Ballina

Etiketë: keqpërdorim i detyrës zyrtare

  • Prokuroria Speciale po heton mënyrën e ndarjes së banesave sociale në Zubin Potok

    Banesave sociale në Zubin Potok u është vendosur shiriti nga Policia e Kosovës dhe rasti po vazhdon të hetohet nga Prokuroria Speciale, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

    Organet e rendit konfirmojnë se në këto banesa janë hasur “dallavere”, me prona e me ndërtim. Ndërsa organet komunale bëjnë të ditur se në mënyrë ilegale është bërë shpërndarja e çelësave.

    Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani i cili tha se rasti po hetohet nga Prokuroria Speciale, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” nga ish-Kryetari i kësaj Komune.

    “E kemi njoftu Prokurorin. Tani kemi nis me hetu rastin. Kemi ardhë në përfundim. Më 15 dhjetor (2024) ia kemi qit shiritat. Tash e ka këtë rast duke e hetu Prokuroria Speciale, bashkë me krimet ekonomike me dyshimin ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’.” – tha Elshani.

    Ai shtoi se hetimet për këtë rast kanë filluar që nga nëntori i vitit të kaluar, për problemet që kishin serbët me ndarjen e këtyre banesave.

    “Ka qenë një hetim, duke u zhvillu në nëntor të vitit të kaluar për ndarjen e banesave. Kanë pasë disa probleme serbët mes vete: ‘Jo e ka nda mirë, jo s’e ke nda mirë’. Qaty ia kemi nis hetimeve për punë të problemeve, qysh e tek. I kemi marrë si anëtarë Komisioni. I kemi marrë në pyetje. E prej aty e kemi pa, që është e dyshimtë krejt ajo me prona, me ndërtim e me krejt.” – përfundoi Elshani.

    Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri tha se banorët e këtyre banesave kanë shpërndarë çelësat në mënyrë ilegale. Gjjithashtu, tashmë qarkullimi në këto objekte është ndaluar.

    “Iu kanë qit disa shirita, se i kanë nda disa çelësa në mënyrën ilegale. Nuk e di kush. Kjo ka ndodhë rreth 26, 27 nëntor dhe çelësat janë shpërndarë diku natën nga kufijtë. Unë kam dëgju të nesërmen, menjëherë. Mirëpo, ishte festa kombëtare, natyrisht 28 Nëntori dhe ishte pushim. Unë kam pasë menjëherë ankesa të qytetarëve. Kërkesa për banim të qytetarëve dhe informacionet se kush e ka ba. I kanë marrë natën. Janë dalë aty nga kufini, aty përtej kufinit, çka po di unë.” – tha i pari i Zubin Potokut, për KALLXO.com.

     

  • Rënia e kulmit nga ndërtesa e Komunës së Prishtinës – Aktakuzë ndaj dy personave

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20.01.2025, ka njoftuar se ka ngritur Aktakuzë ndaj Ylber Jasharit dhe Bekim Baftjarajt për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë ditës së sotme pas një pune hetimore ka ngritur Aktakuzë ndaj Y. J. dhe B. B., për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prishtinës.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Ylber Jashari akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro me dashje direkte dhe me qëllim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania.

    “I pandehuri Y. J. akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar ne atë mënyrë që me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania, ka përpiluar Raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës. Edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas Kontratës, në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14 – duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të kompanisë. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës, në shumën prej 36,450.29 euro, me çka ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Tutje, sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Bekim Baftjaraj akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë.

    “Ndërkaq i pandehuri B. B. akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë, për sanimin e kulmit të ndërtesës ku gjatë ekzekutimit të Kontratës ka kryer punë tjera, e jo ato sikur në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14 të Kontratës së lartcekur, ku ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës një pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth – duke lënduar rëndë të dëmtuarën E. U., në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro dhe janë shkaktuar dëme materiale në pesë veturat e parkuara përreth ndërtesës – me çka ka kryer veprën penale Punimet Ndërtimore të Kundërligjshme.” – thuhet, tutje, në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Po ashtu, në njoftimin e Prokurorisë është bërë e ditur se Prokurori i Shtetit dhe të pandehurit kanë arritur Marrëveshje për pranimin e fajësisë, si dhe me rastin e ngritjes së Aktakuzës i është propozuar Gjykatës që të pandehurit të obligohen që të kompensojnë dëmin material, në shumën prej 36,450.29 euro që i është shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, si dhe të ngarkohen me shpenzimet e procedurës penale.

