Ballina

Etiketë: Hashim Thaçi

  • Pretendimi jo i saktë se Artan Behrami është i akuzuar në aktakuzën e re të Speciales ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve

    Më 18.12.2024 një faqe në Tiktok  (Arkiva), ka publikuar një video me mbishkrimin “Skandal: Gjykata Speciale e fut në edhe Artan Behramin në aktakuzë synon me cdo kusht me i a pamundësu zgjedhjen si deputet”. 

    Ky informacion, se kinse Artan Behrami është futur si i akuzuar në aktakuazën e re ndaj Thaçit dhe të tjerëve për vepra kundër administrimit të drejtësisë del të jetë i pa vërtetë.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka ngritur aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit, ish-Shefit të AKI-së në Kosovë, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut, si dhe Hajredin Kuçit, për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, si dhe vepra kundër rendit publik.

    Sipas dosjes veprat penale të paraqitura në aktakuza kanë lidhje me proceset zyrtare të Dhomave të Specializuara, përfshirë këtu hetimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Udhëzimet që pretendohet në aktakuzë se janë dhënë kohë pas kohe nga Thaçi gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit në Hagë janë bërë shkas që të ngritet aktakuzë për Smakajn, Kilajn, Fazliun dhe Kuçin.

    Nëse hyjmë në faqen e Dhomave të Specializuara në çështjen e re ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për vepra penale kundër administrimit të dretësisë, listohen emrat e personave të akuzuar.

    “Aktakuzë e Konfirmuar e Redaktuar, Publike, Prokurorja e Specializuar, në përputhje me kompetencën që ka sipas neneve 35(2)(i) dhe 38(4) të Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), akuzon: Hashim THAÇIN Bashkim SMAKAJN, Isni KILAJN, Fadil FAZLIUN dhe Hajredin KUÇIN për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike dhe vepra penale kundër rendit publik”- thuhet në hyrjen e aktakuzës së re.

    Kjo aktakuzë ëshë ngritur më 02.12.2024 ndaj pesë të pandehurve, ndërsa emri i Artan Behramit si i akuzuar nuk figuron askund në këtë aktakuzë.

    Ajo çka duhet të sqarohet është se Prokuroria në shtjellimin e aktakuzës për veprimet inkriminuese të të akuzuarve ka specifikuar veprimet që i kanë bërë të akuzuarit, me kë kanë qenë në vizita në qendrat e paraburgimit në Hagë.

    Kështu, emri i Artan Behramit përmendet në tri vende në aktakuzën 15 faqëshe të Prokurorisë Speciale. Behrami përmendet jo si i akuzuar, por tregohet që njëri nga të akuzuarit, Bashkim Smakaj, i cili ka qenë në vizitë në qendrat e paraburgimit në Hagë te Hashim Thaçi ka qenë së bashku me Artan Behramin.

    “Më 9 shtator 2023, Bashkim SMAKAJ, Blerim SHALA, Artan BEHRAMI dhe të tjerë vizituan Hashim THAÇIN në qendrën e paraburgimit”- thuhet në faqen 5 të aktakuzës.

    Pra, Prokuroria mundohet t`i përshkruaj veprimet inkriminuese të të akuzuarit Bashkim Smakaj, duke u munduuar që të specifikoj datën, muajin, vitin, nën shoqërimin e kujt ka qenë dhe elemente të tjera të cilat do të argumentonin aktakuzën e ngritur. 

    Bashkim SMAKAJ dhe Artan BEHRAMI u takuan sërish me Hashim THAÇIN më 7 tetor 2023, ku Hashim THAÇI dha udhëzime të mëtejshme se si duhej të dëshmonte dëshmitari 2”- thuhet tutje në faqen 5 të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Specializuar.

