Ballina

Etiketë: kaçanik

  • Dyshohet se u dhunuan seksualisht nga një familjar i tyre sa ishin të mitura, kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit

    Dy vajza kanë raportuar në Policinë e Kosovës, më 21.01.2025, se janë dhunuar seksualisht nga një familjar i tyre gjatë periudhës 2012-2019.

    Prokuroria në Ferizaj e ka konfirmuar për KALLXO.com se në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale, viktimat kanë qenë të moshës së mitur.

    I dyshuari për kryerjen e dhunimit është arrestuar disa ditë më vonë, më 29.01.2025. Me vendim të Prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

    KALLXO.com mëson se viktimat janë familjare mes vete dhe po ashtu kanë lidhje familjare me të dyshuarin.

    Po ashtu, KALLXO.com mëson se i dyshuari është mbrojtur në heshtje para Policisë së Kosovës.

    Vjosa Baftiu, zëdhënëse në Prokurorinë e Ferizajit, tha se kanë bërë Kërkesën për caktimin e paraburgimit.

    Ndërsa, më 31.01.2025, do të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.

     

  • Kaçanik, arrestohet një 28-vjeçare për vjedhjen e një veture “BMW X5”

    Pas arrestimit të 35-vjeçarit P.L. më 17.01.2025, Policia ka njoftuar se sot, më 21.01.2025, është arrestuar edhe 28-vjeçarja F.L.

    Këta dy persona dyshohen për vjedhje të rëndë në afërsi të Kaçanikut më 23.10.2024.

    Fjala është për vjedhjen e një veture “BMW X5” me targa vendore.

    Sipas Policisë, nga hetimet rezulton se vetura ishte nxjerrë jashtë kufirit të Kosovës dhe ishte shitur.

    “Pas intervistimit dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, e dyshuara është ndaluar për 48 orë”- thuhet në njoftim.

    https://kallxo.com/lajm/kapet-i-dyshuari-per-vjedhjen-e-vetures-ne-kacanik-bmw-x-5-ishte-shitur-jashte-vendit/

     

     

  • Han i Elezit – Qytetari i dorëzon në Polici 150 euro që i gjeti në një restorant

    Policia e Kosovës ka njoftuar se qytetari 56-vjeçar, H. Gashi nga Kaçaniku ka dorëzuar në Polici 150 euro, të cilën e ka gjetur në një restorant në Han të Elezit. 

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 17.01.2025, rreth orës 19:00 dhe ka arritur të identifikojë se kujt i takojnë paratë.

    “Rreth një orë më vonë, përmes kamerave të sigurisë policët kanë arritur të identifikojnë personin V. B., të cilit i kanë humbur paratë dhe e kanë ftuar në Stacionin e Policisë. Pas kryerjes së procedurave të verifikimit, paratë, që rezultuan të jenë 150 euro, i janë kthyer personit V.B.” – njofton Policia.

    Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka thënë se e ka falënderuar qytetarin H. Gashi, për gjestin e tij human dhe shembullor – duke treguar një standard të lartë të përgjegjësisë qytetare dhe të bashkëpunimit me Policinë.

  • Kapet i dyshuari për vjedhjen e veturës në Kaçanik, ‘BMW X-5’ ishte shitur jashtë vendit

    Policia në Kaçanik ka arrestuar 35-vjeçarin, P.L., i cili dyshohet se kishte kryer vjedhje të rëndë në afërsi të Kaçanikut vitin e kaluar.

    Sipas njoftimit të Policisë, më 23.10.2024, rreth orës 21:10 është raportuar një rast i vjedhjes së një veture BMW X-5 me targa vendore.

    “Vetura ishte parkuar në rrugën magjistrale Kaçanik-Ferizaj, në afërsi të Kaçanikut. Pas një pune të gjatë hetimore dhe grumbullimit të informacioneve në terren, është identifikuar i dyshuari… Nga hetimet rezulton se vetura ishte kaluar jashtë kufirit të Kosovës dhe ishte shitur.” – njofton Policia, më 17.01.2025.

    Pasi është intervistuar nga hetuesit policorë, Policia thotë se P.L. është ndaluar për 48 orë. 

    “Në lidhje me rastin, në cilësinë e dëshmitarëve, janë intervistuar edhe dy persona të tjerë, shtetas të huaj.” – ka thënë Policia.

  • Kaçanik, ish-qeveritarët Kurti i quan “të pashpresë” dhe “të pabesë”

    Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Kaçanikut më 14.01.2025.

    Ai ndër të tjera ka përmendur edhe ish-qeveritarët e Kosovës, të cilët i ka quajtur “të pabesë”.

    “Ish-qeveritarët që populli i njeh mirë ishin mendjelehtë e zemërgurë, e ne që jemi bashkë jemi edhe mendjemprehtë, edhe zemërgjerë. Ne bashkë me mendje sjellim shpresë sepse me zemër kemi besë. Ish-qeveritarët janë edhe të pashpresë, edhe të pabesë”- është shprehur Kurti.

    Ai ka thënë se Qeveria e tij e ka rritur 44 për qind buxhetin për komunat e Kosovës, duke thënë se ka ndihmuar komunat e banorët e vendit pa diskriminim.

    Kurti tha se Kosovën e ka gjetur me 350 mijë të punësuar, ndërsa sipas tij, tash janë 80 mijë të punësuar më shumë.

    “80 mijë për katër vjet, janë mesatarisht 55 të punësuar çdo ditë. Me programin ‘Super Puna’ janë punësuar 14 mijë të rinj”- ka thënë ai.

    Ndërsa ka shtuar se Lëvizjes Vetëvendosje i nevojitet një fitore si asnjëherë tjetër, me gjysmë milion vota.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.