Ballina

Etiketë: KEK

  • Shumë nga 220 të punësuarit e fundit janë nga fshati i Kryeshefit – KEK-u e mban të fshehur listën e të punësuarve

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) pranoi 220 punëtorë të rinj më 06.01.2025. Në ditën e pranimit të tyre në punë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti për disa prej tyre shpërndau kartelat e punës.

    Kurti mori pjesë në këtë ceremoni pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, e cila filloi më 11.01.2025 për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të 9 shkurtit 2025.

    Në ceremoni përveç Kryeministrit mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe u.d. kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Bekir Gërguri, si dhe kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Valdrin Krasniqi.

    Në media dhe në rrjetin social TikTok është folur për këta të punësuar. Aty pretendohet se shumica nga 220 të punësuarit janë nga fshati Bardh, prej nga vjen edhe u.d. kryeshefi i KEK-ut, Bekir Gërguri (shih: këtu, këtu dhe këtu).

    KALLXO.com kishte dërguar pyetje me e-mail për këtë çështje te KEK-u, më 06.01.2025, 14.01.2025, 16.01.2025 dhe 23.01.2025.

    Këto pyetje për punësimet në KEK mbetën pa përgjigje nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

    Për këtë çështje, KALLXO.com ka biseduar edhe direkt me Bekir Gërgurin, Ushtrues Detyre i Kryeshefit të KEK-ut.

    Në pyetjen se a është e vërtetë që shumë prej 220 të puënsuave në KEK janë nga fshati Bardh, prej nga vjen edhe vetë Gërguri, ai u përgjigj me “Është e vërtetë”.

    “Është e vërtetë, se edhe Mihja Sipërfaqësore e ka emrin Mihja e Bardhit. Nuk e ka emrin Mihja e Prishtinës, por është e Bardhit. Nuk është e vërtetë. Numri 220 është numri i përgjithshëm. Kanë pasë të drejtë më marrë të barabartën secili kandidat, barabartë.” – deklaroi Gërguri për KALLXO.com.

    Ai nuk u përgjigj në pyetjen se sa të punësuar janë nga fshati Bardh – duke drejtuar ekipin që pyetjet të dërgohen te zëdhënësi i KEK-ut.

    Edhe më 23.01.2025, në ditën kur ekipi foli me Gërgurin, pyetje iu drejtuan zëdhënësit të KEK-ut duke kërkuar listën e këtyre të punësuarve dhe se a është e vërtetë që 74 nga 220 të punësuarit janë nga ky fshat. As në këtë ditë, KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje.

    Ekipi i KALLXO.com e ka pritur u.d. kryeshefin Gërguri në hyrje të objektit të KEK-ut, për shkak që nuk mori përgjigje ashtu siç edhe tha Gërguri, por ai nuk doli nga dera që hyri në mëngjes.

    Sigurimi i tha ekipit që U.D. Kryeshefi është larguar rreth orës 16:05 ose 16:10. Ekipi e ka pritur para hymjes Gërgurin nga ora 15:20 deri në ora 16:30.

    Historiku i Ndërmarrjes

    Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK sh.a.) është Ndërmarrja kryesore energjetike në Republikën e Kosovës.

    Ajo është e integruar vertikalisht dhe është korporatizuar në fund të vitit 2005. Asetet e Korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në periudha të ndryshme kohore KEK sh.a. iu nënshtrua ndryshimeve të shumta.

    Për një kohë të gjatë, Sistemi energjetik i Kosovës ka qenë pjesë përbërëse e Sistemit energjetik të ish-Jugosllavisë. Gjatë asaj periudhe, prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë ka qenë i koncentruar në prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri (termo) dhe në një sasi shumë të vogla nga uji (hidro).

    Gjatë kësaj kohe furnizimi me energji elektrike nuk është bërë vetëm nga Termocentralet e Kosovës, por edhe nga burimet e tjera që prodhonin energjinë elektrike e që ishin të shpërndara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë.

    Pas vitit 1999, KEK-u kaloi nëpër disa faza të ristrukturimit dhe ndryshimeve organizative e operative, për të shenjuar së fundmi procesin e ndarjes së plotë dhe më pas edhe të privatizimit të afarizmit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, e cila përfundoi në vitin 2013 dhe tani ky afarizëm është nën pronësi private, me përgjegjësi të plotë ligjore për shpërndarje dhe furnizim të konsumatorëve me energji elektrike.