    I akuzuari për mos bindje të urdhrave të Gjykatës, Hajredin Kuçi më 09.12.2024 është deklaruar se nuk e pranon fajësinë lidhur me dy pikat e aktakuzës që Zyra e Prokurorisë së Specializuar i vë në barrë. Fajësinë nuk e ka pranuar as Fadil Fazliu për ndikim në dëshmitarë më 08.12.2024. I akuzuari Isni Kilaj në seancën e shqyrtimit fillestar për dy pika të aktakuzës është deklaruar se nuk e pranon fajësinë më 09.12.2024. Ndërsa Ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, nuk ishte deklaruar rreth aktakuzës së ngritur ndaj tij për ndikimin mbi dëshmitarët më 08.12.2024. Njëjtë si Smakaj kishte vepruar edhe Hashim Thaçi, i cili nuk kishte pranuar të deklarohet në seancën e parë ndaj tyre.

    Më 07.01.2025, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së dytë kundër tij, për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, njoftoi gjykata më 07.01.2025.

    Çka pretendon Prokuroria për të akuzuarit?

    Informacione konfidenciale të grisura e të hedhura në mbeturina, informacione konfidenciale të mbajtura në vetura, po pretendohen se janë gjetur dhe janë dëshmi e prova nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Hashim Thaçin, Hysni Kilajn, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun e Hajredin Kuçin në aktakuzën e re të ngritur më 2 dhjetor 2024.

    Të gjitha këto informacione që ishin shkruar në letrat që ZPS pretendon se i kishte gjetur gjatë bastisjeve në vendbanimin e Hysni Kilajt e veturën e Bashkim Smakajt, ndërsa ato ishin dhënë nga Hashim Thaçi gjatë vizitave që i kishin bërë të njëjtit në qendrën e paraburgimit në Hagë.

    Sipas dosjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, veprat penale të paraqitura në aktakuza kanë lidhje me proceset zyrtare të Dhomave të Specializuara përfshirë këtu hetimet e zyrës së prokurorit të specializuar.

    Aktakuza thotë se së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, Thaçi zbuloi informacion të fshehtë që i ishte bërë i njohur në gjykimin ndaj tij, dhe së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin, akuzohen se u bashkërenduan për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

    Çka thuhet tutje në aktakuzën e re?

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në aktakuzë ka përmendur disa takime në të cilat pretendojnë se janë dhënë udhëzime Kilajt, Fazliut, Kuçit dhe Smakajt nga ish-presidenti Hashim Thaçi,

    Më 2 korrik 2023, ZPS thotë se Fadil Fazliu, vizitoi Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit të DHSK-së.

    Gjatë vizitës, Thaçi pretendohet se i dha informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së në çështjen Thaçi dhe të tjerët dhe udhëzime të hollësishme që Fadil Fazliu duhej  t’ia përcillte dëshmitarit të ZPS-së, se si duhej të dëshmonte dëshmitari 1.

    Dosja tregon tutje edhe se Thaçi dhe Fazliu diskutuan edhe për mënyrën e dhënies së udhëzimeve të Thaçit dhe ranë në marrëveshje që djali i Fadil Fazliut, Fahri Fazliu, të kontaktonte dëshmitarin 1 për caktimin e një takimi. Fadil dhe Fahri Fazliu ishin takuar më parë me dëshmitarin 1 më 2 qershor 2023, pasi kishin shkëmbyer mesazhe në telefon më 26 qershor 2023.

    Prokuroria pretendon se më 3 korrik 2023, Fahri Fazliu shkëmbeu mesazhe me dëshmitarin 1 për organizimin e një takimi midis Fahri dhe Fadil Fazliut më vonë atë ditë, në përputhje me udhëzimet e Hashim Thaçit dhe Fadil Fazliut.

    Sipas aktakuzës, në kohën e kryerjes së kësaj vizite në qendrën e paraburgimit dhe të shkëmbimit të mesazheve, dëshmitari 1 nuk ishte konfirmuar publikisht nga DHSK-ja apo ZPS-ja si dëshmitar në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Intervistat e dëshmitarit 1 me ZPS-në ishin klasifikuar si konfidenciale dhe DHSK-ja ose ZPS-ja i ishin referuar atij publikisht, ose në një mënyrë që nuk zbulonte statusin e tij si dëshmitar i ZPS-së, ose me kodin e tij të dëshmitarit në proces.

