Ballina

Etiketë: Gjykata e Prishtinës

  • Dëshmia e Nait Hasanit në gjykimin ndaj të akuzuarit për masakrën e Dubravës

    Në gjykimin ndaj Gavrilo Milosavleviqit, i akuzuar për masakrën në Burgun e Dubravës, në seancën e së enjtes 16.01.2025 ka vazhduar dëshminë dëshmitari Nait Hasani. Hasani dëshminë e tij e kishte dhënë edhe më datë 04.11.2024.

    I pandehuri Gavrilo Milosavleviq po akuzohet se në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.

    Dëshmitari Nait Hasani deklaroi se nga data 21 maj 1999 deri më datë 24 maj 1999 në burgun e Dubravës kanë qenë të bombarduar, të vrarë dhe të plagosur.

    Dëshmitari Hasani deklaroi se në burgun e Dubravës atë e kanë nxjerrë nga dhoma 5 gardianë dhe e kanë torturuar në forma të ndryshme.

    “Mua më kanë torturuar në forma të ndryshme duke më fyer me nanë, babë, grua e motër, për atë që ne kemi bërë kundër Serbisë”- tha dëshmitari Hasani.

    Dëshmitari Hasani deklaroi se gardianët kanë qenë me uniforma dhe se me emra nuk i ka njohur, mirëpo shokët e tij të cilët kanë qenë më herët në burgun e Dubravës i kanë njohur dhe i kanë identifikuar me emra gardianët.

    Tutje, dëshmitari Hasani deklaroi se Shoqata e të Burgosurve më 19 janar 2007 ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Qarkut në Pejë, duke thënë se që 17 vite e kanë bërë këtë kallëzim penal dhe që i vjen mirë që sot po merr një përfundim.

    Dëshmitari Hasani tutje tha se ky kallëzim penal është bërë ndaj Drejtorisë së Burgut të Dubravës, gardianëve dhe të burgosurve serbë që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasje. Ai tha se janë 32 të pandehur, por që në mesin e tyre nuk është edhe i akuzuari Milosavleviq, pasi që nuk i kanë pasur të dhënat e tij sipas listës që e kanë pasur.

    Lidhur më këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Gavrilo Milosavleviq, avokati Nebojsha Vllaiq kërkoi që ky kallëzim penal të vendoset në shkresa të lëndës si provë.

    Këtë propozim të avokatit Vllaiq, prokurorja Ajshe Ferati tha që të mbetet në diskrecion të gjykatës, duke marrë parasysh se për këtë ende nuk kanë përfunduar hetimet.

    Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili tha se kur të arrijnë në fazën e administrimit të provave , sigurisht që do të pajiset edhe pala mbrojtëse me këtë shkresë.

    Gjykimi ndaj të akuzuarit për masakrën në burgun e Dubravës – 16.01.2025 – Foto – Adile Agushi – KALLXO.com

    Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë që pyetje për dëshmitarin Hasani të parashtrojë mbrojtja e të akuzuarit Milosavleviq, mirëpo të njëjtit deklaruan se nuk kanë pyetje.

    Në këtë seancë ishte paraparë të vazhdojë dëshminë edhe dëshmitari Ukë Thaqi, mirëpo për të njëjtin kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili njoftoi se dëshmitari Thaqi nuk ka mundur të paraqitet në seancë për shkak të gjendjes shëndetësore të tij.

    Kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili njoftoi se seanca e caktuar për datën e nesërme 17.01.2025 anulohet për arsye se gjyqtarët e Departamentit Special janë të obliguar të marrin pjesë në një punëtori të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

    Ndërsa seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan për në muajin shkurt dhe mars 2025.

    Kjo çështje penale po gjykohet nga Vesel Ismaili – kryetar, anëtarët Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi.

    Aktakuza ndaj të pandehurit Gavrilo Milosavleviq ishte ngritur më 29.11.2023, ndërsa shqyrtimi fillestar ishte mbajtur më 07.12.2023.

    Gjatë shqyrtimit fillestar i akuzuari Milosavleviq pas leximit të aktakuzës nga Prokuroria kishte deklaruar se e ka kuptuar veprën për të cilën po akuzohet mirëpo kishte deklaruar se nuk ndihet fajtor.

    Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

    Sipas dosjes së Prokurorisë, në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, i pandehuri Gavrilo Milosavleviq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.

    Sipas aktakuzës, Gavrilo Milosavleviq në bashkëkryerje me njësitë policore serbe kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut, i njohur si fusha e sportit”, të dalin 1 mijë të burgosur, me arsyetimin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.

    Tutje, sipas aktakuzës, menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve njësitë policore serbe i kishin gjuajtur me të gjitha llojet e armëve, si “Kallashnikov”, mitraloz, mortajë dhe armë të tjera, kurse nga mbrapa murit të burgut me granata dore.

    Nga ky operacion i vrasjes, i cili kishte filluar nga 22.05.1999 dhe kishte zgjatur deri me 24.05.1999, si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur dhe 108 të burgosur kishin mbetur të plagosur.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarakë serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë në pavijonet “B” dhe “C” (pavijonet e Burgut të Dubravës), duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë, duke i ofenduar dhe maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, pa ndonjë arsye, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

    Për këto veprime, i akuzuari Gavrilo Milosavleviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.

    Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

    Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

    Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

    Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

    Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

    Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

    Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

    Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

    Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.

     

     

  • Çështja e borxheve të ambalazhuesve të ujit, Naser Hafizit i vazhdohet paraburgimi edhe për 1 muaj

    Zyrtarit të MMPHI-së, Naser Hafizit, i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për një muaj lidhur me dyshimet për faljen e borgjeve – taksën ujore kompanive ambalazhuese.

    Vazhdimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar zëdhënësja Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi më 16.01.2025.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, në çështjen penale kundër të pandehurit N. H., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special më datë 08.01.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N. H., iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj, e cila masë i llogaritet nga data 10.01.2025 deri më datë 10.02.2025”– thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.

    Mbi bazën e këtij dyshimi Naser Hafizi është arrestuar më 10.10.2024 në Aeroportin e Prishtinës. Hafizi gjendet në paraburgim që nga data 11.10.2024.

    Lidhur me këtë rasti i dyshuar tjetër është edhe Izedin Bytyqi – sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për veprat penale – keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe – armëmbajtje pa leje.

    Çka thuhet në kërkesën e prokurorisë për paraburgim ndaj Naser Hafizit?

    Në kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se në cilësinë e personit zyrtar, dhe atë në cilësinë e zëvendësuesit të drejtorit të ARPL-së në MMPHI, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij duke vepruar në kundërshtim të plote me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin për Ujërat e Kosovës, si dhe udhëzimin administrativ për Strukturën e pagesave të taksave ujore, si dhe ka anashkaluar në tërësi Raportin e Grupit Ministror, i cili ishte formuar me qëllim të përllogaritjes së borxheve të Operatorëve Ekonomik – ambalazhuesve ndaj ARPL-së.

    Në dosjen e prokurorisë thuhet se raporti tregonte se vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga operatorët ekonomikë është 19,297,447.67 euro, ndërsa i pandehuri pa bazë ligjore dhe pa verifikuar gjendjen faktike, ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve ekonomikë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete ose për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.

    Sipas dosjes së prokurorisë më datë 22.03.2022, pa bazë ligjore ka iniciuar nxjerrjen e vendimit preliminar për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit Compakt-Group – “Adea Group” për shfrytëzimin e ujit në vlerë të 3,616,812.00, ndërsa më 17.11.2022 për të njëjtin ambalazhues kishte iniciuar nxjerrjen e detyrimit financiar për shfrytëzim të ujit në vlerë prej 41,433,60 euro për periudhën kohore 2018-2021, duke mos inkasuar borxhin për periudhën kohore prej vitit 2010, prej kur këtij operatori i ishte dhënë leja ujore, duke anashkaluar në tërësi raportin e grupit punues ministror dhe pa kryer asnjë verifikim zyrtar të gjendjes në teren, i përllogarisin borxhin në vlerë shumë të ulët krahasuar me të dhënat e konstatuara nga GP dhe në kundërshtim me UA

    Tutje sipas dosjes së prokurorisë më datë 07.09.2021 Hafizi dyshohet se kishte iniciuar nxjerrjen vendimit financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për OE “Fluidi”, të cilit prej janarit 2009 deri në qershor 2021, i cakton si detyrim financiar 13,072.31 euro edhe pse ky operator vetëm për periudhën kohore prej vitit 2008-2013, sipas GP Ministror të vitit 2014, detyrohej për borxhin prej 4,458,24.00 euro e nëse do të llogaritej edhe periudha kohore prej vitit 2014 e tutje borxhi do të ishte më i lartë.

