Ballina

Etiketë: holokausti

  • Përkujtohet tmerri i Auschwitzit, Osmani: Shqiptarët gjatë Holokaustit hapën dyert dhe zemrat për hebrenjtë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 27.01.2025 ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të Auschwitz-Birkenau në Krakow të Polonisë.

    Ajo ka theksuar kontributin e shqiptarëve gjatë Holokaustit, duke kujtuar se ata hapën dyert dhe zemrat për hebrenjtë, bazuar në vlerat e besës shqiptare – një akt që mbetet dëshmi e fuqisë së humanizmit dhe solidaritetit.

    Osmani tutje theksoi rëndësinë e kujtesës historike për të parandaluar përsëritjen e tmerreve të së kaluarës dhe për t`i promovuar vlerat universale të paqes, barazisë dhe humanizmit.

    Po ashtu, ka folur për përvojën e tmerrshme të Kosovës, e cila e ka përjetuar luftën dhe gjenocidin nga ana e regjimit të Millosheviqit, duke theksuar se kjo përvojë e bën Kosovën një zë të fuqishëm në luftën kundër urrejtjes dhe diskriminimit.

    “Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit na kujton se duhet të qëndrojmë bashkë kundër çdo forme urrejtjeje dhe të sigurohemi që kurrë më të mos përsëriten tmerret e së kaluarës. Kosova, e cila ka kaluar përmes tmerreve të luftës dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Millosheviqit, e kupton më së miri rëndësinë e luftës kundër urrejtjes dhe angazhimin për një të ardhme më humane dhe të drejtë”- ka thënë Osmani.

    Sipas Presidencës, kjo është hera e parë që kreu i shtetit merr pjesë në këtë ngjarje përkujtimore, duke dëshmuar përkushtimin e Kosovës për paqen dhe solidaritetin ndërkombëtar.

    Në fillim të ceremonisë, Osmani u prit nga presidenti polak, Andrzej Duda. Ajo shprehu mirënjohje për ftesën dhe potencoi rëndësinë e kujtesës historike për krimet e kryera.

    Kujtimet e disa të mbijetuarve nga kampi Auschwitz-Birkenau sollën rrëfime tronditëse nga kampi i tmerrit me mesazhin e qartë që e shkuara e tyre të mos jetë e ardhmja e fëmijëve tanë.

     

  • Sport në Kampin e përqendrimit: torturë e shpresë

    Sporti ishte një praktikë e përditshme në Kampet naziste të përqendrimit. Përveç ushtrimeve fizike, edhe ndeshjet e futbollit dhe të boksit shërbenin për të torturuar të burgosurit.

    A kishte në të vërtetë aktivitete të rregullta sportive në Kampet e përqendrimit?

    Kampet naziste të përqendrimit ishin vende të tmerrit dhe vdekjes, vende torturash dhe poshtërimi të të burgosurve. Për këtë qëllim personeli i sigurisë përdorte rregullisht edhe ushtrimet sportive.

    “Gardianët i urdhëronin të internuarit dhe të burgosurit të bënin kërcime ose të vraponin, derisa ata rrëzoheshin nga lodhja.” – thotë historiania Veronika Springmann, në një intervistë për DW. Ajo është autore e librit “Gunst und Gewalt – Sport in nationalsozialistischen Konzentrationslagern” “Favor dhe dhunë – Sporti në Kampet e përqendrimit të nacionalsocialistëve”. Ata, të cilët kishin rënë në tokë, zakonisht goditeshin me shkelma dhe ofendoheshin nga rojet. “Kjo përsëritej çdo ditë. Ishte në fakt si një ritual i përditshëm.”

    Krahas këtij sporti të detyruar me dhunë kishte edhe aktivitete sportive, që disa nga të burgosurit i kryenin pak a shumë në mënyrë të pavarur.

    Cilët të burgosur merrnin pjesë në aktivitete sportive të pavarura?