    Sot, funksion parësor i Korporatës është prodhimi i qymyrit dhe gjenerimi i energjisë elektrike. Për të përmbushur këto dy funksione, KEK-u është i organizuar në dy Divizione qenësore: Divizionin e Mihjeve dhe Divizionin e Gjenerimit. Korporata operon me mihjen sipërfaqësore të linjitit, gjegjësisht Mihjen e Sibovcit Jugperëndimor; dy termocentrale, TC “Kosova A” dhe TC “Kosova B”.

    Funksionet e Korporatës rregullohen përmes politikave të Zyrës së Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës. Korporata ka të punësuar rreth 4700 punonjës të fushave të ndryshme të operimit.

     

  • Gjykimi ndaj Nagip Krasniqit dhe të tjerëve, dështon seanca fillestare

    Ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj Nagip Krasniqit, Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës sot, më 28.01.2025. Seanca dështoi të mbahet për shkak se mungoi i akuzuari, Ymer Dragusha.

    Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi, Ymer Dragusha dhe Isuf Zejna akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, mbi 36 milionë euro duke kryer veprat penale: “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

    Për dallim nga Ymer Dragusha të pranishëm në Gjykatore ishin dy të akuzuarit e tjerë, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna.

    Gjyqtari Rrahman Beqiri bëri të ditur se të akuzuarit Ymer Dragusha Gjykata më 15 janar 2025 i ka dërguar ftesën për këtë seancë, ndërsa deri më tani fletëdorëzimi nuk është kthyer në Gjykatë, për çka Gjykata nuk mund të konstatojë nëse është ftuar në mënyrë të rregullt apo jo.

    Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit Ymer Dragusha, avokatja Sabrije Krasniqi tha se nuk ka ndonjë informatë pse i njëjti nuk është i pranishëm sot.

    “Unë Ymer Dragushën e mbroj sipas detyrës zyrtare dhe prej se kam marrë kallëzimin penal e këto, kam tentuar me ra në kontakt me të dhe prej atij momenti që e kam marrë ftesën kam tentu të bi në kontakt përmes telefonit, që unë e posedoj numrin e tij, mirëpo i njëjti nuk ka pasur qasje në telefon.” – tha avokatja Sabrije Krasniqi.

    Ky rast është duke u trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, me kryetar të Trupit Gjykues, Rrahman Beqirin.

    Ndërsa Aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Fikrije Fejzullahu.

    Kujtojmë se Krasniqi tashmë ka një rast tjetër gjyqësor, në cilësinë e të akuzuarit për pozitën e njëjtë si ish-Kryeshef i KEK-ut.

    Lidhur me Aktakuzën e parë Krasniqi nuk kishte pranuar fajësinë, ndërsa rasti është në procedim e sipër.

    Çka thotë Aktakuza e dytë e Prokurorisë Speciale për Nagip Krasniqin?

    Nagip Krasniqi si Kryeshef i KEK-ut, në bashkëkryerje me Ymer Dragushën (ushtrues detyre i Drejtorit të Zyrës së Prokurimit) akuzohen se nga nëntori i vitit 2022 e deri në fund të janarit të vitit 2023 kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare – duke i tejkaluar kompetencat që i kanë.

    Sipas Aktakuzës së Prokurorisë, tejkalimi i kompetencës është bërë që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast Operatorit Ekonomik “Litwin S.A” – në rastin e aktivitetit të prokurimit, lidhur me “Riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5”.

    Tutje, sipas Prokurorisë, më 27.12.2022, Krasniqi kishte ftuar në zyrë të akuzuarin Ymer Dragusha, duke i kërkuar të njëjtit që të fillohet procedura për hulumtimin e tregut, që të fillohet procedura e negociuar për tenderin për riparimin e kalldasë së bllokut A5. Sipas Prokurorisë, Dragusha e kishte vënë në dijeni Krasniqin se një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

    Tutje, Prokuroria pretendon se Dragusha pasi kishte marrë kërkesën nga Krasniqi, i kishte thënë zyrtarit E.T., që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e Operatorëve Ekonomikë: “Intering”, “Monting Energjitika”, Litwin S.A”, të cilët Operatorë paraprakisht ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.

    Tri ditë më vonë – sipas Prokurorisë – më 29.12.2022, Krasniqi dhe i akuzuari tjetër Dragusha kishin zhvilluar negociata me Operatorët Ekonomikë, lidhur me tenderin “Riparimi kapital i kalldasë së bllokut A5” – pa qenë në Komisionin për vlerësim dhe negocim dhe ende pa u bërë njoftimi për shpallje në faqen E-Prokurimi. Ndërsa, më 16.01.2023, pas përfundimit të negociatave, kanë bërë njoftimin për shpallje – duke i eliminuar nga gara Operatorët: “Intering”, “Monting Energjetika” dhe duke e favorizuar Operatorin “Litwin S.A”.

