Ballina

Etiketë: Gjuha e urrejtjes

  • DnV: Ka rritje të gjuhës nxitëse apo të urrejtjes në fushatë, LVV vazhdon bojkotimin e disa mediave

    Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha të shtunën se subjektet politike e kanë rritur përdorimin e gjuhës nxitëse apo të urrejtjes në javën e dytë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar bojkotimin e shumicës së debateve televizive, sipas saj.

    Në një konferencë për media, Violeta Haxholli nga kjo organizatë tha se 20 për qind e fushatës, e cila nisi më 11 janar, ka përmbajtur gjuhë të tillë deri tani.

    “Në përgjithësi, në këto dy javë, këtë gjuhë nxitëse apo të urrejtjes e kemi hasur në gjithsejtë 62 aktivitete, apo në rreth 20 për qind të numrit të përgjithshëm të aktiviteteve të subjekteve politike”, tha ajo.

    Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur gjuhë nxitëse apo të urrejtjes në 25 për qind të aktiviteteve të saj zgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës në 20 për qind, Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA në 18 për qind, dhe Partia Demokratike e Kosovës në 11 për qind, sipas Haxhollit.

    SHIKONI EDHE:

    Mijëra euro dënime për shkeljen e Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës

    DnV-ja ka vërejtur edhe rritje të madhe të komenteve të urrejtjes, posaçërisht në në videot e shpërndara nga fushata zgjedhore e partive politike, gjatë vëzhgimit të hapësirës online.

    “Kemi vërejtur rritje të komenteve të urrejtjes, veçanërisht në videot që shpërndahen nga fushata. Nga monitorimi i portaleve kemi identifikuar 300.000 komente nga palët e treta. Kjo pasqyron gjuhën e urrejtjes, teksa më së shumti janë gratë që kandidojnë për deputete që janë përballur me gjuhë të tillë”, tha Rezarta Delibashzade Krasniqi nga DnV-ja.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka shqiptuar disa gjoba ndaj disa subjekteve politike për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Ndërkohë, Haxholli tha se ndër zhvillimet kryesore të fushatës në javën e dytë është “vendimi i Qeverisë së Serbisë për t’i ndarë nga rreth 170 euro për afro 5.000 në Kosovë. Për vlerësimin tonë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor”.

    “Kjo paraqet përpjekje të hapur për të influencuar vullnetin qytetar të komunitetit serb duke përdorur ndihmën financiare si mjet për të ndikuar në përcaktimin e votuesve”, tha ajo.

    Më 22 janar, Radio Evropa e Lirë raportoi për përpjekjet e shtetit të Serbisë për të organizuar votimin e personave të zhvendosur nga Kosova, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës.

    Një qendër votimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për katër komunat në veri të Kosovës, 21 prill 2024.

    SHIKONI EDHE:

    Serbia “mobilizohet” për zgjedhjet në Kosovë

    Pse LVV-ja po i bojkoton disa media?

    Bojkotimi i disa mediave nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje shkon kundër llogaridhënies dhe transparencës, vlerësojnë njohësit e medias dhe organizatat që monitorojnë fushatën zgjedhore.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti, i cili qeverisë që katër vjet me Kosovën, është përballur me thirrje nga organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, që të heqë dorë nga bojkotimi i disa mediave të caktuara.

    Më 10 janar, 13 organizata joqeveritare ndërkombëtare e vendore, që merren me lirinë e medias, ia bënë këtë thirrje Kurtit dhe LVV-së përmes një letre të hapur.

    Gazetarët duke mbuluar një ngjarje në Kosovë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

    SHIKONI EDHE:

    Organizatat ndërkombëtare bëjnë thirrje që LVV-ja të mos i bojkotojë disa media

    Sekretari organizativ i LVV-së, Alim Rama, iu përgjigj letrës shtatë ditë më vonë, duke thënë se partia e tij nuk po bojkoton mediat, po ka marrë vendim që të “përjashtojë” tre kanale specifike dhe një vendim i tillë “nuk cenon peizazhin e pasur dhe të larmishëm mediatik të Kosovës”.

