Ballina

Etiketë: Gjykata e Prishtinës

  • Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte në Ozdrim të Pejës, dëshmitarja rrëfen për vrasjen e prindërve, motrës dhe gjyshes së saj

    Në gjykimin e Millorad Gjokoviqit, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë, në seancën e së hënës, 20.01.2025, janë dëgjuar dy dëshmitare.

    I pandehuri Millorad Gjokoviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, keqtrajtimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

    Dëshmitarja Albina Krasniqi deklaroi se gjatë luftës viteve 1998-1999 ka qenë në fshatin Zahaq, ndërsa në fshatin Ozdrim, në shtëpinë e saj, është kthyer pasi kishte përfunduar lufta.

    Dëshmitarja deklaroi se kur ishte kthyer në shtëpi e kishte parë shtëpinë e djegur dhe vendet ku ishin vrarë familjarët e saj.

    “Aty e kam pa shtëpinë e djegur, aty u kanë dhoma ku janë vra nana edhe motra. Ka pasë shumë plumba. Edhe në korridor u vra baba dhe gjyshja. Një pjesë e korridorit u kanë krejt e gjakosur” – tha ajo.

    Dëshmitarja deklaroi se më 07.05.1999 i ishin vrarë prindërit, motra dhe gjyshja, ndërsa ajo më 17.06.1999  kishte kuptuar për vrasjen e tyre, dhe këtë e kishte kuptuar nga një familjar i saj.

    Dëshmitarja Albina Krasniqi tha se trupat se familjarëve të saj ende nuk janë gjetur.

    Në pyetjen e prokurores Ajshe Ferati se a e kishte kuptuar se kush kanë qenë vrasësit e familjes së saj, dëshmitarja Krasniqi tha se e ka kuptuar dhe se pjesë e asaj vrasje është edhe i akuzuari Gjokoviq.

    “Po, e kam kuptu, ka qenë Çeda, Çedomir mbiemrin nuk e di, pjesë e asaj vrasje është edhe personi këtu”- tha dëshmitarja Krasniqi.

    “Pse po mendon që Çedomiri është vrasësi i familjes tuaj?” – ishte pyetja e radhës nga prokurorja Ferati.

    “Është shume e qartë, se ai gjithmonë ka qenë kundër familjes time, sepse me prindin tim kanë pasë gjithmonë konflikte, sepse ne jemi kanë kojshi”- u përgjigj dëshmitarja Krasniqi.

    Në pyetjen se a e kishte njohur më herët të pandehurin Gjokoviq, dëshmitarja tha se ajo personalisht nuk e ka njohur.

    “Nuk e kam njoftë personalisht unë, po e kam njoftë në bazë të fjalëve të babës, se ka qenë një periudhë në vitin 1998, e di saktë që e ka përmend prindi jem që ky personalisht i ka thanë: “Kam me të vra, kam me të zhdukë me familje’”- tha dëshmitarja Krasniqi.

    Tutje, dëshmitarja Krasniqi tha se të pandehurin nuk e ka njohur me emër, mirëpo e ka njohur me pseudonimin si “Mici”.

    Tutje, në seancë u dëgjua edhe dëshmitarja Elmira Nurkoviq, e cila deklaroi se gjatë vitit 1998 kishte qenë në Mal të Zi, ndërsa në vitin 1999 kishte qenë në Ozdrim në shtëpinë e saj.

    Dëshmitarja Nurkoviq deklaroi se më 07.05.1999 kishte qenë në shtëpi me nënën dhe motrën e saj dhe tha se në shtëpinë e saj kishte ardhur një grup i forcave serbe dhe i kishin kërkuar shtëpitë e Krasniqëve.

    Dëshmitarja Nurkoviq tha se në ditën e shtatë pas ditës tragjike te shtëpia e Z.K.  kishte parë se kishte ardhur një ‘kombi’, ishin sjellë 4 herë dhe kishin sjellë diçka me thasë.

    E pyetur se a e kishte njohur të akuzuarin Millorad Gjokoviq, dëshmitarja Nurkoviq tha së për të kishte dëgjuar dhe e kishte ditur se ku kishte punuar, mirëpo kishte dëgjuar nga një fqinje e saj që i akuzuarit Gjokoviq kishte qenë prezent në ditën kritike, por që ajo personalisht nuk e kishte parë.

    Seanca e radhës për këtë çështje penale është e caktuar për më 21.01.2025.

    Kjo çështje penale po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Valon Kurtaj – kryetar dhe dy anëtarët, Arben Hoti dhe Vesel Ismajli.

    Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

    Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

    Sipas aktakuzës, i njëjti tutje kishte dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë si dhe kishte aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë. Personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.

    Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e kishin rrethuar fshatin Ozdrim, e pastaj kishin filluar një ofensivë ushtarake-policore.