    Themelimi i Komisionit për vlerësim dhe negocim për “Riparimin kapital emergjent të kalldasë së bllokut A5” ishte bërë katër ditë më vonë. Pikërisht, më 20.01.2023, prej kur ishte bërë shpallja për njoftimin për kompaninë “Litwin S.A”. Ky Komision – sipas Dosjes – kishte ardhur me një konstatim, më 25.01.2023, se Operatori në fjalë nuk i plotësonte kushtet që kërkoheshin në Dosjen e tenderit dhe se nuk iu kishte përmbajtur premtimeve të dhëna gjatë zhvillimit të negociatave, me ç’rast Komisioni kishte rekomanduar që të anulohet aktiviteti i prokurimit.

    Sipas Komisionit, Operatori në fjalë kishte kërkuar të ndryshohen kushtet e tenderit, të zgjatet afati për kryerjen e punëve, të ulet përqindja në penallti dhe të zvogëlohet garancia bankare.

    Ndonëse kryeshefi i asaj kohe Nagip Krasniqi kishte dijeni për Raportin e Komisionit dhe gjetjet e tij – siç theksohet në Dosje – ai kishte urdhëruar të pandehurin tjetër, Ymer Dragusha që të nënshkruajë Kontratën. Këtë e kishte bërë përmes e-mail-it, më 25.01.2023.  Kontrata ishte nënshkruar më pas, ndonëse ende nuk ishte siguruar garancia bankare, e cila do të ekzekutohej në rast të dështimit të Kontratës.

    Si rezultat i veprimeve të të pandehurve, nga 19.07.2022 e deri më 06.05.2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit. Andaj, siç theksohet nga ana e Prokurorisë, KEK-u u detyrua që të importojë energji në vlerë prej mbi 36 milionë euro.

    Me këtë në Dispozitivin e parë, Krasniqi dhe Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Tutje, Aktakuza vazhdon me Dispozitivin e dytë, në të cilin prapë Krasniqi e Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Në këtë Dispozitiv, Krasniqi e Dragusha akuzohen – sipas Prokurorisë – se i kanë mundësuar përfitim pasuror personit tjetër, Operatorit Ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit “Angazhimi i një kompanie konsulente ligjore”, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

    Krasniqi – sipas Prokurorisë – ishte konsultuar për termat e referencës me të pandehurin Isuf Zejna i cili është aksionar i kësaj kompanie ligjore më 02.03.2023 dhe ka kërkuar nga i akuzuari tjetër Dragusha që të iniciohet procedura e prokurimit e negociuar për angazhimin e Konsulentit për këshillime në aspektin ligjor dhe të prokurimit për Kryeshefin ekzekutiv dhe stafin e KEK-ut, ndonëse në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve nuk ishte paraparë – duke e përcaktuar si Operator të vetëm kompaninë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.

    Sipas Prokurorisë ekzistonin raporte të ngushta shoqërore në njërën anë mes palëve

    Dosja elaboron tutje se Dragusha përkundër faktit që e dinte se kërkesa e Krasnqit ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, kishte filluar procedurën e prokurimit më 02.03.2023, me titull “Angazhimi i një kompanie konsulentë ligjor”.

    Ndonëse, organi kompetent për komentimin e Ligjeve të Prokurimit publik kishte lëshuar një Rekomandim se duhet të ketë procedurë të hapur, Krasniqi e Dragusha kishin zhvilluar procedurë të negocimit me kompaninë ligjore dhe më 03.04.2023, pas urdhrit të Krasniqit, Dragusha nënshkruan Kontratën me kompaninë ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, në vlerë prej 60 mijë euro – theksohet në Dosje.

    Aktakuza voluminoze 68-faqëshe në Dispozitivin e tretë përsëri akuzon Krasniqin e Dragushën për “keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje”.

    Sipas Dispozitivit të tretë nga dhjetori i vitit 2022 e deri më 18.04.2023, Krasniqi në të njëjtën cilësi dhe Dragusha po ashtu në të njëjtën cilësi – duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë tejkaluar kompetencat duke i mundësuar përfitim pasuror personit tjetër, Operatorit Ekonomik “Ergotem S.A”, duke i shkelur të drejtat personave të tjerë për aktivitetin e prokurimit “Pllaka rrëshiqtëse në PF – kanalet e mullinjëve të thëngjillit”.