    Lëvizja Vetëvendosje nuk ka përmendur me emra se cilat kanale i ka “përjashtuar. Por, në reagimet e mëhershme të organizatave që merren me mediat është thënë se bëhet fjalë për disa nga televizionet e mëdha në vend, sikurse Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7.

    Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, thotë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vendim, LVV-ja ka tentuar që t’i vendosë këto media, që kanë kritikuar qeverisjen katërvjeçare të Kurtit, në anën e kundërshtarëve politikë, duke synuar që t’i paraqesë si “shërbyes” të partive opozitare.

    Por, Zeneli thotë se mediat janë kritike ndaj secilit pushtet, edhe ndaj opozitës.

    “Nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje kjo mund të jetë një strategji fushate dhe në këtë pikëpamje mund të kuptohet, por jo të mirëkuptohet me faktin se llogaridhënia dhe transparenca si dy kriteret kryesore të demokracisë, janë elementet kryesore të një qeverisje të mirë. Pra, nuk është se duke përjashtuar media nuk e plotëson kriterin e kritikës dhe kontrollit dhe nuk e plotëson kriterin e transparencës dhe llogaridhënies”, thotë ai.

    Kritike ndaj vendimit të partisë në pushtet që gjatë fushatës zgjedhore – që ka nisur më 11 janar – të përjashtojë media të caktuara, shprehet edhe Viona Bunjaku nga Lëvizja FOL, organizatë që bënë pjesë në koalicionin Demokracia në Veprim, që monitoron fushatën dhe procesin zgjedhor.

     

    Gazetarët duke përcjell një ngjarje në Qeverinë e Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

    SHIKONI EDHE:

    Paralajmërimi për bojkot të disa mediave nga LVV-ja shihet si sulm ndaj gazetarëve

    Edhe Bunjaku vlerëson se ky vendim i partisë në pushtet shkon kundër transparencës dhe llogaridhënies.

    “Gjithashtu, kjo është një përpjekje tjetër për të minuar rolin e mediave dhe gazetarëve në përgjithësi. Normalisht që kjo qasje e LVV-së nuk përkon as me demokracinë e vendit tonë”, thotë Bunjaku për Radion Evropa e Lirë.

    Ndërkaq, këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, deklaroi më herët për REL-in se bojkotimi i disa mediave nga LVV-ja përbën sulm për mediat dhe ndaj të drejtës së informimit, duke theksuar se do të ishte mirë që partia në pushtet të rishqyrtonte këtë vendim.

    Partia e Kurtit ka thënë se tre kanalet televizive, që ka vendosur që t’i “përjashtojë” kanë raportime “të njëanshme” dhe “joobjektive”.

    Këto media, sipas LVV-së, “nuk ofrojnë një platformë të drejtë për partinë tonë që të paraqesë planet dhe objektivat e saj zgjedhore”.

    Por, profesori Zeneli thotë se kjo nuk është arsyeja e vërtetë, pasi sipas tij, LVV-ja apriori ka zgjedhur të bojkotojë këto media gjatë fushatës, pa parë nëse këto mediume do t’i jepnin hapësirën e duhur.

    “Por, tash ideja është se si mund ta bësh një vlerësim të tillë pa shkuar [në debate dhe paraqitje televizive]. Do të ishte e logjikshme nëse do të provonin që të kishin hapësirën e duhur e nuk do ta kishin, atëherë kjo do të mirëkuptohej. Por, në këtë situatë, pra kur nuk e provon fare platformën dhe në të njëjtën kohë thua që kjo platformë nuk është e përshtatshme për ta shprehur vizionin tonë politik, atëherë vijmë në përfundimin që ky është një taktizim elektoral dhe asgjë më shumë”, thotë ai.

    Sipas të dhënave të Demokracisë në Veprim, në dy javët e para të fushatës, LVV ka bojkotuar gjerësisht debatet televizive, duke u paraqitur në mënyrë selektive vetëm në pak debate .