    Gjithnjë sipas dosjes së prokurorisë i pandehuri më 31.08.2021 kishte iniciuar nxjerrjen e vendimit financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për OE “FRUTTI”, të cilit prej 2017-2021 i përcakton detyrim financiar prej 39,81 euro, ani pse ky operator ka operuar si ambalazhues dhe përllogaritja e detyrimit për ujin e shfrytëzuar është dashur që t’i llogaritet për litër të shitur e jo metër kub.

    Në dosjen e prokurorisë po ashtu thuhet se më datë 11.03.2022, i pandehuri kishte iniciuar nxjerrjen e vendimit financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për OE  “FRUTEX”, i cili si aktivitet kishte prodhimin dhe ambalazhimin e lëngjeve freskuese, të cilit për periudhën kohore prej muajit korrik 2019 deri në dhjetor 2021 i kishte përcaktuar si detyrim financiar shumën prej 127.40 euro.

    Tutje në dosjen e prokurorisë thuhet se sipas vendimit më datë 22.03.2022 pa bazë ligjore kishte iniciuar procedurën për nxjerrjen e vendimit për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit “Getrinke” sh.p.k Vrellë, për shfrytëzim të ujit të papaguar në vlerë prej 411,180,00 euro, ndërsa më 28.06.2022, këtij operatori për periudhën kohore maj- dhjetor 2012 deri në janar-dhjetor 2021, i përllogarit detyrim financiar në vlerë prej 180,605.33 euro, duke mos marrë parasysh të dhënat e nxjerra nga GP ministror

    Ndërsa më datë 28.03.2022, thuhet se pa bazë ligjore kishte nxjerrë vendim për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit “Silca Gruop- Uji Miros”, për shfrytëzimin e ujit të papaguar në vlerë prej 2,255,040,00 euro, ndërsa më pas është marrë vendim financiar duke anashkaluar të dhënat e nxjerra nga Grupi Punues ministror, por duke i llogaritur borxhin në bazë të raportimit të OE se gjoja borxhi i përgjithshëm nga ky OE është në vlerë prej 553,247,30 euro, e këtë e bën pa i verifikuar të dhënat nëse raportimi nga ky OE është i saktë.

    Gjithashtu, po me të njëjtën datë, thuhet se pa bazë ligjore kishte iniciuar nxjerrjen e vendimit për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit N.T.P “ADI”, për shfrytëzimin e ujit të papaguar në vlerë prej 216,000.00 euro, ndërsa më pas për ambalazhuesin e njëjtë të ujit më 20.03.2023, është marrë vendim financiar me të cilin ky OE, ngarkohet me detyrim financiar  prej 48,783,94 euro, për periudhën kohore prej vitit 2011 deri në vitin 2022, vendim ky i kundërligjshëm pasi që nuk janë marrë parasysh të dhëna e nxjerra nga grupi punues ministror.

    Sipas dosjes së prokurorisë thuhet se i pandehuri në shkelje të detyrave zyrtare si rezultat i përllogaritjes së borxheve në mënyrë të kundërligjshme, në muajin dhjetor të vitit 2023 kishte iniciuar procedurën për vazhdimin e lejes ujore, duke i mundësuar OE “FRUTTI” vazhdimin e lejes ujore pa i plotësuar kushtet ligjore.

