukimit fizik, me zonat rurale më të prekura – raportoi Xinhua, duke shtuar se masat e reja do të inkurajonin rekrutimin e sportistëve në pension dhe veteranëve ushtarakë për të ndihmuar për mbushjen e këtij hendeku.

    Mësuesit e Edukimit fizik do të marrin kompensim të barabartë me kolegët e tyre në lëndë të tjera, me rregullime të pagave të bazuara në performancë për detyrat sportive pas shkollës dhe stërvitjen e ekipit – ka raportuar Xinhua.

    Obeziteti i të rinjve është përshpejtuar që nga viti 2019 për shkak të uljes së aktivitetit fizik gjatë izolimeve për COVID dhe rritjes së numrit të porosive online të ushqimeve të padëshiruara.

    Mjekët presin që obeziteti të rritet gjatë 10-12 vjetëve të ardhshme pasi ekonomia ngadalësohet dhe vuan ndryshime strukturore që çojnë në zakone të këqija të të ngrënit dhe më pak aktivitet fizik.

    Përqindja e djemve obezë në Kinë u rrit në 15.2% më 2022, nga 1.3% më 1990. Pas Shteteve të Bashkuara me 22%, por më e lartë se Japonia me 6%, Britania dhe Kanadaja me 12% dhe India 4%. Obeziteti te vajzat u rrit në 7.7% më 2022, nga 0.6% në 1990.

    “Obeziteti është kthyer në çështje kryesore të shëndetit publik në Kinë, duke u renditur si faktori i gjashtë kryesor i rrezikut për vdekjen dhe paaftësinë në vend.” – ka vlerësuar në tetor Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Nga Ukraina deri në Paqësor: Administrata Trump përballet me kërcënime të reja nga partneriteti Kinë-Rusi

    Sulmet në kabllot nënujore të telekomunikacionit pranë brigjeve të Tajvanit nuk janë të reja, por kablloja e këputur në bregdetin verior të tij nga një anije e dyshuar kineze në fillim të janarit, u përputh me një model sulmesh të tilla gjithnjë në rritje.

    Disa javë më herët, një anije me flamur rus e kishte këputur një kabllo elektrike që shtrihej mes Finlandës dhe Estonisë në Detin Baltik.

    Këto ndodhën pas disa zhvillimeve të ngjashme në Baltik, në të cilat u përfshinë anije me flamuj kinezë, të cilat e dëmtuan infrastrukturën nënujore, përfshirë këputjen e kabllove të fibrave optike në nëntor dhe dëmtimin e tubacionit të gazit në tetor 2023.

    Për Gabrielius Landsbergis, i cili shërbeu si ministër i Jashtëm i Lituanisë deri në dhjetor, ky varg incidentesh thekson se si vijat ndarëse mes rritjes së tensioneve ndërmjet Perëndimin dhe Rusinë për luftën në Ukrainë dhe agresionit të Kinës në Detin e Kinës Jugore, po bëhen gjithnjë e më të paqarta.

    Kina pretendon se ishulli i vetëqeverisur i Tajvanit është i saj.

    “Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Rusia qëndron mbrapa këtyre incidenteve në Blatik”, tha Landsbergis në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), teksa e vizitoi Tajvanin.

    “Në lidhje me Kinën, asaj nuk mund t’ia atribuosh këto qartazi, por nëse ajo dëshiron të shtojë trysni ndaj Tajvanit përmes luftës së errët duke këputur kabllo, atëherë mësimet mund t’i nxjerrë nga Moska”, shtoi ai.

    Derisa Kina e ka mbështetur Rusinë diplomatikisht prej fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës, e ka ndihmuar ekonominë e saj dhe e ka furnizuar atë me teknologji për përdorim të dyfishtë për fushëbetejë, mundësia e rritjes së bashkërendimit midis Pekinit dhe Moskës përbën sfidë të re për administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.

    “Kina po përpiqet të krijojë një normalitet të ri rreth Tajvanit”, tha për REL-in Chiu Chui-cheng, ministri i Tajvanit për Çështje të Brendshme. “Qëllimi i Pekinit është ta tkurrë zonën e sigurisë mes nesh dhe ta bëjë shumë më të lehtë mundësinë për ta përshkallëzuar situatën, nëse vendos të veprojë”.

    Incidenti rishtazi me kabllo është më i fundit nga ajo që Chiu thotë se është një rritje e vazhdueshme e ngjarjeve të tilla – duke filluar nga stërvitjet e reja ushtarake që synojnë ta simulojnë një bllokadë të ishullit deri te një trefishim i rasteve të dyshuara të spiunazhit kinez – që kanë për qëllim ta përgatisin terrenin për lëvizjen e ardhshme kundër Tajvanit.

    Lufanije iraniane, kineze dhe ruse gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake. Fotografi ilustruese nga arkivi.

    SHIKONI EDHE:

    Kina dhe Rusia me stërvitje të përbashkëta ushtarake

    “Nuk i shohim këto si aksidente, i shohim si strategji”, tha ai, duke iu referuar një rritjeje të incidenteve që kanë në shënjestër infrastrukturën nënujore rreth Tajvanit gjatë viteve të fundit.