    Ky koalicion organizatash joqeveritare tha se ka monitoruar edhe kronikat televizive, të cilat janë dominuar nga partitë e mëdha, ku prin Partia Demokratike e Kosovës me 171 kronika, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 169, Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma me 154 dhe LVV-ja me 151.

    Pjesa më e madhe e kronikave, sipas monitorimit, i është kushtuar kandidatëve për kryeministër, me gjithsejtë 414 minuta.

    Sipas profesorit Zeneli, nuk është vetëm Lëvizja Vetëvendosje që bojkoton media të caktuara. Taktika të tilla kanë përdorur edhe në të kaluarën edhe parti të tjera. Ai përmend Partinë Demokratike të Kosovës, e cila sipas tij, gjatë zgjedhjeve të vitit 2021 kishte bojkotuar TV Dukagjinin, apo Lidhjen Demokratike të Kosovës, që Zeneli thotë se bojkoton Radio Televizionin e Kosovës “me idenë që është e kontrolluar nga pushteti aktual”.

    “Të gjitha këto raste tregojnë se këto janë taktizime elektorale, por janë taktizime elektorale në dëm të interesit publik dhe të drejtës për t’u informuar nga kanalet që zgjedhin vet qytetarët e Kosovës”, thotë ai.

    Ndikimi i bojkotit te votuesit

    Vendimi i LVV-së pritet të ketë ndikim negativ te votuesit, vlerësojnë njohësit e fushës së medias dhe vëzhguesit e zgjedhjeve.

    Zeneli thotë se në bazë të Kushtetutës, qytetarët kanë të drejtë të informohen nga çfarëdo kanali që duan, ndërkaq Bunjaku pajtohet se ata do të mbesin të painformuar rreth programit zgjedhor të partisë në pushtet.

    “Normalisht që ndikimi te votuesit do të jetë negativ pasi që qytetarët nuk do të mund të informohen rreth programit politik apo programit të LVV-së me të cilin ajo garon në këto zgjedhje. Pra, ata nuk do të jenë të informuar për çështje që ata do të duhej të ishin prezente në media, pra prezantimi i programit e prezantimi i kandidatëve për deputetë”, thotë ajo.

    Profesor Zeneli paralajmëron se mungesa e pranisë së një partie në mediume të caktuara gjatë fushatës zgjedhore do të reflektojë në mungesë të informacionit dhe rrjedhimisht do të ketë keqinformim për çështje të ndryshme që lidhen me Qeverinë aktuale të Kurtit dhe partinë e tij.

    Fushata për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, sipas vëzhguesve, është duke u karakterizuar me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes mbi baza politike.

    Por, Bunjaku nga Lëvizja FOL thotë se gjatë monitorimit vazhdimisht kanë vërejtur se ka pasur edhe sulme e kritika drejtuar mediave nga partia në pushtet.

    “Por, shpresojmë që në javët e ardhshme të fushatës, LVV-ja të ndërmarrë hapa pozitivë në këtë drejtim dhe t’i rikthehet mediave që ajo veçse ka deklaruar se nuk do të japë prononcime apo nuk do të jetë e pranishme në debate zgjedhore”, thotë ajo.

    Në letrën që OJQ-të i dërguan Kurtit dhe partisë së tij më 10 janar, përveç bojkotit të disa mediave, u përmend gjendja e lirisë së medias në Kosovë dhe sulmet ndaj gazetarëve.

    Vetëm më 2023, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 53 raste të sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve. Ndërkaq, më 2024, janë regjistruar 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

    “Shumica e këtyre incidenteve përfshijnë sulme verbale nga anëtarët e partisë tuaj, të cilët i kanë cilësuar gazetarët si ‘spiunë serbë’ apo kolaboracionistë dhe i kanë akuzuar ata se ndjekin interesat serbe”, u tha në letrën e hapur dërguar nga OJQ-të.