    Në aktakuzë thuhet se fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur. Tre të fundit pas plagosjes ishin dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas sipas aktakuzës ishin ekzekutuar dhe ishin varrosur në fshatin Lutogllavë.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe sot figurojnë në listën e personave të pagjetur.

    Tutje në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “Shupa e Shemit”,  vend ky i cili gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim dhe aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.

    Në aktakuzë thuhet se të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse 28 të tjerët i kishin ndarë në tri grupe, i kishin transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku kishte qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.

    Dosja e Prokurorisë shpjegon se të njëjtit ishin marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyre mizore deri në momentin kur i kishin dërguar në burgun e Pejës, e nga aty i kishin dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura dhe deri sa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq.

    Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë.

    Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim

    Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

    Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

    Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

  • Rënia e kulmit nga ndërtesa e Komunës së Prishtinës – Aktakuzë ndaj dy personave

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20.01.2025, ka njoftuar se ka ngritur Aktakuzë ndaj Ylber Jasharit dhe Bekim Baftjarajt për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë ditës së sotme pas një pune hetimore ka ngritur Aktakuzë ndaj Y. J. dhe B. B., për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prishtinës.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Ylber Jashari akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro me dashje direkte dhe me qëllim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania.

    “I pandehuri Y. J. akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar ne atë mënyrë që me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania, ka përpiluar Raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës. Edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas Kontratës, në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14 – duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të kompanisë. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës, në shumën prej 36,450.29 euro, me çka ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Tutje, sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Bekim Baftjaraj akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë.

    “Ndërkaq i pandehuri B. B. akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë, për sanimin e kulmit të ndërtesës ku gjatë ekzekutimit të Kontratës ka kryer punë tjera, e jo ato sikur në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14 të Kontratës së lartcekur, ku ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës një pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth – duke lënduar rëndë të dëmtuarën E. U., në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro dhe janë shkaktuar dëme materiale në pesë veturat e parkuara përreth ndërtesës – me çka ka kryer veprën penale Punimet Ndërtimore të Kundërligjshme.” – thuhet, tutje, në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Po ashtu, në njoftimin e Prokurorisë është bërë e ditur se Prokurori i Shtetit dhe të pandehurit kanë arritur Marrëveshje për pranimin e fajësisë, si dhe me rastin e ngritjes së Aktakuzës i është propozuar Gjykatës që të pandehurit të obligohen që të kompensojnë dëmin material, në shumën prej 36,450.29 euro që i është shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, si dhe të ngarkohen me shpenzimet e procedurës penale.

    Një qytetare ishte lënduar e disa vetura ishin dëmtuar nga rënia e një pjese të kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” në kryeqytet, një vit më parë. Në vendin e ngjarjes menjëherë kishin dalë ekipe të emergjencës, të zjarrfikësve, të Policisë dhe të Prokurorisë së Prishtinës. Edhe zyrtarë të Komunës dhe të opozitës lokale ishin parë në vendin ku ndodhi rasti.

    https://kallxo.com/komuna/cka-ndodhi-me-kulmin-e-objektit-te-ri-te-komunes-se-prishtines/

    Raportimet tjera – LINK 

  • Aktakuza e dytë – Caktohet seanca fillestare ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe dy të tjerëve

    Seanca fillestare gjyqësore ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi dhe dy të tjerëve, Ymer Dragusha dhe Isuf Zejna është caktuar të mbahet, më 28.01.2025.

    Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar Zyra e gjyqtarit, Rrahman Beqiri.

    Prokuroria Speciale e Kosovës, më 30.12.2024, ka ngritur Aktakuzë kundër Nagip Krasniqit, Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës.

    Kryetar i Trupit Gjykues, në këtë çështje, është Rrahman Beqiri.

    Të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, mbi 36 milionë euro duke kryer veprat penale: “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

    Kujtojmë se Krasniqi tashmë ka një rast tjetër gjyqësor, në cilësinë e të akuzuarit për pozitën e njëjtë si ish-kryeshef i KEK-ut.

    Lidhur me Aktakuzën e parë Krasniqi nuk kishte pranuar fajësinë, ndërsa rasti është në procedim e sipër.

    Çka thotë Aktakuza e re e Prokurorisë Speciale për Nagip Krasniqin?

    Nagip Krasniqi si kryeshef i KEK-ut, në bashkëkryerje me Ymer Dragushën (ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit) akuzohen se nga nëntori i vitit 2022 e deri në fund të janarit të vitit 2023, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare – duke i tejkaluar kompetencat që i kanë.

    Sipas Aktakuzës së Prokurorisë, tejkalimi i kompetencës është bërë që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast Operatorit Ekonomik “Litwin S.A” – në rastin e aktivitetit të prokurimit, lidhur me “Riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5”.

