22:10 – Plagosja e policit, arrestohet instruktori i poligonit
Për rastin e plagosjes së një polici në rajonin e Gjilanit, është arrestuar edhe instruktori që punonte në poligon në momentin kur ndodhi incidenti.
Këtë e ka konfirmuar Ismet Hashani zëdhënës i Policisë Rajonale të Gjilanit.
I dyshuar për plagosjen e zyrtarit policor në një poligon në Pasjak të Novobërdës, është një i mitur.
Të miturit dyshohet se i ka shkrepur arma aksidentalisht me ç’rast ka plagosur zyrtarin policor.
I dyshuari është arrestuar dhe intervistuar në bazë të procedurave ligjore.
I plagosur ka mbetur zyrtari policor E.Sh i lindur në vitin 2003.
Njësia Rajonale po vazhdon hetimet për zbardhjen e rrethojave të rastit i cili është cilësuar “Plagosje”. Polici i plagosur vazhdon të trajtohet në QKUK.
21:18 – Plagosja e policit në poligon, Policia jep detajet
Policia e Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht rastin e plagosjes së një zyrtari policor në një poligon të qitjes në rajonin e Gjilanit.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale të Gjilanit tka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti.
“Ju njoftojmë se sot mv datën 26.01.2025 rreth ores 19:12 në fshatin Pasjak – Novobërdë në poligonin e gjuajtjes ‘Target’, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë me urgjencë njësitet relevante. Nga hetimet e para mësohet se është plagosur zyrtari policor E. Sh. (2003) dhe i njëjti është transportuar për QKUK- Prishtinë” – deklaroi Hashani.
Tutje Hashani thotë se deri tek rasti ka ardhur kur një personi që ishte në poligon me viktimën i shkrepet arma aksidentalisht.
“I dyshimti i mitur është arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit dhe është intervistuar në bazë të procedurave ligjore” – thotë Hashani.
Njësia e hetimeve rajonale dhe Prokuroria po hetojnë rastin që të merren vesh të gjitha rrethanat e rastit.
21:07 – Plagosja e zyrtarit policor – Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes
Plagosja e zyrtarit policor në poligonin e qitjes në dalje të Gjilanit – Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes:
20:54 – I mituri dyshohet për plagosjen e policit në një poligon qitjeje në Gjilan
KALLXO.com mëson se polici që ka mbetur i plagosur në një poligon qitjeje në Gjilan ka marrë plagë në zonën e nofullës.
Policisë në vendin e ngjarjes i është bashkuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Në bazë të burimeve të KALLXO.com, i dyshuar për plagosjen e policit është një person i mitur.
Prokuroria pritet që të ndjekë penalisht edhe instruktorin e poligonit, për shkak se dyshohet që nuk ka qëndruar afër personit që po gjuante me armë zjarri.
Pritet që Prokuroria të ndalojë të miturin e dyshuar dhe instruktorin e poligonit.

20:44 – Plagosja e policit në Gjilan, flasin nga Emergjenca e QKUK-së
Dejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla ka konfirmuar për KALLXO.com se gjendja e policit që dyshohet se ka marrë plagë nga arma në Gjilan, është stabile.
“Në gjendje stabile e kemi pranuar, është plagë me armë zjarri. Tani jemi dukë i bërë ekzaminimet e duhura” – ka deklaruar shkurtimisht Syla.
20:41 – Dyshohet se i përfshirë në incidentin në Gjilan është edhe një i mitur
Në rastin e plagosjes që ka ndodhur në Pasjak të Gjilanit, dyshohet se i përfshirë është edhe një person i mitur.
I mituri dyshohet se ka qenë i shoqëruar nga një person i moshës madhore.
Në bazë të informatave të para që ka ekipi i KALLXO.com në vendin e ngjarjes, i mituri ka dashur të gjuajë, arma i është bllokuar dhe se kur instruktori i është afruar që t’i ndihmojë, i mituri ka ngrehur armën dhe dyshohet se ka qëlluar zyrtarin policor.
20:37 – Plagosja e një zyrtari policor në Gjilan – Pamje nga vendi i ngjarjes
20:21 – Dyshohet se një zyrtar policor ka marrë plagë nga arma e zjarrit në Gjilan
Një zyrtar policor dyshohet se ka marrë plagë nga arma e zjarrit në një poligon privat në dalje të Gjilanit.
Zyrtari policor është dërguar për trajtim mjekësor në Prishtinë.
I përfshirë në rast dyshohet të jetë edhe një qytetar.
Arsyet që sollën plagosjen në Gjilan nuk dihen akoma.
Ekipet e Policisë janë në vendin e ngjarjes derisa është lajmëruar edhe ekipi i Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Prokuroria.
KALLXO.com merr vesh se polici i cili ka mbetur i plagosur është graduar në gjeneratën e fundit të Policisë të cilët u diplomuan më 24.01.2025.
20:18 – Vendi ku ka ndodhur incidenti me armë zjarri në Gjilan
Një incident me armë zjarri ka ndodhur në një poligon në Gjilan.
KALLXO.com merr vesh se janë njoftuar ekipet e Hetuesisë të cilët kanë dalur në vendin e ngjarjes.
Ende nuk ka konfirmim për ndonjë të lënduar.
Rasti dyshohet që ka ndodhur pak minuta para orës 20:00 të datës 26.01.2025.
Ekipi i KALLXO.com është në vendin e ngjarjes.
Lajm në zhvillim…