    Krasniqi – sipas Prokurorisë – disa muaj para se të bëhej njoftimi në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik për aktivitetin e njëjtë, i kishte ftuar në mënyrë të kundërligjshme përfaqësuesit e Operatorit “Ergotem S.A”, me qëllim që të zhvillohet një vizitë në punishtet e KEK-ut. Tutje, i urdhëron zyrtarët përgjegjës që t’ia dërgojë kësaj Kompanie specifikat teknike të tenderit, ende pa u bërë shpallja e tenderit.

    Kështu – sipas Prokurorisë – më 15.12.2022, Krasniqi i shkruan të pandehurit Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallej më 16.12.2022 të ftohet Operatori Ekonomik “SBB” dhe “Ergotem S.A” – duke përcaktuar paraprakisht konkurruesit/ofertuesit e tenderit dhe pastaj që në të njëjtën datë të bëhet shpallja e njoftimit për Kontratë.

    Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të ofertave nga ana e Komisionit, Operatori “Ergotem S.A” shpallet fitues i tenderit. Para nënshkrimit të Kontratës, kjo kompani kërkon nga KEK-u që të ndryshohen kushtet e tenderit lidhur me garancinë bankare, nga 50%, sa ishte në Dosje të tenderit, të zbritet në 10% . Kështu nga dy të pandehurit pranohet kjo kërkesë, por duke e rritur pakëz vlerën e përqindjes në 15 % – duke u nënshkruar Kontrata më 07.04.2023 nga Dragusha. Kurse, më 18.04.2023, nënshkruhet nga Krasniqi në vlerë prej mbi 1 milion euro.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 25.01.2023, në Prishtinë, me dashje, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë, i pandehuri Nagip Krasniqi si Kryeshef ekzekutiv i KEK-ut  dhe Ymer Dragusha si ushtrues detyre i Drejtorit të Zyrës së Prokurimit (ZEP), më 25.01.2023, në Prishtinë kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast Operatorit Ekonomik ‘’Tuv Hellas’’ dhe t’ua shkelin të drejtat personave të tjerë, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar, i emërtuar si “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, në tenderin me nr. të prokurimit KEK-23-348-2-1-5, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me LPP.

    Në Aktakuzë thuhet se, më 24.01.2023, ende pa u bërë shpallja e njoftimit për tender, i pandehuri Nagip Krasniqi i kishte shkruar të pandehurit Ymer Dragusha dhe e kishte obliguar kundërligjshëm që të kontaktonte me Operatorin Ekonomik “Tuy Hellas” dhe ta ftonte që të aplikonte për tender të negociuar. Mirëpo, zyrtarët e KEK-ut e kishin njoftuar fillimisht të pandehurin Nagip Krasniqi se ky veprim ishte në kundërshtim me Nenin 7 të LPP. Përkundër, kësaj i pandehuri Krasniqi thuhet në Aktakuzë përmes e-mail-it e kërcënon zyrtarin A.K., se do ta largojë nga puna – nëse nuk vepron sipas urdhrave të tij.

    Në Aktakuzë thuhet, tutje, se nën kërcënim dhe presion, zyrtarja Myrvete Gërguri e kishte kontaktuar Kompaninë në fjalë dhe i kishte ofruar udhëzime të nevojshme se si të aplikojë në tender. Krejt kjo një ditë para shpalljes së tenderit, sepse më 25.01.2023 ishte bërë njoftimi për shpalljen e tenderit në E-Prokurim.

    Po ashtu, në Aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit nga zyrtarë përgjegjës se nuk mund të zhvillohet procedurë e negociuar në rastin e këtij tenderi, të pandehurit e kishin shpërfillur njoftimin dhe kishin vazhduar me procedurë të negociuar vetëm me Operatorin Ekonomik ‘”TUV Hellas’’, të cilin sipas Aktakuzës veçse e kishte përzgjedhur i pandehuri Nagip Krasniqi, ende pa u shpallur tenderi.

    Tutje, në Aktakuzë thuhet se gjatë procedurës së negocimit në mënyrë të kundërligjshme të pandehurit i kishin bërë favor këtij Operatori: kriterin tenderues të garancionit bankar nga 50% në 10% dhe përkundër faktit se Operatori Ekonomik kishte mungesë të dokumentacionit në Dosjen e tenderit për pikat tenderuese, si: referenca për punë, diplomat e ekspertëve dhe certifikata ISO 9001.

