Ballina

Etiketë: iran

  • Vriten dy gjykatës të Gjykatës Supreme në Iran

    Dy gjykatës të njohur të Gjykatës Supreme të Iranit janë vrarë në një sulm në selinë e kësaj gjykate, thanë zyrtarët.

    Viktimat janë identifikuar si Ali Razini dhe Mohammad Moghiseh. Një gjykatës tjetër po ashtu është plagosur gjatë sulmit që ndodhi në Pallatin e Drejtësisë në Teheran.

    Zyra për media e gjyqësorit të Iranit raportoi se një person i armatosur ishte “infiltruar në Gjykatën Supreme në një akt të planifikuar për vrasjen e dy gjykatësve.

    Motivi i sulmit ende nuk është i qartë.

    Hetimi fillestar gjeti se sulmuesi nuk kishte ndonjë rast gjyqësor para kësaj gjykate dhe as lidhje të tjera, tha zyra për media e gjyqësorit iranian.

    Gjykata Supreme është autoriteti më i lartë gjyqësor në Iran dhe kreu i saj emërohet nga lideri suprem. Selinë e ka në Teheran dhe degë ka në mbarë vendin.

    Detajet e incidentit mbeten të paqarta. Zyra për media e gjyqësorit raportoi se sulmuesi “u vetëvra” pas të shtënave, edhe pse ky informacion nuk është konfirmuar.

    Mediat tjera iraniane kanë raportuar se sulmuesi ishte anëtar i një “force infiltruese të sigurisë”, i cili fillimisht kishte plagosur me thikë një roje, ai kishte marrë armën dhe më pas kishte kryer vrasjet.

    Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr, duke cituar burime, raportoi se gjyqtarët u sulmuan me armë zjarri para se sulmuesi të bënte vetëvrasje.

    Dy viktimat kishin poste të rëndësishme në sistemin e fuqishëm gjyqësor të Iranit. Gjykatësi Mohammad Moghiseh kishte gjykuar disa raste politike, përfshirë rastet që përfshinin mbështetësit e Lëvizjes opozitare të Gjelbër më 2009. Ai ishte nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për shkelje të të drejtave të njeriut.

    Gjykatësi Ali Razini kishte mbajtur shumë poste të larta dhe ishte akuzuar nga opozita në Iran se ishte përfshirë në një sërë vrasjes pa gjyq të të burgosurve politikë më 1988/RadioEvropaeLirë/.

     

  • SHBA, sanksione entiteteve ruse dhe iraniane të përfshira në fushata dezinformimi

    Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dy entiteteve të lidhura me përpjekjet e Iranit dhe Rusisë për të përhapur dezinformim tek votuesit amerikanë përpara zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën nëntorin e vitit që lamë pas.

    Zyrtarët e Departamentit të Thesarit njoftuan vendimin të martën ndërsa thanë se dy entitetet përhapën informacione të rreme që synonin të nxisnin tensione politike dhe të godisnin kandidatët për president, përpara procesit zgjedhor të 5 nëntorit.

    Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi nëpërmjet një deklarate se një organizatë e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit dhe një organizatë e lidhur me agjencinë ushtarake ruse të zbulimit synuan të “nxisin tensione shoqëroro-politike dhe të ndikojnë në elektoratin amerikan gjatë zgjedhjeve amerikane të vitit 2024”.

    “Qeveria e Iranit dhe ajo e Rusisë vendosën në shënjestër proceset tona zgjedhore dhe institucionet, si dhe synuan të përçajnë popullin amerikan përmes fushatave të qëllimta të dezinformimit”, tha Zëvendës-sekretari në detyrë i Thesarit për Terrorizëm dhe Zbulim Financiar, Bradley Smith.

    Sipas autoriteteve, Qendra për Ekspertizë Gjeopolitike (CGE), me seli në Moskë, përhapi dezinformata për kandidatët presidencialë dhe financoi e orkestroi krijimin e fotografive dhe videove të manipuluara përmes inteligjencës artificiale ‘deepfakes’.

    Veçse ndaj grupit, sanksione u vunë edhe ndaj drejtorit të saj, që sipas autoriteteve kishte bashkëpunuar ngushtë me agjencinë ushtarake ruse të zbulimit dhe kishte mbikqyrur sulmet kibernetike dhe aktet e sabotimit kundër Perëndimit.

    Sipas zyrtarëve amerikanë, grupi Iranian, ‘Cognitive Design Production Center” është një degë e Gardës Revolucionare Paraushtarake të Iranit, e cila është përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara si organizatë terroriste.

    Sipas Departamentit të Thesarit ky grup planifikoi operacione për të ushtruar ndikim të paktën që nga viti 2023.

    Agjencitë amerikane të zbulimit kanë fajësuar qeverinë e Iranit se është përpjekur të nxisë protesta në Shtetet e Bashkuara lidhur me luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë.

    Irani po ashtu është akuzuar se ka kryer sulme kibernetike ndaj adresave elektronike të disa prej zyrtarët më të lartë aktualë dhe të mëparshëm të Shteteve të Bashkuara, përfshirë zyrtarë të lartë të ekipit të fushatës zgjedhore të zotit Donald Trump.

    Në muajt para zgjedhjeve të nëntorit, zyrtarët amerikanë të zbulimit thanë se Rusia, Irani dhe Kina kishte synuar të godisnin besimin në demokracinë amerikane.

    Ata arritën në përfundimin se Rusia dukej se synonte të përkrahte fitoren e zotit Trump. Nga ana tjetër, sipas zyrtarëve, Irani dukej se kundërshtonte kandidaturën e zotit Trump.

    Gjatë mandatit të parë presidencial, zoti Trump i dha fund marrëveshjes bërthamore me Iranin, vendosi sërish sanksione ndaj Teheranit dhe urdhëroi vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani, një akt që nxiti zotimin e udhëheqësve iranianë për hakmarrje.

    Zyrtarët rusë dhe iranianë kanë hedhur poshtë akuzat se janë përpjekur të ndikojnë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2024.

    “Rusia nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendeve të tjera”, tha në një përgjigje për agjencinë e lajmeve Associated Press një zëdhënës i ambasadës ruse në Uashington. VOA