    Në dosjen e prokurorisë thuhet se këtë e kishte arritur duke ushtruar presion të zyrtarët e MMPHI-së, e duke i kërcënuar se nëse nuk do të vepronin sipas kërkesave të tij, do të inicionte procedura disiplinore për largim nga puna. Me këto veprime, Hafizi dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”

    Tutje, në dosjen e prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naser Hafizi duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktiviteti i paligjshëm dhe është e fituar me kryerjen e veprës penale, me qëllim të fshehjes së burimit të vërtetë të pasurisë, të hollat- paratë kesh i ka futur në sistemin bankar me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme.

    Tutje thuhet se kishte bërë deponime përmes llogarive bankare të familjarëve të tij, kinse si kursim, huazim apo dhuratë nga personat tjerë një pjesë të huazimeve i ka kthyer në kesh edhe pse i ka marrë me transferim bankar, pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës se tyre përmes transfereve bankare, me qëllim që në fund t’i integroj duke i konvertuar e maskuar në emra të personave tjerë në asete të luajtshme dhe të paluajtshme. Me këtë, ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”.

    Po ashtu në dosjen e prokurorisë thuhet se Hafizi në cilësinë e zyrtarit të lartë publik ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, por që nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara, për vitin 2020 nuk ka deklaruar banesën në rrugën “Bill Klinton”, ndërsa në vitin 2022 kishte blerë një banesë tjetër në Fushë-Kosovë të cilën po ashtu nuk e kishte deklaruar e të cilën e kishte pasur obligim që ta deklaroj në vitin 2024. Andaj, ai dyshohet se ka kryer edhe veprën penale “Mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

    Po ashtu dosja e prokurorisë pretendon se i pandehuri Hafizi, marrë parasysh faktin se ka edhe shtetësinë e Republikës së Serbisë, dhe se bazuar në të dhënat për lëvizjet e tij të shpeshta të siguruara nga Sistemi për menaxhimin Kufitar në shtetet tjera të rajonit dhe më gjerë, e veçmas faktit se i njëjti disa herë brenda ditës ka hyrë dhe ka dal nga territori i  Republikës së Kosovës, në disa raste ka kaluar edhe në këmbë kufirin në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku dyshohet se ka në pronësi shtëpi, ekziston rreziku që po të lihet i lirë, do të arratiset nga Kosova në ndonjë vend tjetër, për t’u shmangur përgjegjësisë penale, e cila do ta vështirësonte zhvillimin me sukses të procedurës penale.

     

  • Dështon seanca ndaj të akuzuarit për keqpërdorim në prokurim në Drenas

    Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit Liman Buzuku, i akuzuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim në Komunën e Drenasit.

    Arsyeja pse ka dështuar të mbahet seanca e sotme është për shkak se ka munguar i akuzuari Liman Buzuku, për të cilin mbrojtësi i tij avokati Besnik Berisha e kishte njoftuar përmes një shkrese gjykatën se i njëjti nuk mund të paraqitet në gjykatë pasi gjendet në Gjermani për trajtim mjekësorë.

    Po ashtu i pranishëm nuk ishte as avokati Besnik Berisha dhe prokurori Bashkim Zeqaj, mirëpo të njëjtin e kishin njoftuar paraprakisht më parë se ka një shkresë nga avokati i të akuzuarit për shtyrje.

    Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit mars 2025.

    Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Prishtinës në përbërje të trupit gjykues Gëzim Ademi ( kryetar i trupit gjykues ) dhe dy anëtarët Alltëne Murseli dhe Gazmend Bahtiri.

    Çfarë thuhet në aktakuzë?

    Sipas aktakuzës të datës 30.12.2021, i pandehuri Liman Buzuku akuzohet se më 05.05.2021, në ora 14:00, në Komunën e Drenasit me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik, në atë mënyrë që në pozitën e drejtorit të kompanisë “MATKOS PHARMË” kishte ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në aktivitetin e prokurimit “Furnizim me barëra dhe material shpenzues mjekësor”.

    “Referenca nga “Shemo”, e datës 15.11.2020, të cilët kanë rezultuar që janë të falsifikuar, ku kjo kompani është shpërblyer me kontratë në vlerë prej 68,938,50 euro, mirëpo gjatë kohës në pritje të kalimit të afatit të ankesave, Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” ka njoftuar Komunën e Drenasit se lidhur me këtë aktivitet të prokurimit operatori ekonomik “MATKOS PHARMË”, dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të falsifikuar, ku pas verifikimit të tyre rezulton se janë falsifikuar, ku më pas është bërë edhe anulimi i tenderit”– thuhet në dosjen e Prokurorisë.