    Tutje, sipas Prokurorisë, më 27.12.2022, Krasniqi kishte ftuar në zyrë të akuzuarin Ymer Dragusha, duke i kërkuar të njëjtit që të fillohet procedura për hulumtimin e tregut, që të fillohet procedura e negociuar për tenderin për riparimin e kalldasë së bllokut A5. Sipas Prokurorisë, Dragusha e kishte vënë në dijeni Krasniqin se një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

    Tutje, Prokuroria pretendon se Dragusha pasi kishte marrë kërkesën nga Krasniqi, i kishte thënë zyrtarit E.T., që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e Operatorëve Ekonomikë: “Intering”, “Monting Energjitika”, Litwin S.A”, të cilët Operatorë paraprakisht ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.

    Tri ditë më vonë – sipas Prokurorisë – më 29.12.2022, Krasniqi dhe i akuzuari tjetër Dragusha kishin zhvilluar negociata me Operatorët Ekonomikë, lidhur me tenderin “Riparimi kapital i kalldasë së bllokut A5” – pa qenë në Komisionin për vlerësim dhe negocim dhe ende pa u bërë njoftimi për shpallje në faqen E-Prokurimi. Ndërsa, më 16.01.2023, pas përfundimit të negociatave, kanë bërë njoftimin për shpallje – duke i eliminuar nga gara Operatorët: “Intering”, “Monting Energjetika” dhe duke e favorizuar Operatorin “Litwin S.A”.

    Themelimi i Komisionit për vlerësim dhe negocim për “Riparimin kapital emergjent të kalldasë së bllokut A5” ishte bërë katër ditë më vonë. Pikërisht, më 20.01.2023 – prej kur ishte bërë shpallja për njoftimin për kompaninë “Litwin S.A”. Ky Komision – sipas Dosjes – kishte ardhur me një konstatim, më 25.01.2023, se Operatori në fjalë nuk i plotësonte kushtet që kërkoheshin në Dosjen e tenderit dhe se nuk iu kishte përmbajtur premtimeve të dhëna gjatë zhvillimit të negociatave, me ç’rast Komisioni kishte rekomanduar që të anulohet aktiviteti i prokurimit.

    Sipas Komisionit, Operatori në fjalë kishte kërkuar të ndryshohen kushtet e tenderit, të zgjatet afati për kryerjen e punëve, të ulet përqindja në penallti dhe të zvogëlohet garancia bankare.

    Ndonëse kryeshefi i asaj kohe, Nagip Krasniqi kishte dijeni për Raportin e Komisionit dhe gjetjet e tij – siç theksohet në Dosje – ai kishte urdhëruar të pandehurin tjetër, Ymer Dragusha që të nënshkruajë Kontratën. Këtë e kishte bërë përmes e-mail-it, më 25.01.2023.  Kontrata ishte nënshkruar më pas, ndonëse ende nuk ishte siguruar garancia bankare, e cila do të ekzekutohej në rast të dështimit të Kontratës.

    Si rezultat i veprimeve të të pandehurve, nga 19.07.2022 e deri më 06.05.2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit. Andaj, siç theksohet nga ana e Prokurorisë, KEK-u u detyrua që të importojë energji në vlerë prej mbi 36 milionë euro.

    Me këtë në Dispozitivin e parë, Krasniqi dhe Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Tutje, Aktakuza vazhdon me Dispozitivin e dytë, në të cilin prapë Krasniqi e Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Në këtë Dispozitiv, Krasniqi e Dragusha akuzohen – sipas Prokurorisë – se i kanë mundësuar përfitim pasuror personit tjetër – Operatorit Ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit “Angazhimi i një kompanie konsulente ligjore” – në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

    Krasniqi – sipas Prokurorisë – ishte konsultuar për termat e referencës me të pandehurin, Isuf Zejna që është aksionar i kësaj kompanie ligjore më 02.03.2023 dhe ka kërkuar nga i akuzuari tjetër, Dragusha që të iniciohet procedura e prokurimit e negociuar për angazhimin e Konsulentit për këshillime në aspektin ligjor dhe të prokurimit për Kryeshefin ekzekutiv dhe stafin e KEK-ut, ndonëse në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve nuk ishte paraparë – duke e përcaktuar si Operator të vetëm kompaninë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.

    Sipas Prokurorisë ekzistonin raporte të ngushta shoqërore në njërën anë mes palëve

    Dosja elaboron tutje se Dragusha përkundër faktit që e dinte se kërkesa e Krasnqit ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, kishte filluar procedurën e prokurimit më 02.03.2023, me titull “Angazhimi i një kompanie konsulentë ligjor”.

    Ndonëse, organi kompetent për komentimin e Ligjeve të Prokurimit publik kishte lëshuar një Rekomandim se duhet të ketë procedurë të hapur, Krasniqi e Dragusha kishin zhvilluar procedurë të negocimit me kompaninë ligjore dhe më 03.04.2023, pas urdhrit të Krasniqit, Dragusha nënshkruan Kontratën me kompaninë ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, në vlerë prej 60 mijë euro – theksohet në Dosje.