    Shumica e të burgosurve për shkak të kushteve çnjerëzore në Kamp, punës së rëndë të detyruar ose të qenit viktima të eksperimenteve mjekësore nuk bënin dot sport si aktivitet në kohën e lirë. Dhe, pastaj jeta e përditshme në Kamp nuk ofronte hapësirë ​​për të. Të burgosurit ishin në përgjithësi të kequshqyer. Për shkak të kushteve të këqija higjienike vuanin shpesh nga pleshtat, morrat dhe zgjebja ose nga sëmundje më të rënda si tuberkulozi ose tifoja.

    Sistemi në Kampe ishte i organizuar në mënyrë hierarkike. Të burgosurit ndaheshin në grupe të ndryshme. Përkatësia në një grup të caktuar vendoste në një masë të madhe edhe për kushtet e burgut dhe kështu edhe për shanset për të mbijetuar. Të burgosurit politikë ose kriminelët profesionistë kishin zakonisht kushte më të mira se për shembull të burgosurit hebrenj, homoseksualët apo të ashtuquajturit “asocialë”.

    Përkatësia dukej që në vështrimin e parë, përmes shenjës me një copë trekëndëshe stofi të ngjyrosur në veshje. Ata që ishin më lart në hierarki terrorizoheshin më pak nga rojet, merrnin një punë më të mirë, strehim më të mirë, veshje më të ngrohta, akses në më shumë ushqim, kështu që ishin në gjendje më të mirë fizike dhe të aftë për të bërë sport. Por, në përgjithësi përqindja e të burgosurve, të cilët bënin pjesë këtu, ishte e vogël.

    Te të internuarit më të favorizuar bënin pjesë edhe të ashtuquajturit të burgosur funksionarë. Ata caktoheshin nga rojet për të mbikëqyrur të burgosurit e tjerë dhe për të mbajtur rregull. Shumë prej tyre në rolin e tyre të privilegjuar u bënë keqbërës, por disa e shfrytëzuan atë edhe për të mbrojtur të burgosurit e tjerë.

    Cilat sporte ushtroheshin në Kampet e përqendrimit?

    Brenda mureve të Kampit bëheshin rregullisht lojëra futbolli dhe ndeshje boksi. Ndërsa, Lufta e Dytë Botërore zgjaste, numri i lojërave të futbollit u rrit, sepse kushtet e internimit ndryshuan për disa të burgosur pas vitit 1942.

    “Puna e të burgosurve në Kampet e përqendrimit nevojitej për industrinë e armatimeve.” – shpjegon Springmann. “Të gjitha firmat e armatimeve e bënin prodhimin në Kampe përqendrimi ose në Kampe të jashtme. Aty pastaj ofroheshin edhe stimuj dhe oferta. Të burgosurit, të cilët punonin veçanërisht mirë ose ishin të punësuar si funksionarë burgu, lejoheshin të organizonin lojëra futbolli.”

    Ekipet përcaktoheshin në shumicën e rasteve sipas kombeve, por zakonisht kishin më pak se njëmbëdhjetë lojtarë. Madje të burgosurit u përpoqën të organizonin edhe fanella futbolli për këto lojëra. Në Kampin e përqendrimit Dachau pranë Mynihut është ruajtur një kupë druri, që është ekspozuar në Memorialin e Kampit të përqendrimit ater. Për të burgosurit organizimi i lojërave kishte të bënte edhe me shpresën. “Planifikimi gjithmonë drejtohet në të ardhmen. Kjo do të thotë që unë shpresoj, se do të jem ende gjallë nesër, pasnesër, të dielën tjetër.” – thotë historiania e sportit Springmann. “Kjo jep forcë dhe shpresë. Dhe, shpresa është një burim i rëndësishëm mbijetese.”

    Megjithatë nuk duhet harruar kurrë, se vetëm një pjesë shumë e vogël e të burgosurve ishin në gjendje ose lejoheshin të merrnin pjesë në lojëra. Përveç kësaj ato zhvilloheshin në një mjedis, ku në të njëjtën kohë vazhdonin torturat, vrasja dhe vdekja.

    A kishin sportistët e famshëm avantazhe në Kampin e përqendrimit?

    Meqenëse sportistët në atë kohë nuk ishin aq të pranishëm në media sa janë sot, rojet e Kampit të përqendrimit shpesh nuk i njihnin ata si të tillë. Julius Hirsch ka qenë në fillim të shekullit XX një nga futbollistët më të mirë në Gjermani, dy herë kampion gjerman dhe në mes viteve 1911 dhe 1913 lojtar i kombëtares.

