Ballina

Etiketë: GKK

  • Klodiana Millona dhe Endi Tupja, fituese të çmimit “Gjon Mili” – FOTO

    Vepra “Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita” e autorëve Klodiana Millona dhe Endi Tupja ka fituar çmimin “Gjon Mili”, që ndahet në kuadër të Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, “Gjon Mili”.

    Edicioni 17 i kësaj Ekspozite të titulluar “Ajo që ia thotë këngës…” është hapur më 23.01.2025. Ekspozita dhe çmimi “Gjon Mili” organizohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK).

    GKK ka bërë të ditur se çmimi “Gjon Mili” është ndarë nga një juri në përbërje të: Marina Grzinic (Slloveni), Zef Paci (Shqipëri) dhe Stamatis Schizakis (Greqi).

    “Çmimi i ndahet veprës ‘Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita’ nga Klodiana Millona dhe Endi Tupja. Kjo vepër sintetizon elementet më kritike të temës së Ekspozitës – duke zgjeruar dhe forcuar idenë e fuqisë dhe dukshmërisë. Vepra mishëron tensionet midis përkatësisë dhe mospërkatësisë, midis gjuhës dhe etnicitetit – çështje thellësisht karakteristike për rajonin e Ballkanit. Juria u prek nga mënyra se si vepra i trajton këto tema në një mënyrë të angazhuar dhe të ndjeshme.” – thuhet në njoftimin e GKK-së.

    Ekspozita e 17 Ndërkombëtare e Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, “Gjon Mili”, e titullar  “Ajo që ia thotë këngës…” është kuruar nga Valentina Umansky.

    Në këtë Ekspozitë janë përfshirë veprat e 23 artistëve – pjesa më e madhe e tyre nga Ballkani, të përzgjedhur përmes një thirrjeje të hapur.

    Ekspozita do të qëndrojë e hapur në GKK deri më 30.03.2025.

    Pamje nga ekspozita “Gjon Mili” 2025 / Foto: KALLXO.com
    Pamje nga ekspozita “Gjon Mili” 2025 / Foto: KALLXO.com

     

    Vepra fituese e ekspozitës “Gjon Mili” 2025 / Foto: GKK

     

    Pamje nga Ekspozita “Gjon Mili” 2025 / Foto: KALLXO.com

     

    Pamje nga Ekspozita “Gjon Mili” 2025 / Foto: KALLXO.com
  • Nesër hapet ekspozita “Gjon Mili”

    Ekspozita e 17 Ndërkombëtare e Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, “Gjon Mili”, e kuruar nga Valentina Umansky, hapet nesër më 23.01.2025, në Galerinë Kombëtare të Kosovës (GKK).

    GKK ka njoftuar se kjo Ekspozitë e titulluar “Ajo që ia thotë këngës…” përfshin veprat e 23 artistëve – pjesa më e madhe e tyre nga Ballkani, të përzgjedhur përmes një thirrjeje të hapur.

    “Koncepti i Ekspozitës është frymëzuar nga tepsia – praktikë muzikore tradicionale me rrënjë në Kosovë, e performuar kryesisht nga gratë. Kjo formë unike kombinon meloditë vokale, me rrotullimin ritmik të tepsisë. Këtu, tepsia bëhet metaforë e gjesteve të trashëguara – që janë përcjellë prej nënës tek e bija – që lidhin gjeneratat me brezat e kaluar. Për më shumë, mund të lexoni komunikatën e bashkangjitur më poshtë.” – thuhet në njoftimin e GKK-së.

    Po, sipas njoftimit, Ekspozita eksploron traditat gjinore dhe përmbysjen e tyre të vazhdueshme – duke shqyrtuar fotografinë, imazhet lëvizëse dhe praktikat zanore si mediume të fuqishme dhe arkiva që përfshijnë narrativa të brezave të ndryshëm.

    Artistët pjesëmarrës në ekspozitën “Gjon Mili”: Ivana Basiç, Kristina Benjocki, Sema Bekiroviq, Angela Blazhanoviq, Zheljka Blakshiq, Vera Hadzhiyska, Majlinda Hoxha, Astrit Ismaili, Saodat Ismailova, Shejla Kamerić, Lebohang Kganye, Ana Likar, Glorija Lizde, Maria Mavropoulou, Klodiana Millona & Endi Tupja, Joanna Piotroëska, Stanislava Pinchuk, Iva Radivojeviq, Lala Rashçiq, Simon Shiroka, Huda Takriti, dhe Clarissa Tossin.

    Ekspozita “Gjon Mili” do të qëndrojë e hapur në GKK, deri më 30.03.2025.