Ballina

Etiketë: Homazhe

  • 19 vjet nga vdekja e Rugovës: Osmani dhe ambasadorët e akredituar në Kosovë bëjnë homazhe te varri i tij

    Janë mbushur 19 vjet nga dita kur Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka ndërruar jetë.

    Në nderim të jetës dhe veprës së tij, më 21.01.2025, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë bërë homazhe te varri i tij në Velani të Prishtinës.

    Pas homazheve, presidentja Osmani ka deklaruar se aleancat që i ka ndërtuar Rugova kanë ndihmuar në çlirimin dhe pavarësimin e vendit.

    “[Presidenti Rugova] Dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit tonë në një kohë jashtëzakonisht të rëndë për popullin tonë, kur po rrezikohej edhe shfarosja e qytetarëve tanë, e popullit të Kosovës. Në atë kohë presidenti Rugova jo vetëm që bëri bashkë të gjithë qytetarët rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci, por njëkohësisht u bë zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të fuqishme të cilat na u deshtën më së shumti në ato kohë të vështira e të cilat rezultuan me intervenimin e NATO-s, i cili edhe e ndihmoi çlirimin e Kosovës. E, pastaj mbështetja e këtyre shteteve mike e ndihmoi edhe pavarësinë e shtetit tonë.” – u shpreh presidentja Osmani.

    Kontributi i Ibrahim Rugovës, siç ka thënë ajo, është dhe do të mbetet udhërrëfyes edhe për brezat që vijnë.

    “Vizioni i presidentit Rugova ishte largpamës. Ai ishte një politikan i jashtëzakonshëm, që i solli politikës dimensionin human të saj – dimension që fatkeqësisht mungonte për një kohë të gjatë, prandaj edhe mbetet jo vetëm shembull i vizionit dhe politikbërjes në Kosovë, por edhe kudo që shkojmë në botë. Jemi mirënjohës për këtë kontribut të tij, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes jo vetëm për ne që jemi sot në udhëheqje të Kosovës, por edhe për brezat që do të vijnë pas.” – shtoi presidentja Osmani, e cila në mënyrë simbolike ka shkuar në homazhe me veturën e restauruar të Rugovës.

    Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944, në fshatin Cërcë të Komunës së Istogut.

    Ai ishte bashkëthemelues i LDK-së dhe Presidenti i parë i Kosovës.

    Vdiq, më 21 janar 2006.

  • Mal i Zi, homazhe për 12 viktimat e sulmit me armë ditën e Vitit të Ri

    Në Cetinjë të Malit të Zi u mbajtën më 04.01.2025 homazhe për 12 personat që u vranë gjatë një sulmi në ditën e Vitit të Ri.

    Në bashkinë e qytetit ishin vendosur fotografi të viktimave të sulmit, ndërsa në homazhe morën pjesë të afërm të tyre dhe zyrtarë të Malit të Zi.

    Të premten (03.01.2025), kryeministri malezez Milojko Spajiq njoftoi një projektligj të ri që ashpërson masat për mbajtjen e armëve.

    Spajiq njoftoi se individët që kanë armë me leje do t’i nënshtrohen një kontrolli të së shkuarës së tyre dhe gjendjes psikologjike ndërsa paralajmëroi për një ndëshkim tejet të ashpër për ata që mbajnë armë në mënyrë të paligjshme.

    Viktimat e sulmit në qytetin perëndimor të Cetinjës ishin 7 burra, tre gra dhe dy fëmijë, të lindur në 2011 dhe 2016.

    Policia tha se autori, i identifikuar si Aco Martinoviq, ka të ngjarë të ketë qëlluar veten në kokë dhe humbi jetën.

    4 persona të tjerë që u plagosën rëndë vazhdojnë të marrin trajtim spitalore.

    Mali i Zi ka një kulturë të rrënjosur thellë të mbajtjes së armëve.

    Televizioni shtetëror RTCG raportoi se Mali i Zi është vendi i 6-të në botë për sa i përket numrit të armëve të paligjshme për frymë./VoA