     

  • Dosja – Çfarë kishin diskutuar Granit Plava me Naim Murselin para vrasjes së Liridona Ademajt?

    Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt ka përfunduar me aktakuzë ndaj katër personave, duke përfshirë këtu bashkëshortin e saj, Naim Murselin, djalin e dajës së tij, Kushtrim Kokallën, dorasin sipas Prokurorisë, Granit Plava, dhe Tomë Dodajn, i cili dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.

    Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla e Tomë Dodaj janë katër personat që tashmë po akuzohen nga Prokuroria e Prishtinës nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt, ngjarje që ka ndodhur më 29.11.2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

    Aktakuza është ngritur më 15.01.2025 nga prokurorja Javorka Përlinçeviq.

    I pandehuri i dytë në këtë rast, Granit Plava, i cili nga Prokuroria po akuzohet për vrasjen e Liridona Ademajt, në deklaratën e tij të dhënë në Polici më 01.12.2023 kishte thënë se një ditë para rastit ishte takuar më të pandehurin Naim Murseli, dhe i njëjti i kishte thënë se e ka një rast ku të dy mund të fitojnë para.

    “Unë e pyeta: “Si është rasti?”. Ai vazhdoi: “E njoh një serbe e cila është biznesmene dhe ka shumë para, punët tjera i kryej unë ndërsa puna jote është të vrasësh atë”- kishte deklaruar në Polici i pandehuri Plava.

    Tutje i pandehuri kishte thënë se pasi e kishte pasur parasysh se e njëjta është serbe, kishte pranuar ta kryente vrasjen.

    “Naimi më ka thënë që pasi ta vras këtë vajzë do të m’i japë 30,000 euro pasi që kjo vajza ka shumë para”- kishte deklaruar Plava në Polici.

    Plava në Polici kishte deklaruar se ishte takuar me Naim Murselin dhe i  njëjti i kishte thënë: “Kjo është vetura me të cilën do të vish ta kryesh vrasjen”, porse ai (Plava) nuk e kishte pranuar veturën dhe i kishte thënë: “Ky kerr është shumë i vogël dhe nuk mund të ik me të”.

    Tutje, sipas deklaratës së dhënë në Polici, Plava kishte kontaktuar me një “rent a car” në fshatin Kralan të Gjakovës dhe i kishte pyetur për ndonjë veturë të lirë.

    Tutje, sipas deklaratës së Plavës në Polici, ai kishte deklaruar se atë ditë me të pandehurin Naim Murseli kishte shkuar në fshatin Kralan dhe ishin takuar me një person dhe i njëjti u kishte ofruar veturën e tipit “Seat”.

    Sipas deklaratës së dhënë në Polici, i pandehuri Plava kishte thënë se i pandehuri Murseli i kishte ofruar një armë duke i thënë: “Qikjo është arma”.

    Plava në Polici kishte thënë se plani për vrasje ishte bërë nga i pandehuri Murseli dhe se ai i kishte treguar për planin, duke i thënë se puna e tij është që ta përcjellë të pandehurin Murseli më një veturë e më pas t’i dalë në pritë kinse është grabitje dhe ta vrasë vajzën, duke i thënë se vajza ishte serbe.

    Plava në Polici kishte thënë se paratë për veturë do ia jepte i pandehuri Murseli dhe po ashtu armën do ta gjente ai dhe pas përfundimit të vrasjes i pandehuri Murseli të nesërmen do i jepte shumën prej 30,000 euro.

    Sipas deklaratës së Plavës në Polici, ai kishte shkuar edhe në restorantin ku kishte qenë Naim Murseli me familjen e tij.

    Plava në deklaratën e tij në Polici kishte thënë se i pandehuri Murseli para se të çohej nga restoranti i kishte shkruar në telefon: “Çohu!” dhe i njëjti menjëherë kishte dalë nga restoranti dhe e kishte pritur atë në veturë në parkingun e restorantit.