    Aktakuza voluminoze 68-faqëshe në Dispozitivin e tretë përsëri akuzon Krasniqin e Dragushën për “keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje”.

    Sipas Dispozitivit të tretë nga dhjetori i vitit 2022 e deri më 18.04.2023, Krasniqi në të njëjtën cilësi dhe Dragusha po ashtu në të njëjtën cilësi – duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë tejkaluar kompetencat duke i mundësuar përfitim pasuror personit tjetër, Operatorit Ekonomik “Ergotem S.A”, duke i shkelur të drejtat personave të tjerë për aktivitetin e prokurimit “Pllaka rrëshiqtëse në PF – kanalet e mullinjëve të thëngjillit”.

    Krasniqi – sipas Prokurorisë – disa muaj para se të bëhej njoftimi në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik për aktivitetin e njëjtë, i kishte ftuar në mënyrë të kundërligjshme përfaqësuesit e Operatorit “Ergotem S.A”, me qëllim që të zhvillohet një vizitë në punishtet e KEK-ut. Tutje, i urdhëron zyrtarët përgjegjës që t’ia dërgojë kësaj Kompanie specifikat teknike të tenderit, ende pa u bërë shpallja e tenderit.

    Kështu – sipas Prokurorisë – më 15.12.2022, Krasniqi i shkruan të pandehurit, Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallej më 16.12.2022 të ftohet Operatori Ekonomik “SBB” dhe “Ergotem S.A” – duke përcaktuar paraprakisht konkurruesit/ofertuesit e tenderit dhe pastaj që në të njëjtën datë të bëhet shpallja e njoftimit për Kontratë.

    Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të ofertave nga ana e Komisionit, Operatori “Ergotem S.A” shpallet fitues i tenderit. Para nënshkrimit të Kontratës, kjo kompani kërkon nga KEK-u që të ndryshohen kushtet e tenderit lidhur me garancinë bankare, nga 50%, sa ishte në Dosje të tenderit, të zbritet në 10% . Kështu nga dy të pandehurit pranohet kjo kërkesë, por duke e rritur pakëz vlerën e përqindjes në 15 % – duke u nënshkruar Kontrata më 07.04.2023 nga Dragusha. Kurse, më 18.04.2023, nënshkruhet nga Krasniqi në vlerë prej mbi 1 milion euro.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 25.01.2023, në Prishtinë, me dashje, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë, i pandehuri Nagip Krasniqi si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut  dhe Ymer Dragusha si ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit (ZEP), më 25.01.2023, në Prishtinë kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast Operatorin Ekonomik ‘’Tuv Hellas’’ dhe t’ua shkelin të drejtat personave të tjerë, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar, i emërtuar si “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, në tenderin me nr. të prokurimit KEK-23-348-2-1-5, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me LPP.

    Në Aktakuzë thuhet se, më 24.01.2023, ende pa u bërë shpallja e njoftimit për tender, i pandehuri Nagip Krasniqi i kishte shkruar të pandehurit, Ymer Dragusha dhe kundërligjshëm e kishte obliguar që të kontaktonte me Operatorin Ekonomik “Tuy Hellas” dhe ta ftonte që të aplikonte për tender të negociuar. Mirëpo, zyrtarët e KEK-ut e kishin njoftuar fillimisht të pandehurin, Nagip Krasniqi se ky veprim ishte në kundërshtim me Nenin 7 të LPP. Përkundër, kësaj i pandehuri Krasniqi thuhet në Aktakuzë përmes e-mail-it e kërcënon zyrtarin A.K., se do ta largojë nga puna – nëse nuk vepron sipas urdhrave të tij.

    Në Aktakuzë thuhet, tutje, se nën kërcënim dhe presion, zyrtarja Myrvete Gërguri e kishte kontaktuar Kompaninë në fjalë dhe i kishte ofruar udhëzime të nevojshme se si të aplikojë në tender. Krejt kjo një ditë para shpalljes së tenderit, sepse më 25.01.2023 ishte bërë njoftimi për shpalljen e tenderit në E-Prokurim.

    Po ashtu, në Aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit nga zyrtarë përgjegjës se nuk mund të zhvillohet procedurë e negociuar në rastin e këtij tenderi, të pandehurit e kishin shpërfillur njoftimin dhe kishin vazhduar me procedurë të negociuar vetëm me Operatorin Ekonomik ‘”TUV Hellas’’, të cilin sipas Aktakuzës veçse e kishte përzgjedhur i pandehuri Nagip Krasniqi, ende pa u shpallur tenderi.

    Tutje, në Aktakuzë thuhet se gjatë procedurës së negocimit në mënyrë të kundërligjshme të pandehurit i kishin bërë favor këtij Operatori: kriterin tenderues të garancionit bankar nga 50% në 10% dhe përkundër faktit se Operatori Ekonomik kishte mungesë të dokumentacionit në Dosjen e tenderit për pikat tenderuese, si: referenca për punë, diplomat e ekspertëve dhe certifikata ISO 9001.