    Për përkeqësim të lirisë së medias në Kosovë flasin edhe të dhënat e organizatave të tjera ndërkombëtare. Në Indeksin për Lirinë e Shtypit të Reporterëve pa Kufij, më 2024, Kosova u rendit në vendin e 75-të, apo 19 vende më poshtë se vitin paraprak.

    Reporterët pa Kufij thanë se pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët në Kosovë vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”.

    Ndërkaq, në raportin për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, vitin e kaluar, u citua Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që tha se “zyrtarë të Qeverisë, përfshirë kryeministrin dhe anëtarë të partisë në pushtet, janë angazhuar në fushata shpifëse për të minuar besimin e publikut në media”./REL

  • Gjuha e urrejtjes si “artileri” në betejën për pushtet

    Fushata zgjedhore në Kosovë, e nisur zyrtarisht më 11 janar 2025, po përcillet nga një diskurs i vrazhdë mes rivalëve për kryeministër të ardhshëm të vendit dhe mes kandidatëve që pretendojnë të bëhen deputetë të legjislaturës së re e cila pritet të krijohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Fjalimet e mbushura me gjuhë të urrejtjes, me ironi dhe me ofendime të ndërsjella mes liderëve të pozitës dhe opozitës, po i lënë në plan të dytë ato që do duhej të ishin thelbësore në garën për pushtet- programet zgjedhore. Partia që ka qeverisur në katër vjetët e fundit- Lëvizja Vetëvendosje, në fakt as që e ka ofruar një program të tillë. Megjithatë, për gjuhën dhe veprimet që nuk janë brenda normave të lejuara, secila prej partive është duke u gjobitur në vazhdimësi.

    Lëvizja Vetëvendosje është ndëshkuar me 4 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për gjuhën fyese që ka përdorur lideri i saj, Albin Kurti, gjatë një tubimi në Pejë. “Këtu, qysh e dini edhe ju vet, Ly-Dy-Ky-Hi dhe Py-Dy-Ky-Hi (aludimi në LDK-në dhe PDK-në) janë bashkë në koalicion. Ata mund të jenë nostalgjik për të kaluarën kur kanë keqqeverisur bashkë, por nuk mund të jenë më ëndërrimtarë që mund të përsëritet kjo”, tha Kurti para simpatizantëve të LVV-së, në qytetin rrëzë Bjeshkëve të Nemuna (shih videon e publikuar në TikTok).

    Por, s’u ndal me kaq! LDK-në, partinë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku, rivali i tij për pozitën e kryeministrit, ai e krahasoi me mizën. “Kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të Ly-Dy-Ky-Hit se populli po ka simpati për ta, mua më ngjan me mizën që thoshte se kudo që po shkoj po e presin me duartrokitje”, tha Kurti, duke shtuar më pas se “ato duar që duartrokasin [dihet] se çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize” (Shih videon e publikuar në TikTok).

    Nga krahasimet, megjithatë nuk shpëtoi as ai. Për mënyrën e të folurit dhe gjestikulacionet e tij, kandidatja për deputete nga LDK-ja, Xhenet Syka, shpërndau një video krahasuese me tendencë të përngjasimit me diktatorin nazist, Adolf Hitler. Ky veprim i kushtoi LDK-së, me një gjobë prej 20 mijë euro nga ana e PZAP-së, organit të përhershëm, të pavarur dhe kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

    Shkaku i gjuhës dhe i veprimeve të aktivistëve nga gjobat nuk ka shpëtuar as Partia Demokratike e Kosovës. Më 8 mijë euro u gjobit kjo parti për shkak se Armend Ahmeti, zyrtar në Komunën e Skenderajt, shpërndau një video në të cilën shihet dhe dëgjohet Sami Lushtaku, kryetari i Degës së PDK-së në këtë komunë duke i quajtur “zagarë” aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. “T’i çojmë mesazh Albin Kurtit dhe zagarëve të tij” – dëgjohet duke thënë Lushtaku. I biri i tij, Mërgimi është në listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë.