    Një qytetare ishte lënduar e disa vetura ishin dëmtuar nga rënia e një pjese të kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” në kryeqytet, një vit më parë. Në vendin e ngjarjes menjëherë kishin dalë ekipe të emergjencës, të zjarrfikësve, të Policisë dhe të Prokurorisë së Prishtinës. Edhe zyrtarë të Komunës dhe të opozitës lokale ishin parë në vendin ku ndodhi rasti.

    https://kallxo.com/komuna/cka-ndodhi-me-kulmin-e-objektit-te-ri-te-komunes-se-prishtines/

    Raportimet tjera – LINK 

  • Rasti “Brezovica”, dëshmitari bashkëpunues i Prokurorisë u përgjigjet pyetjeve të mbrojtësve të të akuzuarve

    Seanca për rastin “Brezovica” në Gjykatën e Pejës më 13.01.2025 ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues të Prokurorisë, Alban Çuka.

    Të akuzuar në këtë rast janë Bratisllav Nikoliq, Dimitrije Raçiçeviq, Dragomir Millosavleviq, Hysni Bajrami, Sasha Millosavleviq, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Husein Ajdini, Sasha Spasiq dhe Jardan Kostiq.

    Në lidhje me rastin “Brezovica”, Prokuroria e Ferizajt pretendon se janë keqpërdorur pozitat, ka pasur ushtrim ndikimi, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

    Dëshminë e tij dëshmitari Alban Çuka e kishte filluar më 06.11.2024 dhe e kishte vazhduar më 08.01.2025, më 09.01.2025 dhe më 10.01.2025.

    Në këtë seancë Çuka ka vazhduar të japë dëshminë e tij duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësve të të akuzuarve.

    Në seancën e datës 06.11.2024 me të filluar dëgjimi i dëshmitarit, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj-Mekaj, kishte njoftuar mediat se dëshmia e dëshmitarit nuk mund të bëhet publike deri në përfundim të dëgjimit edhe të dëshmitarëve të tjerë.

    Arsyeja pse u mor vendimi për të mos e bërë publike dëshminë e këtij dëshmitari sipas gjyqtares ishte për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit të deklarimit të dëshmitarit dhe për të mos pasur ndikim te dëshmitarët e tjerë që pritet të dëshmojnë në këtë rast.

    Çuka është dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë.

    Dëshmitari Alban Çuka kërkoi nga gjykata që seanca e nesërme të anulohet për shkak se i njëjti kishte probleme shëndetësore.

    “E lus gjykatën që për nesër ta anuloj seancën për shkak se kam probleme shëndetësore” – tha Çuka

    Andaj gjykata mori aktvendim që seanca e nesërme të anulohet ndërsa e radhës u caktua për muajin shkurt 2025.

    Më 04.11.2024 dhe 05.11.2024 prokurori, avokatët dhe të akuzuarit kanë dhënë fjalën hyrëse lidhur me këtë rast.

    Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq nga 21 janari 2016 e deri më 10 shtator 2018 ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe i ka mundësuar një investitori marrjen e lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 200 mijë euro për 19 leje ndërtimore, për një shtëpi vikendi dhe një pëlqim rrugor dhe 100 mijë euro për lejen ndërtimore për objektin e hotelerisë “Rimida”.

    Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës akuzohet edhe në disa dispozitiva të tjerë të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në pikën dytë të aktakuzës i njëjti akuzohet se nga 30 janari i vitit 2015 e deri më 27 maj 2019 përsëri sipas Prokurorisë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të pasurisë për vete duke i mundësuar një personi tjetër përfitimin e lejes ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 140 mijë euro për 14 leje ndërtimore dhe për shtëpi vikendi.

    60 mijë euro të tjera akuzohet nga Prokuroria se i ka marrë ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës për lëshimin e 5 lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për ndërtimin e shtëpive të vikendit. Këto objekte ishin ndërtuar në zonën e tretë të mbrojtur të Parkut “Sharri”.