    Në Aktakuzë përshkruhet se bazuar në faktin se gjatë procedurës së negocimit i pandehuri Nagip Krasniqi personalisht disa herë kishte pasur kontakte telefonike me përfaqësuesin e këtij Operatori dhe duke qenë në dijeni për mangësitë që Operatori Ekonomik kishte në raport me kushtet e tenderit, vendosën që të nënshkruajnë Kontratë me këtë Operator, në vlerë prej 628,425.00 euro, më 30.03.2023.

    Andaj, me këtë në bashkëkryerje e kishin kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Po ashtu – sipas Dosjes së Prokurorisë – i pandehuri Nagip Krasniqi prej muajit korrik deri më 25.11.2022, në Prishtinë me dashje në cilësinë e personit zyrtar si Kryeshef ekzekutiv i KEK-ut duke keqpërdorur detyrën zyrtare në Aktakuzë thuhet se kishte tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që t’i mundësonte përfitim personit tjetër. Pra, në këtë rast Operatorit Ekonomik “Bahri Asllan & FAM” dhe ua shkel të drejtat personave të tjerë, në këtë rast pra Operatorit Ekonomik “Takraf” dhe i shkaktoi dëm buxhetit të Kosovës – ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar i emërtuar si “Punë shtesë në riparimin e ekskavatorit E9 – Montimi i shtratit sferik”, me numër të prokurimit ‘’KEK-22-11643-5-2-5’’ kishte shkelur rëndë rregullat e përcaktuara me LPP, në atë mënyrë që kishte urdhëruar fillimisht aktivitet prokurimi të lartcekur.

    Gjithnjë – sipas Aktakuzës – pastaj ai kishte zhvilluar të ashtuquajturën “faza fillestare të negociuara’’ me Operatorin Ekonomik  “Bahri Asllan & FAM”. Mirëpo, për shkak të kushteve të negocimit i kishte pezulluar negociatat me këtë Operator dhe kishte hapur negociata të reja me Operatorin Ekonomik “Takraf”, me të cilin pas disa takimeve më 26.07.2022 – sipas Aktakuzës – arriti një marrëveshje e cila nuk u ekzekutua menjëherë, për shkak të kushteve në terren. Andaj, u shty deri në krijimin e kushteve atmosferike.

    Në Aktakuzë përshkruhet se përkundër faktit që me Operatorin Ekonomik “Takraf” kishte një marrëveshje të dakorduar, siç u përshkrua më lartë, i pandehuri Nagip Krasniqi përmes zyrtares së tij i ka dërguar e-mail Operatorit Ekonomik  “Bahri”.

    Andaj – sipas Dosjes së Prokurorisë – me këtë në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale: “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Tutje, në Dispozitivin e Gjashtë të Aktakuzës i pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet se në periudhën kohore 2022-2023, në Prishtinë, me dashje, në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar si Kryeshef ekzekutiv i KEK-ut ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit, të cilat po zhvilloheshin në KEK.

    Sipas Aktakuzës, këto fshehtësi i pandehuri Krasniqi i ka ndarë me personin jozyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin, e cila nuk mban asnjë pozitë zyrtare në Administratën shtetërore e për të cilat informata i pandehuri Krasniqi kishte qasje si rezultat i detyrës së tij dhe të cilat nuk ishin publike. Mihali është pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në Aktakuzë thuhet se, më 02.07.2022, i pandehuri Krasniqi, gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’ me znj. Mihaili i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it – sipas Marrëveshjes së datës 24.06.2022, në mes të KEK-ut dhe KESH-it.

    Tutje, në Aktakuzë thuhet se më 22.04.2022, i pandehuri Krasniqi gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar znj. Mihali dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike për muajin mars-prill 2022. Pas pranimit të lajmit nga ana e saj lidhur me publikimin e një informacioni nga portali “Reporteri’”, me titullin ‘’Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milion euro nga Kosova për dy muaj të krizës energjetike’’.

    Sipas Aktakuzës thuhet se i pandehuri Krasniqi, më 24.02.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit një dokument me titull “Agjenda e takimit të datës 09.02.2023’’, në të cilën janë të përfshira pikat kryesore, si dhe termat e referencës për prokurimin e titulluar “Shërbime të Konsulencës Ligjore dhe Rregullatorët’’.

    Tutje, thuhet se më 12.04.2023, i pandehuri i lartcekur gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal” i ka dërguar Mihalit një draft-Autorizim për angazhimin e një konsulenti të jashtëm për asistencë teknike për sektorin e fushëveprimit të KEK-ut, përkatësisht angazhimin e ekspertit G.B.