    PDK ia pa “sherrin” edhe Sekretarit të Degës në Malishevë, Ruzhdi Kryeziut. Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet Kryeziu bashkë me një qytetar që aderon në PDK, me ç’rast ky i fundit e prenë me gërshërë kartelën e anëtarësisë të LVV-së. “Nga sot kthehemi të shtëpia e vjetër, aty ku i kemi rrënjët tona të para dhe nga sot e shkatërrojmë kartelën e populistëve” – thotë i aderuari në PDK. Për këtë gjest, PDK-së iu shqiptua një gjobë prej 2 mijë euro.

    I përmbajtur nga përdorimi i gjuhës fyese nuk është treguar as lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, që njëherësh është edhe kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-Nisma. Që në hapje të fushatës, ai e akuzoi rivalin nga LVV-ja, Albin Kurtin, si “argat të Serbisë dhe Rusisë”. “Nuk dojmë me ba lojna me sigurinë nacionale pas shpinës së aleatëve tonë e në interes të Rusisë e Serbisë nga argati i tyre”, tha ai, duke bërë më pas edhe thirrje: “Shko Albin te prokurori se nuk po dojmë me u vjedh rezervat shtetërore, buka e ushtarit, as te energjia. Shko te prokurori e merri hajnat tjerë se je shef i hajnave”. Kjo gjuhë e Haradinajt i kushtoi AAK-së me gjobë prej 12 mijë euro nga PZAP.

    Haradinaj, që bashkë me partnerët e koalicionit garojnë në zgjedhje parlamentare me moton “Direkt në NATO”, e ka cilësuar Kurtin edhe si mercenar. “Shko se neve nuk na vjen marre prej UÇK-së se jemi kanë UÇK dhe kemi luftu për liri. Shko se e ke fy dhe poshtëru nderin e luftëtarit të lirisë. Ti je mercenar, s’është UÇK-ja mercenar, s’ka mercenarë në UÇK, ti edhe soji yt jeni mercenarë- shkoni” – ka thirrur ai.

    Një gjuhë ofenduese ndaj opozitës ka përdorur edhe kandidati për deputet nga LVV, Xhelal Sveçla. Aktualisht, ai është ministër i Punëve të Brendshme. Në një tubim në Vushtrri, Sveçla i ka quajtur ‘disa’ anëtarë të ish-qeverive si ‘bërllok’. “Disa bërlloka të partive të vjetra thanë se Policia e Kosovës po sillet si Policia e Millosheviqit në veri. Këta bërlloka a do t’i hedhim në kantën e bërllokut të historisë sonë?” – ka deklaruar Sveçla.

    PZAP ka dënuar me 4,500 euro edhe Koalicionin për Familjen pas një ankese të organizatave CEL Kosova dhe Dylberizëm me pretendimin se anëtarët e këtij koalicioni kanë përdorur gjuhe fyese dhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBT+, promovimin e përçarjes dhe frikës ndaj qytetarëve si dhe nxitjen e urrejtjes.

    Fushata negative me ndikim afatgjatë në shoqëri

    Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Gëzim Qerimi thotë se gjuha e urrejtjes është shndërruar në një nga karakteristikat kryesore të fushatës. Më me vend ai e sheh sikur fushata të ishte orientuar kah shpalosja e programeve, e jo të dominohej nga retorika përçarëse.

    “Për fat të keq, gjuha e urrejtjes dhe ajo denigruese nuk është monopol i një partie të vetme. Ajo është përhapur pothuajse nga të gjitha forcat politike, duke u kthyer në një normë të papranueshme të komunikimit publik”, thotë ai.

    Megjithatë, sipas tij, gjuha e urrejtjes aktualisht është më e theksuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. “Të dy këta liderë kanë përqafuar një diskurs politik agresiv, duke e ndërtuar fushatën e tyre mbi përplasjet dhe konfrontimin e drejtpërdrejtë, në vend që të ofrojnë zgjidhje për sfidat reale të vendit” – thotë Qerimi.