    Në pikën katër të aktakuzës thuhet se nga 23 nëntor 2018 deri më 6 gusht 2019 ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës kishte marrë 40 mijë euro për lëshimin e 6 lejeve ndërtimore për shtëpi vikendi.

    Aktakuza kësisoj vazhdon për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës edhe në pikën 5, 6, 7, 8, 9.

    Në po këtë aktakuzë Bratisllav Nikoliq akuzohet edhe për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi.

    Në këtë aktakuzë të përfshirë janë edhe Dimitrije Reqiçeviq – si drejtor i Urbanizimit, inspektorët komunalë të ndërtimit Hysni Bajrami dhe Dragomir Millosavleviq dhe Arben  Çitaku si ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Mustafë Hyseni si shef i Departamentit për Mbrojte dhe Mjedis të Ujërave, Husen Ajdini si investitor, Raif Bajrami si shef i Inspeksionit të Shtërpcës dhe të akuzuarit Sasha Spasiq, Bedri Halimi i akuzuar në cilësinë e kryeinspektorit, Sasha Millosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrës.

    Të lartcekurit akuzohen për vepra penale si marrje ryshfeti, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe për vepra si armëmbajtje pa leje.

    Më 17.09.2023 prokurori që po përfaqëson këtë rast, Rasim Maloku, kishte ndarë detaje ekskluzive për KALLXO.com lidhur me hetimin e këtij rasti.

  • Rasti “Brezovica”, dëshmitari bashkëpunues i Prokurorisë vazhdoi dëshminë e tij

    Gjykimi ndaj të akuzuarve lidhur me rastin “Brezovica” në Gjykatën e Pejës të enjten, më 09.01.2025, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues të Prokurorisë, Alban Çuka.

    Në seancën e datës 06.11.2024 me të filluar dëgjimi i dëshmitarit, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj-Mekaj, kishte njoftuar mediat se dëshmia e dëshmitarit nuk mund të bëhet publike deri në përfundim të dëgjimit edhe të dëshmitarëve të tjerë.

    Arsyeja pse u mor ky vendim sipas gjyqtares ishte për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit të deklarimit të dëshmitarit dhe për të mos pasur ndikim te dëshmitarët e tjerë që pritet të dëshmojnë në këtë rast.

    Çuka është dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë.

    Në lidhje me rastin “Brezovica”, Prokuroria e Ferizajt pretendon se janë keqpërdorur pozitat, ka pasur ushtrim ndikimi, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

    Lidhur me këtë këtë rast të akuzuar janë Bratisllav Nikoliq, Dimitrije Raçiçeviq, Dragomir Millosavleviq, Hysni Bajrami, Sasha Millosavleviq, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Husein Ajdini, Sasha Spasiq dhe Jardan Kostiq.

    Dëshminë e tij dëshmitari Alban Çuka e kishte filluar më 06.11.2024.

    I njëjti dëshminë e tij e kishte vazhduar edhe më 08.01.2025.

    Në seancën e datës 08.01.2025 kryetarja e trupit gjykues Kuka-Mekaj kishte vendosur për kërkesën e të akuzuarit Bedri Halimi, duke aprovuar që procedura ndaj tij të veçohet.

    Po ashtu në këtë seancë ishte aprovuar edhe propozimi i mbrojtësit të të akuzuarit Husein Ajdini, avokatit Shkelzen Sopjani, që ndaj tij të vazhdohet gjykimi në mungesë.

    Më 04.11.2024 dhe 05.11.2024 prokurori, avokatët dhe të akuzuarit kanë dhënë fjalën hyrëse lidhur me këtë rast.

    Seanca e radhës lidhur me këtë rast është e caktuar për nesër, 10.01.2025

    Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, nga 21 janari 2016 e deri më 10 shtator 2018 ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe i ka mundësuar një investitori marrjen e lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 200 mijë euro për 19 leje ndërtimore, për një shtëpi vikendi dhe një pëlqim rrugor dhe 100 mijë euro për lejen ndërtimore për objektin e hotelerisë “Rimida”.

    Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës akuzohet edhe në disa dispozitivë të tjerë të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në pikën dytë të aktakuzës i njëjti akuzohet se nga 30 janari i vitit 2015 e deri më 27 maj 2019 përsëri sipas Prokurorisë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të pasurisë për vete duke i mundësuar një personi tjetër përfitimin e lejes ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 140 mijë euro për 14 leje ndërtimore dhe për shtëpi vikendi.

    60 mijë euro të tjera akuzohet nga Prokuroria se i ka marrë ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës për lëshimin e 5 lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për ndërtimin e shtëpive të vikendit. Këto objekte ishin ndërtuar në zonën e tretë të mbrojtur të Parkut “Sharri”.

    Në pikën katër të aktakuzës thuhet se nga 23 nëntor 2018 deri më 6 gusht 2019 ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës kishte marrë 40 mijë euro për lëshimin e 6 lejeve ndërtimore për shtëpi vikendi.

    Aktakuza kësisoj vazhdon për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës edhe në pikën 5, 6, 7, 8, 9.

    Në po këtë aktakuzë Bratisllav Nikoliq akuzohet edhe për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi.

    Në këtë aktakuzë të përfshirë janë edhe Dimitrije Raçiçeviq – si drejtor i Urbanizimit, inspektorët komunalë të ndërtimit Hysni Bajrami dhe Dragomir Millosavleviq dhe Arben  Çitaku si ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Mustafë Hyseni si shef i Departamentit për Mbrojte dhe Mjedis të Ujërave, Husen Ajdini si investitor, Raif Bajrami si shef i Inspeksionit të Shtërpcës dhe të akuzuarit Sasha Spasiq, Bedri Halimi i akuzuar në cilësinë e kryeinspektorit, Sasha Millosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrës.

    Të lartcekurit akuzohen për vepra penale si marrje ryshfeti, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe për vepra si armëmbajtje pa leje.

    Më 17.09.2023 prokurori që po përfaqëson këtë rast, Rasim Maloku, kishte ndarë detaje ekskluzive për KALLXO.com lidhur me hetimin e këtij rasti.

  • Dosja për skandalin milionësh në KEK, Prokuroria Speciale propozon si dëshmitare ministren Rizvanolli e Dejona Mihalin

    Në mesin e 26 dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Speciale lidhur me aktakuzën e dytë ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Prokuroria Speciale ka propozuar në cilësinë e dëshmitarëve ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe koordinatoren e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali.

    “Propozoj që në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti Special, të caktohet dhe të mbahet shqyrtimi gjyqësor publik, në të cilin duhet të ftohen Artane Rizvanolli, Dejona Mihali”- thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale.

    Aktakuza e dytë ndaj Nagip Krasniqit ishte ngritur më datë 30.12.2024 nga Prokuroria Speciale, e ndaj tij rëndojnë akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Nagip Krasniqi tashmë ka një rast tjetër gjyqësor në cilësinë e të akuzuarit për pozitën e njëjtë si ish-kryeshef i KEK-ut.

    Lidhur me aktakuzën e parë, Krasniqi nuk kishte pranuar fajësinë, ndërsa rasti është në procedim e sipër.

    Çka thotë aktakuza e re e Prokurorisë Speciale ndaj Nagip Krasniqit?

    Nagip Krasniqi si kryeshef i KEK-ut, në bashkëkryerje me Ymer Dragushën (ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit) akuzohen se nga nëntori i vitit 2022 e deri në fund të janarit të vitit 2023 kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke i tejkaluar kompetencat që i kanë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tejkalimi i kompetencës është bërë që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast operatorit ekonomik “Litwin S. A.” në rastin e aktivitetit të prokurimit lidhur me “Riparimin Kapital të kalldasë të bllokut A5”.

    Tutje sipas Prokurorisë më datë 27.12.2022, Krasniqi kishte ftuar në zyrë tashmë të akuzuarin Ymer Dragusha, duke i kërkuar të njëjtit që të fillohet procedura për hulumtimin e tregut, që të fillohet procedura e negociuar për tenderin për riparimin e kalldasë të bllokut A5.

    Sipas Prokurorisë, Dragusha e kishte vënë në dijeni Krasniqin se një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

    Tutje Prokuroria pretendon se Dragusha pasi kishte marrë kërkesën nga Krasniqi, i kishte thënë zyrtarit E. T., që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e operatorëve ekonomik “Intering”, “Monting Energjetika”, “Litwin S.A”, të cilët operatorë paraprakisht ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.

