Ballina

Etiketë: Jack Smith

  • Jack Smith jep dorëheqje nga Departamenti i Drejtësisë

    Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, ka dhënë dorëheqje nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, pasi e ka dorëzuar raportin hetues ndaj presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

    Departamenti i Drejtësisë e bëri të ditur largimin e tij të shtunën mbrëma, duke thënë se ai dha dorëheqje të premten.

    Dorëheqja e tij, 10 ditë para se Trumpi ta marrë detyrën, vjen pas përfundimit të pasuksesshëm të dy ndjekjeve penale kundër Trumpit, të cilat pushuan pasi Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në nëntor.

    Tash çështje është fati i një raporti dyvolumesh që Smithi dhe ekipi i tij e kishin përgatitur gjatë hetimit të tyre të dyfishtë për përpjekjet e Trumpit për ta zhbërë humbjen e tij kundër presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 dhe keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara në resortin e tij, Mar-a-Lago.

    Departamenti i Drejtësisë pritej ta bënte publik raportin në ditët e fundit të administratës Biden, por një gjykatëse e emëruar nga Trumpi, e cila e udhëhoqi rastin e dokumenteve të klasifikuara, e pranoi kërkesën e mbrojtjes që publikimi i raportit të shtyhej të paktën përkohësisht.

    Dy nga bashkëpandehurit e Trumpit në atë rast, shërbyesi i tij personal, Walt Nauta, dhe menaxheri i pronës në Mar-a-Lago, Carlos De Oliveira, argumentuan se publikimi i raportit do të ishte padrejtësisht paragjykues, një argument që edhe ekipi ligjor i Trumpit e mbështeti.

    Departamenti u përgjigj duke thënë se do ta mbante të fshehtë nga publikimi vëllimin e dokumenteve të klasifikuara për aq kohë që proceset penale kundër Nautas dhe De Oliveiras mbeten pezull.

    Megjithatë, prokurorët thanë se e kanë ndër mend të vazhdojnë me publikimin e vëllimit që lidhet me ndërhyrjen në zgjedhje.

    Në një mocion urgjent të premten mbrëma, ata kërkuan nga Gjykata e Apelit me bazë në Atlanta që ta heqë menjëherë një ndalesë të vendosur nga gjykatësja e Qarkut Aileen Cannon, e cila kishte ndaluar publikimin e ndonjë pjese të raportit.

    Ata i thanë veçmas Cannonit të shtunën se ajo nuk ka autoritet për të ndaluar publikimin e raportit, por ajo u përgjigj me një urdhër që kërkonte nga prokurorët të dorëzonin një material shtesë deri të dielën.

    Gjykata e Apelit e hodhi poshtë të enjten një kërkesë urgjente të mbrojtjes për të bllokuar publikimin e raportit për ndërhyrjen në zgjedhje, i cili mbulon përpjekjet e Trumpit para trazirave në Kongres më 6 janar 2021 për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të 2020-ës. Por, gjykata e la në fuqi ndalesën e Cannonit që asnjë nga gjetjet nuk mund të publikohen deri tri ditë pas zgjidhjes së çështjes nga Gjykata e Apelit.

    Departamenti i Drejtësisë i tha Gjykatës së Apelit në mocionin e tij urgjent se urdhri i Cannonit ishte “qartësisht i gabuar”.

    Rregulloret e Departamentit të Drejtësisë kërkojnë që prokurorët e posaçëm të përpilojnë raporte në përfundim të punës së tyre, dhe është zakon që dokumente të tilla të bëhen publike pavarësisht temës së tyre.

    William Barr, prokuror i përgjithshëm gjatë mandatit të parë të Trumpit, e publikoi një raport të prokurorit të posaçëm që shqyrtonte ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, dhe lidhjet e mundshme me fushatën e Trumpit.