    Profesori universitar shton se kjo sjellje e liderëve politikë reflektohet në rrjetet sociale, meqë militantët e përsërisin këtë gjuhë e madje me raste shkojnë edhe deri te kërcënimet. Andaj, sipas tij, institucionet, mediat dhe shoqëria civile duhet të bëjnë më shumë për të dënuar dhe penalizuar këtë gjuhë. “Nëse kjo tendencë vazhdon, pasojat mund të jenë të rënda për stabilitetin social dhe për besimin e qytetarëve në procesin demokratik” – shprehet ai.

    Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, negativitetin në fushatë e konsideron si të ‘paparë’. “Mund të themi që fushata nga partia në pushtet ka filluar me një negativitet të pakuptueshëm dhe të paparë duke shpërndarë urrejtje dhe polarizime të panevojshme. Në vend se projekteve elektorale vizionare, aty më shumë është ‘stand up’ komedi në kontekstin negativ dhe një kompeticion ku ministrat këndojnë. Do të duhej të tregoheshin projektet dhe vizioni për vitet 2015 – 2029, por për fat të keq LVV ka ngec në mentalitetin e opozitës” – deklaron Arifi.

    Sipas tij, opozita megjithatë ka më tepër koncentrim te përmbajtja dhe oferta. “Partitë opozitare janë më të koncentruara në përmbajtjen dhe ofertën e tyre. Po vërehet angazhim më i madh edhe në organizimin e tubimeve që ato të jenë sa më shumë elektorale” – shton ai.

    Sociologu Artan Muhaxhiri në anën tjetër thotë se gjuha e urrejtjes si “stil ekstrem” i diskursit publik ka ndikim tek kategoria e votuesve të cenueshëm, të cilët janë kryesisht dogmatikë dhe pa sens të mjaftueshëm kritik e racional të vlerësimit afatgjatë politik. Kjo kategori e votuesve,  sipas tij, shpesh janë edhe të margjinalizuar nga rrjedhat zhvillimore shoqërore.

    “Kjo gjuhë shfrytëzohet me qëllim të ndërtimit të rrëfimit të thjeshtëzuar ndarës: ‘Ne dhe Ata/Ato’, ku ‘Ne’ janë personazhet pozitive, kurse ‘Ata/Ato’ negative. Suksesi i saj varet prej rrethanave sociopolitike që dominojnë në kohën e caktuar, si dhe nga shkalla e kërkesës së votuesve që të udhëhiqen prej një lideri/partie me këtë frymë ideologjike e vepruese” – deklaron Muhaxhiri.

    “Policia Gjuhësore”

    Sociologu Artan Muhaxhiri thotë se duhet të ketë një pajtueshmëri për definicionin e asaj që quhet ‘gjuhë e urrejtjes’. Ndonëse ka disa definicione, sipas tij, kryesisht ‘gjuhë e urrejtjes’ kuptohet kur anëtarët e një kategorie të caktuar shoqërore përçmohen në mënyrë jashtëzakonisht të rëndë identitare, dhe se përbuzja nënçmuese përmban potencial për nxitje të dhunës.

    “Në fushatën aktuale për zgjedhjet e 9 shkurtit nuk është krejtësisht e qartë se cili është precizimi i detajshëm institucional i gjuhës së urrejtjes. Ka disa kritere të gjeneralizuara që mund të nënkuptojnë gjëra të ndryshme, kësisoj duke u hapur mundësi opcioneve subjektive interpretative. S’është identifikuar kthjellët vija e cila i ndan përzgjedhjet e mirëmenduara të strategjive politike prej kritereve të pashmangshme të etikës publike”, shpjegon ai.

    Muhaxhiri thotë se s’bën të krijohet përshtypja e një “Policie Gjuhësore” që i përkufizon kornizat e nuancave të lirisë së shprehjes së politikanëve në një terren skajshmërisht të komplikuar me simbolika, metafora dhe alegori. “Dita e zgjedhjeve do të duhej të ishte vlerësim i votuesve kosovarë ndaj partive dhe liderëve edhe për këtë aspekt të tyre” – thotë ai.