    Jeta në “zonën gri”

    Druajtjet për pushtimin e mundshëm nga Kina janë larg sipërfaqes së jetës së përditshme në kryeqytetin e zbukuruar urban të Tajvanit.

    Por, realiteti i ndryshimit të këtyre dinamikave po troket në derë gjithashtu. Gjatë fushatës së tij, Trumpi tha se Tajvani nuk po paguan mjaftueshëm për mbrojtjen e vet dhe ngjalli dyshime për shkallën e mbështetjes amerikane në rast se Kina e pushton.

    Një ushtar kinez duke shikuar një anije tajvaneze gjatë stërvitjeve ushtarake që Kina i bëri përreth Tajvanit, më 5 gusht 2022.

    SHIKONI EDHE:

    Kina thotë se SHBA-ja po “luan me zjarrin”, për shkak të mbështetjes së Tajvanit

    Për politikëbërësit e ishullit, kjo ka ngritur shqetësime se këputja e kabllove nënujore si pjesë e të ashtuquajturave operacione në “zonën gri” – një term që përdoret shpesh nga zyrtarët tajvanezë për t’iu referuar taktikave hibride të përdorura për ta frikësuar ishullin, por që mbeten nën pragun e luftës – do ta bëjë më të vështirë mbrojtjen kundër agresionit kinez në rast të ndonjë sulmi të drejtpërdrejtë.

    Kina ka mohuar përfshirjen në dëmtimin e kabllove në Tajvan në janar, ndërsa hetimet për incidentet në Detin Baltik janë ende duke vazhduar.

    Derisa këto sulme ndaj kabllove nënvizojnë brishtësinë e infrastrukturës së rëndësishme detare dhe vështirësitë për t’i ndjekur penalisht sabotuesit, analistët thonë se ato janë pjesë e një klime të re shqetësuese për sigurinë në zonat e vijës së parë pranë Ukrainës dhe Tajvanit, të cila mund të përshkallëzohen lehtësisht gjatë viteve në vijim.

    “Këto taktika hibride, që po i shohim nga Kina dhe Rusia, kanë për qëllim krijimin e kushteve të favorshme për ta, nëse u paraqitet ndonjë mundësi për të bërë ndonjë lëvizje më të madhe”, tha për REL-in Sari Arho Havren, hulumtues në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër. “Duket se ka gjithashtu një dëshirë për ta njoftuar Uashingtonin me disa vija të kuqe, teksa Trumpi e merr detyrën”.

    Normaliteti i ri

    Derisa Trumpi është zotuar se do t’i japë fund shpejt luftës në Ukrainë, rreziku që tensionet midis Pekinit dhe Taipeit të përshkallëzohen në luftë, duket se po rritet.

    Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar vitet e fundit se Kina po përgatitet për një pushtim të mundshëm të Tajvanit. Ky paralajmërim u përsërit nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë seancës së konfirmimit të tij në Senatin amerikan, më 15 janar.

    “Duhet ta pranojmë faktin se, përveç nëse ndodh diçka dramatike, si një baraspeshë [midis Kinës dhe Tajvanit], ku ata arrijnë në përfundimin se kostot e ndërhyrjes në Tajvan janë shumë të larta, ne do të duhet të përballemi me këtë çështje para fundit të kësaj dekade”, tha Rubio.

    Tensionet në rritje, të shoqëruara me përplasje hibride gjithnjë e më të shpeshta, po thellohen edhe më shumë nga një bashkëpunim i rritur ushtarak midis Pekinit dhe Moskës.

    Flamuri i Grenlandës valëvitet në vendbanimin Igaliku, Grenlandë, korrik 2024.

    SHIKONI EDHE:

    Aktivitetet e Rusisë dhe Kinës e bëjnë Grenlandën më të rëndësishme për SHBA-në

    Kohët e fundit, bombardues kinezë dhe rusë kanë kryer stërvitje pranë Alaskës, kanë zhvilluar stërvitje të përbashkëta detare në brigjet e Afrikës së Jugut dhe kanë kryer stërvitje duke përdorur armatimin në Detin e Kinës Jugore.

    Lojërat e përbashkëta të luftës janë pjesë e një modeli rreth një dekadësh të koordinimit të përforcuar ushtarak,

    Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), një institut kërkimor me bazë në Uashington, ka regjistruar 102 lojëra të përbashkëta lufte, stërvitje ushtarake shumëpalëshe ose patrulla nga viti 2003 deri në fund të korrikut 2024.

    Prej atëherë, janë zhvilluar edhe katër stërvitje të tjera që përfshijnë Kinën dhe Rusinë. Sipas të dhënave të CSIS-it, forcat e tyre ushtarake kanë mbajtur të paktën katër dhe më së shumti dhjetë stërvitje të përbashkëta çdo vit midis viteve 2014 dhe 2023.

    Ato i kryen 11 stërvitje të përbashkëta në vitin 2024.