    Në Aktakuzë përshkruhet se bazuar në faktin se gjatë procedurës së negocimit i pandehuri, Nagip Krasniqi personalisht disa herë kishte pasur kontakte telefonike me përfaqësuesin e këtij Operatori dhe duke qenë në dijeni për mangësitë që Operatori Ekonomik kishte në raport me kushtet e tenderit, vendosën që të nënshkruajnë Kontratë me këtë Operator, në vlerë prej 628,425.00 euro, më 30.03.2023.

    Andaj, me këtë në bashkëkryerje e kishin kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Po ashtu – sipas Dosjes së Prokurorisë – i pandehuri Nagip Krasniqi prej muajit korrik deri më 25.11.2022, në Prishtinë me dashje në cilësinë e personit zyrtar si Kryeshef ekzekutiv i KEK-ut duke keqpërdorur detyrën zyrtare në Aktakuzë thuhet se kishte tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që t’i mundësonte përfitim personit tjetër. Pra, në këtë rast Operatorit Ekonomik “Bahri Asllan & FAM” dhe ua shkel të drejtat personave të tjerë, në këtë rast pra Operatorit Ekonomik “Takraf” dhe i shkaktoi dëm buxhetit të Kosovës – ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar i emërtuar si “Punë shtesë në riparimin e ekskavatorit E9 – Montimi i shtratit sferik”, me numër të prokurimit ‘’KEK-22-11643-5-2-5’’ kishte shkelur rëndë rregullat e përcaktuara me LPP, në atë mënyrë që kishte urdhëruar fillimisht aktivitet prokurimi të lartcekur.

    Gjithnjë – sipas Aktakuzës – pastaj ai kishte zhvilluar të ashtuquajturën “faza fillestare të negociuara’’ me Operatorin Ekonomik  “Bahri Asllan & FAM”. Mirëpo, për shkak të kushteve të negocimit i kishte pezulluar negociatat me këtë Operator dhe kishte hapur negociata të reja me Operatorin Ekonomik “Takraf”, me të cilin pas disa takimeve më 26.07.2022, sipas Aktakuzës, arriti një marrëveshje e cila nuk u ekzekutua menjëherë, për shkak të kushteve në terren. Andaj, u shty deri në krijimin e kushteve atmosferike.

    Në Aktakuzë përshkruhet se përkundër faktit që me Operatorin Ekonomik “Takraf” kishte një marrëveshje të dakorduar, siç u përshkrua më lartë, i pandehuri Nagip Krasniqi përmes zyrtares së tij i ka dërguar e-mail Operatorit Ekonomik  “Bahri”.

    Andaj – sipas Dosjes së Prokurorisë – me këtë në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale: “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Tutje, në Dispozitivin e Gjashtë të Aktakuzës i pandehuri, Nagip Krasniqi po akuzohet se në periudhën kohore 2022-2023, në Prishtinë, me dashje, në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar si Kryeshef ekzekutiv i KEK-ut ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit, të cilat po zhvilloheshin në KEK.

    Sipas Aktakuzës, këto fshehtësi i pandehuri Krasniqi i ka ndarë me personin jozyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin, e cila nuk mban asnjë pozitë zyrtare në Administratën shtetërore e për të cilat informata i pandehuri Krasniqi kishte qasje si rezultat i detyrës së tij dhe të cilat nuk ishin publike. Mihali është pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në Aktakuzë thuhet se, më 02.07.2022, i pandehuri Krasniqi, gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’ me znj. Mihaili i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it – sipas Marrëveshjes së datës 24.06.2022, në mes të KEK-ut dhe KESH-it.

    Tutje, në Aktakuzë thuhet se më 22.04.2022, i pandehuri Krasniqi gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar znj. Mihali dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike për muajin mars-prill 2022. Pas pranimit të lajmit nga ana e saj lidhur me publikimin e një informacioni nga portali “Reporteri’”, me titullin ‘’Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milion euro nga Kosova për dy muaj të krizës energjetike’’.

    Sipas Aktakuzës thuhet se i pandehuri Krasniqi, më 24.02.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit një dokument me titull “Agjenda e takimit të datës 09.02.2023’’, në të cilën janë të përfshira pikat kryesore, si dhe termat e referencës për prokurimin e titulluar “Shërbime të Konsulencës Ligjore dhe Rregullatorët’’.

    Tutje, thuhet se me datën 12.04.2023, i pandehuri i lartcekur gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal” i ka dërguar Mihalit një draft-Autorizim për angazhimin e një konsulenti të jashtëm për asistencë teknike për sektorin e fushëveprimit të KEK-ut, përkatësisht angazhimin e ekspertit G.B.