    Dhe kur kishte mbërri afër vendit të ngjarjes, i pandehuri Murseli i kishte thënë: “Ti shko atje dil në pritë kurse unë po vonohem pak deri sa të përgaditësh ti”.

    Plava në Polici kishte deklaruar se kishte shkuar te një vend i errët dhe kishte dalë nga vetura dhe kishte pritur deri sa të vijë i pandehuri Murseli me veturën e tipit “BMW” me targa suedeze.

    Tutje, i njëjti kishte thënë se pasi kishte ardhur vetura, ai kishte dalë përpara me armë në dorë dhe i pandehuri Murseli e kishte ndalur menjëherë veturën, dhe ai kishte shkuar në drejtim të tani të ndjerës dhe pasi xhami i veturës së pasagjerit ishte hapur ai u kishte thënë: “Qitni telefonat! Dhe kam dëgjuar atë vajzën duke thënë: Mo(s), mo(s)”. Dhe aty e kam vërejtur se është shqiptare dhe kam shtënë vetëm një herë dhe nuk kam ditë se ku kam rrokë”- kishte thënë Plava në deklaratën e tij në Polici.

    Granit Plava në Polici kishte thënë se këtë gjë e kishte bërë për shkak të nevojës për para.

    “Këtë gjë e kam bërë për shkak se më janë nevojitur paratë për sëmundjen e djalit”.

    Plava tutje në deklaratën e tij në Polici kishte thënë se i pandehuri Murseli pasi ishte ndalur vetura e kishte hapur dritaren dhe duke dalë nga vetura kishte vendosur çantën e vajzës mbi tavanin e veturës dhe më nuk e kishte parë atë, dhe kishte deklaruar se nuk kishte pasur njohuri se sa persona kanë qenë në veturë.

    Plava në Polici tutje kishte deklaruar se pas vrasjes kishte hipur në veturë dhe ishte larguar nga aty.

    Për të pandehurin Murseli ai kishte deklaruar se e njeh prej 10-15 vitesh pasi janë të të njëjtit fshat ndërsa për të pandehurin Kushtrim Kokalla ai kishte deklaruar se e njeh pasi janë shokë të fëmijërisë.

    Po ashtu, Plava në Polici kishte deklaruar se ndjen keqardhje për rastin.

    “Ndjej keqardhje për rastin në fjalë. Po ta kisha ditur se kjo është shqiptare nuk do ta kisha bërë kurrë edhe pse kam pasur shumë nevojë për para për sëmundjen e djalit tim. Për këtë Naimi e ka shfrytëzuar gjendjen time ekonomike, sociale dhe më është afruar me këtë kërkesë ku unë ndihem shumë keq për veprimet e mia”- kishte deklaruar Granit Plava në Polici.

    Deklarata e dytë e Granit Plavës më 14.12.2023

    Granit Plava në deklaratën e dytë të dhënë më 14.12.2023 kishte thënë se dy javë para ngjarjes kritike ishte takuar me Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën, dhe i pandehuri Kushtrim Kokalla i kishte thënë se do ta inskenojmë një aksident.

    “Dy javë para se me ndodhë vrasja jemi takuar me Naimin dhe Kushtrimin te “Shell”-at në Vetërnik. Kushtrimi më ka thënë se do ta inskenojmë një aksident, ku unë me veturë do t’i bie një veture me targa te huaja ku Naimi do të ma qet në pritë, por nuk kam pranuar që ta kryej aksidentin, dhe gjatë këtyre ditëve Naimi me Kushtrimin më ka thënë se gjatë këtyre ditëve duhet të kryhet kjo punë” – kishte deklaruar Plava.

    Plava në deklaratën e tij të dytë kishte thënë se ai asnjëherë nuk kishte komunikuar direkt me të akuzuarin Murseli por gjithmonë e kishte thirrur i pandehuri Kokalla dhe se ky i fundit i kishte thënë se këtë kohë do të takohej me të akuzuarin Murseli.

    Plava në deklaratën e tij të dytë kishte thënë se një javë para se të kryhej vrasja atë e kishte marrë i pandehuri Kokalla dhe te një pompë e derivateve në udhëkryqin e Klinës ishte takuar me të pandehurin Murseli.