    Tutje dosja përshkruan edhe takimin mes Hashim Thaçit dhe Hajredin Kuçit.

    Në Aktakuza përshkruhet se më 3 shtator 2023, Hajredi Kuçi vizitoi Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit. Gjatë vizitës Hashim Thaçi i dha Hajredin Kuçit, udhëzime të hollësishme për t’ia përcjellë dëshmitarit të ZPS-së, ‘dëshmitari 5’, ose ‘dëshmitari 2’ ose ‘dëshmitari 6’) lidhur me atë se si duhej të dëshmonte çdo dëshmitar.

    Aktakuza përshkruan se Kuçi në mënyrë të përsëritur konfirmoi dhe/ose u pajtua me udhëzimet e Thaçit lidhur me ndikimin ndaj dëshmitarëve dhe dha sugjerime në lidhje me udhëzimet që duhej t’u jepeshin dëshmitarit 5 dhe dëshmitarit 6. Hajredin Kuçi sipas ZPS gjithashtu konfirmoi se kishte takuar më parë dëshmitarin 5 të paktën një herë për të diskutuar dëshminë e tij.

    Një tjetër takim është edhe ai më 9 shtator 2023, kur Bashkim Smakaj, Blerim Shala, Artan Behrami dhe të tjerë persona vizituan Thaçin në qendrën e paraburgimit.

    Gjatë vizitës, sipas aktakuzës, Thaçi dha informacion konfidencial për dëshmitarë të ZPS-së dhe udhëzoi në mënyrë të përsëritur një ose më shumë prej vizitorëve që t’i jepnin udhëzime dëshmitarit 2 se si të dëshmonte.

    Thaçi sipas ZPS-së, e cilësoi dëshminë e dëshmitarit 2 si vendimtare dhe dha udhëzime të hollësishme se çfarë duhej të thoshte dëshmitari 2 gjatë dëshmisë së tij.

    Tutje dosja përshkruan se Thaçi u kërkoi vizitorëve që të vinin ta takonin sërish pas një muaji në qendrën e paraburgimit.

    Tutje ZPS në aktakuzë thotë se Bashkim Smakaj dhe Artan Behrami u takuan sërish me Thaçin, më 7 tetor 2023. Aty sipas aktakuzës Thaçi dha udhëzime të mëtejshme se si duhej të dëshmonte dëshmitari.

    ZPS thotë se gjatë kontrollimit të makinës së Smakaj më 30 tetor 2023, ZPS-ja gjeti një dokument ku trajtohej tema e dëshmisë që pritej të jepte dëshmitari 2, me një version të ngjarjeve që përputhej me udhëzimet e dhëna nga Thaçi gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit më 9 shtator dhe 7 tetor 2023.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se gjatë të gjithë këtyre ngjarjeve, dëshmitari 2 nuk ishte konfirmuar publikisht nga DHSK-ja apo ZPS-ja si dëshmitar në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Intervistat e tij me ZPS-në ishin klasifikuar si konfidenciale dhe DHSK-ja ose ZPS-ja i ishin referuar atij publikisht, ose me statusin e dëshmitarit apo kodin e tij të dëshmitarit në proces.

    Në dosje përshkruhen edhe takimet e Thaçit me Kilajn.

    Sipas ZPS-së, më 6 tetor 2023, Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu vizituan Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit. Ky takim ishte planifikuar një muaj më herët, në një thirrje telefonike në qendrën e paraburgimit midis Thaçit e Kilajt.

    Sipas aktakuzës së publikuar nga ZPS, gjatë vizitës, Thaçi u dha Kilajt e Kryeziut informacion konfidencial për dëshmitarë të ZPS-së në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

    Sipas ZPS, Thaçi dha udhëzime që duhej t’i përcilleshin dëshmitarit 4 se si duhej të dëshmonte.

    Gjatë dhënies së udhëzimeve, sipas ZPS Thaçi dha referenca dhe pjesë të deklaratave konfidenciale të mëparshme të dëshmitarit.