    Për Qerimin, gjuha e urrejtjes e përdorur nga politikanë nuk është e rastësishme. Në fakt, sipas tij, kjo është një strategji e mirëmenduar e partive politike për të manipuluar ndjenjat e qytetarëve dhe për të polarizuar elektoratin. “Kjo gjuhë synon të mobilizojë militantët, duke e paraqitur kundërshtarin politik si një ‘armik’ të vendit dhe të popullit. Kjo strategji, edhe pse mund të sjellë përfitime afatshkurtra për disa parti, në tërësi dëmton rëndë procesin demokratik dhe ndërton një kulturë politike të bazuar në përçarje dhe urrejtje” – shprehet Qerimi.

    “Bullizimi verbal dhe sarkazmi tallës”

    Gjobat e shqiptuara nga PZAP ndaj partive politike, profesor Arifi i sheh me vend, por thotë se një shoqëri normale nuk ndërtohet në këtë formë. “Dënimet janë të mëritura- ka qenë rast i rënd të krahasohet kryeministri me një diktator. Kjo është ajo që nuk duhet të kalohen në urrejtje pavarësisht nga kush bëhen. Edhe në rastin tjetër kur është dënuar opozita për të njëjtat arsye nuk mund të ndërtojmë shoqëri normale nëse elita politike shprehet në ketë formë” – deklaron Arifi.

    Sociologu Muhaxhiri nga këndvështrimi i tij thotë se “qasja e këtillë e instancave që merren me procesin zgjedhor duket se më shumë ka synime parandaluese, për ta minimizuar intensitetin e përdorimit të kësaj retorike në të ardhmen”. “Këtyre ditëve ka pasur raste të bullizimit verbal dhe sarkazmit tallës – për shembull nga Kryeministri Kurti, për ç’gjë edhe është dënuar nga PZAP, që i ka konsideruar ato si ‘gjuhë të urrejtjes’. Kandidatët tjerë për kryeministër nuk janë shquar për fjalë të kësollojta” – thekson Muhaxhiri.

    Qerimi në anën tjetër konsideron se përveç ‘elektrizimit’ të masës nga kjo gjuhë e urrejtjes, mund të jetë edhe efekti tjetër, që disa qytetarë të lodhen nga klima toksike dhe mos të marrin pjesë fare në zgjedhje. “Normalizimi i gjuhës së urrejtjes”, sipas tij, hap rrugën për akte të dhunës verbale apo dhe fizike. E kjo pastaj nëse nuk ndalet në kohë, mund të përshkallëzohet deri në konflikte serioze ndërmjet mbështetësve të partive të ndryshme, paralajmëron Qerimi.

    “Degradimi i kulturës demokratike, ku gjuha e urrejtjes dominon diskursin publik, partitë dhe liderët politikë nuk ndihen më të detyruar të ofrojnë zgjidhje reale për problemet e vendit. Kjo çon në një degradim të skenës politike, ku gara për pushtet bazohet në sulme dhe manipulime, jo në ide dhe projekte konkrete për qytetarët” – thotë ai. Gjuha e urrejtjes, sipas tij, sjell edhe humbjen e besimit në institucione dhe sistemin demokratik në përgjithësi. Rrjedhimisht rritjen e pasigurisë dhe zhgënjimit tek populli.

    Për shkak të thyerjeve të rregullave, në dhjetë ditët e para të fushatës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa u ka shqiptuar subjekteve politike gjoba në shumën prej 125 mijë euro. Bazuar në vendimet e publikuara nga ky organ, e para për nga shuma e gjobitjes është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri më tani është dënuar me 45 mijë euro për gjashtë raste të ndryshme. Partia Demokratike e Kosovës, brenda të njëjtës periudhë është gjobitur me 44 mijë e 500 euro për 10 raste të ndryshme. Koalicioni AAK- Nisma me 23 mijë e 500 euro për tri raste të ndryshme. Dhe, LVV është gjobitur me 6 mijë e 500 euro për dy deklarata të Kurtit, gjatë tubimeve në Pejë dhe Podujevë.