    Gjithnjë – sipas Aktakuzës – thuhet se më 04.08.2022, gjatë komunikimeve i pandehuri Krasniqi në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit Kërkesën drejtuar Qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe Ministrave të Qeverisë për plotësim-ndryshimin e Vendimit për Shpalljen e emergjencës energjetike.

    Sipas Aktakuzës, më 29.09.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’ me anëtarët e të njëjtit grup i pandehuri Krasniqi e ka dërguar tabelën me të dhënat/çmimet e gjashtë (6) tenderuesve, të cilët kanë ofertuar për aktivitetet e prokurimit “Riparimi kapital i kalldasë” dhe “Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit”.

    Tutje – në Aktakuzë – thuhet se më 13.10.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘”WhatsApp’’ në grupin ku bënte pjesë Mihali, i pandehuri Krasniqi e ka dërguar informatën të cilën e ka pranuar nga anëtari i Komisionit të vlerësimit dhe negocimit S.I., në lidhje me tenderin me numër KEKC-22-287-51, përkitazi me ofertat e ofruara nga Operatorët Ekonomikë. Si dhe, komunikime të tjera në këto platforma.

    Tutje – sipas Aktakuzës – i pandehuri Krasniqi po akuzohet se më 16.05.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: D.B, E.T. dhe M.K., pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit.

    Me këtë, i pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet se e ka kryer veprën penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. Në Dispozitivin e shtatë të Aktakuzës i pandehuri Isuf Zejna në cilësinë e përfaqësuesit të Kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” po akuzohet se në periudhën kohore dhjetor 2021 deri në prill të vitit 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit personal, e ka ndihmuar të pandehurin Nagip Krasniqi që në cilësinë e Kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut ta keqpërdorë detyrën zyrtare në lidhje me tenderin me numër KEK-23-1630-2-2-5, i titulluar “Angazhimi i një kompanie konsulentë ligjor”.

    Në Aktakuzë thuhet se, më 14.02.2023, i pandehuri Zejna i ka ndihmuar të pandehurit Nagip Krasniqi në përgatitjen e termave të referencës për tenderin në të cilin ishte vetë pjesëmarrës.

    Sipas Aktakuzës thuhet se fillimisht i pandehuri Krasniqi ia dërgon një draft të termave të referencës të pandehurit Zejna, e më pastaj i pandehuri Zejna ia kthen të njëjtin draft të pandehurit Krasniqi. Ndërsa, ky i fundit draftin e dërgon te Zyra e Prokurimit në KEK dhe u kërkon inicimin e këtij aktiviteti të prokurimit me procedurë të negociuar.

    Tutje, në Aktakuzë thuhet se me të kuptuar lidhur me këtë procedurë KRPP i shkruan KEK-ut shkresën, përmes së cilës e rekomandon se kjo procedurë duhet të zhvillohet me procedurë të hapur, me qëllim të rritjes së transparencës dhe konkurrencës.

    Në Aktakuzë thuhet se Nagip Krasniqi për shkak të raporteve të ngushta me të pandehurin, Isuf Zejna e injoron këtë Rekomandim dhe më 03.04.2023 e nënshkruan Kontratën me Operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, respektivisht me të pandehurin, Isuf Zejna – duke e shpërblyer me shumën prej 60.000.00.

    Me këtë i pandehuri Isuf Zejna po akuzohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale: “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Shënim: Artikulli është edituar më 07.02.2025, ora 12:08.

     

  • KEK-u prezanton projektin 137 milionësh për rehabilitimin e Njësisë A3 – Kurti thotë se do të dyfishohet prodhimi në këtë Njësi

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sot, më 24.01.2025, ka prezantuar projektin për rehabilitimin dhe modernizimin e Njësisë A3 të Termocentralit “Kosova A”.

    Pas këtij projekti që pritet të kushtojë rreth 137 milionë euro, pritet që Njësia A3 të prodhojë më shumë dhe të ndotë më pak.

    Kryeministri Albin Kurti, i cili mori pjesë në prezantimin e projektit, tha se Kosova e ka të miratuar një Strategji që pëfshin trekëndëshin e sfidave, siç e quajti ai, që duhet baraspeshuar dilemën moderne në sektorin e Energjisë.

    “Në një kënd e kemi sigurinë e furnizimit, në një tjetër e kemi përballueshmërinë e kostos dhe të tretën e kemi uljen e ndotjes dhe energjinë e pastër.” – tha Kurti.

    “Projekti i rehabilitimit dhe modernizimit të A3-shit i shërben kësaj strategjie – duke e përthekuar çdo cep të dilemës energjetike. Ky investim synon që të rrisë kapacitetin e prodhimit dhe të përmirësojë efektshmërinë mjedisore të Njësisë A3, e cila aktualisht prodhon një pjesë të rëndësishme të energjisë elektrike në Kosovë”.