    Tutje thuhet se Thaçi me Kilajn e Kryeziun diskutoi provat konfidenciale të dëshmitarit të ZPS-së i identifikuar si dëshmitari 3.

    Gjatë një kontrolli të vendbanimit të Isni Kilajt më 2 nëntor 2023, sipas aktakuzës, ZPS-ja gjeti materiale që përmbanin informacion konfidencial për proceset e DHSK-së dhe të dhëna identifikuese të dëshmitarëve të mbrojtur, përfshirë edhe emrat e dëshmitarëve.

    Aktakuza përshkruan se ZPS-ja gjeti mes mbeturinave të Kilajt faqe të grisura të deklaratave të mëparshme të dëshmitarit 4, ndër të cilat edhe një pjesë së cilës Thaçi iu referua gjatë vizitës së 6 tetorit 2023.

    Tutje aktkauza pretendon se ZPS-ja gjeti gjithashtu edhe fletë fletoreje që përmbanin, ndër të tjera, përmbledhje të dëshmive të pritshme të dëshmitarëve aktualë dhe të mëparshëm të ZPS-së, bashkë me kodet e tyre të dëshmitarit. Shënimet e gjetura në vendbanimin e Kilajt përmbajnë informacion që përkon me informacionin në përmbledhjet konfidenciale që iu bënë të njohura Thaçi në kuadër të çështjes Thaçi dhe të tjerët.

    ZPS ka vlerësuar se veprimet e të akuzuarve synonin pengimin e çështjes Thaçi dhe të tjerët.

    Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve ishte ngritur në tetor 2020

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

    Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

    Aktakuza thotë se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

    Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

  • Ministri Maqedonci thotë se letra dërguar komandantit të KFOR-it nuk ishte rizotim por sqarim

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar për letrën dërguar komandantit të KFOR-it në lidhje me angazhimin e Gardës Ceremoniale të FSK-së gjatë një ceremonie mortore.

    Sipas një njoftimi të ministrit, letra në fjalë është dërguar me qëllim që t’i sqarohen komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe për ta siguruar atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës. 

    Minsitri ka deklaruar se ajo letër në asnjë mënyrë nuk paraqet rizotim dhe se nuk mund të interpretohet si e tillë. 

    Kjo për shkak se, sipas ministrit, për angazhimin e FSK-së në veri ekziston një dokument në fuqi i dhënë si zotim nga ish-kryeministri Hashim Thaçi në prilll të vitit 2013 dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga i cili thotë se derivojnë dhe kushtet e operimit e të koordinimit të FSK-së dhe KFOR-it për pjesën veriore të Kosovës. 

    “E ritheksoj, ashtu siç e kam thënë në çdo paraqitje timen publike, që personalisht nuk pajtohem me atë zotim, pasi vazhdoj të mendoj se ka qenë zotim i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë, si dhe me pasoja afatgjata. Mirëpo ashtu siç e kemi deklaruar si Ministri e Mbrojtjes dhe si Qeveri e Kosovës, letrën zotuese të vitit 2013 do ta respektojmë, sepse jemi të përgjegjshëm karshi obligimeve të trashëguara institucionale për aq kohë sa janë në fuqi”- ka shkruar Maqedonci sot, më 22.01.2025.

    Tutje, ministri i Mbrotjes ka thënë se është përgjegjësi e tij dhe e komandantit të KFOR-it tani kur thotë se ekziston zotimi i vitit 2013 i dhënë nga ish-kryeministri Thaçi, është që të sigurojnë njëri-tjetrin që do të bëjnë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar.

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, vazhdon dëshminë dëshmitari i mbrojtur

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, më 15.01.2025 ka vazhduar dëshminë dëshmitari i koduar me shifrën W04500.

    Pyetje për dëshmitarin e mbrojtur është duke parashtruar mbrojtësja e të akuzuarit Kadri Veseli, avokatja Kerrie An Rowan,  e cila gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit kërkoi që seanca të kalojë në sesionin privat për çështje sigurie.

    Kjo kërkesë e avokates Rowan u aprovua nga Trupi Gjykues dhe seanca aktualisht është duke vazhduar në sesionin privat.