    Tri ditë më vonë, sipas Prokurorisë, më 29.12.2022, Krasniqi dhe i akuzuari tjetër Dragusha, kishin zhvilluar negociata me operatorët ekonomik lidhur me tenderin “Riparimi Kapital i Kalldasë të bllokut A5” pa qenë në komisionin për vlerësim dhe negocim, ende pa u bërë njoftimi për shpallje në faqen E-prokurimi. Ndërsa me 16.01.2023 pas përfundimit të negociatave, kanë bërë njoftimin për shpallje duke i eliminuar nga gara operatorët “Intering”, “Monting Energjetika”, duke e favorizuar operatorin “Litwin S. A.”.

    Themelimi i komisionit për vlerësimin dhe negocim për “Riparimin kapital emergjent të kalldasë të bllokut A5”, ishte bërë katër ditë më vonë pikërisht më 20.01.2023 prej kur ishte bërë shpallja për njoftimin për kompaninë “Litwin S. A.”. Ky komision sipas dosjes, kishte ardhë me një konstatim më 25.01.2023 se operatori në fjalë nuk i plotësonte kushtet që kërkoheshin në dosjen e tenderit dhe nuk i’u kishte përmbajtur premtimeve të dhëna gjatë zhvillimit të negociatave me ç`rast komisioni kishte rekomanduar që të anulohet aktiviteti i prokurimit.

    Sipas komisionit, operatori në fjalë kishte kërkuar që të ndryshohen kushtet e tenderit, të zgjatet afati për kryerjen e punëve, të ulet përqindja në penallti, dhe të zvogëlohet garancia bankare.

    Ndonëse kryeshefi i asaj kohe, Nagip Krasniqi kishte dijeni për raportin e komisionit, dhe gjetjet e tij siç theksohet në dosje, ai kishte urdhëruar të pandehurin tjetër Ymer Dragusha që të nënshkruajë kontratën, këtë e kishte bërë përmes emailit më datë 25.01.2023. Kontrata ishte nënshkruar më pas, ndonëse ende nuk ishte siguruar garancia bankare e cila do të ekzekutohej në rast të dështimit të zbatimit të kontratës.

    Si rezultat i veprimeve të të pandehurve, nga 19.07.2022, e deri më 06.05.2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit, andaj siç theksohet nga ana e Prokurorisë, KEK-u u detyrua që të importonte energji në vlerë prej 36 milionë euro.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, me këtë në dispozitivin e parë, Krasniqi dhe Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Tutje aktakuza vazhdon me dispozitivin e dytë, në të cilin prapë Krasniqi e Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Në këtë dispozitiv, Krasniqi e Dragusha akuzohen sipas Prokurorisë se i kanë mundësuar përfitim pasuror personit tjetër – operatorit ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit “Angazhimi i një kompanie konsulente ligjore” në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

    Krasniqi sipas Prokurorisë, ishte konsultuar për termat e referencës me të pandehurin Isuf Zejna që është aksionar i kësaj kompanie ligjore, më datë 02.03.2023 ka kërkuar nga i akuzuari tjetër Dragusha që të iniciohet procedura e prokurorit e negociuar për angazhimin e konsulentit për këshillime në aspektin ligjor dhe të prokurimit për kryeshefin ekzekutiv dhe stafin e KEK-ut, ndonëse në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve nuk ishte paraparë, duke e përcaktuar si operator të vetëm kompaninë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.

    Sipas Prokurorisë, ekzistonin raporte të ngushta shoqërore në mes palëve.

    Dosja tutje elaboron se Dragusha përkundër faktit që e dinte se kërkesa e Krasniqit ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, kishte filluar procedurën e prokurimit më datë 02.03.2023 me titull: “Angazhimi i një kompanie konsulente ligjore”.

    Ndonëse organi kompetent për komentimin e ligjeve të prokurimit publik kishte lëshuar një rekomandim se duhet të ketë procedurë të hapur, Krasniqi e Dragusha kishin zhvilluar procedurë negocimi me kompaninë ligjore, dhe më datë 03.04.2023 sipas dosjes së Prokurorisë pas urdhrit të Krasniqit, Dragusha nënshkruan kontratën me kompaninë ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” në vlerë prej 60 mijë euro.

