Ballina

Etiketë: kanosje

  • Gjykata e Prishtinës e dënon me 2,000 euro gjobë të akuzuarin për kanosje ndaj prokurorëve që e ftuan kryeministrin Kurti në intervistë

    Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 2,000 euro gjobë të pandehurin Merxhan Rexhepi, i akuzuar për kanosje ndaj dy prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

    “Veç plumbi këta kriminelë të Serbisë i ndal”.

    Ky ishte komenti që Merxhan Rexhepi kishte postuar për dy prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Valdet Gashin dhe Milot Krasniqin, më 12.12.2024.

    I pandehuri obligohet ta paguajë gjobën brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Nëse i pandehuri nuk e paguan gjobën brenda afatit, ajo i zëvendësohet me burg, 20 euro një ditë burg.

    Gjyqtari Sabit Sadikaj bëri të ditur se të akuzuarit Rexhepi nuk i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak dhe i njëjti lihet në liri.

    I pranishëm në gjykatore nuk ishte i akuzuari Merxhan Rexhepi.

    Po ashtu të pranishëm nuk ishin as të dëmtuarit, prokurorët Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi.

    Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtari Sabit Sadikaj në Gjykatën e Prishtinës.

    Dosja e Prokurorisë

    Sipas aktakuzës të datës 23.01.2025, Merxhan Rexhepi po akuzohet se më 12.12.2024, në kohë të pacaktuar, në Prishtinë, ka kanosur seriozisht personat zyrtarë, me fjalët se do t’i privojë nga jeta dhe atë lidhur me punën e pozitën e tyre si prokurorë të shtetit.

    Sipas aktakuzës, në ditën kritike në mediumin “Gjakovarë” është publikuar një shkrim “Prokurori i PDK-së, Valdet Gashi është i njëjti Prokuror që kishte pamundësuar Albin Kurtin me qenë bartës i listës në Zgjedhjet 2021. Sot i njëjti ka nisur një luftë të re ndaj demokracisë në Kosovë. Ky është një sulm frontal i kastës së vjetër… L Haliti.” – ku këtij shkrimi i është bashkëngjitur një foto e prokurorit Valdet Gashi me mbishkrimin në foto: “Prokurori i PDK-së Valdet Gashi”, e shkrimi në fjalë ka të bëjë me ftesën dërguar kryeministrit Albin Kurti për intervistë nga prokurorët e PSRK-së, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi.

    Në dosjen e Prokurorisë thuhet se lidhur me këtë postim, i pandehuri Merxhan Rexhepi komenton dhe poston mbishkrimin: “Veç plumbi këta kriminelë të Serbisë i ndal”, dhe se këto fjalë te personat e kanosur, prokurorët Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, shkaktojnë shqetësim dhe ankth.

    Me këto veprime i pandehuri Merxhan Rexhepi po akuzohet se ka kryer veprën penale – kanosja.

  • I kanosi prokurorët special të cilët e ftuan kryeministrin Kurti në intervistë, Gjykata ia aprovoi të akuzuarit Marrëveshjen për pranimin e fajësisë

    “Veç plumbi këta kriminelë të Serbisë i ndal” – kjo ishte fjalia që Merxhan Rexhepi kishte postuar dhe komentuar për dy prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, më 12.12.2024. I njëjti nga Prokuroria po akuzohet për “kanosje”.

    Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 27.01.2025 ndaj të akuzuarit Merxhan Rexhepi, i akuzuar për kanosjen e dy prokurorëve të Prokurorisë Speciale, është aprovuar Marrëveshja për pranim të fajësisë.

    Me pëlqimin e palëve në procedurë, Aktakuza u konsiderua e lexuar. Ndërsa, lidhur me Marrëveshjen e pranimit të fajësisë mbrojtësja e të akuzuarit Merxhan Rexhepi, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi tha se Marrëveshja e pranimit të fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare nga i mbrojturi i saj dhe i propozoi Gjykatës që këtë Marrëveshje ta aprovojë.

    “Pas konsultimit të mjaftueshëm me të mbrojturin tim, duke i dhënë sqarime ligjore me pranimin e fajësisë dhe arritjes së Marrëveshjes, i mbrojturi im në mënyrë vullnetare ka pranu këtë Aktakuzë e këtë Marrëveshje dhe unë e përkrah. I propozoj Gjykatës që ta aprovojë këtë Marrëveshje.” – tha avokatja Gashi-Bytyqi.