    Sipas Kurtit, pasi të përfundojë projekti, Njësisë A3 do t’i zgjatet jetëgjatësia për 20 vjet, si dhe do t’i shtohet kapaciteti i prodhimit nga rreth 140 megavat sa është aktualisht, në 215 megavat pasi të përfundojë.

    Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se pas krizës së energjisë së vitit 2022 ishte nënshkruar Kontrata për modernizimin e turbinave të termocentralit “Kosova B”. Sipas saj, prishja e turbinave ishte shkaktari për importin e 50 milionë eurove në kohën e krizës.

    “Me realizimin e atij projekti jo vetëm që Kosova B do të jetë më i besueshëm, por edhe kapaciteti do të rritet për 35 megavatë. Vitet e ardhshme përderisa do të zbatohen këto projekte, do të jenë sfiduese për të gjithë, sepse një kohë do të jenë Termocentralet jashtë funksionit dhe do të duhet një punë e jashtëzakonshme.” – ka thënë ndër të tjera Rizvanolli.

    E ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Bekir Gërguri tha se qëllimi kryesor i investimit është përmirësimi i standardeve mjedisore.

    “Një nga qëllimet kryesore të këtij investimi është përmirësimi i standardeve mjedisore, ku pas përfundimit të modernizimit Njësia A3 do të operojë në përputhje me rregullat dhe direktivat e Bashkimit Evropian – duke kontribuuar në një sektor energjetik dhe ruajtjen e mjedisit.” – ka thënë Gërguri.

    Projekti planifikohet të finalizohet përafërsisht për 740 ditë kalendarike, nga nënshkrimi i Kontratës.

    Ndryshe, divizioni i Gjenerimit të Energjisë përbëhet nga Termocentralet “Kosova A”, “Kosova B” dhe Seperimet Kimike, që janë të vendosura në rrethinën e Obiliqit, që gjenden rreth 8 km larg Prishtinës, Kryeqytetit të Republikës së Kosovës.

    Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë Blloqe punuese të njohura si A1, A2, A3, A4 dhe A5. Blloku A1 i këtij Termocentrali është lëshuar në punë në vitin 1962, me fuqi prej 65MW; A2 në vitin 1965, me fuqi prej 125MW; A3 në vitin 1970, me fuqi 200MW; A4 në vitin 1971, me fuqi 200MW dhe A5 në vitin 1975 me fuqi prej 210MW. Blloqet A3, A4 dhe A5 janë funksional.
    Sipas planit aktual në prodhim përdoren dy Blloqe, kurse njëri prej tyre është rezervë “e nxehtë “ për shkak të gatishmërisë së tyre të ulët, që është pasojë e vjetërsisë së tyre. Blloqet A1 dhe A2 janë jashtë pune – pa status të definuar dhe sipas planeve aktuale ato do të mbesin kështu deri në fund, kur pritet të bëhet dekomisionimi i tyre së bashku me Njësitë tjera. Prodhimi vjetor i energjisë elektrike nga TC “Kosova A” është rreth 1500GWh.

  • KEK mori mbi 100 mijë euro nga shitja e tepricave të rrymës gjatë dhjetorit 2024

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka deklaruar se ka shitur tepricat e energjisë elektrike gjatë muajit dhjetor 2024, në vlerë prej 100,489 euro. 

    KEK-u thekson se e ofron gjithë kapacitetin e energjisë elektrike për konsumatorët universalë, përmes Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), për mbulimin e humbjeve në rrjet. 

    Sipas KEK vetëm tepricat e energjisë, të cilat janë në dispozicion për shkak të konsumit të ulët gjatë orëve të natës, shiten përmes bursës shqiptare ‘ALPEX’ dhe ankandeve publike.

    KEK thotë se gjatë vitit 2024 ka realizuar shitjen e tepricave të energjisë elektrike, me çmim mesatar prej 70.84 euro/MWh – duke realizuar një total shitjeje prej 45,747,305 euro për 645,824 MWh.

    Kurse, gjatë muajit dhjetor 2024 ka realizuar shitjen e tepricave të energjisë elektrike, me çmim mesatar prej 85.13 euro/MWh – duke realizuar një total shitjeje prej 100,489eur për 1,180 MWh.