    Vendimmarrësit amerikanë kanë paralajmëruar vazhdimisht gjatë viteve të fundit për rreziqet që paraqet partneriteti në rritje midis Kinës dhe Rusisë – nga mbështetja ekonomike deri te bashkëpunimi ushtarak në rritje. Një raport i mandatuar nga Kongresi e përshkruan afrimin e Kinës me Rusinë si “zhvillimin më të madh strategjik në vitet e fundit”.

    Flamuj të Kinës dhe Rusisë. (Fotografi nga arkivi)

    SHIKONI EDHE:

    Kina dhe Rusia kryejnë patrullim të përbashkët ajror mbi Detin e Japonisë

    “Si planifikues ushtarak, duhet të përgatiteni për skenarin më të keq, që është Rusia dhe Kina duke u bashkuar në këtë mënyrë”, tha Elizabeth Wishnick, hulumtuese në Qendrën për Analiza Detare, e cila studion politikën e jashtme kineze.

    Marrë së bashku, ky trend ngre pyetje të vështira për administratën Trump dhe vendimmarrësit e tjerë amerikanë, të cilët prej kohësh janë duke menduar se si të merren veçmas me secilin prej këtyre dy fuqive bërthamore, por tani duhet të planifikojnë për rrezikun e përballjes me të dyja njëkohësisht.

    “Ende nuk është e qartë si do të zhvillohej kjo situatë dhe kjo nuk është aleancë e mirëfilltë ushtarake”, tha Wishnick, duke shtuar se “megjithatë, brenda kufijve të asaj se ku Pekini dhe Moska pëlqejnë të bashkëpunojnë, kjo po rritet”.

    Përgatiti: Ekrem Idrizi

    / REL

  • Shënojnë rënie rastet me virusin HMPV në Kinë, thonë zyrtarët

    Shkalla e infektimeve me virusin e ngjashëm me gripin, metapneumovirus (HMPV), është duke shënuar rënie në veri të Kinës, thanë zyrtarët shëndetësorë të dielën.

    Rritja e rasteve me HMPV javë më parë kishte ngjallur frikën për përhapjen e një pandemie në mbarë botën.

    HMPV-ja, e cila i përket të njëjtës familje si virusi sincicial respirator, shkakton simptoma të ngjashme me gripin ose ftohjen, përfshirë ethe, kollë dhe kongjestion nazal.

    Simptomat shpesh zhduken vetë, megjithëse ato mund të shkaktojnë infeksione të traktit të poshtëm respirator te fëmijët, tek të moshuarit dhe te ata me imunitet të kompromentuar.

    “Metapneumovirusi njerëzor nuk është virus i ri, sepse ka qenë i pranishëm te njerëzit për të paktën disa dekada”, tha Wang Liping, hulumtuese në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, gjatë një konference për shtyp nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë së Kinës.

    Wang shtoi se rritja e rasteve të virusit në vitet e fundit, i zbuluar për herë të parë në Holandë në vitin 2001, lidhet me metoda më të mira zbulimi.

    “Aktualisht, shkalla e rasteve pozitive në zbulimin e metapneumovirusit njerëzor po luhatet, ndërsa shkalla e rasteve pozitive në provincat veriore është në rënie, dhe shkalla e rasteve pozitive te pacientët nën moshën 14-vjeçare ka filluar të bjerë”, tha ajo.

    Shqetësime u rritën ditët e fundit lidhur me rritjen e infeksioneve me HMPV në Kinën veriore, pasi u shpërndanë pamje në internet që treguan spitale të mbushura me pacientë me maska. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk është njoftuar për shpërthime të pazakonta të infeksioneve në Kinë apo diku tjetër.

    Javën e kaluar, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi të hënën qytetarët e vendit me informacione thelbësore lidhur me këtë, me qëllim rritjen e masave të kujdesit parandalues.

    Instituti tha asokohe se nuk kishte ndonjë rast me HMPV në Kosovë.

    Ekspertët thonë se HMPV-ja nuk është si COVID-19, pasi ka qenë i pranishëm për dekada dhe ekziston një imunitet i ndërtuar kundër tij. Shumica e fëmijëve infektohen me këtë virusin deri në moshën 5-vjeçare.

    Wang tha se sëmundjet respiratore që po i prekin njerëzit në këtë kohë në Kinë, shkaktohen nga patogjenë të njohur dhe nuk janë shfaqur sëmundje të reja infektive.

    Numri i pacientëve në klinika dhe reparte të emergjencës në mbarë vendin është në rritje, por përgjithësisht më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha Gao Xinqiang, zëvendësdrejtor i Departamentit të Reagimit të Urgjencës Mjekësore të komisionit të shëndetësisë.

    Numri i të prekurve nga gripi në të gjithë vendin pritet të bjerë gradualisht në mesin ose fundin e janarit, tha Hu Qiangqiang.

    Aktualisht, nuk ka trajtim specifik ose vaksinë për HMPV dhe kujdesi mjekësor është kryesisht simptomatik dhe virusi zakonisht kalon vetë.

    Ekspertët këshillojnë masa parandaluese kundër marrjes së virusit dhe sëmundjeve të tjera respiratore, sic është larja e duarve rregullisht, shmangia e vendeve të mbipopulluara dhe bartja e maskës në vende të mbipopulluara./REL