Ballina

Etiketë: Istog

  • Raportohen dy vdekje të dyshimta brenda një dite

    Policia raporton për dy vdekje të dyshimta, në raste të ndryshme. 

    Në Istog, Policia thotë se dje më 28.01.2025, një person ka raportuar për një burrë se ishte pa shenja jete. 

    “Njësitë relevante kanë dalur në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.” – njofton Policia. 

    Ndërkaq, me vendim të Prokurorit, trupi i viktimës thuhet se është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për ekzaminim. 

    Një vdekje e dyshimtë është raportuar edhe në Obiliq, dje më 28.01.2025. Ku një burrë është gjetur pa shenja jete.  

    Policia thotë se në vendin e ngjarjes kanë dalur Njësitë relevante, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Me vendim të Prokurorit, viktima është dërguar për ekzaminim në IML – thekson Policia e Kosovës. 

  • Gërvalla në Istog: LDK-ja e Rugovës ka vdekur, shpirti i tij jeton në Partinë Guxo

    Kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, gjatë tubimit në Istog më 16.01.2025 i ka ftuar votuesit tradicionalë të Lidhjes Demokratike të Kosovës ta votojnë partinë e saj në zgjedhjet që mbahen më 09.02.2025.

    Sipas saj, qytetarët duhet t’u besojnë atyre që përfaqësojnë presidentin tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova me dinjitet e jo atyre që, sipas saj, e përdorin atë si figurë marketingu.

    Ajo ka thënë se “LDK-ja e Rugovës ka vdekur”.

    “LDK-ja e Rugovës ka vdekur të nderuar zonja e zotërinj, por shpirti i tij jeton në Partinë GUXO. Kushdo që pyet nga vjen GUXO dhe çka na shtyn përpara mund ta shohë që Rugova është në GUXO jo më në lidhjen e re, rrugën e re, në qorrsokak. Unë i ftoj votuesit tradicionalë të LDK-së, nëse ende besoni në vizonin e presidentit Rugova, në një të djathtë të qëndrueshme që ndjek në radhë të parë interesin e Kosovës, derën e keni të hapur në Partinë Guxo. Besojuni atyre që përfaqësojnë Rugovën me dinjitet, jo atyre që e përdorin si figurë marketingu apo atyre që e luftuan, si Isa”- ka thënë ajo.

    Ndërsa, kandidati i LVV-së, për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se në rrugëtimin e tyre katërvjeçar nuk e kanë harruar asnjëherë Istogun.

    Sipas tij, në arsim i kanë ndarë 1.2 milion euro për dy shkolla në fshatrat e kësaj komune.

    “Përveç arsimit, bujqësisë, ushtrisë, kemi investuar dhe po investojmë në Istog edhe në shëndetësi. Për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog punimet kanë filluar”- ka thënë ai.

    Kurti ka thënë se komunat e Kosovës kurrë nuk kanë pasur kaq shumë ngritje të buxhetit sesa në Qeverinë Kurti.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Aksident trafiku në Istog, lëndohen shtatë persona

    Shtatë persona kanë mbetur të lënduar në një aksidenti trafiku që ka ndodhur më 09.01.2025 në fshatin Shushicë të Istogut.

    Fadil Gashi, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, ka thënë për KALLXO.com se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:00, dhe në të janë përfshirë katër vetura.

    “Shtatë persona janë lënduar dhe kanë kërkuar tretman mjekësor, ku sipas mjekut kujdestar janë jashtë rrezikut për jetë”- ka thënë Gashi.

    Gashi ka thënë se njësitet kompetente janë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë hetimet për rastin.

  • Babë e bir probleme me ligjin, njëri dyshohet se përdori armën e tjetri e sulmoi gruan me të cilën bashkëjetonte

    Babë e bir në Istog janë përballur me organet e rendit, më 02.01.2025, pasi të njëjtit po dyshohen se kryen vepra penale: atë “dhunë në familje” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Policia ka njoftuar se është arrestuar një burrë, pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike, si dhe e kishte kërcënuar me armë një grua, me të cilën bashkëjetonte prej disa ditësh.

    Në anën tjetër, babai i të dyshuarit për “dhunë në familje” – sipas Policisë – dyshohet se në ndërrimin e motmoteve kishte gjuajtur me armë zjarri në ajër.

    Pas marrjes së informacionit për “dhunë në familje” Policia kishte dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa kishte konfiskuar edhe armën që dyshohet se ishte përdorur edhe në ndërrimin e motmoteve.

    Në këtë rast nuk ka pasur ndonjë person të lënduar, ndërsa viktima e dhunës në familje, sipas Raportit të Policisë, me dëshirën e saj, pasi dyshohet se ishte rrahur nga partneri, është kthyer te familja e saj.

    Për ngjarjen është njoftuar edhe Prokurori kujdestar. Ndaj babait të të dyshuarit për “dhunë në familje” është iniciuar rasti për “përdorim i armës” dhe i njëjti pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

    Ndërsa, Policia ka njoftuar se ndaj djalit është iniciuar rasti për “dhunë në familje” dhe i njëjti pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.