    Meqenëse ishte hebre, ai u dërgua në Aushvic në mars 1943 dhe vdiq atje. Megjithatë nuk ka asnjë të dhënë, që ai të jetë identifikuar atje si një ish-yll futbolli apo të këtë luajtur futboll.

    Boksi ishte një sport i rëndësishëm dhe popullor për nacionalsocialistët. Dihet se disa boksierë janë njohur në Kamp ose dilnin përpara, kur rojet e Kampit të përqendrimit kërkonin në mesin e të burgosurve luftëtarë të talentuar për ndeshjet e boksit, që i organizonin për argëtimin e tyre. Kështu ndodhi për shembull me polakun Antoni Czortek dhe me tunizianin Victor Perez. Czortek boksoi në Lojërat Olimpike në Berlin në 1936. Perez ishte kampion i botës në peshën fluturuese, nga viti 1931 deri në vitin 1932.

    Të dy erdhën në Aushvic në vitin 1943 si të burgosur hebrenj dhe iu desh të merrnin pjesë vazhdimisht në ndeshje boksi kundër të burgosurve të tjerë. Ndonjëherë ishte vërtet çështje jete a vdekjeje. Ndërsa fituesi merrte një copë bukë ose veshje si çmim, humbësi qëllohej menjëherë ose dërgohej në dhomën e gazit dhe vritej atje.

    Në një mënyrë makabre boksi i shpëtoi jetën Czortekut, Perezit dhe disa të tjerëve në Kamp. Czortek vdiq në vitin 2003 në moshën 89-vjeçare. Perez i mbijetoi Aushvicit, por jo Holokaustit. Ai u pushkatua në janar 1945, në një nga marshimet e vdekjes, në të cilat në muajt e fundit të luftës të burgosurit e Kampeve të përqendrimit u dërguan drejt Kampeve të tjera nga Kampet pranë frontit, që po afrohej.

    Aftësitë në boks nuk i sollën Johann “Rukeli” Trollmann asnjë avantazh në Kampin e përqendrimit. Ish-kampioni gjerman i peshave të mesme ishte sinti dhe i burgosur në Kampin e përqendrimit Neuengamme pranë Hamburgut nga viti 1942. Për shkak se e kaluara e tij duke qenë boksier i shquar njihej, ai u rrah shumë shpesh dhe mizorisht nga rojet.

    Trollmann vdiq në Nënkampin e Kampit të përqendrimit Wittenberge, më 1944. Pasi iu desh të boksonte kundër njërit prej gardianëve (Kapo) dhe e mundi atë, ai u vra pak më vonë nga pas shpine nga i njëjti Kapo, ndërsa ishte duke punuar./DW

  • “Kockë e lëkurë”: Të mbijetuarit e Aushvicit shënojnë 80-vjetorin e çlirimit

    Anastasiya Huley është 99-vjeçare dhe i kujtohet gjithçka që përjetoi në Aushvic, 80 vjet më parë.

    “Krejt çka na mbeti ne ishin kockë e lëkurë. Ne ishim njerëz që vdiqëm dhe rilindëm.” – tha ajo për Shërbimin ukrainas të Radio Evropa e Lirë.

    Huley ishte dërguar në Kampin famëkeq nazist të përqendrimit, pasi kishte ikur nga puna e detyruar në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Pesë vjet më parë, ajo mori pjesë në ceremonitë përkujtimore për të shënuar çlirimin e Kampit nga trupat sovjetike. Këtë vit ajo nuk do të jetë në mesin e të mbijetuarve të cilët shkojnë në kamp – numri i të cilëve po pakësohet.

    Shumë ishin dërguar në Aushvic kur ishin fëmijë të vegjël dhe u transportuan atje me kamionë që përdoren për bartjen e bagëtive. Tani në moshën 80 apo 90 vjeç, ata mblidhen në atë që do të jetë ndër përvjetorët më prekës të çlirimit të Kampit.

