Ballina

Etiketë: Kapitoli

  • Pas 40 vjetësh, inaugurimi presidencial në SHBA bëhet brenda Kapitolit

    Për herë të parë që prej 40 vjetësh inaugurimi i një presidenti amerikan do të bëhet brenda Kapitolit. Presidenti i zgjedhur Donald Trump do ta bëjë betimin të hënën në ambjentin e mbyllur për shkak të temperaturave tepër të ulëta. Çdo ceremoni inaugurimi presidencial në Washington ka të veçantat e veta, por këtë vit siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti ai do të jetë vërtet ndryshe.

    Orkestra e Marinsave ka interpretuar në çdo inaugurim që nga viti 1801. Por këtë herë, anëtarëve të saj nuk do t’u duhet të shqetësohen se mos instrumentat e tyre ngrijnë, sepse inaugurimi do të mbahet brenda Kapitolit të Shteteve të Bashkuara për shkak të temperaturave të acarta.

    Janë tingujt e tyre që do të shoqërojnë këngën “America the Beautiful” dhe menjëherë pasi Donald Trump të bëjë betimin si president këngën “Hail to the Chief”, interpretuar të dyja nga Carrie Underwood.

    “Edhe pse është hera ime e shtatë, çdo herë është e veçantë. Është pak surreale që jam pjesë e një cope historie dhe që ne jemi të pranishëm në këtë ngjarje madhore jo vetëm për Amerikën, por për gjithë botën. Pra, mund të duken të gjitha njësoj, por nuk janë kurrë të njëjta”, thotë rreshtesi Leslye Barrett i Orkestrës së Marinsave.

    Dhe këtë herë do të jetë vërtet ndryshe. Hera e fundit që temperaturat e ftohta zhvendosën ceremoninë në ambiente të mbyllura ishte viti 1985, kur Ronald Reagan bëri betimin për mandatin e tij të dytë.

    Përgatitjet për pjesëmarrjen e vizitorëve me bileta filluan më shumë se një muaj më parë, përfshirë ndërtimin e një platforme në Kapitol, ndërtimin e stendave të paradës dhe 48 kilometra barriera përgjatë trotuarëve, më shumë se në çdo inaugurim të mëparshëm.

    Mijëra vetë mund të vijnë gjithsesi në Uashington për të ndjekur ceremoninë, mes tyre Zander Goss dhe Olivia Connelly.

    “Nuk kam qenë kurrë më parë. Jam e re në Uashington dhe është moment i mirë”, thotë Olivia.

    “Nëna ime ishte nëntë muajshe shtatzënë me mua në inaugurimin e Xhorxh Bushit, katër ditë para se unë të lindja, kështu që teknikisht është ndoshta inaugurimi im i dytë”, thotë Zander.

    E hëna nderon traditën demokratike, pavarësisht polarizimit të zgjedhjeve.

    “Është një shembull për amerikanët dhe për botën që kemi një tranzicion dhe një qeveri të re”, thotë Anita McBride, e cila ka punuar për katër administrata në Shtëpinë e Bardhë.

    Pas betimit, presidenti zakonisht kalon me limuzinën e tij në një paradë dhe më pas del prej saj për të ecur në këmbë deri në Shtëpinë e Bardhë.

    Por në këtë inaugurim, zoti Trump që sapo do të ketë bërë betimin do të shfaqet më pak se tre kilometra larg Kapitolit në një pallat sporti dhe koncertesh me kapacitet 20,000 persona.

    Historia do ta kujtojë këtë inaugurim të dytë të zotit Trump, me një pamje të ndryshme nga ai i pari./VoA

  • “Një ditë dashurie”: Si e përmbysi Trumpi historinë e dhunshme të 6 janarit

    Presidenti i zgjedhur amerikan dhe aleatët e tij kanë shpenzuar katër vjet duke risajuar sulmin në Kapitol – duke përhapur teori konspiracioni dhe sajuar një histori martirizimi për hesapet e tyre aktuale politike – shkruan gazeta “New York Times”, në një analizë të gjatë katër vjet pas mësymjes së mbështetësve të Donald Trumpit ndaj Kongresit, pasi republikani i kishte humbur Zgjedhjet e vitit 2020 dhe po kundërshtonte certifikimin e presidentit demokrat, Joe Biden.

    Dhe brenda dy javësh, Trumpi pritet të kalojë edhe njëherë nëpërmjet portës harkore të Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, që edhe njëherë të betohet si i zoti i Shtëpisë së Bardhë. Përderisa rituali i Ditës së inaugurimit për bartjen paqësore të pushtetit po përgatitet paqësisht, ai do të shkojë në të njëjtin vend ku u shfaqën skenat e tmerrshme të 6 janarit 2021, kryesisht në emër të tij.

