Ballina

Etiketë: gjykata supreme

  • Tre gjyqtarë të Supremes dhe tri zyrtare bllokohen për 40 minuta në ashensor

    Tre gjyqtarë të Supremes dhe tri zyrtare të kësaj Gjykate janë bllokuar për 40 minuta në ashensor, gjatë ditës së sotme, më 22.01.2025.

    Përmes një reagimi për media Gjykata Supreme ka njoftuar se sot, më 22.01.2025, për 40 minuta tre gjyqtarë e tri zyrtare të Gjykatës janë bllokuar brenda ashensorit dhe gjatë kësaj kohe ashensori ka pasur lëvizje të pakontrolluara dhe tronditëse.

    Në reagimin e Gjykatës Supreme thuhet se gjyqtarët e stafi janë trajtuar nga stafi mjekësor i Ndihmës së Shpejtë dhe për këtë rast është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

    Reagimi i plotë i Gjykatës Supreme – lidhur me këtë rast

    Gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe stafi mbështetës tash e një vit janë duke punuar në kushte të pasigurta pune, si pasojë e ashensorëve të cilët bllokohen dhe lëvizin në mënyrë të pakontrolluar, e të cilët janë nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Sot, për rreth 40 minuta janë bllokuar brenda ashensorit tre gjyqtarë e tri zyrtare të Gjykatës dhe gjatë kësaj kohe ashensori ka pasur lëvizje të pakontrolluara dhe tronditëse. Gjyqtarët dhe stafi janë trajtuar nga stafi mjekësor i Ndihmës së Shpejtë dhe për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

    Rastet e ngjashme të vitit të kaluar dhe rasti i sotëm shton nevojën që kjo çështje të mos neglizhohet më tutje, por të trajtohet me seriozitet dhe institucionet kompetente ta marrin seriozisht situatën, e të krijojnë kushtet e punës – duke siguruar se jeta e gjyqtarëve dhe stafit të Gjykatës është e sigurt.

    Raportime për problemin me ashensorët në Pallatin e Drejtësisë: LINK.

     

  • Gjykata Supreme miraton ligjin që e ndalon TikTok-un në SHBA

    Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të premten (17.01.2025) vendosi njëzëri që të miratojë ligjin federal që e ndalon TikTok-un duke filluar nga e diela (19.01.2025), përveçse nëse shitet nga kompania e saj amë me bazë në Kinë.

    Gjykata argumentoi se rreziku për sigurinë kombëtare i shkaktuar nga lidhjet me Kinën tejkalon shqetësimet për kufizimin e lirisë së shprehjes nga aplikacioni ose 170 milionë përdoruesit e tij në Shtetet e Bashkuara, raporton AP.

    Shitja nuk duket se është afër dhe, megjithëse ekspertët kanë thënë se aplikacioni nuk do të zhduket nga telefonat e përdoruesve ekzistues pasi ligji të hyjë në fuqi më 19 janar, përdoruesit e rinj nuk do të jenë në gjendje ta shkarkojnë atë e as të përditësojnë.

    Kjo, eventualisht, do ta bëjë aplikacionin të papërdorshëm, ka thënë Departamenti i Drejtësisë në dokumentet gjyqësore.

    Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, premtoi se mund të negociojë për një zgjidhje, kurse administrata e presidentit Joe Biden ka sinjalizuar se nuk do ta zbatojë ligjin duke filluar nga e diela, dita e tij e fundit e plotë në detyrë.

    Trump, i vetëdijshëm për popullaritetin e TikTok-ut dhe për 14.7 milionë ndjekësit e tij në këtë aplikacion, gjendet në anën e kundërt të argumentit nga republikanët e njohur të Senatit, të cilët fajësojnë pronarin kinez të TikTok-ut për mosgjetjen e një blerësi deri tani.

    Nuk është e qartë se cilat opsione do të jenë të hapura për Trumpin pasi të betohet si president të hënën.

    Reuters raporton se Ligji për TikTok-un i jep presidentit autoritetin për të dhënë një zgjatje të vetme deri në 90 ditë për afatin e shitjes, nëse ai vërteton se ekziston një rrugë dhe prova për përparim drejt një shitjeje, duke përfshirë “marrëveshje ligjore të detyrueshme”, të cilat ligji nuk i përcakton.

    Aplikacioni u mundëson përdoruesve të shikojnë qindra video brenda rreth gjysmë ore, pasi disa prej tyre janë vetëm disa sekonda të gjata, sipas një padie të ngritur vitin e kaluar nga shteti i Kentakit, ku pretendohet se TikTok-u është i dizajnuar për të krijuar varësi dhe dëmton shëndetin mendor të fëmijëve. Padi të ngjashme janë ngritur nga më shumë se një duzinë shtetesh. TikTok-u i ka quajtur këto pretendime të pasakta.

    Mosmarrëveshja mbi lidhjet e TikTok-ut me Kinën ka marrë formën e konkurrencës gjeopolitike ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit.

    Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se janë të shqetësuara për mbledhjen e sasive të mëdha të të dhënave nga TikTok-u, përfshirë informacionin e ndjeshëm mbi zakonet e shikimit, që mund të përfundojnë në duart e Qeverisë kineze përmes detyrimit. Zyrtarët, gjithashtu, kanë paralajmëruar se algoritmi që përcakton çfarë shohin përdoruesit në aplikacion është i cenueshëm ndaj manipulimit nga autoritetet kineze, të cilat mund ta përdorin atë për të formësuar përmbajtjen në platformë në një mënyrë të vështirë për t’u zbuluar.

    Ndërkaq, TikTok-u thekson se SHBA-ja nuk ka paraqitur prova që Kina ka tentuar të manipulojë përmbajtjen në platformën e saj në SHBA ose të mbledhë të dhëna të përdoruesve amerikanë përmes TikTok-ut.

    Pa u shitur te një blerës, ligji ua ndalon gjigantëve teknologjikë Apple, Google dhe të tjerëve që të ofrojnë TikTok-un duke filluar nga e diela./REL