Ballina

Etiketë: Jimmy Carter

  • Në nderim të ish-presidentit Carter, flamuri i Kosovës në Uashington DC ulet në gjysmështizë

    Flamuri i Kosovës, i vendosur pranë Ambasadës në Uashington D.C, po valëvitet në gjysmështizë.

    Siç ka njoftuar kjo Ambasadë, arsyeja është në nderim të ish-presidentit James “Jimmy” Carter.

    Sot më 09.01.2025, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka ulur në gjysmështizë flamurin amerikan në nderim të ish-presidentit James Carter, i cili vdiq më 29.12.2024.

    Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter ka vdekur në moshën 100-vjeçare.

    Carter jetoi më gjatë se çdo President tjetër në histori dhe festoi 100-vjetorin e lindjes në tetor 2024.

    Demokrati shërbeu si President i SHBA-së nga viti 1977 deri në 1981 – periudhë e mbushur me kriza ekonomike e diplomatike.

    Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë me një nivel të ulët pëlqyeshmërie, reputacioni i tij u rikthye përmes punës humanitare, që i solli Çmimin Nobel për Paqe.

  • Funerali shtetëror për ish-Presidentin Jimmy Carter

    Në shtetin e Xhorxhias, vendlindjen e ish-Presidentit Jimmy Carter po vazhdojnë ceremonitë në nderim të jetës dhe trashëgimisë së tij.

    Gjashtë ditët e funeralit për Presidentin e 39 të Shteteve të Bashkuara filluan të shtunën në Xhorxhia, ku ai vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare.

    Këto ditë, dielli shkëlqen ndryshe mbi qytetën Plains të Xhorxhias, për Philip Kurlandin, pronar i një dyqani, ndërsa ai dhe të tjerë në këtë komunitet rural prej 700 vetësh vajtojnë ndarjen nga jeta të banorit të tij më të famshëm, Jimmy Carter.

    “Po shpresonim që të planifikonim festimet për ditëlindjen e tij të 101, por ai do të jetë pranë Rosalynnës, do të jetë në diku larg, më mirë, ndërsa sa jetoi bëri gjithçka që mundi për këtë komunitet dhe për tërë botën”, shprehet Philip Kurland, pronar i dyqanit “Plains Trading Post”.

    Ndërsa për agjentët e shërbimit sekret, që e mbrojtën atë për afro 5 dekada në më shumë se 140 shtete ai njihej me emrin e koduar “Deacon”, (një emër që reflektonte besimin e tij të fortë fetar), Jimmy Carter është më shumë se një ish-President dhe një humanitar për ata që jetuan krah tij në këtë vend, që ai e quajti shtëpi, për një shekull.

    Ndërsa makina e funeralit me trupin e zotit Carter dhe autokolona që e shoqëronte kalonte përmes qytezës Plains, duke shënuar fillimin e 6 ditëve të funeralit shtetëror në nderim të tij, zoti Kurland kujton ndikimin që pati tek ai personalisht, ish-Presidenti. “Ishte heroi im”, thotë ai.

    “Është fillimi dhe fundi”, thotë Jill Stuckey nga Parku Kombëtar Historik “Jimmy Carter”.

    Jill Stuckey është mikeshë e familjes Carter dhe mbikqyrëse e Parku Kombëtar Historik “Jimmy Carter”, që përfshin edhe fermën në pronësi të familjes së tij, në Archer, një prej ndalesave të autokolonës me trupin e zotit Carter. “Një president fillon të planifikojë funeralin e tij një ditë pasi është zgjedhur, kështu që funerali është planifikuar për dekada të tëra”, shprehet zonja Stuckey.

    Një plan që zonja Stuckey dhe të tjerë po e ndjekin plotësisht.

    “Nuk e kam vajtuar akoma. Ka të ngjarë ta bëj kur funerali shtetëror të ketë mbarur”, shprehet Kim Fullerm, mbesa e ish-Presidentit Jimmy Carter.

    Kim Fuller është mbesa e Jimmy Carter, vajza e vëllait të tij të njohur Billy Carter. Ajo është gjithashtu fqinja e tij në qytezën Plains dhe vazhdon trashëgiminë e ish-Presidentit në Kishën Baptiste Maranatha, ku vetë zoti Carter, një i krishterë evangjelist i përkushtuar, jepte mësim në orët e katekizmit, që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë në 1981.

    Ndërsa e pranon se aktivitetet e funeralit po e mbajnë të zënë, ajo thotë se ka momente të vështira reflektimi.

    “Në një moment ndjeva shumë trishtim, po i bëjmë të gjitha këto sepse ai ka vdekur, nuk kthehet më. U desh të largohesha për pak. Ka çaste kur më kaplon një trishtim i madh”, thotë Kim Fuller.

    Ndërsa forcat e ushtrisë amerikane mbajnë arkivolin ish-Presdentit Carter të mbuluar me flamurin amerikan, në Qendrën Presidenciale Carter në Atlanta, mijëra vizitorë, si Walter Ramsey kanë mundësinë të nderojnë Presidentin e vetëm nga shteti i Xhorxhias.

    “Nuk e kam jetuar periudhën e Presidencës së tij, por ky funeral na ndihmon të ndjejmë sikur e kemi njohur Jimmy Carterin”, shprehet Walter Ramsey, banor i Atlantas.

    Njerëzit do të kenë mundësi që të bëjnë homazhe në nderim të ish-Presidentit Jimmy Carter në Qendrën Presidenciale Carter deri të martën, ditë kur trupi i tij do të zhvendoset në Kapitolin e shtetit të Xhorxhias, për ceremonitë shtetërore. Trupi i tij do të rikthehet në Xhorxhia në 9 janar, për ceremoni shtetërore dhe private.

