Ballina

Etiketë: Karl Nehammer

  • Kancelari austriak do të japë dorëheqje pasi dështoi të formojë qeveri të re

    Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, ka thënë se do të japë dorëheqje në ditët në vijim si kancelar dhe si lider i partisë, pas dështimit të bisedimeve për të formuar një koalicion qeveritar.

    Kancelari ka thënë se partia e tij, Partia Popullore konservative – dhe Social Demokratët, nuk janë pajtuar për çështjet kryesore.

    Neoliberalët, një tjetër parti e përfshirë në bisedime, është tërhequr po ashtu të premten.

    Në shtator, Partia e Lirisë – e së djathtës ekstreme – ka shënuar fitore të pashembullt në zgjedhjet e përgjithshme të Austrisë, mirëpo partitë tjera patën thënë se nuk formojnë koalicion me liderin e këtij subjekti politik, Herbert Kickl.

    Kolapsimi i bisedimeve mund të rezultojë me nisjen e bisedimeve të konservatorëve me të djathtën ekstreme, apo edhe me organizim të zgjedhjeve të reja, vlerësojnë analistë.

    Partia e Lirisë – miqësore me Rusinë – ka qenë më parë në pushtet. Ajo duket se do t’i mirëpriste zgjedhjet e reja, pasi sondazhet e opinionit publik sugjerojnë për rritjen e mëtejme të saj edhe pas shtatorit.

    Kjo parti e ka kritikuar presidentin e shtetit, Alexander Van der Bellen për “kaosin e krijuar dhe kohën e humbur”.

    Dalja në zgjedhjet e shtatorit ka qenë 77.3 për qind, ndërsa temat kryesore kanë qenë ato të migrimit, azilit dhe ekonomisë në kohën e luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Kickl pati premtuar se do të rikthente sigurinë për austriakët.

    Partia që udhëheq ai është e ashpër për çështjet e migrimit dhe e promovon idenë e rimigrimit, që përfshin dërgimin e azilkërkuesve në shtetet e origjinës.

    Partia e Lirisë është themeluar nga ish-nazistët në vitet ’50.

    Dy ditë para zgjedhjeve të shtatorit, disa kandidatë janë zënë duke kënduar në një funeral këngë të nazistëve, ndonëse partia më vonë ka mohuar gjithçka/RadioEvropaeLirë/.

     

  • Suedia: Plani i BE-së për migrantët mund të finalizohet në mars

    Bashkimi Evropian mund të finalizojë në mars propozimin për krijimin e të ashtuquajturave “qendra kthimi” për migrantët e paligjshëm, ka thënë të enjten kryeministri suedez, Ulf Kristersson.

    Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi në Vjenë me kancelarin austriak Karl Nehammer, gjithashtu konservator, prandaj dy burrat kanë bërë thirrje që Bashkimi Evropian t’i rrisë përpjekjet për të luftuar migrimin e paligjshëm.

    Rritja e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë në Evropë, ka rezultuar me çuarje përpara të migrimit nëpër agjenda politike.

    Liderët e BE-së kanë thënë në tetor se janë duke analizuar një skemë, sipas së cilës, migrantët që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në bllokun evropian, të dërgohen nëpër disa qendra që konsiderohen të sigurta jashtë territorit të BE-së.

    Kristersson ka thënë se e ka diskutuar skemën me Komisionarin e BE-së për Migrim, Magnus Brunner, i cili e ka siguruar që propozimi do të finalizohet në këtë pranverë.

    “Ekziston një lloj momentumi tani”, ka thënë Kristersson.

    Nehammer e ka përgëzuar Kristerssonin që po e mban çështjen e migrimit lart në agjendën e BE-së, dhe që aktualisht janë 18 shtete brenda Zonës për lëvizje të lirë, Schengen, përfshirë Zvicrën dhe Norvegjinë, që kanë interes të përbashkët në luftimin e valës së migrimit.

    Kancelari austriak ka thënë se qeveritë që kanë shprehur shqetësim kanë arritur “të ndryshojnë plotësisht” diskutimin rreth migrimit, në mënyrë që shtetet pa kufij të jashtëm të BE-së, sikurse Austria, të jenë më të përfshira në diskutimet për këtë temë.

    “Vetëm kur e kuptojmë që problemi duhet zgjidhur bashkë, atëherë e kemi mundësinë që të shënojmë përparim”, ka thënë ai./REL