    Prokurori i përgjithshëm i Biden, Merrick Garland, ka publikuar gjithashtu raporte të prokurorëve të posaçëm, përfshirë ato për trajtimin e informacionit të klasifikuar nga Biden përpara se të bëhej president./REL

  • SHBA, Departamenti i Drejtësisë do të publikojë pjesën e raportit të Prokurorit të Posaçëm Smith për ndërhyrjen në zgjedhje  

    Departamenti i Drejtësisë thotë se do të publikojë përfundimet e Prokurorit të Posaçëm Jack Smith lidhur me përpjekjet e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, por jo pjesën tjetër të raportit për momentin.

    Ky vendim u bë i njohur në një dokument dorëzuar të mërkurën në një gjykatë federale të apelit, e cila po shqyrton një kërkesë të avokatëve mbrojtës për të bllokuar publikimin e raportit me dy vëllime, ndërsa mbetet pezull çështja e akuzave ndaj dy të pandehurve të tjerë, në çështjen kur akuzohej ish-presidenti republikan dhe tashmë Presidenti i zgjedhur për marrjen e paligjshme të dokumentave të klasifikuara.

    Aileen Cannon, gjyqtarja e çështjes së dokumenteve të klasifikuara, e emëruar nga zoti Trump, e pranoi kërkesën të martën, duke lëshuar një bllokim të përkohshëm për raportin.

    Departamenti i Drejtësisë tha se do të vazhdojë me planet për të publikuar pjesën e raportit për çështjen e ndërhyrjes në zgjedhje, por pjesën për dokumentet e klasifikuara të raportit do ta vërë në dispozicion vetëm për kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve Juridike të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, përsa kohë vazhdon çështja për dy të pandehurit e tjerë.

    Nuk është ende e qartë se kur mund të publikohet pjesa e raportit për ndërhyrjen në zgjedhje.

    Në dokument i kërkohet Gjykatës së Apelit në Atlanta që të anulojë urdhrin e gjykatëses Cannon, që dukej se të paktën përkohësisht ndaloi publikimin e të gjithë raportit.

    Departamenti i Drejtësisë tha se autoriteti i Prokurorit të Përgjithshëm për të publikuar pjesën e raportit të Prokurorit të Posaçëm Smith për ndërhyrjen në zgjedhje është “i qartë” dhe se të pandehurit e tjerë të çështjes së dokumentave të klasifikuara, dy punonjës të Mar-a-Lagos. nuk kanë asnjë argument ligjor për të bllokuar publikimin e një pjese të raportit që nuk ka lidhje fare me ta.

    Raporti pritej të detajonte gjetjet dhe vendimet e akuzave në dy hetimet e zotit Smith. Hetimi për dokumentet e klasifikuara u hodh poshtë në korrik nga gjykatësja Cannon, e cila arriti në përfundimin se emërimi i Smith ishte i paligjshëm.

    Ekipi i Prokurorit Smith vendosi t’i pushojë të dyja rastet në nëntor, pas fitores së zotit Trump, duke iu referuar një praktike të hershme të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilës, presidentët që janë duke ushtruar detyrën, nuk mund të jenë subjekt i hetimeve federale./ VOA

  • Gjykatësja bllokon përkohësisht publikimin e Raportit të prokurorit Smith për Trumpin

    Një gjykatëse federale bllokoi përkohësisht publikimin e Raportit të Prokurorit të Posaçëm Jack Smith mbi hetimet e tij ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump, ndërkohë që Gjykata e Apelit po shqyrton kërkesën e avokatëve për të mos i publikuar ato.

    Gjykatësja Aileen Cannon e mori vendimin të martën, pas kërkesës urgjente të avokatëve të mbrojtjes për t’ia ndaluar Departamentit të Drejtësisë publikimin e Raportit – një hap që Prokurori Smith tha se mund të bëhej që të premten.

    Çështja po trajtohet në Gjykatën e Apelit në Atlanta.

    Zoti Trump reagoi duke thënë se “Raporti do të jetë i rremë, ashtu siç ishin edhe hetimet e tij”.

    Prokurori i Posaçëm Smith tha të martën se ekipi i tij po finalizonte Raportin mbi dy çështjet që ai hetoi rreth Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe të paktën njëri prej tyre mund të publikohej që të premten.

