Ballina

Etiketë: glauk konjufca

  • Richard Grenell reagon ndaj deklaratave të Glauk Konjufcës rreth qasjes së presidentëve Biden dhe Obama ndaj Kosovës

    I dërguari për misione speciale i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me qasjen ndaj Kosovës të Administratës së ish-presidentit Joe Biden dhe ish-presidentit Barack Obama.

    Një një intervistë në RTK, Konjufca ka thënë se qasja e ish-presidentëve amerikanë e ka vënë Kosovën në një pozicion të disfavorshëm karshi Serbisë.

    Sipas tij, këto veprime të dy ish-presidentëve amerikanë, kanë qenë shtysë edhe e themelimit të Gjykatës Speciale.

    “Dhe neve, me thënë të drejtën, gjatë kësaj kohe na kanë ndodhur disa çështje të cilat i ka shty Serbia, të cilat shumë e kanë dëmtu reputacionin dhe shtetësinë e Kosovës, për shembull Gjykata Speciale. Unë nuk mendoj që Gjykata Speciale do të ishte bërë nëse veç Bashkimi Europian kishte qenë në anën e Gjykatës Speciale. Këtë po e garantoj, nuk do të ishte bërë. Ishim bërë ne bashkë këtu, me PDK-në, me LDK-në, me Vetëvendosjen e me krejt edhe nuk do të kishte ndodhur”- ka deklaruar Konjufca.

    E ndaj kësaj deklarate të kryekuvendarit të Kosovës ka reaguar i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për misione të veçanta, Richard Grenell.

    Në një postim në rrjetin social “X”, Grenell ka shkruar se ata kanë qeverisur katër vite dhe deri më tani nuk janë ankuar për një gjë të tillë ndaj Administratës së Biden dhe asaj Obama.

    “Ata kaluan 4 vitet e fundit duke komplimentuar Joe Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”- ka shkruar Grenell sot, më 22.01.2025.

     

  • Konjufca takohet me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, flasin për zgjedhjet

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të kryesuar nga Petra Bayr.

    Konjufca i ka njoftuar mysafirët me ecurinë aktuale politike në vend, në këtë periudhë të fushatës zgjedhore që përfundon me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025.

    Ai ka vlerësuar se ky proces është duke u zhvilluar konform përcaktimit të tij ligjor, në frymë demokratike, si dhe duke i ndjekur e nxitur vlerat e përbashkëta europiane.

    “Në takim u diskutua rreth Ligjit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës që e definon këtë proces, si dhe në lidhje me pritshmëritë që këto zgjedhje të vazhdojnë traditën e mirë demokratike, si një vend që aspirojmë zhvillim sa më të madh në këtë drejtim, me aspirata të anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane”- thuhet në njoftimin e datës 17.01.2025.

    Konjufca ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, ashtu siç ka qenë dhe vijon të mbetet e angazhuar në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në vendin tonë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

    Konjufca e falënderoi delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për diskutimin e frytshëm dhe iu uroi atyre qëndrim sa më të mirë e sa më produktiv në Kosovë.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.