    Aktakuza voluminoze prej 68-faqeve në dispozitivin e tretë përsëri akuzon Krasniqin e Dragushën për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje.

    Sipas dispozitivit të tretë nga dhjetori i vitit 2022 e deri më 18.04.2023, Krasniqi në të njëjtën cilësi dhe Dragusha po ashtu në të njëjtën cilësi, duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë tejkaluar kompetencat duke i mundësuar përfitim pasuror personit tjetër operatorit ekonomik “Ergotem S. A.”, duke i shkelur të drejtat personave të tjerë për aktivitetin e prokurimi “Pllaka rrëshqitëse në PF- kanalet e mullinjve të thëngjillit”.

    Krasniqi sipas Prokurorisë disa muaj para se të bëhej njoftimi në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik për aktivitetin e njëjtë, i kishte ftuar në mënyrë të kundërligjshme përfaqësuesit e operatorit “Ergotem S. A.” me qëllim që të zhvillohet një vizitë në punishtet e KEK-ut, tutje i urdhëron zyrtarët përgjegjës që të ja dërgojë kësaj kompanie specifikat teknike të tenderit, ende pa u bërë shpallja e tij.

    Kështu sipas prokurorisë më 15.12.2022 Krasniqi i shkruan të pandehurit Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallej më 16.12.2022 të ftohet operatori ekonomik “SBB” dhe “Ergotem S. A.”, duke përcaktuar paraprakisht konkurruesit/ofertuesit e tenderit dhe pastaj në të njëjtën datë të bëhej shpallja e njoftimit për kontratë.

    Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të ofertave nga ana e komisionit, operatori “Ergotem S. A.”, shpallet fitues i tenderit. Sipas Prokurorisë Speciale, para nënshkrimit të kontratës kjo kompani kërkon nga KEK-u që të ndryshoheshin kushtet e tenderit lidhur me garancinë bankare nga 50% sa ishte në dosje të tenderit, të zbritej në 10%, kështu nga dy të pandehurit pranohet kjo kërkesë por duke e rritur vlerën e përqindjes në 15%, duke u nënshkruar kontrata më 07.04.2023 nga Dragusha. Kurse më 18.04.2023 nënshkruhet nga Krasniqi në vlerë prej mbi 1 milion euro, theksohet në dosjen e prokurorisë.

    Sipas dosjes së prokurorisë më datën 25.01.2023 në Prishtinë, me dashje, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë, i pandehuri Nagip Krasniqi si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut dhe Ymer Dragusha si ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit (ZEP), më datën 25.01.2023 në Prishtinë kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t`i mundësojnë përfitim personit tjetër – në këtë rast operatorit ekonomik “Tuv Hellas” dhe t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar, i emërtuar si “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, në tenderin me nr. të prokurimit KEK-23-348-2-1-5, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me LPP.

    Në aktakuzë thuhet, se më datën 24.01.2023 ende pa u bërë shpallja e njoftimit për tenderin, i pandehuri Nagip Krasniqi i kishte shkruar të pandehurit tjetër, Ymer Dragushës dhe kundërligjshëm e kishte obliguar që të kontaktonte me operatorin ekonomik “Tuv Hellas” dhe ta ftonte që të aplikonte për tender të negociuar, mirëpo zyrtarët e KEK-ut fillimisht e kishin njoftuar të pandehurin Nagip Krasniqi se ky veprim ishte në kundërshtim me nenin 7 të LPP, përkundër kësaj i pandehuri Krasniqi thuhet në aktakuzë se përmes emailit, e kërcënon zyrtarin A. K. ‘se do ta largojë nga puna nëse nuk vepron sipas urdhrave të tij’.

    Në aktakuzë tutje thuhet së nën kërcënim dhe presion, zyrtarja Myrvete Gërguri, e kishte kontaktuar kompaninë në fjalë dhe i kishte ofruar udhëzime të nevojshme se si të aplikojë në tender, krejt kjo një ditë para shpalljes së tenderit sepse më datën 25.01.2023, ishte bërë njoftimi për shpalljen e tenderit në E-prokurim.