    Gjithnjë – sipas Aktakuzës – thuhet se më 04.08.2022, gjatë komunikimeve i pandehuri Krasniqi në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit, Kërkesën drejtuar Qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Ministrave të Qeverisë për plotësim-ndryshimin e Vendimit për Shpalljen e emergjencës energjetike.

    Sipas Aktakuzës, më 29.09.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’ me anëtarët e të njëjtit grup i pandehuri Krasniqi e ka dërguar tabelën me të dhënat/çmimet e gjashtë (6) tenderuesve, të cilët kanë ofertuar për aktivitetet e prokurimit “Riparimi kapital i kalldasë” dhe “Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit”.

    Tutje – në Aktakuzë – thuhet se më 13.10.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘”WhatsApp’’ në grupin ku bënte pjesë Mihali, i pandehuri Krasniqi e ka dërguar informatën të cilën e ka pranuar nga anëtari i Komisionit të vlerësimit dhe negocimit S.I., në lidhje me tenderin me numër KEKC-22-287-51, përkitazi me ofertat e ofruara nga Operatorët Ekonomikë. Si dhe, komunikime të tjera në këto platforma.

    Tutje – sipas Aktakuzës – i pandehuri Krasniqi po akuzohet se më 16.05.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: D.B, E.T. dhe M.K., pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit.

    Me këtë, i pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet se e ka kryer veprën penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. Në Dispozitivin e Shtatë të Aktakuzës i pandehuri, Isuf Zejna në cilësinë e përfaqësuesit të Kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” po akuzohet se në periudhën kohore dhjetor 2021 deri në prill të vitit 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit personal, e ka ndihmuar të pandehurin Nagip Krasniqi që në cilësinë e Kryeshefit ekzekutiv i KEK-ut ta keqpërdorë detyrën zyrtare në lidhje me tenderin me numër KEK-23-1630-2-2-5, i titulluar “Angazhimi i një kompanie konsulentë ligjor”.

    Në Aktakuzë thuhet se, më 14.02.2023, i pandehuri Zejna i ka ndihmuar të pandehurit, Nagip Krasniqi në përgatitjen e termave të referencës për tenderin në të cilin ishte vetë pjesëmarrës.

    Sipas Aktakuzës thuhet se fillimisht i pandehuri Krasniqi ia dërgon një draft të termave të referencës të pandehurit Zejna, e më pastaj i pandehuri Zejna ia kthen të njëjtin draft të pandehurit Krasniqi. Ndërsa, ky i fundit draftin e dërgon te Zyra e Prokurimit në KEK dhe u kërkon inicimin e këtij aktiviteti të prokurimit me procedurë të negociuar.

    Tutje, në Aktakuzë thuhet se me të kuptuar lidhur me këtë procedurë KRPP i shkruan KEK-ut shkresën, përmes së cilës e rekomandon se kjo procedurë duhet të zhvillohet me procedurë të hapur, me qëllim të rritjes së transparencës dhe konkurrencës.

    Në Aktakuzë thuhet se Nagip Krasniqi për shkak të raporteve të ngushta me të pandehurin, Isuf Zejna e injoron këtë Rekomandim dhe më 03.04.2023 e nënshkruan Kontratën me Operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, respektivisht me të pandehurin, Isuf Zejna – duke e shpërblyer me shumën prej 60.000.00.

    Me këtë i pandehuri, Isuf Zejna po akuzohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale: “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Shënim: Artikulli është edituar më 07.02.2025, ora 12:09.

  • Gjykimi për vrasjen më 2023 në Podujevë, dëshmitari thotë se dëgjoi fjalët e viktimës para se të vritej

    Në gjykimin ndaj të akuzuarit A. S., se në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur kanë privuar nga jeta V. B., në marketin “Interex”, në Podujevë më 2023, në seancën më  17.01.2025, kanë dhënë dëshminë katër dëshmitarë.

    Dëshmitari Osman Shabani, i cili deklaroi se punon për një firmë tjetër, ndërsa në ditën kritike më 11.09.2023 në marketin “Interex”  kishte qenë diku rreth orës 12:00 dhe se kishte qenë te vendi i frigoriferave.

    “Unë kam qenë në punë te frizat, dhe kur ka ndodhë rasti kam qenë me shpinë ka frizat në telefon me dorë dhe i kam ni krismat, të shtënat dhe e kam kthy kryt, në anën e majtë e kam parë rastin”- tha ai.

    Tutje i njejti tha se e kishte parë edhe momentin e vrasjes të tani të ndjerit.

    “E kam parë personin tani të vrarin duke thënë ‘Pashë Zotin mo!’, këtë ia ka thënë vrasësit. Ai ka vazhdu veç me gjujtë me armë”- tha tutje dëshmitari Shabani.

    Shabani më tej deklaroi se i kishte dëgjuar se janë shkrepur 7-8 plumba, dhe pastaj pas shkrepjes së këtyre plumbave ai kishte ikur.