  • Shkeljet e rregullave zgjedhore, PZAP ka ndëshkuar me 125 mijë euro gjoba subjektet politike për 10 ditë

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) u ka shqiptuar gjoba në vlerë 125 mijë euro subjekteve politike për shkelje të rregullave zgjedhore që nga fillimi i fushatës zgjedhore, e cila ka nisur më 11.01.2025 e deri më sot, 22.01.2025.

    Sipas vendimeve të publikuara, e para për nga shuma e gjobave është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri më tani është dënuar me 45 mijë euro për gjashtë raste të ndryshme.

    Gjoba më e lartë ndaj kësaj partie është 20 mijë euro, e shqiptuar për krahasimin e kandidates për deputete, Xhenet Syka Kelmendi, e cila e ka krahasuar kandidatin e LVV-së për kryeministër, Albin Kurtin, me Adolf Hitlerin.

    LDK gjithashtu u dënua me 6 mijë euro për shkak të mbajtjes se tubimeve pa autorizim, me 8 mijë euro për tubim në ambientet e QKMF-së, me 3 mijë e 500 euro për një baner të vendosur në hapësirat e stadiumit në Pejë, me 4 mijë euro për baner të Lumir Abdixhikut dhe Visar Azemit në hapësirë publike në Ferizaj dhe me 3 mijë e 500 euro për baner të kandidates Doruntinë Maloku në hapësirë publike.

    Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës për 10 ditë fushatë është dënuar gjithsej 44 mijë e 500 euro për 10 raste të ndryshme.

    Gjoba më e lartë ndaj kësaj partie është gjoba prej 8 mijë eurosh për shkak të postimit të një video ku shihet Sami Lushtaku duke i quajtur aktivistet e LVV-së ‘zagarë’.

    Sipas vendimeve të publikuara në PZAP, PDK u dënua me 4 mijë euro për shkak të një video të kandidatit për deputet Pleurat Sejdiu, e realizuar në hapësirat e Odes së Mjekëve të Kosovës, me 2 mijë euro për  veprim që nxit urrejtje, me 9 mijë e 500 euro për dy banere të kandidates për deputete, Blerta Deliu Kodra, të vendosur në hapësira publike, me 9 mijë e 500 euro për dy postera të kandidatit për deputet Mergim Lushtakut, të vendosur në hapësira publike, me 3 mijë e 500 euro për poster të vendosur në hapësirë shtetërore, me 8 mijë euro për dy video të deputeteve Ariana Musliu Shoshi dhe Blerta Deliu Kodra.

    Ndërsa, koalicioni AAK, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Forumi Intelektual E-30, është dënuar me gjithsej  23 mijë e 500 euro gjobë deri më tani, për tri raste të ndryshme.

    12 mijë euro i ka kushtuar AAK-së një deklaratë e kandidatit për kryeministër të këtij koalicioni, Ramush Haradinaj, ndaj Albin Kurtit.

    8 mijë euro i ka kushtuar dënimi për shkak të organizimit të një tubimi të kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, në  Shtëpinë e Shëndetit në Malishevë.

    Ndërsa, me 3 mijë e 500 euro është dënuar AAK për një baner të kandidatit Nuredin Lushtaku.

    Po ashtu, PZAP për 10 ditë fushatë ka dënuar me gjithsej 12 mijë euro partinë Lëvizja Vetëvendosje për katër raste të ndryshme.

    LVV me 6 mijë e 500 euro mijë euro është dënuar për dy deklarata të kandidatit për kryeministër Albin Kurti, gjatë tubimeve në Pejë dhe Podujevë.

    Me 3 mijë e 500 euro LVV-ja është dënuar për vendosjen e një baneri  në hapësirat e stadiumit në Pejë.

    Dhe me 2 mijë euro për pjesëmarrjen e anëtarit të KKZ-së, Berat Gashi në një tubim të LVV-së.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.