    Po ashtu në aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit nga zyrtarë përgjegjës se nuk mund të zhvillohej procedurë e negociuar në rastin e këtij tenderi, të pandehurit e kishin shpërfillur njoftimin dhe kishin vazhduar me procedurë të negociuar vetëm me operatorin ekonomik ‘”TUV Hellas’’, të cilin sipas aktakuzës veçse e kishte përzgjedhur i pandehuri Nagip Krasniqi, ende pa u shpallur tenderi.

    Tutje në aktakuzë thuhet se gjatë procedurës së negocimit në mënyrë të kundërligjshme të pandehurit i kishin bërë favor këtij operatori kriterin tenderues të garancionit bankar nga 50% në 10% dhe për kundër faktit se operatori ekonomik kishte mungesë të dokumentacionit në dosjen e tenderit për pikat tenderuese si: referenca për punë, diplomat e ekspertëve dhe certifikata ISO 9001.

    Në aktakuzë përshkruhet se bazuar në faktin që gjatë procedurës negocimit i pandehuri Nagip Krasniqi, personalisht disa herë kishte pasur kontakte telefonike me përfaqësuesin e këtij operatori dhe duke qenë në dijeni për mangësitë që operatori ekonomik kishte në raport me kushtet e tenderit, vendosën që të nënshkruajnë kontratë me këtë operator në vlerë prej  628,425.00 euro më datën 30.03.2023.

    Andaj me këtë në bashkëkryerje sipas Prokurorisë Speciale e kishin kryer veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Po ashtu sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Nagip Krasniqi prej muajit korrik deri më 25.11.2022, në Prishtinë me dashje në cilësinë e personit zyrtar si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut, duke keqpërdorur detyrën zyrtare kishte tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i mundësonte përfitim personit tjetër, pra në këtë rast operatorit ekonomik “Bahri Asllan & FAM” dhe t’ua shkelë të drejtat e personave tjerë, në këtë rast operatorit ekonomik “Takraf” dhe i shkaktonte dëme buxhetit të Kosovës ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar i emërtuar si “Punë shtesë në riparimin e ekskavatorit E9 – Montimi i shtratit sferik”, me numër të  prokurimit ‘’KEK-22-11643-5-2-5’’, kishte shkelur rëndë rregullat e përcaktuara me LPP, në atë mënyrë që fillimisht kishte urdhëruar aktivitet prokurimi të lartcekur.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pastaj ai kishte zhvilluar  të ashtuquajturën “faza fillestare të negociuara’’ me operatorin ekonomik  “Bahri Asllan & FAM”, mirëpo për shkak të kushteve të negocimit, i kishte pezulluar negociatat me këtë operator dhe kishte hapur  negociata të reja me operatorin ekonomik “Takraf”, me të cilën pas disa takimeve, më datën 26.07.2022 sipas aktakuzës arriti një marrëveshje e cila nuk u ekzekutua menjëherë për shkak të kushteve në terren dhe ishte shtyrë deri në krijimin e kushteve atmosferike.

    Në aktakuzë përshkruhet se përkundër faktit që me operatorin ekonomik “Takraf” kishte një marrëveshje të dakorduar siç u përshkrua më lartë, i pandehuri Nagip Krasniqi, përmes zyrtares së tij i ka dërguar email operatorit ekonomik  “Bahri”.

    Andaj sipas dosjes së Prokurorisë me këtë në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

    https://kallxo.com/lajm/dosja-komunikimet-e-nagip-krasniqit-me-dejona-mihalin-cka-deklaroi-kjo-e-fundit-ne-prokurori/

    Tutje, në dispozitivin e gjashtë të aktakuzës, i pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet se në periudhën kohore 2022-2023, në Prishtinë, me dashje, në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut, ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK.