    Gjermania Naziste ka vrarë afër 1.1 milion burra, gra dhe fëmijë në Aushvic në periudhën kohore 1940-1945. Afër gjysmëmilioni nga ta ishin hebrenj. Viktima të tjera ishin romë, të burgosur politikë dhe të burgosur sovjetikë të luftës.

    Afër 50 të mbijetuar shkojnë këtë vit në Aushvic. Si gjithmonë, atyre iu bashkohen edhe monarkë, politikanë dhe diplomatë.

    Në shumë mënyra, përvjetorët shënohen nga vazhdimësia: bëhet lutja hebraike për të vdekurit, Kaddish; viktimat nderohen me solemnitet dhe refreni përsëritet: “Kurrë më”.

    Por, ceremonitë përkujtimore shënohen po ashtu edhe nga prizmi i ngjarjeve bashkëkohore.

    Kampi u çlirua nga ushtarët sovjetikë, por presidenti rus Vladimir Putin nuk është ftuar në ceremonitë përkujtimore, që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.

    “Ne i kujtojmë viktimat, por po ashtu festojmë për çlirimin.” – tha drejtori i muzeut të Aushvicit, Piotr Cywinski, sipas AFP-së. “Është e vështirë të mendohet prania e Rusisë, e cila qartësisht nuk e kupton vlerën e çlirimit”.

    Izraeli do të ketë një delegacion të madh të udhëhequr nga ministri i Arsimit, Yoav Kisch. Më herët ka pasur kundërthënie lidhur me pjesëmarrjen e mundshme të kryeministrit, Benjamin Netanyahu.

    Aushvici gjendet në Poloni, që është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila ka lëshuar fletarrestim për Netanyahun nën akuzat për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” në Rripin e Gazës – enklavë palestineze.

    Autoritetet polake kanë lënë të kuptohet se Netanyahu nuk do të përballej me arrestim, nëse do të shkonte në Aushvic, por ai gjithsesi ka thënë se nuk do të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore.

    Përvjetori është gjithmonë një moment reflektimi mbi antisemitizmin. Ky vit, tha shefi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara Volker Turk, ishte i “shfrenuar”.

    Përmes një deklarate më 24.01.2025, ai tha se “hebrenjtë po përballen me rritje të frikësimit, kërcënimeve dhe dhunës fizike”.

    Në korrik, Bashkimi Evropian publikoi gjetje të një sondazhi të hebrenjve në 13 shtete anëtare. Sondazhi gjeti se 80% ndienin se antisemitizmi është rritur dhe se incidentet antisemitike janë rritur që nga sulmi i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023.

    Në përvjetorët e tjerë në Aushvic politikanët kanë mbajtur fjalime. Këtë vit, ata nuk do të mbajnë. Ky mund të jetë përvjetori i fundit ku të mbijetuarit mund të luajnë rol të madh, andaj ata janë në fokus.

    Hurley tha se kujtimet e saj e kanë ndjekur atë gjatë gjithë jetës. Pavarësisht kësaj, ajo këmbëngul se nuk është e hidhëruar.

    “Nëse shikoni zemrën dhe shpirtin tim nuk do të gjeni asnjë dëshirë për hakmarrje apo urrejtje për gjermanët.” – tha ajo./REL

  • Osmani udhëton për Poloni, merr pjesë në ceremoninë e 80-vjetorit të çlirimit të Aushvicit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Poloni, në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit nazist gjerman të përqëndrimit në Aushvic.

    Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe liderë të vendeve tjera të botës.

    “Gjatë ceremonisë, në përkujtim të viktimave të Holokaustit, me pjesëmarrësit do të ndahen rrëfimet prekëse të dy të mbijetuarve nga kampi i Aushvicit, duke rikujtuar një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore” – thuhet mes tjerash në komunikatën e Presidencës.

    Në vitin 2005, Kombet e Bashkuara kanë shpallur 27 janarin – Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

    “Aushvici është simbol i Holokaustit dhe mizorive të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2005, Kombet e Bashkuara shpallën 27 janarin Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, për t`i kujtuar viktimat dhe për ta nxitur botën që të angazhohet për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e tmerreve të tilla” – thuhet tutje në komunikatë.