Ballina

Etiketë: gazi

  • Ukraina bllokon kalimin e gazit rus në Evropë, rriten çmimet e gazit 

    Çmimet e gazit në Evropë janë rritur pasi Ukraina ndaloi kalimin e gazit rus përmes territorit të saj drejt Bashkimit Evropian. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, Moska dikur përmbushte mbi një të tretën e nevojave të Evropës. Kontinenti evropian megjithatë ka arritur të heqë dorë nga gazi rus pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022.

    Çmimet e gazit me shumicë në Evropë u rritën të enjten në nivelin më të lartë që nga tetori i vitit 2023.

    Rritja ndodhi pas vendimit të Ukrainës që ndaloi kalimin tranzit të gazit rus përmes territorit të saj drejt Evropës nga 01.01.2025. Moska do të humbasë mbi 5 miliardë dollarë në vit. Ukraina do të humbasë rreth 800 milionë dollarë që i siguronte nga tarifat. Megjithatë, ndikimi në Evropë do të jetë i kufizuar, thotë analisti Thomas O’Donnell.

    “Të gjithë kanë qenë të përgatitur për këtë. Sigurisht, ka fitues dhe humbës deri në një pikë të caktuar. Disa vende si Sllovakia, Hungaria dhe Austria janë më të varura nga kjo se të tjerat. Ato nuk do të kenë mungesa gazi, por do të duhet të paguajnë më shumë, siç po bëjnë gjithë të tjerët” – thotë O’Donnell nga Qendra ‘Wilson’.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha muajin e kaluar se ai nuk do t’i jepte më Rusisë “mundësinë për të fituar miliarda dollarë”, ndërsa forcat e saj vazhdojnë agresionin në tokën e Ukrainës.

    Kryeministri sllovak Robert Fico është i afërt me presidentin rus Vladimir Putin. Të dy u takuan në Moskë muajin e kaluar.

    Kryeministri Fico e kundërshton mbështetjen perëndimore për Kievin.

    Gjatë një fjalimi që mbajti të mërkurën, pasi Ukraina ndërpreu kalimin e gazit rus, Fico akuzoi bllokun evropian për sakrifikimin e interesave të anëtarëve më të vegjël për ato që ai i quajti qëllime “të pakuptimta” gjeopolitike.

    “Kjo do të ketë ndikim drastik për të gjithë ne në Bashkimin Evropian, por jo për Federatën Ruse” – tha kryeministri Fico.

    Në realitet, Bashkimi Evropian e ka ulur tejmase varësinë e tij nga gazi rus, pjesërisht falë rritjes së madhe të importeve të gazit nga Shtetet e Bashkuara.

    Në vitin 2024 importet e gazit rus përmes Ukrainës përbënin rreth 5% të furnizimeve totale të Evropës. Një pjesë e gazit u dërgua në Evropën Perëndimore përmes Sllovakisë që, sipas analistit O’Donnell, shpjegon shqetësimet e kryeministrit sllovak.

    “Sllovakia fitonte rreth gjysmë miliardë dollarë nga tarifat e kalimit të gazit rus përmes sistemit sllovak të tubacioneve” – thotë O’Donnell nga qendra ‘Wilson’.

    Përpara fillimit të agresionit rus në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, firma shtetërore ruse ‘Gazprom’ ishte furnizuesi më i madh i gazit në Evropë. Sipas analistit O’Donnell, udhëheqësi rus Putin e llogariti gabim përgjigjen e Evropës ndaj luftës në Ukrainë.

    “Presidenti Putin e portretizon veten si një nacionalist i madh rus. Ky nacionalist i madh rus sapo humbi një nga bizneset më të mëdha që Rusia ka pasur ndonjëherë”.

    Rrugët e tjera të furnizimit të Moskës për në Evropë janë të kufizuara.

    Tubacioni ‘Yamal-Evropë’, përmes Bjellorusisë, u mbyll në vitin 2022. Disa muaj më vonë, gazsjellësi ‘Nord Stream’ nën Detin Baltik për në Gjermani u sabotua.

    Rusia është ende në gjendje të furnizojë me gaz Hungarinë, Turqinë dhe Serbinë përmes tubacionit ‘TurkStream’./VoA

  • Kryeministri i Moldavisë paralajmëron krizë sigurie, denoncon ndaljen e gazit rus

    Moldavia po përballet me krizë sigurie pasi dhjetëra mija banorë në enklavën separatiste të Transnistrisë u është ndërprerë qarkullimi i gazit rus, ka paralajmëruar të premten (03.01.2025) Dorin Recean, raporton Reuters.

    Qarkullimi i gazit rus nëpërmjet Ukrainës, që furnizonte Europën Qendrore dhe Lindore, është ndërprerë në fund të vitit 2024, pasi Kievi refuzoi të vazhdonte bashkëpunimin e mëtejshëm biznesor me Moskën.

    Recean ka thënë se Moldavia do të mbulonte nevojat e veta të energjisë me prodhimin e brendshëm dhe me importe, por ka theksuar se rajoni separatist i Transnistrisë e ka pësuar më së rëndi pavarësisht raporteve të saj me Moskën.

    “Duke rrezikuar të ardhmen e protektoratit, ka mbështetur për tri dekada në një përpjekje për të destabilizuar Moldavinë, Rusia po e shpalos rezultatin e pashmangshëm për të gjithë aleatët e vet – tradhtinë dhe izolimin”- thuhet në një deklaratë të shkruar.

    “Ne e trajtojmë këtë si krizë sigurie që synon të mundësojë rikthimin e forcave pro-ruse në pushtet në Moldavi dhe për ta kthyer në armë territorin tonë kundër Ukrainës, me të cilin ndajmë kufi prej 1200 kilometrash”.

    Shteti i Europës Juglindore prej 2.5 milionë banorësh ka qenë në qendër të vëmendjes prej pushtimit rus të Ukrainës fqinje në një kohë tensionesh në ngritje ndërmjet Moskës dhe Perëndimit.

    Presidentja e saj pro-europiane, Maia Sandu, fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet e vjetme dhe është zotuar se do ta zgjerojë reformën dhe se do ta konsolidojë demokratizimin. Moldavia planifikon të mbajë zgjedhje parlamentare në verë.

    Rajoni kryesisht rusishtfolës i Transnistrisë, i cili është ndarë nga Moldavia në vitet e nëntëdhjeta, merrte gazin rus nëpërmjet Ukrainës.

    Në këmbim, Moldavia përdori një hise të energjisë së saj elektrike nga Transnistria, por me Kievin që e bëri të qartë se do të hiqte dorë prej lejimit të territorit të tij për gazin rus, Çisinau u përgatit për ujdi alternative, me përzierje të prodhimit të brendshëm dhe importeve elektrike nga Rumania, ka bërë të ditur Recean.

    Ai ka thënë se Qeveria rumune mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar enklavën. “Zgjidhjet alternative të energjisë, si sistemet e biomasës, gjeneratorët, ndihma humanitare dhe furnizimet mjekësore kritike janë të gatshëm për të ofruar ndihmë që ta pranojë lidershipi separatist”- thuhet në deklaratën qeveritare.

    Lideri pro-rus i Transnistrisë, Vadim Krasnoselsky, ka thënë se rajoni ka rezerva gazi që mund të përfundojnë brenda dhjetë ditësh në pjesët veriore, dhe se sasia e rezervave është dyfish më e madhe se në jug.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com