    Dëshmitari Shabani për të ndjerin deklaroi se e kishte njohur me nofkën “Dhija”, për emrin e tij deklaroi se nuk e kishte ditur, ndërsa për të akuzuarin A.S., deklaroi se nuk e kishte njohur më parë.

    Në këtë seancë, dëshminë e ka vazhduar edhe bashkëshortja e të ndjerit V.B., dëshmitarja Lirie Sylejmani.

    Dëshmitarja Sylejmani gjatë deklarimit të saj tha se “nuk ka asnjë fuqi që mund të ndryshojë faktin se A., (i akuzuar) e ka orintuar djalin e vet drejt neve.”

    Sylejmani tha se bashkëshorti i saj e ka njohur të akuzuarin A.S., ndërsa djalin e tij jo.

    Ndërsa e pyetur për rasportet e të ndjerit me të akuzuarin A.S., dëshmitarja tha se i ndjeri me të akuzuarin nuk ka pasur raporte me të, përveç një incidentit në vitit 2022, por që nuk ka dijeni pse ka ndodhur ai incident, përveç se ka njohuri se bashkëshorti i saj ka qenë prezent në atë incident.

    Në këtë seancë janë dëgjuar edhe Nafije Pllana dhe Ahmet Pllana.

    Dëshmitarja Nafije Pllana deklaroi se ditën kritike ka qenë duke punuar në marketin “Interex” në Podujevë  në sektorin e pemëve, ndërsa ka qenë e kthyer me shpinë në pjesën kur ka ndodhur rasti.

    Pllana tha se rastin nuk e kishte parë, vetëm se kishte dëgjuar krismën e armës dhe kishte ulur kokën dhe pastaj e kishte parë një grua të plagosur në tokë.

    Tutje dëshmitarja Pllana deklaroi se në momentin kur ka ndodhur rasti të gjithë kanë bërtitur pasi nuk e kanë ditur se çfarë ka ndodhur.

    Dëshmitari Ahmet Pllana deklaroi se diku rreth apo pas orës 12:00 kishte qenë duke punuar me bashkëshorten e tij në marketin “Interex” në Podujevë dhe diku gjatë asaj kohe ishin dëgjuar disa të shtëna.

    Pllana deklaroi se nuk i kujtohet nëse ka parë diçka përveç që kishte dëgjuar të shtënat.

    Tutje, dëshmitari Pllana tha se pas këtyre të shtënave ata ishin nisur të shkojnë në pjesën e hyrjes të marketit.

    “Ne pasi kemi shku te dera hymjes kanë pushu të shtënat. Me kolegët e tjerë dhe me bashkëshorten time Nafijen,  jemi kthyer edhe unë kur jam kthy kam pa një grua të shtrirë duke u permeqatë (në gjende të rëndë), kur e kam pa që nuk po mundet me mbajtë kokën e kam kapë një thes me fara, i kam thënë mos e qit kokën në pllaka, dhe i kam thënë mos lëviz se tash vijnë organet e rendit”- deklaroi dëshmitari Pllana lidhur me rastin.

    Pasi ishte përfundimi i orarit të punës seanca e sotme 17.01.2025 u ndërpre. Seanca e radhës për këtë çështje penale është e caktuar për në muajin shkurt 2025.

    Kjo çështje penale po udhëhiqet nga Fatime Dërmaku – kryetare dhe antarët Gent Beka dhe Sulltane Hoti.

    Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

    Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari A.S.  me qëllim të hakmarrjes e për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët gjatë vitit 2022 me tani të ndjerin V.B. dhe Sh.R., i pandehuri ka porositur djalin e tij, të miturin L.S., që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B., duke kontribuar thellësisht në privimin nga jeta të tani të ndjerit V.B., e duke rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë.

    Sipas Prokurorisë, më 11.09.2023, rreth orës 11:30, i pandehuri A.S. me djalin e tij të mitur L.S. shkojnë në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë nga ku vëzhgojnë rrugën “Zahir Pajaziti”.

    Rreth orës 12:20, vërejnë tani të ndjerin V.B. se hyn në marketin “Interex’” së bashku me bashkëshorten e tij, tani të dëmtuarën L.S., dhe fëmijën e tyre katërvjeçar.

    Në aktakuzë thuhet se A.S. me të miturin L.S. dalin nga restoranti i marketit, duke zbritur shkallëve.

    A.S. e orienton të miturin L.S. në drejtim të të ndjerit V.B., i cili vihet në ndjekje të tij.

    Ndërkaq, A.S. vazhdon për të dalë nga objekti.

    Në momentin kur tani i ndjeri V.B., së bashku me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S. dhe fëmijën e tij, arrin te sektori i produkteve të qumështit i mituri L.S. i afrohet nga mbrapa, nga afërsia fillimisht shtie dy herë në drejtim të V.B. (e qëllon në shpinë dhe në qafë).