    Ai e bëri këtë deklaratë si përgjigje ndaj kërkesës së avokatëve të zotit Trump, që i kishin kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland të bllokonte paraprakisht Raportin para se ai të bëhej publik.

    Raporti pritet të përshkruajë gjetjet që çuan në ngritjen e akuzave nga Prokurori Smith për dy Aktpadi të veçanta: atë të marrjes së dokumenteve sekrete dhe dërgimin e tyre në pronën e zotit Trump në Mar-a-Lago, si dhe përpjekjet e ish-Presidentit për të përmbysur rezultatin e Zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 para trazirave të 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol.

    Çështja e dokumenteve sekrete, për të cilën u akuzua zoti Trump dhe dy të pandehur të tjerë, u pushua në muajin korrik nga një Gjykatëse që ishte emëruar nga vetë zoti Trump kur ai ishte President. Gjykatësja e pushoi çështjen nën argumentin se emërimi i Prokurorit të Posaçëm Smith ishte bërë në shkelje të ligjit. Ndaj zotit Trump ishte ngritur edhe një Aktpadi tjetër për ndërhyrje në procesin zgjedhor, por akuzat në Aktpadi u kufizuan ndjeshëm pas Vendimit të Gjykatës së Lartë mbi imunitetin e gjerë që gëzojnë Presidentët.

    Ekipi i Prokurorit Smith vendosi t’i pushojë të dyja rastet në nëntor, pas fitores së zotit Trump, duke iu referuar një praktike të hershme të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilës Presidentët që janë duke ushtruar detyrën nuk mund të jenë subjekt i hetimeve federale.

    Avokatët mbrojtës të zotit Trump, përfshirë avokatin Todd Blanche, i cili është emëruar nga ai për të shërbyer si Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Administratën e re, i bënë thirrje Prokurorit të tanishëm të Përgjithshëm Garland përmes një letre, që u bë publike në orët e vona të hënën, që ta bllokonte publikimin e Raportit dhe ta largonte prokurorin Smith “menjëherë”, ose t’ia delegonte vendimin për publikimin e Raportit Prokurorit të ardhshëm të Përgjithshëm.

    Me një gjuhë të ngjashme me sulmet e zotit Trump ndaj prokurorit Smith dhe punës së tij, avokati Blanche i shkruante prokurorit Garland se “publikimi i një Raporti konfidencial, të përgatitur nga një qytetar privat, i cili ka dalë jashtë kontrollit dhe, që në shkelje të Kushtetutës, hiqet si Prokuror, do të ishte një veprim politik i jashtëligjshëm, që synon të dëmtojë presidentin Trump dhe të justifikojë paratë e taksapaguesve, të cilat zoti Smith i shpenzoi në kundërshtim me Kushtetutën për hetimet e tij të dështuara dhe të hedhura tashmë poshtë”.

    Si kundërpërgjigje ndaj kësaj kërkese, ekipi i prokurorit Smith tha të martën se do t’ia dorëzonte Raportin prokurorit Garland në orët e pasdites dhe se pjesa e parë, që ka të bëjë me hetimet mbi dokumentet sekrete, nuk do të bëhej publike para orës 10 të mëngjesit të ditës së premte. Pritshmëria është që të dyja pjesët e Raportit të prokurorit Smith të publikohen në të njëjtën kohë.

    Sipas Rregulloreve të Departamentit të Drejtësisë, prokurorët e posaçëm duhet të dorëzojnë një Raport konfidencial rreth gjetjeve të hetimeve të tyre te Prokurori i Përgjithshëm.

    Prokurori i Përgjithshëm Garland deri më tani i ka publikuar në tërësi Raportet e hartuara nga Prokurorët e Posaçëm të cilët kanë vepruar nën mbikëqyrjen e tij, përfshirë Raportin e prokurorit Robert Hur mbi hetimet për dokumentet sekrete nga koha kur ishte Nënpresident, që iu gjetën në mjediset private presidentit Joe Biden, si dhe Raportin e prokurorit John Durhman mbi hetimet e FBI-së për ndërhyrjet ruse në Zgjedhje./ VOA