    Sipas aktakuzës, këto fshehtësi i pandehuri Krasniqi i ka ndarë me personin jo zyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin, e cila nuk mban asnjë pozitë zyrtare në administratën shtetërore e për të cilat informata i pandehuri Krasniqi kishte qasje si rezultat i detyrës së tij, dhe të cilat nuk ishin publike. Mihali është pjesë e partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në aktakuzë thuhet se më datë 02.07.2022, i pandehuri Krasniqi, gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’, me znj.Mihaili, i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it sipas marrëveshjes së datës 24.06.2022 në mes të KEK dhe KESH.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se më datën 22.04.2022, i pandehuri Krasniqi gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar znj.Mihali dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike për muajin mars-prill 2022. Pas pranimit të lajmit nga ana e saj lidhur me publikimin e një informacioni nga portali “Reporteri’” me titullin: “Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milionë euro nga Kosova për dy muaj të krizës energjetike”.

    Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Krasniqi më datën 24.02.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit një dokument me titull: “Agjenda e takimit të datës 09.02.2023’’, në të cilën janë të përfshira pikat kryesore si dhe termat e referencës për prokurimin e titulluar: “Shërbime të Konsulencës Ligjore dhe Rregullatorët’’.

    Tutje, thuhet se më datën 12.04.2023, i pandehuri i lartcekur gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal” i ka dërguar Mihalit, një draft-autorizim për angazhimin e një konsulenti të jashtëm për asistencë teknike për sektorin e fushëveprimit të KEK-ut, përkatësisht angazhimin e ekspertit G. B.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, më datën 04.08.2022, gjatë komunikimeve i pandehuri Krasniqi në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit, kërkesën drejtuar Qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrave të Qeverisë për plotësim/ndryshimin e vendimit për shpalljen e emergjencës energjetike.

    Sipas aktakuzës më datë 29.09.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’ me anëtarët e po të njëjtit grup, i pandehuri Krasniqi e ka dërguar tabelën me të dhënat/çmimet e gjashtë (6) tenderuesve të cilët kanë ofertuar për aktivitetet e prokurimit: Riparimi kapital i kalldasë dhe Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se më datën 13.10.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social WhatsApp, në grupin ku bënte pjesë Mihali, i pandehuri Krasniqi e ka dërguar informatën të cilën e ka pranuar nga anëtari i komisionit të vlerësimit dhe negocimit S. I., në lidhje me tenderin me numër KEKC-22-287-51, përkitazi me ofertat e ofruara nga operatorët ekonomikë si dhe komunikime tjera në këto platforma.

    Tutje, sipas Prokurorisë i pandehuri Krasniqi po akuzohet se më datën 16.05.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit, një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: D. B., E. T. dhe M. K., pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit.

    Me këtë, i pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet se e ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

    Në dispozitivin e shtatë të aktakuzës i pandehuri Isuf Zejna , në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, po akuzohet se në periudhën kohore dhjetor 2021 deri në prill të vitit 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit personal, e ka ndihmuar të pandehurin Nagip Krasniqi që në cilësinë e Kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut që ta keqpërdor detyrën zyrtare në lidhje me tenderin me numër: KEK-23-1630-2-2-5, i titulluar: “Angazhimi i një kompanie konsulente ligjore”.

    Në aktakuzë thuhet se më datën 14.02.2023, i pandehuri Zejna i ka ndihmuar të pandehurit Nagip Krasniqi në përgatitjen e termave të referencës për tenderin në të cilin ishte vetë pjesëmarrës.

    Sipas aktakuzës, thuhet se fillimisht i pandehuri Krasniqi ja dërgon një draft të termave të referencës të pandehurit Zejna, e më pastaj i pandehuri Zejna ia kthen të njëjtin draft Krasniqi, ndërsa ky i fundit draftin e dërgon te Zyra e Prokurimit në KEK dhe u kërkon inicimin e këtij aktiviteti të prokurimit me procedurë të negociuar.

    Tutje në aktakuzë, thuhet se me të kuptuar lidhur me këtë procedurë, KRPP i shkruan KEK-ut shkresën përmes së cilës e rekomandon se kjo procedurë duhet të zhvillohet me procedurë të hapur me qëllim të rritjes së transparencës dhe konkurrencës.

    Në aktakuzë thuhet se Nagip Krasniqi për shkak të raporteve të ngushta me të pandehurin Isuf Zejna, e injoron këtë rekomandim dhe më datën 03.04.2023, e nënshkruan kontratën me operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, respektivisht me të pandehurin Isuf Zejna, duke e shpërblyer me shumën prej 60,000.00 euro.

    Me këtë i pandehuri Isuf Zejna po akuzohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.