    “KEK thekson se këto të dhëna janë të sakta dhe të bazuara në raportet zyrtare, transparente dhe në përputhje me Marrëveshjet kontraktuale me partnerët afarist KEDS/KESCO dhe KOSTT. Çdo përpjekje për të keqinformuar opinionin publik dhe për të paraqitur këto të dhëna në një dritë negative është e pajustifikuar dhe tendencioze.” – ka thënë KEK, më 17.01.2025.

    Korporata Energjetike shprehet se mbetet e angazhuar për ofrimin e energjisë elektrike, në mënyrë të qëndrueshme dhe për transparencë në çdo aspekt të operimeve të saj.

    Ndryshe, në prag të festave të fundvitit më 2024, disa Komuna në Kosovë u përballën me mungesë të rrymës për orë të tëra.

    Ndalja e energjisë elektrike u arsyetua për shkak të mbingarkesës, si pasojë e konsumit të lartë të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve në ato kohë, pas motit me temperatura të ulëta.

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) tha se po punonte me kapacitete të plota, ndërsa Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) nuk i ka quajtur reduktime, por “mbingarkesa” dhe ka kërkuar nga konsumatorët që të kursejnë maksimalisht rrymën.

  • KEK thotë se largoi nga procesi i rekrutimit kandidatët për të cilët kishte dyshime për autenticitetin e diplomave

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka përfunduar procesin e rekrutimit të 220 punonjësve të rinj.

    Megjithatë disa media kanë raportuar se disa kandidatë kanë aplikuar me diploma të falsifikuara për t’u bërë pjesë e këtij institucioni.

    Sipas një komunikate për media, KEK thotë se me datë 02.01.2025, ka njoftuar opinionin për verifikimin e diplomave të kandidatëve, i cili ka rezultuar me largimin nga procesi i rekrutimit të kandidatëve për të cilët kishte dyshime për autenticitetin e diplomave të tyre.

    Përtej kësaj, KEK thekson se informuar organet përkatëse të drejtësisë dhe i ka ofruar atyre të gjitha informacionet që disponon për të zbardhur këtë çështje.

    “Ky proces është pjesë e angazhimeve të KEK për të ngritur transparencën dhe profesionalizmin në rekrutimin e punonjësve të rinj, dhe për të siguruar se vetëm individë të kualifikuar dhe me integritet marrin mundësi të punësohen. Ky proces është gjithashtu një hap i rëndësishëm në rritjen e performancës së KEK dhe përmirësimin e efikasitetit të korporatës”- thuhet në njoftim.

    “Megjithatë, është e pakuptimtë dhe e papranueshme që disa individë dhe portale me tendenca të caktuara po përpiqen të zbehin këtë sukses duke e lidhur me çështje të tjera fare të paarsyeshme. Pavarësisht se informacioni përkatës është bërë publik dhe lënda është dërguar tek organet e rendit, disa prej këtyre individëve kanë vazhduar të përhapin lajme të pavërteta dhe të tentojnë të zbehin këtë proces të rëndësishëm”- thuhet tutje në komunikatë.

    Sipas KEK procesi i rekrutimit të punonjësve të rinj është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për mbulimin e pozitave vakante, “duke përmirësuar performancën e korporatës dhe duke kontribuar në uljen e papunësisë në vend”.

    Një nga aspektet më të rëndësishme të këtij procesi, siç tjonë nga KEK, është fakti se mosha mesatare e punonjësve të KEK është rreth 55 vjeçare, dhe ky proces ka për qëllim rifreskimin dhe modernizimin e forcës punëtore.

    Korporata Energjetike e Kosovës pranoi 220 punëtorë të rinj më 06.01.2025.

    Në ditën e pranimit të tyre në punë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti disa prej tyre jua shpërndau kartelat e punës.

    Kurti mori pjesë në këtë ceremoni pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore e cila fillon më 11.01.2025 për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të datës 09.02.2025.

    Për këtë ceremoni të shpërndarjes së kartelave të punonjësve dhe kontratave të punës për ta, nuk pati njoftim për media.

    Pas disa përpjekjeve, ekipi hyri në objektin në të cilin u mbajt ceremonia, kjo në brendësi të hapësirës së Termocentralit.

    Kur kryeministri, pas ceremonisë u pyet se a lidhet ky aktivitet me fushë zgjedhore dhe për të marrë vota nga punonjësit e rinj, ai pati një përgjigje jodirekte.

    “Kjo është në funksion të mihjes, prodhimit të qymyrit”– ishte përgjigja e kryeministrit.

    Edhe pse përsëri u pyet se a është ky aktivitet edhe në kuadër të fushatës zgjedhore, kryeministri nuk ktheu përgjigje.