    Plava kishte deklaruar se gjatë bisedës në prani të treve i pandehuri Murseli i kishte thënë se pas vrasjes do t’i marrë 30,000 euro.

    “Gjatë bisedës në prezencë të treve Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30,000 euro pasi ta vrasim këtë grua, në këtë ditë është përmendur edhe “Kallashi” për me ekzekutu këtë grua por nuk kam pranuar” – kishte thënë Plava në deklaratën e tij të dytë.

    Sipas deklaratës së Plavës në Polici, i pandehuri Murseli i kishte thënë se ai do të shkojë në Shqipëri dhe kjo punë duhet të përfundohet sa është ai atje.

    Plava në deklaratën e tij të dytë kishte thënë se në ditën e vrasjes i pandehuri Murseli e kishte thirrur në “What’s app” dhe i kishte thënë: “Sot duhet të kryhet kjo punë”, duke më thënë se: “Ti e din që kam pare nëse ndodh diçka unë do të nxjerri”- kishte deklaruar Plava në deklaratën e tij të dytë.

    Sipas deklaratës së Plavës pas blerjes së armës kishte pasur më shumë presion për të kryer vrasjen.

    Në dosje të Prokurorisë thuhet se kur i pandehuri Granit Plava është ftuar më 23.01.2024 në Prokurori për të dhënë deklaratë ai kishte shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.

  • Rrëfimi i dëshmitarit se si i gjeti kufomat – Gjykimi ndaj Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për “krime lufte”

    Millosh Pleskoviq, i akuzuar për “krime  lufte kundër popullsisë civile” gjatë luftës në Kosovë në zonën e Prizrenit është ulur edhe sot, më 15.01.2025, në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.

    Millosh Pleskoviq akuzohet se më 01.09.1998 në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” në Prizren kishte shtënë me armë të tipit “Kallashnikov” – me ç’rast ishin vrarë 3 civilë, të cilët ishin duke shkuar për të marrë dru në mal.

    Sot, më 15.01.2025, janë dëgjuar dy dëshmitarë. Fillimisht dëshminë e tij e ka dhënë dëshmitari Perver Daçaj, i cili gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se gjatë kohës së luftës kishte qenë në Bosnjë dhe në atë kohë kur kishte qëndruar në Bosnjë kishte kuptuar për vdekjen e vëllezërve të tij B. D., R. D. dhe vdekjen e F. B. nga vëllezërit që kishin qenë në Kroaci.

    Gjatë dëshmisë së tij Daçaj tha se në Kosovë ishte kthyer në vitin 2000 ose 2001, ndërsa prej luftës nuk kishte parë asgjë.

    “Në Kosovë jam kthyer në vitin 2000 apo 2001, sepse nuk më kujtohet.” – tha Daçaj.

    “Unë s’kam pa kurrgjë prej luftës në Kosovë.” – shtoi tutje Daçaj.

    Ai gjatë dëshmisë së tij tha se Xhengeri i kishte treguar për ngjarjen, se si i kishin gjuajtur dhe vrarë, se si kishin mundur ta vrisnin edhe Xhengerin, sepse ky kishte qenë edhe me babanë e vet dhe Bashkimin. Si dhe, Xhengeri i kishte treguar se kishte arritur që të identifikonte Millosh Pleskoviqin nga forcat serbe.

    “Po, më ka thënë që Miki ka qenë prezent, aty ballë për ballë prezent.” – tha Daçaj.

    “Detaje më tepër nuk ka dhënë, sepse gjendjen që e kam, nuk kam dashur të hy në detaje më shumë.” – shtoi tutje Daçaj.

    Para lufte ai rrëfeu se Mikin e kishte njohur shumë mirë. I njëjti tha se kishte qëndruar në lagjen e tyre, pasi aty i ka dajt dhe se në atë kohë Miki ishte dukur sikur tani si është, vetëm se pak i më dobët. E se si fëmijë në atë kohë ka mundësi që iu ka ra rasti të luajnë.

    “Ne si fëmijë ndoshta na ka rasti edhe me lu me të. Një herë a dy nuk e di.” – tha Daçaj.

