Ballina

Etiketë: irani

  • Irani e qorton ambasadoren italiane në lidhje me arrestimin e një iraniani të kërkuar nga SHBA-ja

    Ministria e Jashtme e Iranit e ka thirrur në një takim ambasadoren italiane në Teheran të premten, për të protestuar në lidhje me ndalimin e një shtetasi iranian të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara për rolin e tij të dyshuar në sulmin vdekjeprurës me dronë kundër forcave amerikane, raporton Reuters.

    Të enjten, Italia veproi ngjashëm duke e thirrur në takim protestues ambasadorin iranian në Romë, në lidhje me arrestimin e gazetares italiane Cecilia Sala, e cila u ndalua në Teheran më 19 dhjetor derisa po punonte me vizë gazetareske.

    Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Iranit “i bëri thirrje Italisë të mos e përdor politiken amerikane pengmarrëse – e cila është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, posaçërisht me të drejtat e njeriut – dhe ta lirojë sa më parë [Mohammad] Abedinin dhe ta parandalojë dëmtimin e marrëdhënieve dypalëshe”, raportuan mediat shtetërore në Iran.

    Të enjten, Ambasada iraniane në Romë tha se autoritetet iraniane janë duke ia ofruar Salas të gjithë kujdesin e nevojshëm humanitar, dhe për herë të parë, e lidhën rastin e saj me atë të Abedinit.

    Irani tha të hënën se Sala u arrestua për “shkeljen e ligjeve të Republikës Islamike”, duke mos dhënë hollësi shtesë.

    Sala u arrestua tri ditë pas Abedinit, biznesmenit iranian që u arrestua në aeroportin Malpensa të Milanos në bazë të një fletarrestimi të SHBA-së, pasi dyshohet se i kishte furnizuar me pjesë dronët që Uashingtoni thotë se u përdorën në sulmin e vitit 2023, ku u vranë tre ushtarë amerikanë në Jordani.

    Irani i ka mohuar përfshirjen në sulm.

    Abedini po mbahet në paraburgim dhe gjykata do të vendosë këtë muaj nëse do t’i vendoset në arrest shtëpiak, derisa gjyqtarët ta shqyrtojnë kërkesën e SHBA-së për ekstradim.

    Në vitet e fundit, forcat e sigurisë të Iranit kanë arrestuar dhjetëra të huaj dhe njerëz me shtetësi të dyfishtë, kryesisht për akuza që lidhen me spiunazhin dhe sigurinë. Grupet për të drejtat e njeriut e ka akuzuar Iranin se po përpiqet të nxjerrë koncesione nga shtetet e tjera përmes këtyre arresteve.

    Irani e mohon këtë./REL

  • Italia thërret ambasadorit iranian, kërkon lirimin e gazetares italiane

    Ministria e Jashtme italiane e thirri të enjten (02.01.2025) ambasadorin iranian për t’i kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetares Cecilia Sala, e cila u arrestua në Teheran më 19.12.2024, ndërkohë që po punonte me vizën e rregullt për gazetarët.

    Përmes një deklarate ministria shpreh “shqetësimin serioz” mbi ndalimin e gazetares Sala dhe thekson domosdoshmërinë e trajtimit njerëzor dhe respektimit të të drejtave të saj.

    Mediat italiane njoftojnë se gazetarja Sala po mbahet e izoluar në një qeli të ftohtë burgu me një dritë fluroshente që mbahet e ndezur ditën dhe natën. Syzet e saj janë sekuestruar dhe ajo pothuajse nuk ka asnjë kontakt me njerëz të tjerë.

    Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane, Riccardo Guariglia, kërkoi që personeli i ambasadës në Teheran të lejohet ta vizitojë gazetaren Sala dhe t’i japë asaj “sendet të cilat i janë mohuar deri tani”, sipas ministrisë.

    Agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit IRNA njoftoi të hënën se Sala u arrestua për shkak se “shkeli ligjet e Republikës Islamike”. Agjencia nuk dha detaje të tjera.

    Gazetarja Sala u ndalua tri ditë pasi sipërmarrësi iranian, Mohammad Abedini u arrestua në aeroportin Malpensa të Milanos në bazë të një urdhër-arresti amerikan nën pretendimet se ai është furnizuesi i pjesëve të dronëve, të cilët Uashingtoni thotë se janë përdorur në sulmin e vitit 2023, që shkaktoi vdekjen e tre ushtarëve amerikanë në Jordani.

    Irani ka mohuar përfshirjen në atë sulm dhe ministria e jashtme iraniane u citua nga mediat iraniane të ketë thënë se arrestimi i sipërmarrësit Abedini shkel ligjin ndërkombëtar.

    Gjatë viteve të fundit, forcat e sigurisë së Iranit kanë arrestuar dhjetëra të huaj dhe individë me shtetësi të dyfishtë, kryesisht nën akuzat për spiunazh. Organizatat për të drejtat e njeriut e akuzojnë Iranin se po përpiqet të sigurojë lëshime nga shtete të tjera përmes arrestimeve të tilla. Irani e mohon këtë pretendim.

    Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni pritet të diskutojë për çështjen e gazetares Sala me ministrat e jashtëm dhe të drejtësisë të enjten (01.01.2025), sipas njoftimit të zyres së saj./VoA