    Menjëherë prapa shpinës së Trumpit do të jenë dyert prej metali e xhami, ku protestuesit, të nxitur prej rrenës së tij se i ishin vjedhur Zgjedhjet e vitit 2020, sulmuan Kapitolin me shufra metalike, gjësende të ndryshme dhe armë të tjera. Në të majtë të tij është pjesa e ndërtesës ku protestuesit e zhurmshëm ua morën anën policëve të paktë në numër. Në të djathtë të tij është pjesa ku ishte gjetur një grua e përgjakur që po vdiste.

    Dhe para tij janë shkallët e mermerta që lëshohen drejt foltores me vulën presidenciale. Në të njëjtat shkallë, katër vjet më parë, flamujt e Trumpit ishin valëvitur mbi turma të egërsuara njerëzish: ku një zyrtar policie ishte tërhequr zvarrë që të rrihej me një flamur amerikan dhe një tjetër polic do të tërhiqej e shkelmohej.

    “Rikthimi i pashpjegueshëm”

    Pas mësymjes së madhe ndaj Kapitolit, karriera e trazuar politike e Trumpit dukej se mori fund, derisa fjalët nxitëse të tij për prijësit e trazirave tronditën edhe liderët e vetë Partisë së tij Republikane, kujton gazeta “The Times”. Një mal faktorësh shpjegojnë kryengritjen e tij tronditëse, por asnjëri prej tyre nuk ta mbushë mendjen sesi ai dhe besnikët e tij ia dolën ta shpëlajnë historinë e 6 janarit – duke e kthyer ankthin politik në aset politik.

    Ajo që filloi si një përpjekje e sforcuar për të shfajësuar zotin Trump nga përgjegjësia për 6 janarin, filloi gradualisht pasi aleatët e tij në Kongres dhe media e hodhën poshtë sulmin dhe ia ridrejtuan fajin turmave të krahut të majtë, demokratëve dhe madje edhe Qeverisë. Rebelët e dhunshëm – të ndjekur penalisht, të dënuar dhe të burgosur – u kthyen disi në martirë patriotë.

    Ky interpretim i përmbysur sfidoi atë që vendi kishte parë me sytë e vet, por i përshtatej mjeshtërisht narrativës së persekutimit që e lidh Trumpin me shumë prej besnikëve të tij. Pasi kandidoi sërish për President, dyfishoi rikthimin e skenarit për trazirat dhe goditjen e saj, duke përfshirë një hetim të Kongresit dhe dy padi penale kundër tij, si pjesë e një viktimizimi të orkestruar. 

    “Hataja amerikane”

    Ajo ditë ishte një hata amerikane, vlerëson “The Times”. Kongresistët po luftonin për sigurinë e tyre. Zëvendëspresidenti, Mike Pence i shpëtoi një turme njerëzish që bërtiste se ai duhej të varej. Shumë njerëz vdiqën gjatë dhe pas trazirave: përfshirë një protestues prej të shtënave të armëve, katër policë nga vetëvrasja dhe më shumë se 14 zyrtarë policie u lënduan në një përleshje të stërzgjatur, që pothuajse e pezulloi çfarë do të duhej të ishte certifikim rutinor i fitores elektorale të kundërshtarit të Trumpit, Joseph R. Biden Jr.

    Por me kthimin e tij në pushtet, zoti Trump tani ka një platformë për ta shpëlarë dhe sajuar sulmin në Kapitol – në atë që e ka quajtur “një ditë dashurie”. Ai është zotuar se do të falë sulmuesit në orën e parë të marrjes së pushtetit, përderisa mbështetësit e tij në Kongres po kërkojnë ngritjen e akuzave penale kundër atyre që hetuan veprimet e tij në atë ditë kaotike.

    Kur është pyetur për riformulimin e sulmit në Kapitol dhe nëse zoti Trump duhet të pranojë ndonjë përgjegjësi për çfarë kishte ngjarë më 6 janar, zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt, në vend të përgjigjes, ka thënë t’i referoheni një deklarate të “humbësve politikë”, të cilët u munduan ta nxjerrin nga binarët karrierën e tij politike dhe pretendoi se “mediat tradicionale ende refuzojnë ta raportojnë të vërtetën për çfarë ndodhi atë ditë”. Ajo ka shtuar se “populli amerikan nuk ra në grackën e frikës që e Majta e ngjallte për 6 janarin”.

    Tregimi për 6 janarin që e rrëfen zoti Trump është soji i vetë teorisë së zëvendësimit, aso që terron faktet e qarta sikurse tepihu i kaltër që mbulon ato shkallë të njollosura të Kapitolit në Ditën e Inaugurimit – shkruan e përditshmja “The Times”.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com