Të paktën shtatë persona kanë vdekur dhe rreth 10 të tjerë janë plagosur në një rrëmujë në Maha Kumbh Mela në Indinë veriore të mërkurën, ka njoftuar një zyrtar, ndërsa dhjetëra-miliona persona ishin mbledhur për zhytjen e shenjtë në ditën kryesore të Festivalit indus gjashtëjavor – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.
Ngjarja ndodhi ndërmjet 1 dhe 2 të mëngjesit pranë arenës ku ishin vendosur barrikada për menaxhimin e turmës gjatë zhytjes së tyre të shenjtë – ka theksuar Yogi Adityanath, kryeministër i shtetit Uttar Pradesh, ku mbahet Festivali.
Kryeministri Narendra Modi, në një postim në X, ka shprehur ngushëllime për “adhuruesit që kanë humbur të dashurit e tyre”, por nuk specifikoi numrin e të vdekurve.
“Administrata lokale është e angazhuar për të ndihmuar viktimat në çdo mënyrë.” – ka theksuar ai.
Adityanath shtoi se situata ishte nën kontroll, por turma ishte ende masive.
Një zyrtar i lartë shtetëror ka theksuar se “më shumë se shtatë persona janë vrarë në rrëmujë dhe rreth 10 të tjerë janë plagosur”. Zyrtari nuk deshi të identifikohej, pasi nuk është i autorizuar të fliste për media.
Videot dhe fotografitë pas rrëmujës treguan trupat që merreshin me barela dhe njerëz të ulur në tokë duke qarë, ndërsa të tjerët kaluan mbi rroba, këpucë, çanta shpine dhe batanije të lëna nga ata që përpiqeshin t’i shpëtonin rrëmujës.
Një dëshmitar ka theksuar për Reuters se ka parë disa trupa të pajetë, teksa dhjetëra ambulanca po nxitonin drejt bregut të lumit ku ndodhi incidenti.
Dëshmitarët thanë se kishte një rrëmujë të madhe pranë bashkimit të tre lumenjve të shenjtë – ku zhytja konsiderohet veçanërisht e shenjtë – që bëri që besimtarët të binin mbi njëri-tjetrin. Kryeministri Adityanath u bëri thirrje qytetarëve të shmangin zonën.
“Ne kishim barrikada para nesh dhe policë me shkopinj në anën tjetër. Shtytja nga pas ishte shumë e fuqishme… njerëzit filluan të binin.” – ka thënë Vijay Kumar, i cili shkoi në Festival prej qytetit lindor Patna.
“Kishte njerëz të shtrirë përreth, nuk e di nëse ishin të vdekur apo gjallë.”
Një grua që ishte pjesë e turmës, por nuk tregoi emrin, ka treguar për Agjencinë e lajmeve ANI se njerëzit “vazhdonin të shkelnin” nënën e saj dhe atë teksa ato kishin rënë përtokë.
“Unë jam mirë, por nëna ka vdekur.” – ka thënë ajo.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com