    Gjyqtari Charls Smith III njoftoi se të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë duke e ndjekur gjykimin përmes videolidhjes.

    Në këtë rast, çështja po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

    Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023 .

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

    Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.

    Gjykimi filloi më 03.04.2023, me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

    Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

    Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

    Raportimet e tjera të KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.

     

     

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i mbrojtur pretendon se u ndalua dhe u rrah nga pjesëtarë të UÇK-së

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, më 14.01.2025, pas dëgjimit të dëshmitarit Sokol Dobruna, dëshminë e ka dhënë edhe dëshmitari i mbrojtur, i koduar me shifrën WO4500.

    Kryetari i trupi gjykues Charls Smith III në fillim të seancës lajmëroi se dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë dy seanca.

    Sipas tij, Prokuroria ka kërkuar 40 minuta për pyetje, mbrojtësi i viktimave 15 minuta dhe ekipet e mbrojtjes më pak se 2 orë.

    Prokurori Cezary Mihailzcuk lexoi një përmbajtje të dëshmisë së dëshmitarit.

    “Kemi dërguar një përmbledhje të dëshmisë së dëshmitarit të cilin dua të lexoj me zë të lartë për procesverbal, dhe nuk kemi pasur kundërshtime lidhur me këtë”- tha prokurori Mihailzcuk.

    “Më 1999, dëshmitari W04500 u arrestua nga anëtarë të armatosur të UÇK-së dhe u dërgua në një vend ndalimi ku është marrë në pyetje dhe është rrahur. Atje është mbajtur i ndaluar me disa persona të tjerë dhe më pas është zhvendosur me disa prej tyre në një vend të dytë ndalimi. Dëshmitari W04500 u lirua pas rreth një muaji nga ambientet e ndalimit”- tha prokurori Cezary Mihailzcuk.

    Tutje, prokurori Mihailzcuk, pas leximit të përmbajtjes së dëshmisë së dëshmitarit, deklaroi se nuk ka më pyetje për dëshmitarin, ndërsa me pyetje vazhdoi mbrojtësja e viktimave, Maria Radziejowska.

    “Dëshiroj të ju bëj disa pyetje, sepse do ta ndihmonit trupin gjykues. Si ka ndikuar tek ju ndalimi në vitin 1999?”- pyeti mbrojtësja e viktimave Radziejowska.

    Tutje, e njëjta kërkoi nga trupi gjykues që seanca të vazhdojë në sesionin privat. Këtë kërkesë e aprovoi trupi gjykues.

    Dëshmitari i mbrojtur dëshminë e dha përmes video-lidhjes.

    Në këtë rast, çështja po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

    Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

    Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

    Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

    Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

    Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

    Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.

  • Ish-Kryetarit të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së nuk i kujtoheshin ngjarjet, ndërpritet dëshmia e tij

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, më 14.01.2025, ka filluar dëshminë Sokol Dobruna, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

    Mirëpo dëshmia e Dobrunës u ndërpre. Kjo pasi kryetari i trupit gjykues Charls Smith III njoftoi se dëshmia e dëshmitarit Dobruna ndërprehet pas dakordimit të palëve, pasi që i njëjti pati vështirësi në kujtesë.

    “Dëshmitar, palët kanë rënë dakord që të pranohen deklaratat e mëparshme që keni dhënë ju dhe që ato janë të plota, e që do pranohen si të tilla. E kemi marrë këtë vendim, sepse kishit disa vështirësi për t’i mbajtur mend disa prej çështjeve. Ky është vendimi i Trupit Gjykues, nuk është  e nevojshme që të jepni më dëshmi.” – tha kryetari i Trupit Gjykues Charls Smith III.

    “Faleminderit, por më lejoni se një gjë të tillë plotësisht të Prokurorisë nuk e pranoj.” – tha pas Kryetarit të Trupit Gjykues dëshmitari Dobruna.

    Ky gjykim po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

    Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023 .

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

    Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.

    Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

    Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

    Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar në këtë rast mbi 300 dëshmitarë.

    Raportimet e tjera të KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.