    Ish-Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara do të prehet në qytetën Plains./VOA.

  • Osmani nënshkruhet në Librin e Zisë për ish-presidentin Carter: Shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mё 06.01.2025, u nënshkrua në Librin e Zisë për ish presidentin Jimmy Carter, të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë.

    Ajo u ka shprehur ngushëllime familjes dhe popullit amerikan për ndarjen nga jeta të ish-presidentit duke shkruar ndër të tjera “shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë”.

    Sipas Osmanit, angazhimi i përhershëm i Carter për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, frymëzoi breza liderësh në mbarë botën.

    “Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Carter dhe popullit amerikan për ndarjen nga jeta të Presidentit Jimmy Carter. Angazhimi i përhershëm i Presidentit Carter për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, frymëzoi breza liderësh në mbarë botën. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit na kujton të gjithëve se lidershipi i vërtetë nuk ka të bëjë me fuqinë, por me humanizmin, integritetin dhe mbrojtjen e kauzave”- ka shkruar Osmani.

    Ndёrsa ka thёnё se Kosova gjithmonë do ta nderojë trashëgiminë e tij si një kampion për liri, integritet dhe dinjitet.

    “Shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve dhe shembëlltyra e tij qoftë një bekim për të gjithë ata që luftojnë për një botë më të mirë dhe më të drejtë”- ka thёnё ajo.

    Jimmy Carter ka vdekur në moshën 100 vjeçare, më 29.12.2024.

    Carter jetoi më gjatë se çdo President tjetër në histori dhe festoi 100-vjetorin e lindjes në tetor 2024.

    Demokrati shërbeu si President i SHBA-së nga viti 1977 deri në 1981 – periudhë e mbushur me kriza ekonomike e diplomatike.

    Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë me një nivel të ulët pëlqyeshmërie, reputacioni i tij u rikthye përmes punës humanitare, që i solli Çmimin Nobel për Paqe.

  • Washingtoni shton masat e sigurisë

    Forcat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë në Washington dhe në zonën përreth po mobilizojnë përforcime, ndërsa përgatiten për sigurimin e tre aktiviteteve të rëndësishme në kryeqytetin e vendit. Këto zhvillime vijnë pas sulmit në ditën e Vitit të Ri në New Orleans dhe shpërthimit në kamionin Cybertruck, të kompanisë Tesla, përpara Hotelit Ndërkombëtar Trump në Las Vegas.

    Aktiviteti i parë do të mbahet të hënën (06.01.2025), kur Kongresi i ri mblidhet për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, katër vite pas trazirave të 06.01.2021 në Kapitol.

    Aktiviteti i dytë do të jetë funerali shtetëror për ish-presidentin Jimmy Carter, duke filluar me ceremoni që fillojnë të martën (07.01.2025) dhe përfundojnë të enjten (09.01.2025).

    Aktiviteti i fundit do të jetë më 20.01.2025, kur do të inaugurohet presidenti i zgjedhur Donald Trump.

    “Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë. Kemi tre aktivitete (të veçanta të sigurisë kombëtare) brenda një periudhe prej 15 ditësh”, u tha të premten (03.01.2024) gazetarëve Matt McCool, nga zyra në Washington e Shërbimit Sekret.

    “Por, dua t’ju them se u përshtatemi nevojave. Kemi punuar prej vitesh për aktivitete të tilla. Kështu që do të jemi të përgatitur”, tha ai.

    Megjithë shqetësimet e krijuara pas sulmit në New Orleans dhe shpërthimin në Las Vegas, zyrtarët e sigurisë deri më tani kanë besim se aktivitetet në Washington do të zhvillohen të sigurta.

    “Nuk kemi ndonjë kërcënim të besueshëm apo konkret në lidhje me këto aktivitete”, tha David Sundberg, ndihmës drejtor në zyrën e FBI-së në Washington.

    Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të sigurisë kanë marrë masa të shtuara, duke patur parasysh se qyteti dhe rajoni po përballen me një mjedis me rrezikshmëri të shtuar.

    Shërbimi Sekret tha të premten (03.01.2025) se po sillte agjentë nga i gjithë vendi për të rritur praninë, e cila ishte sidoqoftë në nivelin më të lartë të tre viteve të fundit.

    Departamenti Metropolitan i Policisë së Washingtonit tha se ka shtuar rreth 4 mijë policë nga departamente të ndryshme nga mbarë vendi.

    Garda Kombëtare e kryeqytetit konfirmoi se ka miratuar kërkesa për mbështetje të mëtejshme, përfshirë vendosjen në dispozicion të 500 anëtarëve të tjerë të gardës, për certifikimin e zgjedhjeve në 06.01.2025 dhe oficerët ndërlidhës për funeralin shtetëror.

    Po shqyrtohet edhe një kërkesë shtesë për 7,800 ushtarakë të tjerë nga garda për sigurimin e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Trump.

    “Një mori masash sigurie, të dukshme dhe të padukshme, do të merren në koordinim, për t’u siguruar mirëfunksionimi i planit gjithëpërfshirës”, tha agjenti i Shërbimit Sekret, McCool.

    Policia e Washingtonit njoftoi se masat e rritura të sigurisë hyjnë në fuqi të dielën (05.01.2025). Oficerë të specializuar do të dislokohen në mbarë qytetin për të qenë në gatishmëri në rast të ndonjë emergjence.

    Policia e Kapitolit, e cila ka 2,400 oficerë dhe punonjës civilë që janë përgjegjës për mbrojtjen e Kapitolit dhe anëtarët e Kongresit, njoftoi se është tashmë më e përgatitur për emergjencat, krahasuar me katër vite më parë./VoA