Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit pa dallim moshe që të vaksinohen kundër gripit sezonal, si masë parandaluese.
Qytetarët mund të vaksinohen në secilën Komunë në Qendrën më të afërt të Mjekësisë Familjare, ndërsa është bërë e ditur se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 85 mijë doza të vaksinës.
“Duke qenë që sezoni i gripit zgjat edhe për disa muaj, IKSHPK u bën thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim moshe që të vaksinohen si masë parandaluese, me theks të veçantë grupeve me prioritet, si: punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të komprometuar, personat mbi 65 vjeç dhe fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç, me indikacione shëndetësore.” – thuhet në njoftim.
Ky Institut ka bërë të ditur se intensiteti i gripit sezonal është në aktivitetin e lartë të qarkullimit – duke e kaluar pragun epidemik.
IKSHPK ka bërë thirrje te qytetarët që të zbatojnë edhe masat parandaluese kundër grupit, si: mbajtja e higjienës personale, evitimi i kontakteve me individë të sëmurë, evitimi i vendeve të mbyllura e ndër të tjera edhe ushqim të shëndetshëm me shumë vitamina.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka shpjeguar se “gripi sezonal është sëmundje akute infektive e cila te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, ndërsa vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar gripin dhe reduktuar rrezikun”.