Ballina

Etiketë: helmi

  • Influencerja australiane akuzohet për helmimin e bebes së saj

    Një influencere australiane po akuzohet për helmimin e vajzës së saj foshnjore, që të siguronte donacione dhe që të rriste numrin e ndjekësve në internet – raporton të enjten, më 16.01.2025, televizioni britanik BBC.

    Gruaja nga Queensland ka pohuar se po shpaloste kronikisht betejën e fëmijës së saj me një sëmundje terminale në mediat sociale, por detektivët pretendojnë se ajo po e drogonte foshnjën  njëvjeçare dhe më pas e filmonte sa ishte në “shqetësim dhe në dhimbje të madhe”.

    Mjekët kishin ngritur alarmin në tetor, kur foshnja do të shtrohej në Spital, pas një episodi të rëndë mjekësor.

    Pas disa muajsh hetime, 34-vjeçarja u akuzua për “torturë”, “administrim helmi”, “material për shfrytëzimin e fëmijëve dhe mashtrim”.

    “(Nuk ka) fjalë se sa të neveritshme janë shkeljet e kësaj natyre.” – ka deklaruar para gazetarëve të enjten inspektori i Policisë së Queenslandit, Paul Dalton.

    Ndërmjet gushtit dhe tetorit, detektivët thonë se gruaja nga rajoni Sunshine Coast i dha fëmijës disa ilaçe, pa miratim të mjekut.

    Ajo bëri përpjekje të shumta që të merrte medikamente të paautorizuara dhe të fshihte mbuluar veprimet e saj, pretenduan hetuesit – duke bërë të ditur se gruaja përdorte ilaçe të mbetura për një person tjetër në shtëpinë e tyre.

    Policia kishte nisur hetimet më 15 tetor, kur foshnja do të çohej në Spital teksa po përjetonte “shqetësim dhe dëmtim të rëndë emocional dhe fizik”. Testet për ilaçe të paautorizuara treguan rezultat pozitiv në janar.

    Gruaja mblodhi 60 mijë dollarë australianë (37 mijë dollarë amerikanë), nëpërmjet donacioneve të “GoFundMe”, të cilat faqja po përpiqet t’i kthejë – ka njoftuar inspektori Dalton.

    Policia kishte hetuar persona të tjerë për abuzimin e supozuar, por nuk kishte prova për të akuzuar dikë tjetër – shtoi ai.

    Gruaja do të dalë të premten para Drejtësisë, në Gjykatën e Brisbanet.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com