    Propozimin për aprovimin e Marrëveshjes për pranimin e fajësisë e propozoi edhe prokurorja, Ardiana Veseli.

    “I propozojmë Gjykatës që ta aprovojë Marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe të pandehurit t’i shqiptohet dënimi – siç është propozuar në Marrëveshje.” – tha prokurorja Veseli.

    Ndërkaq, gjyqtari i vetëm gjykues Sabit Sadikaj mori Aktvendim – duke aprovuar Marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

    Tutje, mbrojtësja e të akuzuarit Rexhepi, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi kërkoi nga Gjykata që të pandehurit Rexhepi t’i ndërprehet masa e arrestit shtëpiak, me arsyetimin se i njëjti është mbajtës i familjes e ka punë në Gjermani dhe qëndrimi i mëtutjeshëm në këtë masë po i pengon punën në Gjermani.

    Në seancë të pranishëm nuk ishin pala e dëmtuar, prokurorët Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi.

     

    Çfarë thotë Aktakuza?

    Sipas Aktakuzës së datës 23.01.2025, Merxhan Rexhepi po akuzohet se më 12.12.2024, në kohë të pacaktuar në Prishtinë, kanos seriozisht personat zyrtarë, me fjalët se do t’i privojë nga jeta dhe atë lidhur me punën e pozitën e tyre si Prokuror të Shtetit.

    Sipas Aktakuzës në ditën kritike në mediumin “Gjakovarë” është publikuar një shkrim “Prokurori i PDK-së, Valdet Gashi është i njëjti Prokuror që kishte pamundësuar Albin Kurtin me qenë bartës i listës në Zgjedhjet 2021. Sot i njëjti ka nisur një luftë të re ndaj demokracisë në Kosovë. Ky është një sulm frontal i kastës së vjetër… L Haliti.” – ku këtij shkrimi i është bashkëngjitur një foto e prokurorit Valdet Gashi me mbishkrimin në foto “Prokurori i PDK-së Valdet Gashi”, e që shkrimi në fjalë ka të bëjë me ftesën dërguar kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti për intervistë nga prokurorët e PSRK-së, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi”.

    Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se lidhur me këtë postim i pandehuri Merxhan Rexhepi komenton dhe poston mbishkrimin “Veç plumbi këta kriminelë të Serbisë i ndal”, e që këto fjalë te personat e kanosur, prokurorët Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi shkaktojnë shqetësim dhe ankth.

    Me këto veprime i pandehuri Merxhan Rexhepi po akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja”.

     

     

  • Kanoset një kameraman në Leposaviq – Policia fillon hetimet

    Një kameraman ka raportuar në Policinë e Kosovës se, më 21.01.2025, gjatë punës së tij ishte kanosur, në fshatin Gnezane të Leposaviqit.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka të arrestuar, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori.

  • Arrestohen dy persona për kanosje ndaj një gazetari

    Dy persona të dyshuar janë arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se kanë kanosur një gazetar përmes rrjeteve sociale.

    Sipas Raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, kanosja dyshohet se ka ndodhur më 18 dhe 19.01.2025.

    Në njoftimin e datës 24.01.2025 bëhet e ditur se pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    Rasti i cili ka ndodhur më 23.01.2025 është inicuar, si: “kanosje”.

  • Kanosi viktimën e fajdesë duke i kërkuar të tërheqë deklaratën, arrestohet i dyshuari

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, pas disa hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arritur të arrestojnë në pikën kufitare në Merdarë një person, pasi i njëjti dyshohet se ka kanosur një viktimë të fajdesë.

    Në njoftim thuhet se i dyshuari e kishte kanosur viktimën përmes rrjetit social Facebook – duke i shkruar mesazhe me përmbajtje kërcënuese dhe duke kërkuar nga ai të tërhiqej nga deklarata në rastin e fajdesë.

    “I pandehuri i arrestuar dyshohet se më 06.12.2024 ka kanosur viktimën e fajdesë, përmes rrjetit social Facebook – duke i shkruar mesazhe me përmbajtje kërcënuese, duke kërkuar nga i njëjti që të tërhiqet nga deklarata në rastin e fajdesë që kjo Prokurori e ka nën hetim. I njëjti ka lidhje të afërta familjare me të dyshuarin, i cili gjendet në paraburgim për veprën penale ‘fajdeja’, nga Neni 331 sipas KPRK-së.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

    I arrestuari është nën masën e ndalimit 48-orësh, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.