    Tutje, seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit të dytë, Avdyl Muharremi, i cili gjatë dëshmisë së tij tha se të akuzuarin para lufte nuk e kishte njohur. Si dhe, tregoi se bashkë me Shaban Shalën kishin shkuar malit përpjetë. Se krejt e kishin ditur ku është ai vend dhe kur kishin mbërri në anën e majtë: aty Shabani i kishte gjetur kufomat.

    Dëshmitari Muharremi tha se kufomat i kishte parë vetëm nga larg dhe ato ‘kishin qenë të ënjtura’.

    “Nuk na kanë lanë m’u afru afër. Nga larg i kam pa që kanë qenë të ënjtura.” – tha Muharremi.

    “A ka qenë e njëjta ditë kur i keni gjetur kufomat dhe kur keni shkuar me i marrë?” – e pyeti gjyqtari Rrahman Beqiri dëshmitarin.

    “Nuk ka qenë e njëjta ditë, të nesërmen ka qenë.” – tha Muharremi.

    Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë këtij muaji.

    Kujtojmë se i akuzuari Millosh Pleskoviq në seancën e shqyrtimit fillestar, më 21.06.2024 nuk e kishte pranuar fajësinë.

    “Nuk e pranoj fajësinë.” – kishte thënë i akuzuari Millosh Pleskoviq.

    Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të Trupit Gjykues: Rrahman Beqiri (kryetar i Trupit Gjykues) dhe dy anëtarët, Violeta Namani-Hajra dhe Kujtim Krasniqi.

    Ndërsa, Aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Kastriot Memaj.

    Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, i akuzuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998 – 1999, në Prizren gjatë një konflikti me karakter jondërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ), e forcave policore të Serbisë, i pandehuri Milos Pleskovic, me dashje e në bashkëkryerje me persona të tjerë, i ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil – duke kryer vrasjen e viktimave, në atë mënyrë që në periudhën kohore relevante për këtë Aktakuzë, forcat policore dhe ushtarake të RFJ-së dhe Serbisë ishin stacionuar në kodrat përreth Prizrenit, për shkak të konfliktit të armatosur që ishte duke ndodhur në atë zonë.


    Sipas Aktakuzës, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të Lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, viktimat R.D., B.D., F.B së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë shkuar në malin e tyre, i cili gjendej afërsisht rreth 300 metra në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, për të marrë dru për ngrohje. Derisa ishin duke ecur, kanë hasur në një grup prej 7-8 persona, të armatosur të nacionalitetit serb, të cilët kishin dalë nga mali dhe ishin me uniforma policore e ushtarake, me shirita në krah dhe në kokë. E, njëkohësisht, ishin të armatosur me armë të gjata automatike e të cilët fillimisht i kishin urdhëruar që të ndaleshin, pastaj i kishin fyer në gjuhën serbe.

    Sipas Aktakuzës, në mesin e tyre e kishin parë edhe të pandehurin në fjalë. Në atë moment i pandehuri kishte shtënë me armë të tipit “kallashnikov” në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, viktima, tani i ndjeri B.D., e ka shtyrë më krah të dëmtuarin Xhenger Cana – duke e futur nën rrugë, në mënyrë që ta shpëtojë nga vrasja, pasi që ishte më i riu në grup,

    Gjithnjë sipas Aktakuzës, të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre, kurse viktimat, tani të ndjerit B.D dhe R.D dhe F.B kanë mbetur në vendin e ngjarjes të vrarë, si pasojë e të shtënave, ashtu që pas një jave me lejen e Policisë serbe familjarët e viktimave kanë shkuar që t’i marrin trupat e tani të ndjerëve R.D., B.D dhe F.B, te të cilët kanë parë se trupat e viktimave janë të gjymtuar, ashtu që R.D. dhe B.D. ishin vendosur njëri mbi tjetrin. Njëri nga ta e kishte këmbën e prerë nga trupi, kurse viktima Fatmiri nuk e kishte pasur kokën në trup.


    Në bazë të akuzave të lartcekura ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale: “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Për masakrat e krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe të dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

    Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

    Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

    Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

    Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

    Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.

    Të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë rast, mund t’i gjeni në këtë: LINK.