    Sipas dosjes, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B. dhe e qëllon edhe të dëmtuarën, bashkëshorten e tij, L.S.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se L.S. kishte filluar të ikte në momentin kur kishte dëgjuar krismën.

    I mituri L.S. kishte nxjerrë nga çanta revolen tjetër, me të cilën qëllon edhe 4 herë në kokë tani të ndjerin V.B.

    Ky i fundit, tanimë ishte i shtrirë në tokë.

    Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma e zjarrit V.B. vdes në vendin e ngjarjes, kurse e dëmtuara L.S. dërgohet në QKUK për shkak të plagëve të rënda që pëson.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, menjëherë pas të shtënave, i mituri L.S. me shpejtësi del nga marketi “Interexi” dhe largohet këmbë në drejtim të panjohur.

    I pandehuri A.S. afrohet te vetura e tipit “Mercedes E 200”, të cilën e kishte parkuar përballë “Interex”-it dhe shkon në shtëpinë e vet, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, ku edhe është arrestuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij janë gjetur e sekuestruar: një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë e dy antiplumba.

    Me këtë i pandehuri A.S. akuzohet se në bashkëkryerje me të miturin L.S. ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë

  • Dështon seanca ndaj avokatit të akuzuar se kërkoi 8 mijë euro për të ndikuar tek tre gjyqtarë

    Ka dështuar të mbahet seanca e sotme (17.01.2025) ndaj të akuzuarit Hamdi Jashari.

    Jashari nga prokuroria po akuzohet se në cilësinë e avokatit mbrojtës ka kërkuar dhe pranuar në mënyrë direkte shumën prej 8 mijë euro me qëllim të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrjen e kolegjit shqyrtues për ekstradimin e klientit të tij.

    Arsyeja pse seanca e sotme ka dështuar të mbahet është për shkak se ka munguar i akuzuari Hamdi Jashari për të cilin mbrojtësi i tij avokati Shemsedin Piraj bëri të ditur se nuk ka njohuri për mos ardhjen e tij.

    Po ashtu të pranishëm nuk ishin as i dëmtuari Eljmi Ajruli dhe Veli Kryeziu.

    Pasi nuk kishte kushte, seanca e sotme u ndërpre ndërsa e radhës u caktua për muajin shkurt 2025.

    Ky rast po trajtohet në përbërje të trupit gjykues Naser Foniqi- kryetar i trupit gjykues, anëtarët Fatime Dermaku dhe Ertan Sejfullah.

    Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Bashkim Zeqaj.

    Kujtojmë se në seancën e datës 23.01.2024 i akuzuari Hamdi Jashari ishte deklaruar i pafajshëm kundrejt akuzave që rëndojnë për të.

    DOSJA E PROKURORISË

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari në cilësinë e avokatit mbrojtës ka kërkuar dhe pranuar në mënyrë direkte shumën prej 8 mijë euro me qëllim të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrjen e kolegjit shqyrtues për ekstradimin e klientit të tij.

    Dosja thotë se vepra është kryer në periudhën kohore prej 25 maj deri në 2 qershor të vitit 2022.

    Jashari, sipas aktakuzës, duke qenë avokat mbrojtës i të dënuarit e të kërkuarit për vrasje A. A. për të cilin ka pasur kërkesë për ekstradim nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka pranuar shumën e lartcekur nga vëllai i klientit të tij.

    Këtë shumë, siç thuhet në aktakuzë, Jashari ka pasur për qëllim të ia jap kolegjit të gjyqtarëve të cilët kishin për të vendosur për ekstradimin e të mbrojturit A. A. në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i Jasharit, sipas Prokurorisë, ka qenë ushtrimi i ndikimit në mënyrë që kërkesa për ekstradim të refuzohej.

    Sipas aktakuzës ky kolegj përbëhej nga gjyqtarët e Gjykatës së Gjilanit, Naser Maliqi, Aziz Shaqiri dhe Veli Kryeziu.

    Hetuesit policor nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës pas zhvillimit të hetimeve preliminare kishin arrestuar avokatin Jashari, pasi dyshohet se ka kryer veprën e tillë.

    Sipas versionit të të akuzuarit të dhënë në Prokurori, shuma e kërkuar prej familjarëve të klientit ka qenë për raste të mëhershme gjyqësore për të cilat A. A. nuk i ka përmbushur obligimet financiare.

    Ndërkaq, i akuzuari Jashari i cilësoi si “tejet armiqësore” raportet me gjyqtarin Veli Kryeziu.

    Prokuroria këto veprime i ka kualifikuar me veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” e sanksionuar me nenin 424 të legjislacionit penal në fuqi.

    Sipas Kodit Penal, kushdo që dënohet për vepër të tillë mund të dënohet prej gjashtë muaj deri në tetë vjet.